Llampa e alkoolit në dhomën dëshmi të Dr. Sali Berisha – Nga Mal Berisha 

syri-logo

Publikuar më nga Syri.net

Nga Mal Berisha*

Në fund – verën e vitit 1990, im atë pësoi një sulm në zemër. E shtruam urgjent në klinikën e kardiologjisë në Tiranë, aty ku kujdesi për këta të sëmurë ofrohej nga emra të mëdhenj të mjekësisë shqiptare si Dr. Sali Berisha, Dr. Ylli Popa, Dr. Nesti Kondilli, Dr Adnan Kastrati, etj. Në duar të tilla të sëmurët e asaj kohe ndjeheshin të sigurtë se do t’i kalonin vështirësitë që iu shkaktonte sëmundja.

Në një nga ato ditë, pasi e vizituam babain tim në pavion, zonja ime dhe unë patëm rastin të dëgjojmë nga goja e Dr. Sali Berishës shpjegimet për gjendjen e tij dhe ndjekjen e mëtejshme terapeutike. Ai na shpjegoi me një durim të admirueshëm, por jo pa nxitim, çfarë kishte ngjarë me zemrën e tim eti.

Mal-BerishaTëra këto i mësuam në dhomën e tij të mjekut, e cila u dhunua sot, tek po na piqte kafenë në një xhezve krejt të zakonshme. Ai e vëloi ujin mbi një shuk pambuku të ngjyer në alkoolin disifektues të ndezur me një flakë jeshile. E hodhi në tre filxhanë dhe e pimë të tre me tre të rrufitura.

Zyra ishte e mbushur me revista shkencore, libra për kardiologjinë, vademekume, fjalorë gjuhësh të ndryshme ndër të cilët dallova atë anglisht, frëngjisht dhe rusisht. Po aty gjendeshin fletë pafund punimesh shkencore, shirita të EKG –ve, receta mjekësore, etj. Gjendej një bluzë e bardhe e varur pas derës dhe e vetmja karrige pranë  një tavoline të stërmbushur me blloqe shënimesh, fletë të shkruara me dorë dhe libra mjekësorë dhe artistikë.

Duke e lënë bisedën për babain e sëmurë mënjanë, ne u përfshimë në një bisedë edhe për politikën. Të etur për të ditur diçka nga goja e një njeriu që po bënte emër jo vetëm si kardiologu më i mirë i Shqipërisë, Anëtari i Bordit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si i vetmi mjek shqiptar, punimet shkencore të të cilit botoheshin në perëndim, por dhe si personifikimi i guximit politik të ndryshmit të Shqipërisë, guxova dhe e pyeta:

Doktor, çfarë mendoni, a thua do të ketë ndryshime demokratike edhe tek ne në Shqipëri?

Ai pa as më të voglin hezitim ose vonesë në të menduar mu përgjigj:

Patjetër që do të ketë. Nuk mund të vijohet më kështu. Edhe ne do bëhemi si Europa dhe ndryshime do të ketë. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë pasi kjo jona është diktatura me e egër që ka përjetuar ndonjë popull në Europë dhe këta nuk e lëshojnë aq lehtë. Por do të ketë ndryshime se nuk bën.

Pas asaj bisede lehtësuese rreth masave që do merreshin për shërimin e babait ne u larguam të lumtur për lajmin e mirë se ai do të shpëtonte, por dhe se kishim zhvilluar një bisedë me njeriun që në atë kohë kishte guxuar ti dilte përballë Ramiz Alisë e që përflitej se ishte njeriu i “se djathtës” shqiptare që po ngrihej në atë vakum të tmerrshëm ngecje të shoqërisë tonë.

Ime shoqe, fjalëpakë dhe e qetë, më tha kur zbritëm shkallët e spitalit:

Sa mirë, babi do bëhet mire! Dr, Saliu e di se çfarë thotë. Por më bëri përshtypje një gjë: “Një njeri kaq i madh  nuk ka as kushtet më minimale për të bërë një kafe siç ia do qejfi atij”.

Epo i thashë, njerëzit e mëdhenj nuk i venë re gjërat e vogla. Edhe Volta kishte hapur dy vrima për macet, tek dera e studios së tij ku eksperimentonte, një të madhe dhe një të vogël, pasi nuk i shkonte mendja se macja e vogël mund të hynte e të dilte nëpërmjet të vrimës së madhe, andaj i bëri edhe asaj një të vogël. Edhe doktori nuk ka vajtur të blejë një furnelë për kafe.

Pas dy ditësh shkuam përsëri në spital. Kësaj radhe kishim sjellë për doktorin një kamineto të bukur – të cilën e quanim në atë kohë “llapmë alkooli” e cila vendosej poshtë një sanxhaku dhe ky i fundit e mbante xhezvenë sipër duke e nxehur kafenë deri në vlim nga flaka e llambës. Bashkë me të sollëm edhe një shishe një litroshe më alkool në vend të “karburantit”. Pak muaj më vonë Dr. Sali Berisha mori drejtimin e lëvizjes demokratike në Shqipëri. Llamba e alkoolit mbeti si pjesë e rekuizitës së asaj zyre që sot është dhunuar, pikërisht nga ata që në atë kohë ishin kundër asaj lëvizje.  Është prekur bash historia më e re e Shqipërisë sonë. Por nëse kardiologu i famshëm dhe udhëheqësi i Shqipërisë Demokratike Dr. Sali Berisha ka hyrë në historinë tonë si flakadan, dhunuesit e kësaj Zyre – Dëshmi do të mbeten në histori jo për punët shkencore as veprat e shquara për Shqipërinë por thjesht për rezistencën që i bënë asaj lëvizje, për varfërinë shpirtërore dhe materiale që i patën imponuar atëherë dhe po ia imponojnë edhe sot popullit shqiptar, anonimitetin që iu rezervon historia dhe numrin e llogarive të mbushura me paratë e vjedhura të shqiptarëve.

Dëshmia e veprës së  “Dr Berishës” nuk ishte vetëm ajo zyrë. Ajo dëshmi është Demokracia Shqiptare, tregu i lirë, fjala e lire, lëvizja e lirë, liritë dhe të drejtat e njeriut. Është Shqipëria anëtare e shumë e shumë organizatave ndërkombëtare deri tek ajo e NATO – s. Është Rruga e Kombit,  një Shqipëri e tëra e transformuar. Për fat të keq, njësoj si ne që luftuam për ta bërë Shqipërinë të tillë bashkë më Dr. Berishën, gëzojnë edhe ata me të cilët ne luftuam  dhëmb për dhëmb. Ata ishin në anën tjetër të barrikadës së përpjekjeve për demokraci. Ishin dhe janë ata që sot e zhdukën zyrën e tij. Janë ata që e gëzojnë dhe e pështyjnë këtë Shqipëri çdo ditë. Edhe sot këtë bënë – shkatërruan objektin e radhës – atë zyrë.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe