1812 – 1813 – HENRY HOLLAND  Mjeku që i bëri “autopsinë” karakterit shqiptar

1812 – 1813 – HENRY HOLLAND

 Mjeku që i bëri “autopsinë” karakterit shqiptar


 NGA MAL BERSHA


Udhëtimi në zotërimet e Ali Pashës[1]

“…bazuar në trimërinë dhe guximin e pashoq, shqiptarët kanë emër të madh në hierarkinë e Perandorisë Turke, në More, Egjypt, në Siri, dhe provinca të tjera.”

Udhëtimi ynë vazhdon me Sir Henri Holland-in (1788–1873), një mjek që u diplomua në Edinburg në vitin 1811. Ai i shërbeu Mbretëreshës Viktoria, duke mbajtur edhe detyrën e Presidentit të Institutit Mbretëror të Britanisë së Madhe.

Ai ishte një person me një njohje dhe reputacion shumë të lartë në Londër. Me veprën e tij “Udhëtimet në Ishujt Jonianë, Shqipëri dhe Thesali, Maqedoni etj[2], gjatë viteve 1812–1813 jep një pamje reale të atyre trevave në atë kohë. Në mënyrë të veçantë ai shkruan për takimin e tij me Ali Pashë Tepelenën, si dhe një përshkrim të plotë të udhëtimit të tij që nga Janina në Tepelenë.

Nga të gjithë udhëtarët e deriatëhershëm Henry Holland-i është ai që dallon më mirë veçoritë e shqiptarëve, të cilët “lidhen prej gjuhës shqipe edhe pse flasin dialekte të ndryshme”, gegë, toskë. Ai e përshkruan me përpikëri jetën fisnore që nga Kelmendi në veri e deri tek Suli në Jug. Si njeri me kulturë shumë të gjerë ai hyn deri në gjërat thelbësore të popullit shqiptar. Duke u marrë me origjinën e tyre, ai iu referohet autorëve si Taciti, Chardin etj. Është marrë edhe me gjuhën shqipe, huazimet latine dhe greke, si dhe me emrin dhe origjinën e shqiptarëve. Ai ka vënë re shumë cilësi tonat, por edhe disa dobësi në të njëjtën kohë. P.sh: kur flet për ushtrinë e Ali Pashait ai i quan ata ushtarë shqiptarë, por në përshkrimin që u bën ai thotë:

“Karakteri i një ushtari shqiptar është ai i një ushtrie shqiptare. Ata janë thjeshtë një masë burrash, individualisht të fuqishëm dhe trima, por pa organizim dhe as taktika luftarake. Komandantët e tyre është vështirë t’i dallosh sipas rangjeve, pasi kanë marrë poste pa bërë ndonjë stërvitje, madje pa kaluar nëpër rangjet e duhura. Ata i kanë ato grada thjesht bazuar në rastësi dhe nga ndikimi dhe lidhjet personale ose nga reputacioni i fituar prej trimërisë së tyre të jashtëzakonshme. Gjithsesi bazuar në trimërinë dhe guximin e pashoq, shqiptarët kanë emër të madh në hierarkinë e Perandorisë Turke, në More, Egjipt, në Siri, dhe provinca të tjera”

Ato çfarë jep Henry Holland-i në librin e tij janë një evidencë e pakundërshtueshme e përbërjes së popullsisë në atë kohë. Natyrisht, një diplomat shqiptar nuk mund të hyjë në debate të tilla të përbërjes së popullsisë në një vend fqinjë, por mendoj se njohuritë për atë çfarë ka pësuar, përjetuar dhe humbur kombi ynë, të dokumentuara nga personalitete të tilla, janë mëse të domosdoshme për t’u njohur në punën e një diplomati shqiptar. Prandaj dua të citoj një pasazh të veprës së tij: 

“Dua ta marr lexuesin nëpër ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, dhe disa pjesë të Maqedonisë, duke skicuar pastaj edhe më shpejt rrugën time nëpër pjesën jugore të Greqisë dhe më në fund të përshkruaj udhëtimin e dytë që kam bërë nëpër zotërimet e Ali Pashait. Jam mbështetur gjatë qëndrimit tim kryesisht në qeverinë e atyshme dhe në mënyrë të veçantë në karakterin e jashtëzakonshëm të këtij sunduesi modern të Shqipërisë, me të cilin unë kam patur privilegjin e veçantë të njihesha nga afër”[3].


[1]Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, etc. during the Years (1812-1813) (London: Longman, Hurst, Rees, Orme and Brown)

[2] Henry Holland, Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, Longman, Hurst, 1812, 1813. Published in Rees, Orme and Brown, 1815.

[3] Thomas Smart Huges – Travels in Greece and Albania, faqe 100 London, Henry Colburn and Richard Bently, New Berlington Street, 1830