“Realitete shqiptaro-britanike”

Libri “Realitete shqiptaro-britanike”, një botim me vlera historike diplomatike dhe kulturore, shkruar nga ambasadori shqiptar në Londër, Mal Berisha, shënoi edhe përfundimin e misionit të tij kontravers diplomatik, mision i cili u “ngri” praktikisht pas zgjedhjeve të fundit në Shqipëri dhe ishte në vitet fundit një post formal.

Në promovimin e librit në ambientet e Regents’ University London, ku ishin të pranishëm diplomatë të huaj në Londër, miq të Shqipërisë dhe përfaqësues të spikatur të komunitetit shqiptar në Britani, u vlerësua ky liber si dhe aktiviteti diplomatik i ambasadorit, me mbi 150 aktivitete të spikatuara në afro 1400 ditët e misionit të tij.

Të pranishmit vlerësuan aktivietete të tilla si “Notes on Albania” me praninë e yjeve të muzikës shqiptare si Ermonela Jaho e Inva Mula apo  vendosjen e bustit të Skënderbeut në Londer, si dhe shndërrimin e ambasades në shtëpinë e shqiptarëve të Britanisë.

Në promovimin e organizuar nga gazeta e komunitetit shqiptarë në Britani, “The Albanian”, performuan disa nga artistët më të njohur shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbyllja e misionit diplomatik të ambasadorit aktual, Mal Berisha, u vlerësua nga shumë të pranishëm në takim dhe sidomos mesazhi i lexuar nga kryetari i degës së Partisë Socialiste në Londër, Lavdrim Krashi dërguar nga ish-Kryeministri shqiptar dhe deputeti aktual socialist Pandeli Majko, i cili duke vlerësuar punën e ambasadorit, ndër të tjera shkruante: “Shkurt, një shqiptar i mirë nuk ka si të jetë një diplomat i keq. Përkundrazi”.

Londra, si një nga qendrat më të rëndësishme të vendimarrjeve politike dhe diplomatike ndërkombëtare, lipset të ketë një vëmendje dhe seriozitet më të madh nga shteti shqiptar, i cili do duhet të korrespondonte edhe me cilësinë e përfaqësimit diplomatik britanik në Tiranë.

Arben Manaj/ Top Channel