FILMI I RI “NËNË” KUSHTUAR NËNË TEREZËS:
PREMIERË BOTËRORE PËR TË CILËN ENDE NUK ËSHTË KUJTUAR BOTA SHQIPTARE
Nga Mal Berisha
Filmi i ri artistik Mother (“Nënë”), me regji të kineastes maqedonase Teona Strugar Mitevska[1] dhe i interpretuar nga aktorja suedeze me origjinë spanjolle Noomi Rapace[2] në rolin e Nënë Terezës, ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare pas premierës së tij botërore në Festivalin e 82-të të Filmit në Venecia, më 27 gusht 2025. Filmi u shfaq në seksionin prestigjioz Orizzonti, ndërsa më pas vazhdoi rrugëtimin e tij në festivale të tjera të mëdha europiane, përfshirë edhe Festivalin e Filmit në Londër.
Filmi pati premierën e tij në Belgjikë më 5 nëntor 2025, ndërsa në Francë hyri në kinema më 3 dhjetor 2025. Aktualisht, ai po shfaqet në Gjermani dhe në disa vende të tjera europiane gjatë ditëve të dhjetorit 2025 dhe pritet të vazhdojë shpërndarjen e tij edhe gjatë vitit 2026.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së subjektit dhe faktit që trajton njërën nga figurat më universale me prejardhje shqiptare, filmi “Nënë” deri tani nuk është pasqyruar në asnjë media shqiptare, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoninë e Veriut. Kjo mungesë vëmendjeje është e habitshme, sidomos po të kemi parasysh se Nënë Tereza, e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup, mbetet një nga personalitetet më të njohura botërisht me origjinë shqiptare.
Po aq shqetësues është edhe fakti se regjisorja e filmit, një kineaste maqedonase, duket se ndjek të njëjtën linjë politike dhe kulturore që shpesh ka tentuar të zbehë ose të mos e përmendë identitetin shqiptar, jo vetëm në rastin e humanistes sonë, por edhe në lidhje me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi.
Përkundër kësaj, kritika perëndimore vlerëson se filmi sjell një portretizim të ri, të guximshëm dhe thellësisht njerëzor të heroinës së tij. Filmi sjell një qasje krejt të re ndaj figurës së Nënë Terezës: ai nuk e paraqet si shenjtoren tradicionale të ikonografisë së krishterë, por si një femër komplekse, me dilema, dyshime, rregulla të rrepta dhe sakrifica të patregueshme.
Ngjarjet vendosen në Indinë e viteve 1940, një periudhë e mbushur me varfëri, mbipopullim dhe kaos shoqëror pas pavarësimit të vendit nga Mbretëria e Bashkuar.
Në këtë ambient, Gonxhe Bojaxhiu paraqitet si një murgeshë e re që zbulon dhe përqafon thirrjen e saj të vërtetë. Ky rrugëtim i brendshëm kulmon me “thirrjen brenda thirrjes”, momenti kur ajo vendosi të braktisë kuvendin dhe të jetojë mes më të varfërve të të varfërve.
Megjithëse filmi përfshin skena nga Shkupi, qyteti ku u lind dhe u rrit Nënë Tereza, dhe ndjek historinë e saj të hershme, në asnjë pike te tij nuk evidentohet qartë prejardhja e saj shqiptare. Kjo mbetet një çështje me rëndësi për publikun tonë, pasi figura e saj është një nga përfaqësimet më të ndritura të identitetit shqiptar në bote.
Në të njëjtën kohë, filmi përbën një mundësi të artë për mediat shqiptare që të rikthejnë vëmendjen drejt figurës së Nënë Terezës, jo vetëm si ikonë fetare dhe humanitare, por edhe si grua shqiptare që la gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen morale të botës.
[1] Teona Strugar Mitevska (lindur më 1974, në Shkup) është regjisore maqedonase e njohur për qasjen e saj të guximshme dhe temat sociale në film. Ajo u afirmua ndërkombëtarisht me filmat How I Killed a Saint, I Am from Titov Veles dhe God Exists, Her Name Is Petrunija. Në vitin 2025, ajo realizoi filmin Mother, një interpretim të ri dhe jo konvencional i figurës së Nënë Terezës.
[2] Noomi Rapace (lindur më 1979, në Suedi), aktore suedeze me origjinë spanjolle, e njohur botërisht me rolin e Lisbeth Salander në trilogjinë The Girl with the Dragon Tattoo. Ajo ka interpretuar në shumë filma ndërkombëtarë si Prometheus dhe Sherlock Holmes. Në vitin 2025, Rapace luajti rolin e Nënë Terezës në filmin NËNË një portretizim i ri dhe i guximshëm i humanistes me prejardhje shqiptare.

