Kadri Tarelli, shkruan: Mal Berisha në Monografinë kushtuar Herman Bernstein

Një falenderim për historianin, shkrimtarin dhe studiuesin z. Kadri Tarelli i cili I ka kushtuar aq shumë vëmendje studimit të librit “HERMAN BERNSTEIN”
Ndjehem i nderuar për analizën që i ka bërë figurës së tij dhe nëpërjet të tij edhe librit!
Respekt dhe nderim! – Mal Berisha


Kadri Tarelli, shkruan: 

                         AMBASADORI I DASHURUAR ME SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT 

                       Mal Berisha në Monografinë kushtuar Herman Bernstein

Po mendoja të shkruaja diçka mbi librin monografi: “Herman Bernstein, Ambasador i SHBA-ve në Mbretërinë Shqiptare, 1930–1933”, që kur para do kohësh, autori Mal Berisha bëri përurimin edhe në qytetin e Durrësit. E kisha lënë ta lexoj më nge, sepse libri është shkruar me germa të vogla dhe do durim e mundim për ta përfunduar. Koha u gjet, jo nga unë, por nga “Virusi”, që në këtë pranverë 2020, na ngujoi nëpër shtëpitë tona, si Oso Kuka, dikur në “Kullë t’ barotit”.

Tani ndjej pendim që e lashë të presë kaq gjatë, sepse ky libër i shkruar me mjeshtëri e art fjale, ka peshë të rëndë për nga materiali historik, nga dokumentet e shumta të gjetura nëpër arkivat e botës, por edhe nga cikërrimat jetësore, që e shoqërojnë “Heroin e librit” në udhëtimet e tij nëpër Shqipëri e nëpër botë. Janë ndodhi të ndryshme, apo vogëlima po i quaj unë, të gjetura e të hedhura me kujdes, që i japin librit lëng jete, bukuri dhe kënaqësi leximtare e shpirtërore, për të mos përsëritur falën e thënë shpesh, “Libri nuk të lëshon nga dora”.

Nuk po marr përsipër të gjykoj apo të shtjelloj strukturën e këtij libri, që do ta quaj një monografi e mrekullueshme për një njeri të mrekullueshëm, siç është ambasadori Herman, sepse është zgjedhje e autorit, për t’i thënë gjërat ashtu siç i mendon ai dhe aq sa do ai. Madje nuk ka rëndësi vendosja e materialit, duke gjykuar se më e qenësishme është vërtetësia dhe harmonia e të veçantës me të përgjithshmen.

E them këtë, sepse lexuesi do të çuditet disi, kur të shikojë si pjesë të parë të vendosur: “Herman Bernstein në Shqipëri”, ndërkohë në pjesën e dytë: “Herman Bernstein, para ardhjes në Shqipëri”. Kjo vendosje nuk është një truk i autorit, por një vendim i arsyeshëm, nisur nga gjykimi i materiali që shtjellohet. Gjithsesi e rëndësishme dhe e dobishme është, njohja me shumë të dhëna historike, disa të pa njohura më parë, mbi ngjarje dhe personazhe që kanë pasur rol dhe ndikim mbi gjendjen, vijimësinë dhe ardhmërinë e kombit dhe të shtetit shqiptar. E gjitha, e vështruar në një periudhë tepër të trazuar brenda vendit, lakminë e fqinjëve tanë të pa ngopur, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, ku luhej politika e madhe.

Kjo monografi është një libër i shkruar me shumë dashuri e përkushtim, për të qenë sa më i vërtetë, aq edhe i besueshëm për lexuesin, mbështetur në kulturën letrare, artistike, historike dhe politike, goxha te plotë. Kam përshtypjen, se autori është përpjekur dhe lodhur shumë, jo thjesht për të grumbulluar material, pasi është i gjerë dhe tepër i rëndë, i shtrirë në kohë dhe në hapësirën e disa vendeve të botës, por për ta sistemuar, diku edhe shkurtuar, për të dhënë vetëm thelbin.

Nuk mburrem, por kam lexuar shumë monografi, jam përpjekur të shkruaj edhe vetë, dhe sa herë që nis lexoj, them me vete: Sa kokë krisur paska kjo botë, që guxojnë të hyjnë e të shkruajnë monografi, aq më shumë për personalitete të tilla si ambasadori Herman, që rrok disa disiplina: të gazetarisë, letërsisë, diplomacisë dhe politikës, ku hyn dhe nuk del dot.

