MAL BERISHA – FJALA NË PËRURIMIN E LIBRIT ‘HARTËZIMI I SHQIPËRISË ETNIKE’  ‘MAPPING ETHNIC ALBANIA’ TË AUTORIT BEJTULLAH DESTANI


FJALA NË PËRURIMIN E LIBRIT ‘HARTËZIMI I SHQIPËRISË ETNIKE’  MAPPING ETHNIC ALBANIA’ TË AUTORIT BEJTULLAH DESTANI

Biblioteka Kombëtare e Kosovës,Prishtinë
30 korrik 2025


NGA MAL BERISHA



Të nderuar pjesëmarrës,

I nderuar zoti Kryetar i Komunës së Prishtinës,

Shumë i dashur miku im, studiuesi, historiani dhe diplomati Bejtullah Destani,

Të nderuar të pranishëm!

Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot këtu me ju, në këtë sallë të nderuar, dhe për më tepër  të kem privilegjin të flas për një vepër me vlera të jashtëzakonshme kombëtare.

Përpara se të ndalem te libri ‘Mapping Ethnic Albania’, dëshiroj të ndaj me ju disa detaje në lidhje me praninë time sot këtu.

Së pari, ndihem mjaft i emocionuar nga fakti që kam pasur fatin të flas pikërisht në këtë sallë disa kohë më parë – ku mbajta një leksion mbi një figurë shumë të rëndësishme, të cilën unë e quaj: “Amerikani që i kushtoi jetën Shqipërisë” – Dr. Charles Telford Erickson.

Më pas, po në këtë sallë në tetor të vitit 2023, pata nderin të prezantoj episodin e dytë të serialit dokumentar SHQIPTARIADA të Sir Noel Malcolm, kushtuar veprës së këtij intelektuali të jashtëzakonshëm britanik, mik i shquar i shqiptarëve.

E sot jam përsëri këtu, pjesëmarrës dhe folës në këtë ngjarje të rëndësishme, që lidhet me një vepër të iniciuar, frymëzuar dhe lënë si amanet nga njeriu më vizionar i kohës sonë – nga ai që, me plot të drejtë, mund të konsiderohet si “dizajnuesi” i Kosovës së sotme: të lirë, demokratike dhe të pavarur – Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Vizioni i tij për kombin shqiptar përfshinte edhe domosdoshmërinë për të bërë publike një koleksion hartash që dëshmojnë trojet ku ky komb ka banuar që nga antikiteti e deri në kohët moderne.

Në Stamboll 1992-1997

Vitet e mia si konsull i  Shqipërisë në Stamboll, nga viti 1992 deri më 1997, më dhanë mundësinë të njihesha me shumicën e elitës intelektuale të Kosovës së asaj kohe. Stambolli ishte një pikë referimi dhe një destinacion i vizituar shpesh nga shumë prej tyre.

Detyra më e rëndësishme që mora drejtpërdrejt nga Presidenti i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, pikërisht në ditën kur u nisa për të filluar punën si diplomat i Shqipërisë në Stamboll, ishte:

“Kujdesu për shqiptarët e Kosovës nësoj si  për ata të Shqipërisë, sepse ata nuk kanë përfaqësi diplomatike nëpër botë që t’u gjenden pranë në nevojat e tyre gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Turqia është një destinacion i rëndësishëm për ta. Ju e dini se e vetmja përfaqësi që ata kanë, sot për sot, është kjo në Tiranë. Është detyrë e përfaqësive tona diplomatike që të kujdesen për shqiptarët e Kosovës, njësoj si për ata të Shqipërisë.”

Nuk është vendi të përmend secilin kosovar që kam pritur dhe përcjellë gjatë shërbimit tim, por nuk mund të mos veçoj ish-Kryeministrin e ndjerë, Dr. Bujar Bukoshi, ministra të Qeverisë në Mërgim, rektorin e Universitetit të Prishtinës, profesorë, doktorë, artistë, gazetarë, intelektualë dhe shumë të tjerë. Disa prej tyre, më vonë, morën në dorë fatet e Kosovës pas asaj periudhe kur unë shërbeja në Stamboll.

Me iniciativën e një patrioti të shquar kosovar, katër herë i burgosur politik – tashmë i ndjeri Enver Tali – me firmën e Kryeministrit Bukoshi dhe me ndihmesën e pakursyer të shqiptarëve të Turqisë, arritëm të hapim në Stamboll atë që u njoh si Kosova Cumhuriyeti İstanbul Temsilciliği, ose Përfaqësia e Republikës së Kosovës në Vilajetin e Stambollit.

Ndër gazetarët e njohur të Kosovës që kalonin shpesh përmes Stambollit ishte edhe z. Nihat Islami.

Në Prishtine 2000 – 2009

Gjatë viteve të punës sime në UNMIK, ai më prezantoi me një intelektual par excellence, miqësia me të cilin u bë shumë e çmuar për mua: Ky ishte z. Bejtullah Destani.

