Afërdita Hall – Xhafo – Charles Telfors Erickson u “harrua”nga zyrtarët e diktaturës, por jo nga shqiptarët

Meditime rreth librit:

“JETA E JASHTËZAKONSHME E AMERIKANIT CHARLES TELFORD ERICKSON KUSHTUAR SHQIPËRISË” e autorit Mal Berisha.  

Shkruar nga Afërdita Hall – Xhafo,

(E bija e ish nxënësit të Erickson – it, Avdyl) Xhafo). St Louis, ShBA.


Nuk gjej fjalë të shpreh ato ndjenja të forta krenarie dhe dhimbjeje deri në palcë, që më pushtuan gjatë leximit të këtij libri të një rëndësie të jashtëzakonëshme për Shqipërinë dhe shqiptaret. Ashtu siç mu shpreh edhe autori i këtij libri biografik, miku im i vyer, zoti Mal Berisha, që “veç do të doja që kët liber ta lexonte çdo shqiptar!”e nënvizoj se me të vërtetë do të ishte në nderin tonë si komb që jetën dhe sakrificat e bëra të këtij fisniku amerikan për atdheun tonë t’i dinte dhe t’i vlerësonte çdo shqiptar.

Nuk ka se si mos të të lind pyetja sa herë që ndeshesh me rrëfimet biografike të këtij amerikani të madh se si është e mundur që ky njeri-hero i ka shërbyer me kaq vetëmohim një kombi dhe një vendi me mijra kilometra larg atdheut te tij, Amerikës?

Si është e mundur që ky burrë, bashkëshort dhe baba i dhembshur, sakrifikoi gati 30 vjet të jetës së tij duke menduar dhe punuar për të mirën e Shqipërisë?

Ja si shkruan ai në një ndër veprat e tij:

“Për shqiptaret oxhaku është altari i tyre, të cilin e ka ndërtuar vetë kombi. Feja që i ka mbajtur ata në tërë mundimet, parimet, idealet, zakonet, të cilat janë dukur tek ta më shumë se vlera e vetë jetës, i ka pasur rrënjët në jetën e familjes. Po si do ta bëj jetën time një pjesë jetësore të tyren, të bëhem një prej tyre me mendje, me trup dhe me shpirt, nëse nuk e sjell familjen time me mua dhe të ngre edhe une oxhakun tim midis tyre?!”[1]  

Kam patur fatin të “njihem” me Erickson – in  si dhe stafin e tij të shkollës bujqësore të Kavajës nëpërmjet rrëfimit të tim eti i cili ka qenë një nga nxënësit e kësaj shkolle në vitet e tij të djalërisë. Shpesh mbrëmjeve të ulur rreth oxhakut tonë dëgjoja me vëmendje babain tek na tregonte me dashuri dhe respekt ndodhi nga ajo kohë. Im atë na mësoi po ato këngë që ai vetë i pat kënduar dikur në shkollen e Erickson – it, dhe të gjithë së bashku me zë të ulët ne, fëmijet e tij, i kënduam me dëshirë. Edhe sot e mbaj mend kengën “Old Black Joe”, “ Zezaku i vjetër Xho” dhe më bëhet sikur shoh tim atë edhe një herë djalë të ri ulur në bangat e asaj shkolle emër-mirë. Çfarë fisnikërie dhe vetmohimi ka patur ky njeri i madh në shpirt për ti ndihmuar shqiptarët! Si rrallë kush Erickson përballet jo vetëm me problemet e kohës së shqiptarëve por ai njeh shumë mirë edhe historinë e Shqipërisë. Ja si shkruan ai:

Ka qenë fati i Shqipërisë që të mos i ndërpritej kurrë historia. E rrethuar prej kombesh dhe perandorishë të ndryshme, shqiptarëve ua kanë thithur gjakun si shushunja, i kanë përdorur për të rritur madhështinë e tyre, madje edhe duke përvetësuar heronjtë arbërorë për të treguar vetëm madhështinë e kombeve të tjera.”[2]

Dhe nuk ka si të mos na lind pyetja munduese se si është e mundur që ky amerikan me zemër shqiptare deri në fundin e jetës së tij u mohua nga regjimi komunist në Shqipëri për gati 50 vjet?

Charles Telfors Erickson u “harrua”nga zyrtarët e diktaturës, por jo kurrë nga zemrat e qindra studentëve që u shkolluan në të parën shkollë bujqësore të themeluar prej këmbënguljes së tij titanike, në Shqipërinë e viteve 1920. Me siguri sot, ky yll i dashurisë dhe vetëmohimit për popullin shqiptar, shkëlqen nga lart prej lumturisë tek sheh që vepra e tij e shkundi pluhurin e kohës duke parë dritën e botimit në gjuhën shqipe nëpërmjet punës së çmuar të Mal Berishës. Është për t’u admiruar ndërmarrja e autorit që ka një peshë të madhe pune kërkuese, vëzhguese, përgatitore, përkthimi në gjuhën shqipe. Ky libër është organizuar si një bashkësi ngjarjesh dhe vlerësimesh për kohën dhe të gjitha ato ndodhi me vlerë historike janë të renditura logjikisht në mënyrën e duhur. Lexon kete libër i cili shkon përtej një biografie dhe bëhesh një me ngjarjet dhe personazhet e tij. Libri me gjuhën e rrjedhshme të rrëmben dhe të kthen në kohën e shkuar plot befasira, zhgënjime, përpjekje dhe arritje të ëndërruara. Në fakt, lexuesi nuk do që libri të mbarojë. Dhe pikërisht këtu qëndron merita e autorit të këtij libri, që me gjuhën e përpunuar dhe tepër komunikuese e tërheq lexuesin dhe e bën pjesë të tij.

Edhe një herë urimet më të sinqerta.

Afërdita Hall/ Xhafo Saint Louis, MO USA


[1] Faqe 39.

[2] Po aty