Analiza e ngjarjeve të kohës, sipas ambasadorit Bernstein, të cilat i përjeton vrullshëm, duke qenë vetë aktor dhe spektator i paanshëm në gjykim, është i pa ndikuar nga askush. Aq më pak nga politika dhe qejf-mbetjeve alla shqiptare, pavarësisht simpatisë dhe dashurisë që ai ndjeu dhe gëzoi, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ishte dhe mbeti i drejtë me veten dhe me detyrën, madje duhet shtuar: ai ishte mjeshtër i analizave diplomatike. Kjo na bën nder, ne si komb dhe si shtet, (kemi parasysh i sapo formuar). E nënvizoj këtë, pasi në shumë shkrime të tij, të botuara në gazetat më të njohura të Amerikës, pa mëdyshje zbardhen shumë pjesë të jetës shqiptare, disa të pa thëna më parë, të pa njohura, apo të mësuara keq, duke paragjykuar politikisht edhe sot e kësaj dite, atë periudhë aq të zhubravitur në kancelaritë e shtetit dhe të shteteve.

Ambasadori, apo Ministri fuqi plotë, përfaqësues i SHBA-ve, shtetit më të fuqishëm të botës, në Shqipëri, në “Tokën e harruar të Europës”, njohu personalisht shumë funksionarë të shtetit shqiptar, është fjalë për Mbretin Zogu i I-rë, Faik Konica, Mehmet Konica, Lef Nosi, artistin Aleksandër Moisiu, të cilit i përktheu dramën “I burgosuri”, nga gjermanisht në anglisht. Ai njohu po kaq mirë shpirtin liridashës, mentalitetin e kohës, harmoninë fetarë, njëkohësisht edhe gjendjen e vështirë ekonomike, dallimet sociale e krahinore, prapambetjen arsimore, kulturore dhe dëshirën e papërmbajtur të shqiptarëve, për të bërë shtet dhe përparim shoqëror. Në letrën që i dërgonte, Sekretarit të shtetit, më vonë president i SHBA-ve Hrbert Hoover, ai shprehet: “Shqiptarët janë njerëz të tillë, që më mirë vdesin, sesa të kërkojnë, më mirë mbarojnë në dëshpërim të vet, sesa të qahen… Ata janë popull tragjik, por një racë heroike”.

Pikërisht mbi këto dukuri të qëmtuara imtësisht, ai zbuloi shpirtin dhe besën e shqiptarëve, dashurinë ndaj të tjerëve pa dallime kombesh, siç ishin hebrenjtë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe familjen. Ai u bë mik dhe mbeti mik i shqiptarëve, si rrallë kush në historinë diplomatike dhe marrëdhëniet ndër shtetërore të shtetit shqiptar. Na duket si çudi, kur lexojmë: “Bernsteini është shqiptarizuar, shprehen qarqet diplomatike italiane”.

Kjo do të ishte vetëm gjysma e të vërtetës mbi portretin e këtij gazetari, poeti, shkrimtari, përkthyesi, politikani dhe veprimtari të pa lodhur, siç ishte Bernsteini. Detyrimisht po ve në dukje, si vlerë e shtuar e heroit të librit, se ai kishte njohje personale të hershme me presidentët, Teodor Rusevelt, Woodrow Wilson, Herbert Hoover. Jo kushdo mund të arrinte në këto maja të “Yjeve” të politikës, që drejtonin botën.

Nuk çuditemi kur vizitojmë galerinë e shumë personaliteteve të tjerë, po kaq të rëndësishëm në politikë dhe në fusha të tjera, të artit, letërsisë, kulturës, shkencës, ekonomisë, etj. Në libër do të gjeni disa prej tyre: Austen Chamberlain politikan britanik dhe fitues i çmimit “Nobel”, historianin Tarle, të famshmin Leon Tolstoi, shkrimtarin dhe dramaturgun George Bernard Shaw, shkrimtarin Leonid Andrejev, Leon Trocki, politikanin dhe organizatorin e revolucionit të Tetorit në Rusi, skulptorin e njohur August Rodin, shkrimtarin amerikan Teodor Drajzer, shkencëtarin Albert Ainshtajni, etj, etj, personazhe e burra shtetesh.

Personaliteti i ambasadorit është i pamat. Madje duhen studime të tjera që t’i japin hakun që meriton. Unë dua të ndalem pak te librat e tij, të cilat janë një tjetër galeri shkencore dhe artistike njëherazi, duke i lënë kulturës botërore një tjetër pasuri. Përmend:

. Revolucioni Bolshevik i Tetorit dhe telegramet “Willy-Nicky”.

