NGA MAL BERISHA
Midis gjithë udhëtarëve që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri, njëri prej tyre është ndoshta më interesanti për nga rëndësia. Ai ishte Benjamin Dizraeli, dy herë kryeministër i Britanisë së Madhe gjatë epokës së Mbretëreshës Viktoria. Siç kishte edhe emrin, ai njihet si benjamini i kësaj të fundit. Herën e parë ai qeverisi vetëm për 9 muaj, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 1868, ndërsa herën e dytë për 6 vjet, nga shkurti 1874 deri në prill 1880.
Në vitin 1830, ai ndërmori një udhëtim, i cili zgjati 17 muaj nga Malta deri në Shqipëri. Në letrën e parë që i shkruan të atit i drejtohet me këto fjalë:
“I dashur baba.
…Të përmenda në letrën time se ka mundësi që të bëj një vizitë tek Veziri i Madh në Janinë, në kryeqytetin e Shqipërisë”.
Të jetë vizituar Shqipëria e atëherëshme nga një kryeministër i ardhshëm britanik, sigurisht që sot mund të shihet si një ngjarje e madhe e asaj kohe, pavarësisht se në kohën e udhëtimit ai ishte thjesht një djalë që kërkonte aventura në vende ekzotike, larg Londrës së tij të zhurmshme. Benjamin Dizraeli vizitoi Artën dhe Janinën, këtë të fundit duke e cilësuar edhe kryeqyteti i Shqipërisë. Letrat e tij, dërguar babait janë të mbushura me plot informacion për Shqipërinë e asaj kohe. Në fakt është interesant të shënohet se të gjithë udhëtarët britanikë që kanë kaluar në viset jugore të Shqipërisë deri në Janinë e Prevezë dhe Artë i referohen vendit tonë si Shqipëria dhe jo si një Provincë Osmane. Por ajo që citon Dizraeli është shumë më e rëndësishme dhe një referencë historiografike me vlerë. Dizraeli ishte Kryeministri britanik në kohën e Kongresit të Berlinit, një ngjarje pasojat e së cilës dihen mirë.
Si një intelektual i klasit të parë, Disraeli ka shkruar njëzet e tre libra. Ka shumë biografë, të cilët janë marrë me jetën dhe veprimtarinë e tij. Ndër ta është Dauglas Hurd, Sekretari i Jashtëm britanik nga viti 1989 deri në vitin 1995.[1]
Robert Blake e ka trajtuar atë gjerësisht.[2] Në librin e tij Blake na jep një pamje të pakëndshme të këtij britaniku të madh me gjak hebre, i prirur për të qenë palë me pushtuesit dhe jo me të pushtuarit. Si njeri që do të merrte frenat e një shteti perandorak, ai në një moment të caktuar kërkon të renditet në radhët e forcave turke për të luftuar kundër shqiptarëve kryengritës ndaj Perandorisë Osmane, në fillimin e viteve 1830. Në të njëjtën mënyrë ai shprehu antipati ndaj grekëve, të cilët kërkonin shkëputjen nga osmanët. Tek ai mbizotëronte më shumë pikpamja e tij perandorake se sa ajo e krishterë, ndonëse vetë ai ishte një hebre i konvertuar i krishterë që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare.
Si një nga figurat qendrore të politikës britanike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, është interesant të shihet se me çfarë syri i ka vështruar ai shqiptarët. Po ashtu është me mjaft interes të shohësh që dy vjet pas kthimit nga udhëtimi në Shqipëri ai shkroi një vepër për Skënderbeun të titulluar “The rise of Iskander”.[3]
Kjo është një vepër letrare që ka në qendër Skënderbeun, por megjithatë ai nuk i jep identitetin e duhur atij, ndërsa ngjarjen e vendos në Athinë dhe në Hungari. Disraeli është njeriu që polemizoi më fort në parlamentin britanik dhe ka po ashtu numrin më të madh të thënieve të cituara në historinë e politikës britanike. Një ndër thëniet e tij më cinike ndaj rivalit të jetës së tij Gladstone, po ashtu kryeministër i alternuar i laburistëve, ishte ndryshimi i inicialeve: GOM që do të thoshte, Grand Old Man, – Plaku i Madh në “God’s Only Mistake”, ose i Vetmi Gabim i Zotit. Kjo fjalë ka mbetur si shenjë kulmore e debatit politik midis kryeministrit me atë të liderit të opozitës, në parlamentin britanik.
Në turin e tij në Shqipërinë e Jugut Dizraeli shoqërohet nga shqiptarët që e mbrojnë atë. Ai i përshkruan ata si më poshtë:
“Tërë këta shqiptarë janë të armatosur deri në dhëmbë, me kama, pistoleta dhe pushkë krejt të mbuluara me zbukurime të pasura, dhe nganjëherë tërësisht të lara në argjend deri tek qyta”.
Duhet pranuar se për shkak të mentalitetit të politikës perandorake Viktoriane, madje edhe një benjamin i saj, pra pikërisht ky politikan britanik, mund të kishte në dorë të ndihmonte Shqipërinë në Kongresin e Berlinit, por nuk tregoi ndonjë dëshirë për ta bërë këtë. Ai pranoi të linte në fuqi Traktatin e Shën Stefanit, i cili kishte shkëputur nga trungu shqiptar pjesë të rëndësishme të territorit shqiptar. Arsyet?
Letra që shqiptarët i dërguan Benjamin Dizraelit, që është pjesë e këtij libri, mund të merret si një shembull konkret për këtë. Megjithatë, duhet thënë se pa kontributin e tij, lakmitë e fqinjëve për copëtim edhe më të madh të trojeve shqiptare, mund të kishin shkaktuar në humbje edhe më të mëdha të territoreve tona, se sa ato që kanë ndodhur.
[1] Me këtë autor kam patur rastin të bisedoj për librin e tij që sapo e kisha lexuar si dhe për Dizraelin dhe Shqipërinë. Dauglas Hurd ka luajtur një rol të rëndësishëm në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar. Në një rast tjetër, gjatë takimit të Ministres tonë të Integrimit me z. David Lidington, Ministër i Zgjerimit Europian në Foreign Office, patëm rastin të flisnim për Dizraelin. Ai mbante në zyrën e tij portretin e Benjamin Dizraelit. Kur mbaruam takimin e pyeta:
– A është Dizraeli idhulli juaj politik?
– Po, më tha, – është, dhe shtoi: Nuk ka politikan më të sofistikuar se ai.
Kjo na dha mundësinë të hapnim një bisedë të gjatë për lidhjet e Disraelit me Shqipërinë.
[2] Robert Blake, Dizraeli, faqe 60, 64-65, 579.
[3] Rise of Iskander – Benjamin Disraeli – University of Adelajde – botuar për herë të parë në vitin 1834.