AMBASSADOR I PUSHTETIT TË BUTË

AMBASSADOR I PUSHTETIT TË BUTË

Libër i ri 

Ky libër është botuar nga Shtëpia Botuese EduAlba në Tiranë.

Më poshtë është një vlerësim që i bën librit shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj.

DY FJALË PËR AUTORIN


Mal Berisha i përket një brezi diplomatësh shqiptarë, të cilët hynë në shërbimin e jashtëm të Republikës sonë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fill pas kthesës së madhe, që mori historia e Shqipërisë. Edhe unë vetë jam pjesë e këtij brezi. Ne vinim nga horizonte kulturore dhe profesionale të ndryshme, kishim kryer studimet e larta në shkollat e Tiranës, kishim mësuar gjuhë të huaja vetëm për të lexuar libra, pra, pa shpresën se do të na shërbenin një ditë për të folur me të huajt. Nuk njoh ndonjërin nga pjesëtarët e këtij brezi, i cili të ketë patur shpresën se do të vinte një ditë, kur gjuha e huaj do t’i shërbente si mjet pune. Gjuha e huaj ishte mirëfilli një mundësi e re, shpesh një kalim kohe, që ne ia jepnim individualisht vetes, për të shuar kurreshtjen, të cilën e kishim vërtet të madhe dhe për të zgjeruar njohuritë e kulturën, anipse kjo kulturë zakonisht nuk na vlente fare për punët që bënim, në përditshmërinë tonë monotone.

I tillë është edhe shembulli i autorit të këtij libri, i cili kishte kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve dhe kishte arritur kulmin e “karrierës” në pallatin e kulturës në Laç, pasi kishte kaluar disa vjet si punonjës kulture në fshatin Borizanë të rrethit të Krujës. Ndërkohë, gjysmë legalisht, siç edhe e tregon në një episod të këtij libri, ai mësonte anglisht. Me një fjalë, pa e ditur, në mënyrë autodidakte, ai po përgatitej për t’u bërë diplomat, fillimisht si konsull në Stamboll, fill pas zgjedhjeve të vitit 1992, e më pas në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për ta mbyllur para pak vjetësh si Ambasador në Londër. Është një udhëtim në ngjitje, siç edhe duket, një nga ato udhëtime, që do ta ëndërronte çdo diplomat i karrierës, një udhëtim shumë i bukur, që i jep një kuptim të madh jetës.

Por, ne që e njohim ambasador Berishën dhe kemi qenë bashkëudhëtarë  me të, e dimë se ky udhëtim nuk ka rrjedhur në mënyrë aq të natyrshme. Dhe kjo jo për fajin e tij. Marramendja shkatërrimtare e pranverës së vitit 1997 nuk përfundoi me zgjedhjet e qershorit, ardhjen në pushtet të socialistëve dhe dorëheqjen e Sali Berishës nga posti i Presidentit të Republikës. “Fitimtarët” vazhduan edhe për shumë muaj zullumet mbi shtetin, duke “spastruar” administratën publike nga ata që nuk ishin militantët e tyre. Kështu e pësoi edhe trupi diplomatik. Anëtarët e brezit tim, të cilët i kishin dhënë një fytyrë të re diplomacisë shqiptare, duke dëshmuar me vepra përpara botës demokratike se përfaqësonim tashmë një vend të lirë, të dëshiruar për të lidhur marrëdhënie miqësore e bashkëpunimi, u përzunë gjerësisht nga shërbimi i jashtëm. Njëri prej tyre ishte edhe Mal Berisha.

Siç do të provohej, Mal Berisha e kishte marrë tashmë “tharmin” e diplomatit. Edhe pse pa “pasaportë diplomatike”, gjatë afro një dekade, ai do të vazhdonte gjithë përkushtim, në New York apo në Prishtinë, t’i shërbente Shqipërisë dhe më gjerë, çështjes shqiptare, i përqendruar kryesisht atje ku edhe nevoja ishte më e madhe e më urgjente: te Kosova, qoftë para e gjatë luftës, për ta bërë të njohur për opinionin politik e publik botëror të vërtetën e masakrave gjenocidiale serbe e qoftë më pas, kur e vërteta e Kosovës në liri mishërohej tek aspirata e saj për pavarësi e shtetformim. Siç tregohet bukur në mjaft episode të këtij libri, edhe kjo do të ishte një përvojë e çmuar për të, e cila do ta ndihmonte për t’i kryer më mirë detyrat kur të kthehej në trupin diplomatik.

Nëse do të duhej të skicoja profilin e Mal Berishës si diplomat, do të veçoja dy cilësi, të cilat më duket se spikasin mbi të tjerat. Së pari, është përparësia që i ka dhënë ai vazhdimisht çështjes së Kosovës. Një vlerësim i tillë nuk është i rastësishëm dhe as nuk është pasojë thjesht e përgjegjshmërisë së tij për të zbatuar porositë, që i vinin edhe atij si çdo diplomati shqiptar nga udhëheqja politike e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Përkushtimi i tij ndaj çështjes së Kosovës është frymëzimi i brendshëm dhe buron, para së gjithash, nga formimi i tij identitar në familjen ku është lindur e rritur. Dhe, së dyti, rëndësia, që i dha ai “diplomacisë kulturore”ose asaj që ai e quan “Pushteti i butë” dhe që e sqaroi shumë mirë në këtë libër. Në sajë të formimit të vet të mëparshëm si njeri i kulturës, ai e kuptoi drejt se, qoftë në një metropol si Stambolli e qoftë në një metropol si Londra, diplomati apo kryediplomati shqiptar nuk kishte asnjë aset më të çmuar se pasuria kulturore për ta bërë të njohur vendin e për t’ia shtuar  atij miqtë.

Libri, që kemi në dorë, nuk është një vëllim i mirëfilltë kujtimesh. Ambasadori Mal Berisha ka sjellë këtu një larmi episodesh, të përshkruara si tregime të shkurtra, të cilat lexohen me kërshëri dhe ëndje. Ai nuk synon të zbulojë para lexuesit të panjohurat apo enigmat e punës së një ambasadori, siç bëjnë rëndom ish – diplomatët e lartë, kur dalin në pension dhe duan të lënë dëshminë e rëndësisë së vet të jashtëzakonshme gjatë jetës në shërbimin e jashtëm. Jo. Nisur nga këto rrëfime, do thënë se ambasadori Mal Berisha nuk vuan nga asnjë delir protagonizmi. Ai shtyhet nga dëshira për të pohuar se, duke i shërbyer Shqipërisë, ka arritur të ketë edhe për veten e tij një jetë të bukur me gjithë andrallat e saj, gjë që i shkon një burri të realizuar.


Besnik Mustafaj

Ish-Ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë dhe ish-Ambasador në Republikën Francez