NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË STUDIUESES SUZANA VARVARICA KUSHTUAR VEPRËS SË SKULPTORIT “VASIL RAKAJ”


Mal Berisha

Hotel Tirana International

27 Mars 2026


 NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË STUDIUESES SUZANA VARVARICA KUSHTUAR VEPRËS SË SKULPTORIT “VASIL RAKAJ”



Të nderuar zonja dhe zotërinj, pjesëmarrës në këtë promovim libri!
Të dashur miq të artit dhe të kulturës shqiptare!

Është një nder i veçantë për mua që sot të jem mes jush në këtë ngjarje të bukur kulturore, në promovimin e një libri që i kushtohet një artisti të rrallë, një krijuesi që e ka shndërruar allcinë, gurin, bronzin dhe drurin në gjuhë të shpirtit njerëzor.

Sot ne nuk promovojmë thjesht një libër.
Ne nderojmë një jetë.
Një përkushtim.
Një mision artistik.

Libri i autores së nderuar Zana Varvarica Kuka, kushtuar skulptorit Vasil Rakaj, është më shumë se një studim. Ai është një dëshmi e një rruge të gjatë krijuese, ku arti nuk është vetëm formë, por kujtesë, identitet dhe shpirt.

Vasil Rakaj është një nga ata artistë që nuk i përket vetëm një vendi. Ai i përket Shqipërisë që e lindi dhe Amerikës ku krijoi, por mbi të gjitha i përket botës së artit të vërtetë.

Mjafton të përmendim për këtë Statujën e Nënë Terezës dhe atë të Martin Luther King-ut që ta ilustrojmë këtë më së miri!

Në këtë ditë të sotme, në këtë koincidencë të bukur të datëlindjes së tij, i uroj:
GËZUAR! PAÇ JETË DHE SUKSESE NË VEPRAT TUAJA TË SË ARDHMES!

Në veprat e tij, figura njerëzore nuk është thjesht trup. Ajo është histori, është dhimbje, është shpresë, është besim. Ai ka skalitur shenjtorë dhe heronj, figura historike dhe shpirtërore, por mbi të gjitha ka skalitur njeriun në madhështinë dhe thjeshtësinë e tij.

Në një kohë kur gjithçka kalon shpejt dhe kujtesa shpesh zbehet, arti i Vasil Rakajt qëndron si një kujtesë e gjallë. Një kujtesë se historia nuk jeton vetëm në libra, por edhe në formë, në dritë dhe në heshtjen e një skulpture.

Dhe pikërisht këtu, më lejoni të ndaj disa kujtime që më lidhin edhe me autoren e librit, edhe me skulptorin!

Që në vitet e Institutit të Lartë të Arteve pata fatin të njoh nga afër Vasil Rakajn, si edhe studiuesen Suzana Varvarica. Ishin vite rinie, por edhe vite formimi shpirtëror, ku arti nuk mësohej vetëm në auditorë, por jetohej, diskutohej, ndjehej.

Me Vasilin, më vonë, në Laç, kemi kaluar vite të tëra bashkë. Ishin vite pune, por edhe reflektimi, ku përmes baltës, gurit apo bronzit, dukej sikur përpiqeshim të kapnim diçka më të madhe se vetja jonë. Aty ku arti nuk është vetëm mjeshtëri, por një përpjekje për të lënë një gjurmë në kohë.

Po aq domethënës ishte edhe bashkëpunimi me Suzana Varvaricën, e cila, ndërsa punoja në Londër për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, ishte ajo që më prezantoi me skulptorin Kreshnik Xhiku në sipërmarrjen time për të vendosur bustin e Skënderbeut në Londër në atë jubile historik. Ishte ajo që më solli emrin e tij dhe që aty nisi realizimi i vendosjes së veprës në qendër të Londrës.

Ishte një moment kur historia, arti dhe ndjenja kombëtare u bashkuan në një pikë të vetme.

Gjatë jetës sime, kam pasur fatin dhe përgjegjësinë të kontribuoj modestisht në vendosjen e disa veprave skulpturore në hapësira të ndryshme, si një përpjekje për të ruajtur kujtesën tonë kombëtare.

Ajo fillon me iniciativën për vendosjen e bustit të Fan Nolit në Ibrik Tepe, si një ndër vizitorët e parë në atë fshat në pozitën e diplomatit shqiptar, më 1997, realizuar më vonë nga skulptori Andrea Demçe, deri tek vendosja e bustit të Skënderbeut në Londër dhe në mesin e arbëreshëve të fshatit Munxhufuni – Montecilfone në rajonin e Molises në Itali, si dhe deri te busti i Charles Telford Erickson përpara shkollës që ai themeloi dhe që mban emrin e tij në Golem të Kavajës, kam kuptuar një të vërtetë të thjeshtë, por të thellë:

Një skulpturë nuk është vetëm një objekt arti.

Ajo është një kujtesë që merr frymë.
Një histori që nuk pranon të harrohet.
Një dëshmi e gjallë se një popull jeton përmes figurave që nderon.

Dhe pikërisht këtë bën edhe arti i Vasil Rakajt. Ai nuk krijon vetëm forma. Ai krijon kujtesë. Ai i jep trup historisë dhe shpirtit njerëzor.

Të nderuar të pranishëm,

Ky libër që promovojmë sot nuk është vetëm për artistin.
Ai është për ne.
Për mënyrën se si ne e shohim artin.
Për mënyrën se si ne ruajmë kujtesën tonë.
Për mënyrën se si ne i nderojmë ata që e ngrejnë emrin shqiptar në botë.

Në fund, dua të përgëzoj autoren për këtë vepër të vyer,
të falënderoj artistin Vasil Rakaj për gjithçka që na ka dhënë përmes artit të tij,
dhe t’ju falënderoj ju të gjithëve që jeni sot këtu për të dëshmuar se kultura dhe arti janë vlera të rëndësishme që na bashkojnë.

Le të jetë ky promovim një kujtesë se arti i vërtetë jeton gjatë,
dhe se emra si Vasil Rakaj mbeten.

Ju faleminderit!


27 Mars 2026