. Herbert Hoover. Njeriu që solli Amerikën në botë.

. A mund ta shmangim luftën?

Po qëndroj fare pak tek libri i tretë, pasi bën fjalë për afrimin e Luftës së Dytë Botërore dhe kërcënimin që po i vinte njerëzimit. Ai nuk e pa dhe nuk e përjetoi pështjellimin e botës mbarë, por e parandjeu dhe klithi me zë të fortë, duke i shkruar 100 personaliteteve të kohës: “A mund ta shmangim luftën?”. Ai ishte njohës i përkryer i lëvizjeve politike dhe ushtarake, ndaj u përpoq që të nxiste shpirtin paqedashës. Pavarësisht se ishte njeri realist, me këtë thirrje, duket që mbetet idealist dhe fisnik në shpirt. Kaq mundi të bëjë ai, megjithëse fare mirë e dinte, se janë të tjera forca që e kurdisin orën e tmerrit dhe venë në lëvizje akrepat, ndërsa politikanëve u mbetet në derë, fitorja dhe humbja, nderi dhe turpi, lavdia dhe mallkimi, përbuzja dhe harrimi. Pas pak vitesh, pasi ai ndërroi jetë, botës ju vu zjarri, që mori miliona të vrarë, mes tyre edhe miliona hebrenj, njerëz të racës së vet.

Secili nga ne mund të flasë e të shkruajë shumë, për librin dhe në veçanti për Ambasador Bernstein, me të gjitha meritat e tij, si njeri tepër i zgjuar, i ditur, guximtar, këmbëngulës dhe i duruar. Por…, më pëlqen të ve në dukje një tjetër cilësi, që ne shqiptarët duhet ta mbajmë si hajmali, apo gjerdan floriri: “Dashurinë për kombin e tij”. Ai i qëndroi besnik Amerikës dhe detyrës ndaj këtij vendi, që i dha liri dhe mundësi të bëhej ai që u bë. Diçka madhështore në figurën e tij është synimi, se brenda lirisë, pa e cenuar atë dhe interesat e Amerikës, e vuri veten në shërbim të kombit hebre, për të krijuar atdheun, Izraelin, ku të mbështeste kokën, trupin dhe shpirtin e tij. Në këtë projekt të paimagjinueshëm për nga përmasat, ai nuk ishte vetëm dhe i vetmi, por bashkë me plot të tjerë, vuri një gur të rëndë në themelet e shtetit të ëndërruar, por që nuk arriti ta shohë të realizuar sa ishte gjallë. Gjithsesi figura e tij është për t’u admiruar, për atdhedashuri, si shembull për të gjithë ata që punojnë e luftojnë për lartësimin e kombit dhe atdheut të vet. Ai mbetet simbol adhurimi, veçanërisht për brezat e rinj.

Në fund të librit, si një vlerë të shtuar, më bëjnë përshtypje shumë veprimtari të organizuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, nga autori i librit, diplomati ynë Mal Berisha, ku duke paraqitur librin e tij, gjen rastin të shpalosë para botës, cilësitë dhe tiparet më të mira, më të bukura të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kam bindjen se i gjithë libri është një “Shkollë” suksesi, ku diplomatët e rinj shqiptar, do të gjejnë mësime të vyera për veprimtarinë e tyre në dobi të detyrës dhe të mbidetyrës: “Çështja jonë kombëtare”. Leximi dhe studimi i kësaj përvoje të pasur diplomatike, mbase bëhet mësim edhe për strukturat tona shtetërore, për të zgjedhur në përfaqësitë tona diplomatike nëpër botë, njerëzit më të përgatitur, më të përkushtuar për detyrën, mbase edhe atdhetarë të thekur.

Bindem plotësisht, kur arrij në mbyllje të faqes së fundit të librit, se Diplomati ynë Mal Berisha, bëri një detyrë shqiptarie, sepse “Mikut të shqiptarëve”, ambasadorit Herman Bernstein, i ngriti “Monument” në tokën shqiptare, duke e lartësuar në këtë libër me përmasa të mëdha, me vlera njohëse, mësimore dhe edukative.

Mirënjohje dhe përshëndetje autorit Mal Berisha! Falënderim dhe suksese me vepra të tjera, po kaq të mira e të rënda!

Kadri Tarelli

Durrës më: 09, mes pranvere, 2020.