FJALOR I FJALËVE TË RRALLA KRUTANE
MBLEDHUR NGA ILIR GOCI
Promovim në Pallatin e Kulturës “Ibrahim Berdaku”, Krujë, 22 Nëntor 2025
Të dashur pjesëmarrës!
Pjesëmarrja ime në këtë aktivitet është një moment shumë emocional, sepse më rikthen në vitet e rinisë sime, të cilat lidhen me vitet e punës në Shtëpinë e Kulturës në Borizanë, nga viti 1975–1983, dhe më vonë në Pallatin e Kulturës në Laç, kur ky qytet ishte pjesë e rrethit të Krujës, deri në vitin 1992 kur ne vareshim pikërisht nga Kruja.
Me këtë rast, më lejoni të bëj një homazh dhe të nderoj mikun tim, artistin krutan, emrin e të cilit mban ky institucion, regjisorin, autorin dhe frymëzuesin e shumë aktiviteteve të organizuara përgjatë dekadave, përfshirë dramën Skënderbeu dhe regjinë e Festivaleve të Gjirokastrës, të ndjerin Ibrahim Berdaku.
Nderim dhe respekt. Shpirti i pastë dritë!
Po ashtu, dua të kujtoj me respekt artistë e personalitete të kulturës krutane si që kam patur rastin ti njihja si artisti i popullit Ramiz Kovaci, muzikantët Latif Nuna, Met Darova, Agim Darova; Skënder Reka, Vogël Malkuçi ish-drejtorin e Shtëpisë së Kulturës, Cen Llubani; shefin e kulturës së rrethit, Pllumb Murati; piktorin Matish Staka të cilët nuk jetojnë më.
Po ashtu, dua të kujtoj me nderim punën e artistëve që performojnë edhe sot të njohurit e mi Agim Nuna, Bashkim Rama, Rakipe Kalaja, Ylli Kalaja, këngëtares Dëshirë Maja–Mustafa, vëllezërve David dhe Genc Tukiçi, violinistes Adelina Hoxha, si edhe artistëve Medi Guni, aktorit të humorit Rrem Loci, shkrimtarit Hamdi Meca dhe drejtoreshës Shpresa Hoxha.
Një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të këtij qyteti që i pata njohur ndër vite zinin edhe ekspozitat e piktorëve Ismail Berdaku, Petrit Roshi, Nazmi Maja, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Me këtë rast, pikërisht sot, në këtë ditë të rëndësishme për kulturën e qytetit të Krujës, dua të nderoj ata që e kanë bërë këtë qytet të njohur jo vetëm këtu, jo vetëm në skenën tonë kombëtare, jo vetëm në Kosovë e trojet tjera shqiptare, por edhe në Evropë: Grupin e Pleqëve.
Fati më pati sjellë që të punoja për një periudhë me themeluesin e këtij grupi, artistin e mrekullueshëm krutan Fadil Taga, i cili sot jeton në pleqërinë e tij të thellë në Itali. E kujtoj gjithmonë me respekt e mirënjohje për miqësinë dhe dashamirësinë e tij.
Por, kur flitet dhe nderohet Grupi i Pleqëve, nuk mund të mos përmendet drejtuesi i tyre, njeriu që nuk reshti kurrë së punuari për ta mbajtur gjallë këtë grup – artisti Met Llubani, “Mjeshtër i Madh”, me të cilin më lidhin vitet e fundit në Institutin e Lartë të Arteve dhe bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm kulturor e miqësor.
SI U NJOHA ME GJUHËN “KRUTANE”?
Më 24 shtator 1966, në një mbrëmje vjeshte, na rrëmbyen “forcat e atëhershme të errëta” nga vendlindja ime dhe pas 13 orësh rrugëtimi na përplasën nga Tropoja ime në një vend që nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë. Të nesërmen, trembëdhjetë anëtarë të familjes mbërritëm në fshatin Shpërdhet të rrethit të Krujës.
Historia e vendosjes sonë atje është e gjatë, por unë dua të ndalem te gjuha e atij fshati.
Pasi na strehoi dervishi i fshatit – shpirti i bëftë dritë Zenel Dervishit – të nesërmen dolëm në rrugën e lagjes. Banorët, kureshtar tej mase që në fshatin e tyre ishin shfaqur disa jabanxhinj, ndoshta për herë të parë në historinë e tyre, na dolën përpara të habitur dhe na pyetën:
“A ke shpaj e Z’nelit kini erdh me ndejtë ju re?”
Ne, fëmijët që flisnim një dialekt të fortë gegë nga veriu, nuk morëm vesh asnjë fjalë nga ajo e folme. I pyetëm sërish se çfarë donin të thoshin, por pa sukses. Të hutuar, u kthyem në shtëpi.
Më pas, kur dikush nga familja jonë I përshëndeti një banor të lagjes:
“Mirëmjes! Si keni njeh!?”
Ai iu përgjigj:
“Vallai krejt dhajt n’shpaj i kina, se i kina njef mbramë kaptajn për kaptajn.”
