Mal Berisha
www.malberisha.com
Tel: +355693532140
Email: [email protected]
Merriot Hotel, Tiranë, 27 shkurt 2026
“Pushteti i butë është aftësia për të ndikuar te të tjerët përmes tërheqjes, empatisë, dhe jo përmes detyrimit apo shpërblimit material.” — Joseph S. Nye Jr., Harvard Kennedy School Kësaj teorie unë i kam vënë në krah idiomën: “Nëse përfaqëson kombin tonë shqiptar, bëje këtë me krenari dhe dinjitet.”
Te nderuar pjesmarres!
Hyrje:
Është një kënaqësi, nder dhe privilegj të kem mundësinë të mbaj fjalën në hapjen e këtij aktiviteti shumë kuptimplotë për zhvillimin e vendit tonë.
Më lejoni, paraprakisht, t’ju siguroj për një gjë:
Përparimi i Shqipërisë, i Kosovës dhe i tërë botës sonë shqiptare, përfshirë diasporën tonë, është gjëja më e shtrenjtë për mua.
Ky panel i nderuar dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari do të elaborojnë me detaje nxitjen e investimeve të huaja, burimet njerëzore, turizmin dhe përparimin e vendit tonë, sipas temave të këtij aktiviteti:
Meqenëse unë nuk vij nga bota e biznesit, por nga një profil tjetër – ai diplomatik – kam dëshirë të theksoj se, në fakt, sado të veçanta të duken në përmbajtje, biznesi dhe diplomacia janë po aq të shkrira me njëra-tjetrën. Një vend me një diplomaci inaktive nuk mund ta ndihmojë sa duhet zhvillimin dinamik të ekonomisë së vendit që përfaqëson.
Me këtë rast do të dëshiroja të ndalem te ajo që sot në botën moderne cilësohet si “SOFT POWER”, ose PUSHTETI I BUTË, i një populli, vendi apo kombi.
Kam pasur rastin që këtë teori ta elaboroj dhe ta zbatoj, bazuar në mësimet e babait të kësaj teorie, një nga filozofët e mëdhenj të shekullit tonë dhe mik i shquar i shqiptarëve, profesor Joseph S. Nye nga Universiteti Harvard.
Ai na mëson se:
“Pushteti i butë është aftësia për të ndikuar te të tjerët përmes tërheqjes, empatisë, dhe jo përmes detyrimit apo shpërblimit material.”
Joseph S. Nye Jr., Harvard Kennedy School
Kësaj teorie unë i kam vënë në krah idiomën:
“Nëse përfaqëson kombin tonë shqiptar, bëje këtë me krenari dhe dinjitet.”
Kjo mund të duket shumë teorike, por në fakt ne shqiptarët, pikërisht në këtë fushë, kemi disa epërsi që nuk i ka asnjë komb tjetër në Evropë, madje edhe më gjerë.
Pra, kur ne t’i prezantojmë një të huaji Shqipërinë – në aspektin që po ju flas juve – ajo është e lidhur me traditën, rezistencën, moralin e lartë, forcën e mbijetesës, Besën dhe vendin e nderit që ne zëmë në altarin e kombeve më fisnike të Evropës.
Me aq sa më lejon koha, do të rendis disa prej këtyre elementeve të Pushtetit të Butë shqiptar.
Shqiptarët janë kombi i pathyeshëm, pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve, që mbrojti qytetërimin perëndimor në një rezistencë të pashoqe ndaj pushtimit dhe asimilimit osman. Kjo pasqyrohet në atë që sot njihet nga historiografia botërore si mbrojtje e krishterimit dhe e qytetërimit perëndimor, e përqendruar në figurën e Skënderbeut.
Si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, kam mundur që, me shpenzimet e mia, të lë një gjurmë për të cilën shqiptarët sot janë krenarë – busti i Skënderbeut në zonën e parë të Londrës, në Bayswater. (Ilustrim me foto – Video)
Aftësia e shumë shqiptarëve për të ndërtuar dhe qeverisur shtete të tjera, në kushte kur u mohohej e drejta për të pasur shtetin e tyre.