Në fund-vitin 2011 u emërova Ambasador i Shqipërisë në Londër.

Në Londër 2012-2015

E planifikova mbërritjen time në Londër, për më 16 shkurt 2012 – një ditë përpara përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ditën e shpalljes së pavarësisë të cilën e kisha festuar së bashku me bashkëshorten time, Donikën, dhe me ju – pikërisht këtu në Prishtinë.

Në rreshtin e mikpritësve, në festën e organizuar në Corinthia Hotel, më 17 shkurt 2012, pas Ambasadorit të nderuar, Prof. Muhamet Hamiti, qëndronte Bejtullah Destani – në atë kohë zëvendësambasador.

Në Londër, komunikimi ynë me zotin Destani gati i përditshëm u bë thelbësor për përmbushjen e detyrës sime si ambasador. “Nga ai mora njohuri të çmuara për historinë dhe shkrimet e autorëve britanikë mbi shqiptarët, veçanërisht për kontributin e familjes së shquar Herbert: Aubrey, Elizabeth dhe Mary.

Më duhet të theksoj se veprimtaria hulumtuese, kërkimore, arkivuese, studimore, botuese dhe historiografike e Bejtullah Destanit e ka bërë atë një institucion më vete.
Në fakt, Qendra e tij, e quajtur QENDRA PËR STUDIME SHQIPTARE, në Londër,  e rendit atë ndër studiuesit më të shquar – jo vetëm për librat që ka botuar vetë, por edhe për ndihmesën e pakursyer dhe të jashtëzakonshme që u ka dhënë studiuesve të tjerë.

Kjo nuk vlen vetëm për ne shqiptarët, por edhe për emra të njohur ndërkombëtarisht, si Robert Elsie, Sir Noel Malcolm, Michael Gunn, Jason Tomes, David Abulafia, Ana D’Ilelo, Dr. Nicolla Guy, Dr Eckhart Pistrick, Dr Roderick Bailey, Neil Ress, Lord Nicola bethel, Dr. David Shankland, e shumë të tjerë.

Emri i Bejtullah Destanit gjendet jo vetëm në kopertinat e librave të botuar prej tij, por thuajse në çdo faqe mirënjohjeje të autorëve vendas apo të huaj që gjatë dekadave të fundit, kanë shkruar mbi historinë e shqiptarëve.

Po atë ditë të 17 shkurtit të vitit 2012, e takova edhe çiftin më simpatik që gjeta në Londër – z. Përparim Rama dhe zonjën e tij të nderuar, Kristale. Marrëdhënia me ta meriton më shumë se një përshkrim miqësor, por do përmend vetëm dy momente:

  1. Mbërritja jonë në Londër përkoi me 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Që në nisje i kisha vënë vetes një detyrë të vështirë: vendosjen e bustit të Skë Pa ndihmën ligjore dhe profesionale të z. Përparim Rama dhe ekipit të tij, kjo nuk do të ishte realizuar dot.
    Busti u vendos më 28 nëntor 2012 – një akt për të cilin jemi të gjithë krenarë.
    Në bazamentin e tij qëndron edhe kontributi i firmës së inxhinierit Përparim Rama – një punë e kryer krejtësisht në mënyrë vullnetare.
  2. Po ashtu, Përparimi ishte ideatori i UKAP – United Kingdom Albanian Professionals, që bashkoi intelektualët më të shquar shqiptarë nga të dy anët e kufirit, të cilët mbushnin sallat e ambasadave të Shqipërisë dhe të Kososës në Londër në të gjitha ngjarjet kulturore gjatë mandatit tim.

ALBUMI HARTOGRAFIK  I  NDËRGJEGJES KOMBËTARE NJË  KOLEKSIONI I JASHTËZAKONSHËM I  BEJTULLAH DESTANIT

Duke folë për librin që po promovojmë sot, Mapping Ethnic Albania’, më duhet të them me gjithë zemër se ndihem i ngazëllyer. Sot kemi në duar një vepër të jashtëzakonshme – një pasuri kombëtare në formën e një koleksioni hartash historike që dokumentojnë trojet e shqiptarëve ndër shekuj.

Libri është një vepër unike dhe me vlera të rralla për historinë, gjeografinë dhe vetëdijen tonë kombëtare.

Ky libër nuk është thjesht një publikim hartografik. Ai është një dëshmi e gjallë e historisë së kombit shqiptar nëpër shekuj, një pasqyrë e betejës për njohje, përfaqësim dhe drejtësi në një rajon që ka qenë vazhdimisht në vorbullën e rivaliteteve gjeopolitike.

Destani ka mbledhur një thesar të vërtetë të trashëgimisë sonë kombëtare: Rreth 200 harta që përfaqësojnë perspektiva të ndryshme – turke, italiane, veneciane, gjermane, britanike, spanjolle, slave, gjenoveze – të ruajtura në arkiva dhe biblioteka të famshme si:

  • Bibloteka Britanike në Londër,
  • Biblioteka Kombëtare e Francës,
  • Arkivat Osmane në Stamboll,
  • Arkivat e Ligës së Kombeve në Gjenevë,
  • Biblioteka Kombëtare e Spanjës,
  • Arkivat e SHBA-ve dhe shumë të tjera.

