1831 – DAVID URQUHART – Një vajtim për shqiptarët: Shpirti i Lindjes

 1831 – DAVID URQUHART – Një vajtim për shqiptarët: Shpirti i Lindjes


NGA MAL BERISHA


Në vitin 1831 një udhëtar tjetër i quajtur David Urquhart (1805–1877) vizitoi Shqipërinë. Ai ishte politikan skocez dhe kishte shërbyer edhe si sekretar i ambasadës britanike në Stamboll. Nga viti 1847 deri në vitin 1952 shërbeu si anëtar i parlamentit britanik. Ai ka shkruar librin “Shpirti i Lindjes[1]. Në vitin 1831 kaloi nga Korfuzi në Sarandë dhe vizitoi Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën, Beratin, Kavajën. Ai e humbi rrugën pranë lumit Erzen, por e shpëtoi nga një çoban vllah, duke i mundësuar vazhdimin e rrugëtimit të tij drejt Durrësit dhe Shkodrës. Përshkrimet e tij tregojnë një Shqipëri të molisur nën peshën e një Perandorie Osmane të kalbur. Ai shkruan si vijon:

“I pashë shqiptarët në gjendjen e tyre më të egër, dhe në ditët e tyre më të liga. Tani i shoh në një gjendje poshtërimi, e cila shpresoj se është kalimtare. Nëse do ta vizitoj ndonjëherë tjetër vendin e tyre të bukur, ndoshta do të kaloj sipër tarracave dhe rrugëve, në mes të paqes dhe qetësisë së një peizazhi të formuar me fusha dhe gardhe larg zhurmës së luftës dhe alarmeve, të zëvendësuara prej industrisë dhe prodhimit vendas nga pasuritë e këtij vendi. Është e vërtetë se tani ekziston një qetësi, por kjo është qetësi e frikës. Siguria që gëzova ishte një siguri e blerë në një pazarllëk të bërë me sunduesit.” 

“Shpirti i shqiptarëve është i vrarë; çdo individ i këtij kombi është një qenie e transformuar dhe siç të thonë ata vetë: … ”zemrat e tyre janë ftohur dhe buzët u janë tharë.”

Çfarë përshkrimi i dhimbshëm për kombin tonë në ato ditë të errëta osmane nga një udhëtar skocez! Por le të vazhdojmë më tej me përshkrimin e tij:

Në Kavajë ai vëren dallimin midis kostumeve të jugut dhe atyre të gegërisë.

“Gegët kanë kostume të ndryshme nga toskët. Ata veshin fustanella të gjera dhe të gjata, ndërkohë që xhaketa e shkurtër e jugut është e zgjatur deri sa të mbulojë fustanellën…Unë kurrë nuk kam parë diçka më të bukur se fëmjiët e tyre kur bëhen së bashku. Këto krijesa të vogla veshin, në miniaturë, rrobat e më të rriturve të tyre dhe e kuqja e tyre e ëmbël e faqeve i shkon shumë për shtat ngjyrës, e cila tejkalon çdo gjë tjetër në kostumet e tyre”.

Në udhëtimin e tij nga Kavaja në Durrës, David Urquhart-i humbet rrugën, por ai nuk harron të kujtojë se kjo mund t’i kishte ndodhur edhe Perandorit Komnen në atë natë që erdhi fill pas betejës së paharrueshme të Durrësit, kur ushtaria perandorake e përbërë prej grekësh, turqish, çekrezësh dhe anglezësh ishte shpartalluar dhe shpërndarë nën valën e heshtave të Robert Guiscard – it dhe Normanëve të tij.

“Durrahium është qyteti më i lashtë dhe më i fuqishëm i qyteteve detare të Ilirisë, i fortifikuar prej natyrës dhe i pasqyruar si i pathyeshëm prej artit. Aty ka porta me hapësira më të mëdha dhe të sigurta – fusha të gjera nga më pjelloret. Këtu ka ndërtesa të shenjtëruara, tempuj madhështorë dhe të kushtueshëm – këtu mund të shihen imazhet e mbretërve, të perandorëve dhe të princave të lashtë. Kolosi (Colossus ingens) i Hadrianit (perandor romak – shënimim M.B.) prej metalit të derdhur qëndron në një pozicion kryelartë në Portën e Kavajës. Në perëndim gjëndet një arenë amfiteatri e ndërtuar me art dhe bukuri të mrekullueshme dhe mure të përforcuara dhe zbukuruara me kulla dhe të përshtatshme për tregti. Ky është Durrësi që kishte pritur vetë Senatin Romak. Çfarë qyteti i madhërishëm ka qenë ai – ipsa ruina docet. Por rrënojat e tij tani kanë pushuar së treguari atë madhështi”. 

Më tej David Urquhart-i na jep një përshkrim të Mehmet Ali Pashës, influencën shqiptare në shtetin e Egjyptit dhe në Siri dhe se me çfarë merrej diplomacia angleze. Ai e vazhdon udhëtimin për në Shkodër dhe shpjegon pashallëkun e Bushatllinjëve dhe përbërjen e popullsisë në atë qytet.


[1] David Ulquhart – The spirit of the East, Journal of Travelers through Roumeli during an eventful period, autor of the Turkey and its Resourcies – England, France, Russia, and Turkey. Volumi I, Henry Colburn Publisher, Great Mariborough Street, 1838.