NGA MAL BERISHA
Ai (Ali Pashai – MB) na pyeti: Çfarë ju shtyu të udhëtoni në Shqipëri? I thamë, dëshira për të parë një burrë të zotin me sytë tanë. “Ashtu ë”- na e ktheu ai, “po a keni dëgjuar ju ndonjëherë për mua në Angli?” Ne sigurisht që e siguruam se ai ishte një objekt shumë i përhapur bisedash në vendin tonë dhe kjo lajkë duket se i pëlqeu jashtëzakonisht shumë[1].
Bashkë me Byron – nin drejt Shqipërisë udhëtoi edhe një anglez tjetër, John Cameron Hobhouse (1786–1869) i njohur si Lord Broughton. Ai përmendet pak tek ne, por vepra e tij është aq e madhe sa përbën një trashëgimi të pashoqe për Shqipërinë.
Nga 1150 faqet e librit të tij “Një udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Europë dhe Azi deri në Konstandinopul”, gjatë viteve 1809 dhe 1810, ai më shumë se gjysmën e vëllimit ia ka kushtuar Shqipërisë. Në vijim të traditës së Martin Leake, ai jep një përshkrim të mrekullueshëm dhe të detajuar të Shqipërisë. Përshkrimet e tij për Ali Pashë Tepelenën janë aq reale, të detajuara, bindëse.
Ai pasqyron forcën e tij ndikuese në atë kohë, duke e konsideruar atë si pasardhës të Pirros së Epirit. Hobhauzi me librin e tij ka plotësuar një pamje të Shqipërisë së fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Për një diplomat shqiptar në Britaninë e Madhe, por edhe anasjelltas, një diplomati britanik në Tiranë, ky libër përbën një monument të rëndësishëm në kuptimin sesi inteligjencia angleze e ka përshkruar Shqipërinë e asaj kohe dhe shqiptarët në trojet e tyre etnike.
[1] John Hobhouse – A Journey through Albania and Other Provinces of Turkey in Europe and Asia to Constantinople during the Years 1809 and 1810, London 1813.