NJË DITË ME PIKTORIN BASHKIM AHMETI TEK EDUARD LEAR NË NEW HAVEN

NJË DITË ME PIKTORIN BASHKIM AHMETI TEK EDWARD LEAR NË NEW HAVEN

Gjurmët shqiptare të lëna prej artistësh të huaj janë përherë shumë intriguese, interesante, të bukura dhe të rëndësishme për ne shqiptarët. Të tilla ishin edhe dy pikturat që i pamë, i soditëm, i studiuam, i vëzhtruam dhe i komentuam për orë të tëra në Center for British Art të Yale University në New Haven, ShBA.

Ato janë “ZAGORIA” dhe “BUTRINTO” të pikturuara nga Edward Lear në vitin 1860 dhe 1861. Të përjetosh ndjesinë që të japin këto vepra është një kënaqësi e veçantë. Por kur je në shoqërinë e një piktori të shquar i cili jo vetëm që ka bërë vepra të njohura, kushtuar edhe vetë Edward Lear-it, si ajo “Homazh për Edward Lear”, por edhe ta dëgjosh si pedagog dhe historian arti është një kënaqësi tjetër. Prandaj dua që atë diskutim me Bashkimin në Yale ta përshkruaj si më poshtë:

“Pikturat e Edward Lear-it për Shqipërinë i kam ndjekur me interes të veçantë. Këto këtu të quajtura ZAGORI – në Greqi, dhe kjo tjetra BUTRINTO, – Albania, janë piktura në vaj dhe kanavacë të cilat gjënden në koleksionin e Paul Mellon Collection këtu në Yale dhe janë vërtetë të veçanta. Pikturat janë varur në një pinakoteke, nje mënyre shumë e këndshme ekspozimi. Piktura ”Zagori” besoj se paraqet Zagorine tonë por të parë në atë kohë nga ana tjetër e kufirit që ndan sot Shqipërine me Greqinë. Pejsazhi paraqet figurat e tre burrave me guna të bardha, të cilët mbajnë në kokë qylafë dhe janë të veshur me fustanella. Më poshtë lëviz drejt tyre një prift ortodoks. “Zagori” është një pikturë tipike romantike dhe një nga më mjeshtëroret ndër pikturat në vaj të Edward Lear – it edhe pse dihet që ai shkëlqen me shume në pikturimin me bojrat e ujit.

Pamja piktoreske është e jashtëzakonëshme, e paharrueshme, mbreslënëse. Në sfond gjëndet një manastir me mure guri që tërheq rrezet diellore të fundit të ditës. Përtej honeve të thella duket Mali i Nëmerçkës i mbuluar me borë, ashtu siç e shohim edhe nga ana shqiptare e kufirit të sotëm që nga Qafa e Selçkës, në të majtë të Libohovës. Puna është përmbyllur me shume kujdes dhe çdo detaj është vendosur me durim dhe me dashuri. Në hartën e Greqise së sotme, Zagoria gjëndet në buze të kufirit ose më mirë të themi në vijim të vetë Zagorisë. Kuptohet që është e njejta Zagori pasi nuk ka një të dytë në këtë botë. Sa bukur do të ishte të ishim ngjitur ndonjëherë atje ku u ngjit piktori i madh anglez Edward Lear!

Në pikturë shfaqen ca vijëzime të cilat shkojnë majtas e djathtas dhe që duhet të jenë siluetat e maleve të një tjetër piesazhi mbi të cilin Lear ka bërë një pikturë tjetër për Zagorinë.


BUTRINTO

Piktura e Butrintit në këtë muze është ekspozuar ngjitur me Zagorinë. Si dhe e para ajo është e mrekullueshme. Ngjyra e kaltërt e Liqenit të Butrintit është mbresëlënëse dhe të kujton pikturat impresioniste. Këtë përshtypje ta jep drita mëngjezore që ndriçon kodrat me kulla. E kaltërta e liqenit te Butrintit është e cilësive të pikturave impresioniste. Kjo përshtypje të krijohet nga drita mëngjezore qe ndriçon kodrat me kulla, liqenin dhe më tutje malet e mbuluara me deborë.

Aty gjen një bari me sharkun e zi dhe me qylaf te bardhe ndërsa thellë në luginë duken shtëpi e kulla të zhytura në një heshtje e qetësi të ëmbël. E gjithë natyra është e ngopur me dritë. Liqeni është pikturuar me një prekje piktorike të penelit me nje blu në gurkali që nuk e kam parë gjetiu. Pos tjerash, reflektimi i dëbores së maleve mbi liqen dhe nga ana tjetër i liqenit mbi malet me deborë është diçka që nuk është hasur diku tjetër. Madje as në pikurat e anglezit tjetër shumë të famshëm Joseph Turner.

Vizita në këtë muze të bën të mallëngjehesh jo vetëm se gjen ZAGORINË dhe BUTRINTIN në Yale por se vetë pikturat janë të jashtëzakonëshme, gjë që rrjedh aq sa nga peisazhi shqiptar ku ai e merr frymëzimin aq edhe nga teknika dhe impresionistika dhe ndjenja koloristike e Edward Lear – it, i cili hidhte dritë hyjnore mbi Shqipërinë në veprën e tij dhe jo vetëm në këto piktura por edhe në shumë të tjera.

Ai shëtiste andej këndej nëpër Shqipëri në shoqërimin e Gjergj Kokalit (në Gjirokastër njihej si Kokalari) që të zbulonte bukuritë e vendit tonë dhe të thithte ajrin e freskët dhe të gjënte hijet nëpër tejdukshmërinë e natyrës madhështore që t’i hidhte pastaj në telajo ngjyrat e mrekullueshme të pejsazhit të vendit tonë.

Shqipërija në veprën e Lear – it ishte sa madhështore aq edhe tronditese – madhërisht e bukur, tmerrësisht e lënë në padituri dhe varfëri – fisnikërisht e lartë, armiqësisht e lënë në prapambetje, jashtë-natyrshëm e bukur – shume pak e pasqyruar në art. E prapëseprapë, ja tek gjënden vepra që të tronditin me vlerën që kanë dhe atë që pasqyrojnë. Një popull në një cep të botës, i panjohur, marrëzisht fisnik por frikshem i lënë në padije. Mirëpo prapëseprape një botë shqiptare që të bën krenar në mënyrën sesi e dëshmon Edward Lear në këtë muze, njëri nga më prestigjiozët në botë.

U larguam nga Muzeu i Yales me një pasuri të madhe shpirtërore që na dha Edward Lear, aq mirë i studiuar nga Prof. Ferit Hudhri në veprën e tij

“Shqipëria në veprat e piktorëve të huaj”

Proud to be Albanian

Yale, 31 tetor 2018