I Ardhur nga Katedra e Ferrit

Roman: I Ardhur nga Katedra e Ferrit. Autor: Bajram Z. Berisha


Romani 12P
arathënie

I ulur para një kompjuteri “Dell”, në moshën 75 vjeç, babai im i dashur rrekej me të tëra forcat që të shkruante, korrigjonte, ruante, nënvizonte, faqoste dhjetëra e dhjetëra faqe të një libri.

Ne ishim mësuar që ta shihnim atë çdo ditë tek shkruante në një makinë të vjetër ‘Olivetti’ kujtimet e jetës së tij, por jo në kompjuter. Këto kujtime kishin kapur mbi njëmijepesëqind faqe dhe i kishim lidhur bukur, madje aq bukur sa të ngjanin me një enciklopedi.

Në tërë faqet e atyre kujtimeve njeriu gjen vetëm dashuri dhe rrëfim të sinqertë. Në të udhëton jeta gati shekullore e një dere, një fisi, një familjeje me të gjitha lidhjet, degëzimet, shtrirjet e saj në shtete dhe kontinente të ndryshme.

Por habia më e madhe e jona ishte kur mësuam se ai kishte shkruar një roman. Po, një roman nga dora e një njeriu që kurrë nuk kishte botuar një artikull në gazetë ose që nuk kishte shkruar një vepër letrare më parë.

Ai e la romanin I ardhur nga Katedra e Ferrit të shkruar në kompjuter, një kopje të shtypur dhe një në disketë.

Duke ndjerë jo vetëm dashurinë e madhe për të si babai ynë, por edhe respektin e madh për punën që ai arriti të bënte, i lodhur jo vetëm nga mosha por më shumë se aq, nga sëmundja e rëndë që e kishte mposhtur fizikisht por jo shpirtërisht, vendosa t’ia botoj librin dhe t’ua dhuroj njerëzve tanë të dashur në një vjetorin e vdekjes së tij. Desha t’u kujtoj atyre se sa shumë i donte ai njerëzit, sa shumë e ndjente padrejtësinë që i ishte bërë djelmërisë shqiptare e veçanërisht djemve të Tropojës, të cilët i kalbën në burgjet komuniste. Në këtë libër, çdokush, sado anonim që është heroi i librit, gjen të mishëruar fatin e mësuesit që e arrestuan në klasë para nxënësve, mësueses që i morën rininë e saj po në atë mënyrë, fatin e inxhinierit që e arrestuan në minierë, apo atij që e degdisën në internim. Ata që e jetuan atë kohë gjejnë në faqet e këtij libri pikërisht atë çfarë ndodhte me këta djem e vajza, thjesht për faktin se kishin dikë që i kishte shërbyer shtetit të mëparshëm shqiptar, që kishte dikë jashtë shtetit, që nuk pranonte të bënte kompromis me organet e diktaturës, apo që dilte “mbi të tjerët”.

Në një mënyrë tepër të sinqertë, ai na ka dhënë një tablo interesante të konfliktit midis individit dhe shoqërisë si dhe individit dhe shtetit, në një etapë të caktuar të jetës në Shqipëri. Jeta e Gëzim Furtunës është ajo e një njeriu të pambrojtur nga ai sistem, njeriut me integritet të lartë dhe të talentuar. Ai është pre e asaj shoqërie që vendos mbi fatin e njeriut për shkak të zakoneve tradicionale, të ashpra dhe të kodifikuara deri në imponim, në rastin e dashurisë me Zanën siç është pre e shtypjes së shtetit totalitar i cili kërkon ta kthejë në një vegël qorre të vetën njeriun e ëndrrave për progres. Dhe kur nuk e arrin këtë, e shkatërron atë pa mëshirë.

Babai jetoi ditët e fundit të jetës në demokraci. Arriti të shihte njerëzit e vet të lirë dhe të lumtur, dhe iku pa merak nga kjo botë. Me këtë libër ai na ka lënë pas një dëshmi jo vetëm të atij sistemi që nuk duhet ta harrojmë, por edhe një dëshmi për veten e tij se sa shumë e donte dhe e çmonte lirinë.

 Mal Berisha

Kliko ketu per te lexuar romanin I Ardhur nga Katedra e Ferrit me autor Bajram Z. Berisha