Përsiatje me rastin e festimeve të 111 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë brenda në Sallën e Parlamentit të Bashkisë së Nju Jorkut.
NGA MAL BERISHA
ÇFARË ËSHTË EKUMENIZMI PËR NE SHQIPTARËT?
Kremtimi i 111 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërise brenda në sallën e Parlamentit të Bashkisë së Nju Jorkut ishte një rast ideal për të parë se sa të integruar dhe sa të respektuar janë shqiptarët e këtij qyteti nga autoritetet lokale të këtij vendi të madh.
Më datën 28 Nëntor 2023, City Hall i Qytetit Metropolitan të Nju Jorkut priti me bujari, respekt, nderim dhe admirim një grup të madh qytetarësh shqiptaro – amerikanë, të emigruar në Amerikë nga të gjitha trojet shqiptare. Njerëz të punës, nga të gjitha udhët e jetës, të ardhur thuajse të gjithë nga një situatë e dëshpëruar në vendet e tyre shqiptare në Ballkan…njerëz që kanë prosperuar me punën e tyre, përpjekjet, sakrificat, duke bërë edhe punë shumë të rënda, por me një qëllim të qartë:
“Të ruajnë familjet e tyre, të rrisin fëmijë të shëndetshëm, të edukuar mirë, të arsimuar mirë dhe që të reflektojnë virtytet më të larta të popullit tonë dhe të ruajnë identitetin e tyre shqiptar.”
FAMILJA, ATDHEU, BESIMI TEK ZOTI, dashuria për vendin e origjinës dhe po aq për “atdheun e ri” i ka udhëhequr ata në udhëtimin e tyre aspak të lehtë por me mundësira të pafund që Amerika iu ka ofruar atyre.
Në ditën e ngritjes së flamurit tonë kombëtar, ishte vetë Kryetari i Bashkisë z. Eric Adams. Ndërkohë në mbrëmjen festive morën pjesë antarët e Këshillit Bashkiak nga zonat me banim më të dendur të shqiptarëve, Robert F. Holden, Joseph C. Borelli, David Carr Oswald Feliz dhe Marjorie Velasquez. Të gjithë u shprehën me simpati për banorët e tyre shqiptarë në zonat që ata përfaqësojnë.
Organizimi i këtij aktiviteti nga aktivisti i njohur i bashkësisë shqiptare të Nju Jorkut, z Mark Gjonaj, meriton rrespekt.
TEMA: BASHKËJETSA FETARE TEK SHQIPTARËT
E meqenëse tema kryesore në këtë ngjarje jubilare ishte perqëndruar tek bashkëjetesa fetare midis shqiptarëve si një model unik për tërë botën, do të doja ndalesha tek “filozofia” që e karakterizon këtë fenomen unik shqiptar në tërë botën.
SI E SHPJEGONTE AT ARTHUR LIOLIN BASHKËJETESËN FETARE TEK SHQIPTARËT?
Disa kohë më parë, kam patur nderin dhe privilegjin që të takoja kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, “Shën Gjergji” në Boston, tani i ndjerë, At Arthur Liolin. Në intervistën e gjatë që i mora atë ditë, mësova diçka që duhet ta dijmë jo vetëm ne shqiptarët, por e tërë bota që na njeh, që interesohet për ne, që na don, na simpatizon ose edhe ata që na urrejnë pa na njohur mirë.
Mësova për EKUMENIZMIN që është në qënjen e neve, shqiptarëve:
Bashkëjetesa jonë paqësore, madje dashuria vllaznore midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme, muslimane, katolike, ortodokse, bektashiane apo edhe hebraike. At Liolini më shpjegoi dëshirën e feve për të sjellë në grigjën e tyre sa më shumë besimtarë. Por Ekumenizmi i At Arturit shkonte më larg kur fjala ishte për shqiptarët.
“Ekumenizmi shqiptar shfaqet në një formë krejt të ndryshme nga çdo bashkësi, kumunitet, komb apo fe tjetër në botë. Bashkëjetesa fetare tek shqiptarët është unike, e rrallë, e veçantë, shëmbull për tërë botën e qytetëruar”, thotë ai.
“Në një kuptim të përgjithshëm, fjala “ekumenike”përdoret për të përshkruar përpjekjet ose lëvizjet që synojnë të promovojnë unitetin dhe bashkëpunimin midis besimeve të ndryshme të krishtera ose, më gjerësisht, midis grupeve të ndryshme fetare.”
Lutjet e drejtuesve të bashkësive fetare të shqiptaro – amerikanëve, Imam Tahir Kuka, At Pjetër Popaj, Baba Eliton Pashaj, Imam Edin Gjoni, peshkopi Nathan Preston në atë mbrëmje si dhe pozimi plot dashuri i tyre përpara asaj audience disa qindra pjesmarrësish ishte shpjegimi më i qartë i fjalëve të At Arthur Liolinit të ndjerë.
E në këto kohëra të vështira që po kalon bota për shkak të ndasive të ndryshme, sidomos fetare, dhurata më e mirë e popullit tonë ndaj vetë njërëzimit është ky fenomen:
Bashkëjetesa dhe mirëkuptimi fetar i shqiptareve, si model që I japim vetë trashëgimisë së njerëzimit.