Porto Palermo – Një kala në errësirë që pret dritën e kujdesit shtetëror

Porto Palermo – Një kala në errësirë që pret dritën e kujdesit shtetëror


Nga Mal Berisha


Kalaja e Porto Palermos është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë historike shqiptare.

E ndërtuar në fillim të shekullit XIX, ajo është lidhur ngushtë me emrin e Ali Pashë Tepelenës dhe ka shërbyer si bazë ushtarake detare dhe si pikë strategjike mbrojtjeje në jug të Shqipërisë. E vendosur në një nga gjiret më të bukur të Rivierës, ajo përfaqëson një trashëgimi arkitekturore të rrallë me vlera të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe turistike.

Një vizitë që shndërrohet në zhgënjim

Por, ajo që pashë dje, (12 Tetor 2025),  gjatë vizitës sime në këtë kala, ishte krejt e kundërta e asaj që një vizitor do të priste nga një Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Rruga që të çon deri te hyrja e kalasë është e paasfaltuar, e papastër dhe e pa mirëmbajtur. Në hyrje, kazanët e mbeturinave janë të tejmbushur, ndërsa qentë enden lirshëm, duke e bërë ambientin e jashtëm të padinjitetshëm për një vend të tillë.

Në brendësi të kalasë mungon energjia elektrike, pasi – siç u tha – kabllot janë prerë nga dikush dhe askush nuk është kujdesur t’i riparojë. Vizita, për pasojë, bëhet në errësirë. Nuk ka as ciceron, as shpjegime historike, as guida për vizitorët. Në disa mure janë vendosur dy-tre postera të vjetër, por asnjëri nuk mund të lexohet pa dritë. Atmosfera që të përfshin është ajo e një objekti të braktisur, jo e një pasurie që duhet të përfaqësojë historinë dhe kulturën e Shqipërisë përpara vizitorëve të huaj e vendas.

Vlera të mëdha – kujdes minimal

Një monument i tillë meriton një administrim serioz. Kalaja e Porto Palermos është ndërtuar për të mbrojtur brigjet shqiptare dhe për të dëshmuar aftësinë arkitekturore dhe strategjike të kohës së Ali Pashës. Sot ajo duhet të mbrojë një tjetër vlerë: nderin dhe kujtesën kulturore të kombit. Por për fat të keq, pamja aktuale flet për neglizhencë institucionale, mungesë investimi dhe mungesë të plotë vëmendjeje.

Ndërkohë që në vende të tjera, kalatë me më pak rëndësi historike janë shndërruar në muze, qendra interpretimi apo hapësira kulturore të gjalla, Kalaja e Porto Palermos mbetet në errësirë – në kuptimin më të drejtpërdrejtë dhe simbolik të fjalës. Çmimi i biletës, 3.5 dollarë, është më i lartë sesa shërbimi dhe përvoja që ofrohet. Një vizitor që paguan këtë shumë meriton të marrë diçka më shumë se një shëtitje në errësirë.

Një apel për ndërgjegjësim

Është koha që Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Bashkia e Himarës të bashkërendojnë përpjekjet për restaurimin, ndriçimin dhe funksionalizimin e kësaj kalaje. Ajo nuk ka nevojë për luks, por për kujdes, dritë, rregull dhe respekt ndaj historisë.

Trashëgimia jonë kulturore nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës – ajo është pasqyrë e vlerave të shoqërisë që jemi sot. Nëse nuk kujdesemi për të, e humbim jo vetëm përpara botës, por edhe përpara vetes.

Kalaja e Porto Palermos meriton dritë. Meriton dinjitet. Meriton të ringjallet.