FONDACIONI MARTIN & MIRASH LEKSION MË 6 TETOR 2016
NGA MAL BERISHA
Të dashur pjesëmarrës!
Kam privilegjin dhe nderin e veçantë të flas sonte në këtë mbrëmje përkujtimore kushtuar pinjollëve të një familjeje shqiptare, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë e arsenalit patriotik shqiptar. Sonte, në këtë aktivitet, ndjej se nuk jemi vetëm për t’i përkujtuar dhe nderuar ata ashtu siç e meritojnë, por edhe për të besuar se idealet dhe trashëgimia e tyre do të jetojnë gjatë – sot, nesër dhe për brezat që do të vijnë.
Në vitet e fëmijërisë sime, babai im më tregonte shpesh kujtimet e tij si nxënës në shkollën e Tropojës së asaj kohe, kur Ministër i Arsimit i Mbretërisë Shqiptare ishte Mirash Ivanaj. Ai kujtonte me krenari se çdo mëngjes, para se të niste mësimi, nxënësit këndonin Hymnin e Flamurit. Ky rit i përditshëm nuk ishte vetëm një akt ceremonial, por një mësim i gjallë atdhetarie, që i shoqëronte gjatë gjithë ditës dhe i rrënjoste thellë ndjenjën e dashurisë për Shqipërinë.
Emri i Mirash Ivanajt nuk më ra më kurrë në vesh më, deri në rënien e komunizmit
Ishte fillimi i viteve ’90, kur u rikthye në vëmendje kontributi i vëllezërve Martin dhe Mirash Ivanaj, të lindur në Podgoricë nga një familje e Trieshit. Pas studimeve fillestare, ata kishin përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet në Universitetin e Romës dhe kishin diplomuar në filozofi dhe jurisprudencë. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ata ishin kthyer në atdhe dhe, së bashku me kushëririn e tyre, Nikollë Ivanaj, kishin themeluar gazetën “Republika”.
Martin Ivanaj u zgjodh Kryetar i Gjykatës së Kasacionit dhe ishte autor i parë i Kodit të Procedurës Civile, ndërsa Mirash Ivanaj, që nisi si mësues dhe më pas drejtor i Gjimnazit të Shkodrës, arriti të emërohej Ministër i Arsimit (11 janar 1933 – 30 gusht 1935). Në këtë detyrë, ai ndërmori një reformë të thellë të sistemit arsimor, duke e laicizuar dhe duke e ngritur shkollën shqiptare në një nivel kombëtar, me theks tek edukimi patriotik dhe shkencor, larg çdo ndikimi të huaj.
Të dy vëllezërit mbetën në kujtesën historike si reformatorë të mëdhenj dhe si figura të pakompromis, kur ishte fjala për drejtësinë dhe arsimin shqiptar.
Martin Ivanaj u martua me profesoreshën italiane Giuseppina Pogliotti dhe së bashku patën një vajzë, Dritën, ndërsa Mirashi nuk u martua kurrë. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939, të dy u detyruan të largoheshin nga atdheu. Martini u vendos në Stamboll, ku vdiq një vit më pas, ndërsa Mirashi, pas një mërgimi të vështirë, në vitin 1945 vendosi të kthehej në Shqipëri, duke besuar se vendi ishte çliruar.
Por, në vend të mirëpritjes së atdheut, ai gjeti shtëpinë e konfiskuar dhe bibliotekën e plaçkitur. Takimi i tij me ish-studentin e ngelur në provime në Universitetin e Monpeljesë, Enver Hoxha, me sugjerimin e Gjergj Kokoshit, rezultoi fatal. Diktatori i sapo kurorëzuar i kujtoi se ishte pikërisht Mirashi ai që i kishte prerë bursën në Francë, për shkak të mosplotësimit të detyrimeve shkollore. Ai e plasi Mirashin në burg, ku e mbylli jetën në vitin 1953.
Pas dekadash heshtjeje dhe harrese të imponuar, emri dhe vepra e tyre u rikthyen fuqishëm në kujtesën shqiptare në fillim të viteve ’90.
Pasi isha kthyer nga shërbimi diplomatik, pata rastin të merrja pjesë në një forum mbi lirinë e shtypit, të organizuar në institucionin “Martin & Mirash Ivanaj Foundation” në Tiranë. Aty pata edhe nderin të njihja personalisht Dritën. Takimi me të ishte një përvojë e rrallë dhe mbresëlënëse: një figurë që mishëronte iluminizëm, dije, dashuri njerëzore dhe sakrificë jetësore. Ajo ishte vetë historia e gjallë, jo thjesht e gdhendur në statuja.