Përmes këtyre dokumenteve të vyera, autori na fton të rishohim hartën politike të Ballkanit me sytë e historisë dhe të drejtës. Nëpërmjet analizës së kufijve shqiptaro–serbë, shqiptaro–grekë dhe vetë kufijve shqiptaro–shqiptarë, vepra na kujton se çështja shqiptare nuk ka qenë dhe nuk është thjesht një kapitull i mbyllur, por një histori që vazhdon të shkruhet me përgjegjësi, argument dhe dinjitet.

Në dritën e këtyre hartave, Shqipëria paraqitet si rasti i vetëm në botë që në gjithë gjatësinë e saj kufitare, është e rrethuar nga tokat e veta historike dhe nga popullsi etnike shqiptare. Ky fakt i rrallë dhe domethënës përforcon të vërtetën historike mbi autoktoninë, identitetin dhe vazhdimësinë e kombit shqiptar në trojet e veta.


HARTËZIMI I SHQIPËRISË ETNIKE: NJË DËSHMI KARTOGRAFIKE PËR IDENTITETIN DHE TERRITORIN KOMBËTAR SHQIPTAR

Ky koleksion nuk është thjesht një ekspozim kartografik, por një dëshmi e fuqishme historike për përpjekjet e pareshtura për ta ndarë, mohuar dhe instrumentalizuar Shqipërinë si territor dhe si identitet. Pëmes këtij libri  Autori na fakton qartë se hartat nuk janë thjeshtë vizatime apo mjete neutrale, por instrumente të pushtetit gjeopolitik.

Duke u mbështetur në studime si ai i Isaiah Bowman (1922), koleksioni thekson se ndarjet e Shqipërisë kanë qenë rrjedhojë e interesave të Fuqive të Mëdha, jo e realiteteve etnike. Dokumente si Plenet për ndarjen e Shqipërisë apo pretendimet italiane dhe serbe, tregojnë për një histori tragjike mohimi.

Në aspektin gjeografik, koleksioni ndriçon rolin e territoreve malore të veriut, të cilat kanë mbrojtur shqiptarët por njëkohësisht kanë ndërlikuar ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm. Vepra të autorëve si Edith Durham (1909) dhe A. B. Sula (1921) analizojnë ndërhyrjet sllave dhe deformimin e kufijve mbi baza politike e jo etnike.

Një tjetër shtjellim i ndjeshëm është manipulimi i çështjes së Maqedonisë në hartografi, ku H. R. Wilkinson demaskon përdorimin e hartave për të legjitimuar interesat sllave dhe greke, duke përjashtuar elementin shqiptar. Harta e G. Lejean (1861) dëshmon për një prani shqiptare të mohuar më pas nga nacionalizmat agresivë.

Koleksioni ndalet edhe në dështimin diplomatik për të njohur të drejtën shqiptare në Konferencën e Londrës (1913) dhe atë të Paqes në Paris (1919), ku harta të rëndësishme etnografike nuk u morën në konsideratë përballë interesave greke e jugosllave.

Së fundi, koleksioni pasurohet me studime të specializuara mbi kufijtë shqiptaro-grekë dhe shqiptaro-jugosllavë, si dhe me dokumente të rëndësishme si ai i Komisionit Ndërkombëtar të vitit 1925, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi mënyrën se si Shqipëria u detyrua të pranojë ndarjen e saj si të pandryshueshme.

Ky libër është një pasuri për studiuesit, për politikanët me vizion, për diplomatët, për mësuesit dhe studentët – për të gjithë ata që duan të kuptojnë më thellë se si gjeografia dhe historia bashkëveprojnë në hartën e vetëdijes sonë kombëtare.

Në fakt ky libër  është shumë më tepër se një koleksion hartash. Është një akt kujtese kombëtare dhe një dëshmi e pathyeshme historike. Ky libër provon se historia e shqiptarëve nuk mund të shkruhet pa hartat dhe autorët që flasin për këto hata – dhe jo ata që i kanë fshirë, por ato që i kanë dëshmuar me ngjyra, me emra, me data, dhe me kufij  të cilët fatkeqësisht shpesh herë nuk janë pranuar.

Le ta shohim këtë koleksion të përmbledhur në këtë libër si një thirrje për drejtësi historike, për rishikim të narrativës së imponuar, dhe për një vetëdije të re kombëtare që ngrihet mbi dokumentin dhe të vërtetën.

Një nga amanetet e arkitektit të Kosovës së lirë, Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, u bë sot realitet.
E kjo falë punës së palodhur të studiuesit të përkushtuar Bejtullah Destani dhe mbështetjes së pakursyer të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, inxhinier Përparim Rama.

Faleminderit nga zemra për mundësinë që më dhatë  që të jem pjesë e këtij tubimi kaq prestigjioz.


Mal Berisha