TËRMETI
Tërmeti ka shkaktuar vërtetë një tronditje të madhe. Por Shqipëria nuk është i vetmi vend që goditet nga tërmetet. Ndërsa kjo forcë kaq e madhe e brendshme e natyrës godet pa mëshirë nga thellësitë deri në sipërfaqe të tokës, njerëzit kanë gjetur mënyra për ta shprehur atë edhe me poezi.
Prandaj mendova të përktheja dy prej tyre dhe ti postoj, si shprehje e dhimbjes dhe tronditjes që ajo ka shkatuar tek të gjithë ne. Në fillim, (pa lejen e tij) desha të postoj poezinë më të bukur të shkruar këto ditë nga artisti i madh nga Kosova, Çun Lajçi:
I
Vargje nga Çun Lajçi, Pejë, Kosovë
Shqipnisë sime t’luhatun
Kur dridhesh ti
Ne s’bajmë gjumë Shqipni
Se tutemi po vdes
E rrajë jetimash mbesim
Të duem edhe kur vërshohesh
Ujnash
Edhe kur digjesh
Zjarresh
Edhe kur mallkohesh nesh
Kur luhatesh
Dridhesh e përkundesh
Tërmetesh
Si zogj t’futemi n’gji
E lutemi
Vetëm ti t’mos vdes
Ne
S’bajmë gjumë kur ti dridhesh
Se veç Ty t’kemi Shqipni.
II
PROMETHEU MIDIS URAGANIT DHE TËRMETIT
Shkruar nga Eskili
Toka po gjëmon, shkundet e përkundet në hapsirë,
Bubullimat përplasen me zhurmë e rrëmbim,
Rrufetë i përplasin zjarrin njëra tjetrës me ndriçim,
Furtuna pshtjellohet rreth e rreth krejt e lirë.
Erërat shpërthejnë pa fre, me tërbim.
Përplaset vetë dheu në kodra e në fusha,
Dhe në detin e shkumbëzuar plot ushtim.
Çfarë mallkmi ra mbi ne që solli kaq trishtim?
Është dora e Zeusit, që përplaset me rropamë,
Për bëmat tona, o njerëz harrimtarë!
Që mendoni se botën për vete keni për ta ndarë!
Oh Nënë e mirë Natyrë që tokën e mbushe me eterin e zemërimit!
Ti që sytë na i mbush me embëlsi e me dritë për të parë,
A nuk e sheh çfarë vuajtje na solle në këtë zbardhje të agimit?!
III
TËRMETI
Nga poetja Indiane, Sandra Martyres
Nga tërmeti Toka dritheroi,
Ndërtesat me dhjetëra i rrënoi,
Me dyzina njerëzit nën dhe i ngujoji,
Ushtima shtrigane na shurdhoi,
Në sekonda tragjedia vendin e mbuloi,
Kombi papritmas mjerimin përjetoi.
Klithmat e vdekjes gjëmuan,
Thirjet për ndihmë u dëgjuan,
Dëshpërimi dhe dhimbja na pushtuan,
Sy nënash e prindërish u verbuan,
Vuajtjet njerëzore mbi ne u lëshuan,
Sa njerëz nën tokë u kurthuan?
Sa zemra të kombit tim u lënduan?
Sa jetë në gjumë të thellë vallë u shuan?
Sa fëmijë të njomë u gjymtuan?
Sa jetë të tjera, o Zot u shpëtuan?
Atje poshtë në atë errësirë,
Zërat dëgjohen si në mugëtirë,
Në klithje jete vënë në rrezik,
Me njerëz rreth e rreth të zhytur në panik,
Me këmbë e me dhëmbë në lufte me kohën
Dhe qentë e erës që me erën kërkojnë,
Që edhe një jetë të vetme sikur të shpëtojnë!
Një mandatë e tillë e rëndë mbi kombin pllakosi
Natyra me forcën e saj, fatin e shumkujt vulosi,
Por mbi tërmetin që vendin me dhimbje mbuloi
Shpirti i shqiptarit vllaznisht Triumfoi.
(Dy vargjet e fundit janë të përshtatura)
Përkthyer nga Mal Berisha