Pas takimit të parë, i premtuam njëri-tjetrit se do të mbeteshim në kontakt. Njohja më e thellë me Fondacionin Ivanaj, me historinë e vëllezërve Martin & Mirash dhe me vetë Dritën, për mua u shndërrua në një detyrë morale. Fillimisht mendova t’i dhuroja disa nga librat që kisha shkruar vetë. Si “kompensim”, Drita më dhuroi një seri librash kushtuar babait të saj të dashur, Martinit, dhe axhës së saj, Mirashit.
Një prej tyre është “Kulla e Shpresës sime”, një përmbledhje me poezi e shkruar nga dueti i vëllezërve Ivanaj.
Unë dua që sonte, këtu, një poezi nga kjo përmbledhje të interpretohet nga aktorja e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, znj. Mimi Marjanaku.
Ndërsa vepra tjetër është :
“Kanuni i Lekës – Codex Alexandri – Ligjet Zakonore në fiset e Shqipërisë së Veriut (Trieshi, Hoti dhe Gruda)”, me dedikim. Ky është titulli i temës së doktoratës së Martin Ivanajt, të mbrojtur në Universitetin Mbretëror të Romës në vitin 1921.
Njohja ime me figurën e vëllezërve Ivanaj u thellua përmes veprave të kushtuara atyre: biografisë së shkruar nga Dr. Iljaz Gogaj, librit të Lazër Radit, traktatit filozofik të Nikollë Ivanajt, cikleve poetike të përkthyera nga Lazër Radi dhe Dr. Pjetër Dreshaj, si dhe shkrimeve të znj. Përtefe Leka. Sa më shumë i studioja, aq më fort lidhesha emocionalisht dhe shpirtërisht me ta.
Ishte ky afeksion që më bëri të shkruaj artikullin me titullin që mban ky shkrim.
https://malberisha.com/martin-mirash-ivanaj-nje-xhevahir-kulture-dhe-dije-ne-mes-te-tiranes/
Më pas organizuam një cikël aktivitetesh të përbashkëta:
Për mua, vëllezërit Ivanaj mishërojnë vlerat e arsimit, letërsisë, ligjit, shtetformimit dhe sakrificës sublime. Megjithëse mund të kishin ndërtuar karriera të ndritura në Perëndim, falë formimit të tyre të jashtëzakonshëm dhe aftësive të shumanshme, ata zgjodhën të ktheheshin në Shqipëri, pikërisht në ditët më të vështira të kombit. Në një kohë kur shteti shqiptar sapo po formësohej dhe vuante nga mungesa e theksuar e njerëzve të aftë e të ndershëm, ata shërbyen me një përkushtim të rrallë e të paepur.
Historia e tyre shërben si një model i edukimit dhe vetë-edukimit atdhetar. Studimi i jetës së tyre të jep ndjesinë e soditjes së një monumenti të madh, ku spikasin vlerat e poezisë, gazetarisë, jurisprudencës, mësimdhënies, respektit për shtetin dhe qëndrimit të ndershëm ndaj detyrës publike.
Martini shquhej për interpretimin e Kodit Civil, ndërsa Mirashi për aftësitë e tij në arsim dhe në formimin patriotik. Si malësorë, ata ruanin atë besim të pastër e të drejtë, se drejtësia e tyre ishte e padiskutueshme.
Bashkëpunimi me Fondacionin “Martin & Mirash Ivanaj” është një nder dhe një detyrim moral ndërsa figura e Dritës, tashmë e ndjerë, përfaqëson një trashëgimtare të fortë, e cila me dinjitet mbajti mbi supe peshën e mbiemrit të prindërve dhe të axhës së saj, duke na lënë pikërisht këtë trashëgimi, në të cilën gjendemi sonte.
Takimi im i fundit me Dritën e ndjerë ishte më 5 nëntor 2024, kur ajo më nderoi me pjesëmarrjen e saj në inaugurimin e librit që kisha përkthyer, Malet e Gjigantëve, të antropologut të madh amerikan Carleton Coon. Në atë rast, unë pata thënë:
“Malet e Gjigantëve” i është kushtuar Gegëve të Malësive të Veriut të Shqipërisë. Kjo vepër sjell në pah fuqinë mbijetuese të Gegëve, të cilët kanë ruajtur identitetin dhe traditat e tyre në fortesat e tyre malore. Nëse konstatimet e prof. Carleton Coon marrin kuptim të mishëruar tek një individ gegë, kjo është padyshim Drita Ivanaj.
Në mbyllje, më lejoni të theksoj se emërtimi i një rruge në kryeqytet, ngritja e një monumenti për vëllezërit Ivanaj dhe bijën e tyre në një park të Tiranës, si dhe dhënia e emrit të tyre një institucioni arsimor, do të ishin nderime të merituara e të denja për këta patriotë të shquar, të cilët i dhanë kulturës, arsimit dhe shtetit shqiptar një trashëgimi të pavdekshme.
Nderim të përjetshëm!
Faleminderit
Shkruar nga Mal Berisha

