SHQIPËRIA JUGORE OSE EPIRI I VERIUT NË ÇËSHTJET EUROPIANE NDËRKOMBËTARE

SHQIPËRIA JUGORE OSE EPIRI I VERIUT NË ÇËSHTJET EUROPIANE NDËRKOMBËTARE

Southern Albania or Northern Epirus in European International Affairs 1912 -1923
Copyright 1926 By StanfordUniversity Press
All rights reserved
Published, December 1926 In the United States of America.
Përktheu nga  origjinali: Mal Berisha.

Parathënie e autores

SHQIPERIA

Ndërkohë që Lufta e Madhe po shkonte drejt mbarimit të saj, u bë e qartë se midis problemeve më të mprehta, më të rëndësishme dhe më të vështira me të cilat do të ndeshej Konferenca e Paqes që po afrohej, ishin problemet e kombësive që përfshinin kërkesat e popujve të pakënaqur ndaj sundimtarëve dhe që kërkonin ose pavarësi ose bashkim me racat e tyre të afërta. Vetëvendosja e popujve, e shpallur prej aleatëve si njëri ndër qëllimet kryesore të luftës, hasi në një përgjigjie të menjëhershme. Këto ishin të gjitha çështje që shqetësonin popujt. E parë nga një pikë tjetër vështrimi, ato u përqëndruan rreth zotërimit të territoreve, pra ishin ngatërresa kufijsh. Midis këtyre problemeve, çështja e Shqipërisë Jugore ose e Epirit të Veriut ishte njëra nga më të debatuarat ndër zonat që rrezikonin paqen në Europë e që përbëhej sa nga kërkesa rivalësh nacionalistë po aq edhe nga interesa të disa Fuqive të Mëdha.

Ky studim synon të paraqesë një tablo të gjithanshme e të plotë të historisë në fjalë nga viti 1912, kohë kur kjo çështje fillon e merr një farë rëndësie diplomatike, deri ne vitin 1923, duke e vënë theksin pikërisht tek aspektet më të gjera europiane por edhe tek ato elemente lokale e kombëtare të cilët ndikonin në situatën ndërkombëtare.

Shumë material i vlefshëm në arkivat qeveritare është ende i papublikuar dhe padyshim do të jetë për një kohë të gjatë i papublikuar dhe i pakapshëm. Por praktikisht të gjitha materialet e shkruara janë në Bibliotekën e Luftës, Huver, në Universitetin e Stanfordit, i cili zotëron ndoshta koleksionin më të plotë të materialit rreth kësaj çështjeje, një pjesë e mirë e të cilës është përdorur pikërisht në këtë studim.

Ky studim është paraqitur në fillim si tezë për shkallën e doktorit në filozofi në Universitetin Stanford. Subjekti i tij është sugjeruar prej Dr.E.D.Adams, pa ndihmën dhe drejtimin e të cilit zor se mund të ishte shkruar. Praktikisht, i gjithë materiali gjendej në koleksionin e papërdorshëm të Bibliotekës së Luftës Huver në Universitetin Stanford. Ndaj drejtorëve të asaj biblioteke e veçanërisht ndaj bibliotekares zonjushes Nina Almond dhe ndaj Robert C.Binkley referent i bibliotekës, autorja është mirënjohëse për ndihmën e pakursyer që ata i kanë dhënë. Mirënjohje e thellë i kushtohet gjithashtu Dr. Percy A. Martin dhe Dr. Frank A. Golder të Universitetit Stanford për kritikën e plotë të dorëshkrimeve. Po kështu vlerësime të sinqerta për ish kolegen time në kolegjin Goucher, Dr.Mary E.Uiliams, pa inkurajimin e së cilës ky studim ndoshta nuk do të kishte çmimin “George Beer”, të cilin Shoqata e Historianëve Amerikane e dha në mbledhjen e saj në Ann Arbor më 1925. Falenderime të veçanta shkojnë në adresë të Dr. Charles Seymor të Universitetit Yale, i cili ndihmoi me materialet që kanë të bëjnë me komisionin e çështjeve greke në Konferencën e Paqes, sikundër shihet edhe në biobliografi dhe në shtojcë.

Kësaj liste tashmë të gjatë të mirënjohjeve duhet t’i shtohet një fjalë vlerësimi për frymëzimin që autorja mori prej kolegjit Vassar nga ish mësuesit e saj atje, zonjushe Lucy M.Salmon, zonjushe Eloise Ellery dhe zonjushe Dorothy Stimson, më vonë kolege të nderuara dhe mikesha në kolegjin Goucher. Falenderime të veçanta gjithashtu për kolegjin Vassar për dhënien e dekoratës „Sutro Fellowship“ për vitet 1923-1924, i cili bëri të mundur përfundimin e veprës.

Kliko ketu per te lexuar Southern Albania or Northern Epirus in European International Affairs 1912 -1923