Ndër ta dua të veçoj:
E përfaqësuar nga humanistja më e njohur në botë, shenjtorja Nënë Tereza, e cila i dha botës mësimin më të vyer të humanizmit, kujdesit për njeriun e varfër dhe mëshirës kristiane, të përzier natyrshëm me mëshirën shqiptare.”
Ky virtyt tregoi se populli shqiptar është popull fisnik, i renditur në Yad Vashem me 75 të njohur si “FISNIKËT MIDIS KOMBEVE”.
Populli shqiptar, nga bujku i thjeshtë deri tek ministri kuisling, mbrojti popullsinë më vulnerabël në historinë e njerëzimit – hebrenjtë e kohës së Holokaustit.
Ata u mbrojtën nga njerëz që morën rrezikun mbi vete, bazuar në Kodin e Nderit – BESËN SHQIPTARE – dhe mikpritjen shqiptare sipas modelit “SHTËPIA ËSHTË E ZOTIT DHE E MIKUT”.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropën e pushtuar ku asnjë hebre nuk u dorëzua për t’u vrarë. Përkundrazi, ajo u bë një “qiell i mbrojtur” dhe një urë kalimi drejt vendeve si Amerika dhe Britania.
Shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare, është përkthyer në 50 gjuhë të huaja dhe përbën një nga shkrimtarët më të suksesshëm të kohës së vet. Kjo bën që Soft Power-i të mbështetet pikërisht nga një autor i tillë, kaq i njohur në botë.
Populli shqiptar, edhe pse i ndarë në katër konfesione fetare, nuk ka njohur konflikte civile të natyrës fetare. Kjo është unike.
Simbol i kësaj harmonie është fotoja ku katër krerët fetarë presin Papën Françesku në mes të Tiranës.
Të dashur pjesëmarrës,
Thënë këtë, unë mendoj se ne kemi shumë punë për të bërë dhe sidomos agjencitë e punësimit të të huajve, agjencitë e turizmit dhe njerëzit e biznesit është mirë t’i dinë këto.
Por nuk duhet të harrojmë se turizmi në Shqipëri nuk mund dhe as nuk duhet të jetë turizëm pastash italiane, por një turizëm i çdo forme, por mbi të gjitha njohës për këtë komb kaq fisnik sa ju thashë më sipër.
Nëse një turist niset për Paris, më së pari ka në mendje Muzeun e Artit në Luvër. Po Luvri ynë, GALERIA JONË E ARTIT, ku është? Prej më shumë se një dekade është në rikonstruksion dhe MOTRA TONE – “Mona Liza”, Xhakondoja jonë – është e mbuluar me beze dhe nuk e sheh më askush.
Nëse shkon në Londër, mendja të shkon tek British Museum. Po MUZEU YNË KOMBËTAR ku është? Prej vitesh në rikonstruksion, në një kohë kur pranë tij janë ndërtuar pesë-gjashtë kulla me nga 50 kate.
Po shkove në New York, do të shkosh në Broadëay të shohësh teatrot. PO NE KU E KEMI TEATRIN?
Nëse shkon në Gjermani, fëmijët tanë duan të shohin CIRCUS KRONE. Po cirku ynë ku është, edhe pse ishte mjaft i kompletuar?
Nëse shkon në Vienna, Austria, do të vizitosh AUSTRIAN NATIONAL LIBRARY. Po në Tiranë, librat gjenden në kuti bananesh.
Sado që ju duket ton kritik, unë, si patriot, intelektual dhe me prirjen – sado modeste të ketë qenë kontributi im – për ta parë vendin tim ashtu siç është, me ato elemente të SOFT POËER-IT PUSHTETI TONË TË BUTË që përmenda më sipër, dëshiroj, uroj dhe nuk hesht derisa të trajtohet si i tillë.
Ju falënderoj nga zemra dhe uroj që kjo konferencë të arrijë qëllimet e veta të larta.
Faleminderit!