Ose kur vendasit u thoshin familjarëve të mi:
“E si gdhajtë ju ere?”
Ata përgjigjeshin me një të rrudhur të krahëve:
“Nuk e di.”
Këto episode m’i risolli gjallë në mendje libri i Ilir Gocit
“FJALË KRUJE THESARE”.
Puna e Ilir Gocit nuk nis në një terren të zbrazët. Ai është i biri i historianit të mirënjohur krutan, mbledhësit të rrëfimeve, ngjarjeve, gojëdhënave dhe folklorit të këtyre anëve. E kisha mik Xhi Gocin, edhe pse me diferencë të madhe moshe, dhe e vlerësoja shumë atë burrë të rrallë krutan. E kam ndjekur jo pak herë teksa referonte tema historike në aktivitetet që, në mesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, organizoheshin në salla si ajo e Shtëpisë së Kulturës në Krujë, në Fushë-Krujë, në Nikël, në Borizanë dhe në shumë mjedise të tjera.
Statuja e tij e një burri të pashëm, me syze të trasha optike, më krijonte gjithmonë një ndjesi të këndshme kur e dëgjoja tek shpërndante plot dije, argumente dhe, mbi të gjitha, I bënte me një dashuri të jashtëzakonshme për historinë e Krujës, e cila ruan aq shumë gurë të çmuar në mozaikun e saj.
Dhe ja, sot na vjen me një libër interesant edhe i biri i profesorit të nderuar Haxhi Goci, Iliri. Libri i tij i sapobotuar, me rreth 700 fjalë të rralla të folmes së përditshme krutane, është një punë me vlerë të madhe dhe një kontribut i rëndësishëm për ruajtjen e këtij thesari gjuhësor.
E shfletova librin dhe u përqendrova te çdo fjalë. Disa prej atyre 700 fjalëve i kisha dëgjuar gjatë viteve të punës sime në Borizanë dhe në aktivitetet e zhvilluara në Krujë. Është për t’u habitur se si ato fjalë nuk njiheshin fare nga banorët që jetonin vetëm disa kilometra më tej – si në Thumanë, Mamurras, Laç apo Milot – sidomos në radhët e banorëve të ardhur, siç isha edhe unë. Por edhe ata i mësuan.
Sigurisht që për një krutan ose banor të kësaj treve, që flet gjuhën të cilës Ilir Goci i ka kushtuar me aq kujdes, këto shprehje janë të natyrshme.
A do ta kuptonte vallë një krutan i asaj kohe, nëse unë do t’i këndoja këngën e mëposhtme?
N’drras t’vekit kush po kan?
Kan syzeza për jaran.
Bar e dushk në bjeshkë i than
S’po len verë sivjet me dalë.
Në të vërtetë, një autor amerikan që unë e kam shumë për zemër, Charles Telford Erickson, në veprën e tij “Shqiptarët – Enigma e Ballkanit”, thotë:
“Është e çuditshme se si një shqiptar nga Korça, i cili kurrë në jetën e vet nuk ka vajtur në Tiranë, madje kurrë nuk ka takuar një shqiptar nga veriu, edhe pse kanë vështirësi të merren vesh me njëri-tjetrin, prapëseprapë flasin të njëjtën gjuhë — atë shqipe. Prandaj është gjuha shqipe që i bashkon shqiptarët më shumë se çdo gjë tjetër.”
Unë nuk jam studiues i linguistikës, por natyrisht që më është dhënë mundësia të dëgjoj të gjitha dialektet e shqipes dhe t’i kuptoj ato. Në ato vite që përmenda, kur dëgjoja Haxhi Gocin apo Kolec Topallin si dhe studiues të tjerë krutanë ose jabanxhinj në rrethin e Krujës, i shihja me shumë simpati dhe kureshtje studimet e tyre.
LIBRI I ILIR GOCIT “FJALË KRUJE – THESARE”
Unë dua ta komplimentoj Ilirin për punën e kujdesshme, mbledhëse si një bletë; për renditjen alfabetike; shpjegimet e thjeshta të kuptimit të fjalëve; botimin dhe promovimin e tij sot.
Midis 700 fjalëve të mbledhura, unë zgjodha 36 prej tyre — aq sa ka gërma gjuha shqipe, që nga A-ja deri tek Zh-ja — dhe pikërisht…
A–ZH: FJALËT E PËRZGJEDHURA
Pasi listova këto fjalë më karakteristike të fjalorit të fjalëve krutane, të përzgjedhura nga Ilir Goci, nuk më mbetet veçse të them: këto të gjitha janë aq të veçanta, sa edhe po t’i krahasosh me fjalorin e gjuhës shqipe, ato mbeten krejt unike dhe të pashoqe.
Prandaj edhe i uroj Ilir Gocit: faleminderit për këtë thesar fjalësh të rralla të mbledhura, dhe ju, audiencës, shumë faleminderit për kënaqësinë që më dhatë, duke më dhënë mundësinë të flas në këtë promovim kaq interesant.
Shtëpia e kulturës “Ibrahim Berdaku”
Krujë 22 nëntor 2025
