7 QERSHOR 1520 – MBRETI HENRY VIII I ANGLISË DHE MBRETI I FRANCËS VESHUR ME RROBA   SHQIPTARE

7 QERSHOR 1520

MBRETI HENRY VIII I ANGLISË DHE MBRETI I FRANCËS VESHUR ME RROBA   SHQIPTARE


Nga Mal Berisha


Ndoshta një ndër shembujt e parë kur janë përmendur shqiptarët në literaturën historike angleze daton në 7 qershor 1520[1]. Konteksti i përmendjes është shumë interesant po të kemi parasyshë se dy mbretër, Henry VIII i Anglisë dhe Mbreti i Francës, në një takim në Calais janë veshur me rroba të modës shqiptare:

“…Mbasi ndenjën aty një orë, mbretërit të cilët ishin veshur në një modë shqiptare e cila u pëlqye shumë zbritën, ndërsa princeshat e dy vendeve treguan respektin ndaj tyre. Mbretërit ndenjën aty derisa perëndoi dielli pastaj ua hipën kuajve, u përqafuan, në fakt mezi  u ndanë me njëri tjetrin”…

“Në të rënë të mbrëmjes, Mbreti i Anglisë u largua dhe u takuan në mesditën e së nesërmes. Me vete kishin 30 veta të maskuar dhe të veshur si një kavaleri greke dhe shqiptare, me rroba në flori e në kadife.”

“Dje ata bënë një turne, duke luftuar sipas modës shqiptare, në fillim me heshta dhe pastaj me shpata.[2]

Autori i parë anglez i cili e përmend Ilirinë, mbetet padyshim William Shakespeare në komedinë e tij ”Nata e Dymbëdhjetë”. Kjo vepër mendohet se është shkruar në vitin 1602. Ngjarja zhvillohet në brigjet e Ilirisë dhe kjo përbën ndoshta rastin e parë kur përmenden ndodhi ilire nga gjeniu më i madh i letrave në historinë e njerëzimit.

Lidhur me këtë vepër të Shekspirit dy autorë[3] kanë shkruar një libër analitik, me titull “Udhëtim në Iliri”. Në kapitullin XXIX libri analizon pikërisht veprën në fjalë.

 Fill pas tij një anglez tjetër, Richard Knolles boton një libër shumë voluminoz për Historinë e Turqisë, ku vendi ynë gjen një pasqyrim të veçantë. Kështu do të desha ta merrja lexuesin në një udhëtim letrar me shënime udhëtimi, ditare, shkrime, poezi, drama, piktura, në të cilat gjenden vlerësime nga ato që sot do të dëshironim t’i dëgjonim përsëri për kombin tonë.


[1] Calendar, State Papers and Manuscripts relating to English Affairs, existing in the Archives and Collections of VENICE and in other libraries of Northern Italy, Vol III, 1510 – 1526, page 52.

[2] Calendar, State Papers and Manuscripts relating to English Affairs, existing in the Archives and Collections of VENICE and in other libraries of Northern Italy, Vol III, 1510 – 1526, page 52.

[3] The Voyage to Illyria, by Kenneth Muir and Sean O’Loughlin, first edition 1937, reprinted in 2005, by Routledge, 2 Park Square, Milton Park, Abingdon, Oxon, OX144RN