APOSTULLI I  ILIR IKONOMIT NË NEW YORK



APOSTULLI I  ILIR IKONOMIT NË NEW YORK

Përshtypje personale

NGA PROMOVIMI I LIBRIT APOSTULLI I ILIR IKONOMIT NË NEW YORK

Nga Mal Berisha


HYRJE

Duket qartë se edhe pas afro dy muajsh që nga ditët e Panairit të Librit 2023 në Tiranë, emri i mirë që bëri libri APOSTULLI i autorit Ilir Ikonomi vazhdon të jehojë tashmë edhe në anën tjetër të Atlantikut dhe pikërisht në New York.
Sigurisht, mjetet e sotme të shumta për shpërndarjen e informacionit, duke përfshirë radio, televizion, gazetat dhe rrjetet sociale, kanë çdo të drejtë, në opinionin tim, ta cilësojnë këtë libër si një kontribut me vlerë dhe një shtesë inovative në antologjinë biografike të personaliteteve të shquara të kombit tonë. Ky është libri i katërt I botuar nga ky autor, dhe sipas vlerësimit tim, ai sjell vlera të shumta, duke e pasuruar kështu bibliotekën e librave të tillë në vendin tonë.
Në fakt, libri paraqet një rrëfim tërheqës dhe të saktë, duke nxjerrë në pah një paralelizëm mes jetës së Fan Nolit, një klerik i shquar patriot, dhe historisë së organizatës që ai vetë themeloi, Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA, së bashku me gazetën shqiptare më të vjetër, “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe sot.
Në veçanti për këtë rast, do të doja të ndaja disa përshtypje nga momenti i përurimit të librit që autori Ilir Ikonomi prezantoi para drejtuesve dhe një numri të konsiderueshëm anëtarësh të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA, dhe të Këshillit Shqiptaro-Amerikan në New York.
 
RETROSPEKTIVË – NË IBRIK TEPE
 
Në një fjalë të thjeshtë të rastit, pata nderin të ndaja me të pranishmit kënaqësinë e të qenurit një prej shqiptarëve “të paktë” ndoshta, që e kanë vizituar fshatin Ibrik Tepe, vendin e lindjes së Theofan Stilian Nolit. E bashkë me të I paraqita autorit edhe përgëzimet e mia për librin.
Tani, duke lexuar librin “APOSTULLI”, më duket sikur në sy më vijnë imazhet e atij fshati ku dikur kishin lëvizur Nolianët, Gjergji, Stiliani, Maria, Sumba, Sulltana, Dhimitri, xhaxha Tasi, etj.
 
KRITIKA E LIBRIT
 
Jam i sigurt se kritikat dhe vlerësimet për këtë libër do të jenë të shumta. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të cilësive të veçanta të librit, por gjithashtu edhe për shkak të natyrës shpeshherë kundërthënëse të vetë figurës së Fan Nolit. Në vështrimin tim, ajo që ka bërë autori është de-legjendarizimi, de-heroizimi i tepërt, çmitizimi dhe humanizimi i personazhit të tij, duke e sjellur atë në një nivel më real dhe më tokësor. “Kritika” e mëparshme, veçanërisht ajo me prirje të majta, e idealizon Fan Nolin duke vënë në pah tendencat e tij të majta dhe lidhjen e tij me bolshevikët, pa shqyrtuar ndonjë mangësi të mundshme në personalitetin e tij. Ilir Ikonomi paraqet një “ngerç” të habitshëm midis Nolit klerik, i cili “kungohet” tek Kisha Ruse e cila më vonë bëhet njësoj se në Shqipëri, viktimë e bolshevizmit.
Unë, si lexues i vëmendshëm dhe simpatizant i Nolit për pjesën e tij të kontributit patriotik dhe letrar në gjuhën shqipe (jo për atë politik në Shqipëri), shoh tek ai një figurë pragmatike, i cili për të mirën e atdheut, ashtu siç e koncepton ai, është i gatshëm të bëjë kompromise me këdo. Teologjia e tij, studimet fetare, përkthimi i lutjeve ortodokse në gjuhën shqipe, ushtrimi i detyrës së priftit, ngjajnë më shumë me Nevojën sesa me Besimin e tij fanatik. Kur them Nevojën, e lidh atë edhe me faktin se ai nuk ishte i “prerë” për punëtor sharrash apo llamarinash, si shumë emigrantë të tjerë të kohës. Në të kundërt ai kishte zgjedhur një jetë intensive intelektuale.
Por kjo zgjedhje nuk i jepte atij mundësinë e një jete normale andaj e gjeti kishën si mjetin e tij të jetesës. Tek kisha ai gjeti instrumentin më efikas për t’i shërbyer kombit duke e tëhuajtur atë pjesë të popullsisë shqiptare të besimit ortodoks (midis tyre edhe ca grekofilë) nga influencat anti – shqiptare të kishës greke dhe duke i tërhequr ata në anën e lëvizjes patriotike që ai vetë inicioi.
Në fillim të librit, ai paraqitet si një person që nuk i besonte aq shumë fesë. Megjithatë, më vonë bëhet kreu i kishës. Arsyetimi për këtë, sipas interpretimit tim të librit, është se ai ndjente se Kisha Ortodokse e predikuar në gjuhën greke ishte një rrezik i jashtëzakonshëm për ekzistencën e kombit shqiptar.
Por kisha greke kurrë nuk do të kungonte një prift shqiptar – folës që të ngjitej në altar dhe t’i tregonte shqiptarëve se kush ishin në të vërtetë në gjuhën e tyre. Prandaj, duhej një kishë tjetër për t’u shunguruar, dhe u gjet ajo ruse. A ishin rusët caristë miq të Shqipërisë në atë kohë? Jo! Mos të harrojmë se Noli merret me Kishën Ruse më pak se tre dekada pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit të vitit 1878, i cili shënon copëtimin e parë të trojeve shqiptare në favor të fqinjëve sllave dhe ortodoks.
Autori, Ikonomi, nuk tenton të na bindë me fjalët e veta për drejtësinë e veprës së Nolit i cili u dorëzua në Kishën Ortodokse Ruse në New York. Ai na jep vetëm faktet. Por fakt është se pa atë ndihmë, ndoshta edhe pse në Amerikë priftërinjtë ortodoks rusë nuk ishin aq të molepsur me politikat anti – shqiptare cariste në Ballkan dhe se, edhe ajo vetë, pra kisha ruse, donte të shkëputej nga Fanari dhe ndikimi grek, gjë që ndoshta e donte edhe për kishat ortodokse të popujve të tjerë me besim ortodoks.
Libri na paraqet përpjekjet e Apostullit, i cili kurrë “nuk u rehatua financiarisht.” Në çdo faqe të librit, zbulohet shqetësimi i tij për të mbijetuar në masën që të mund t’i shërbente atdheut dhe kishës. Kjo përpjekje ishte aq e mundimshme por edhe aq fisnike, sa të mund të botonte “Diellin”, të ndihmonte në edukimin e shqiptarëve të Amerikës, të ndërtonte Kishën Autoqefale Shqiptare, të themelonte dhe drejtonte Vatrën, të përkthente Sheksipirin, Sevantesin, Ibsenin, dhe t’a bënte çështjen shqiptare të njohur në qarqet amerikane, duke luftuar edhe me varfërinë e tij çdo ditë.
Vështirësitë e jetës së tij, Ilir Ikonomi, i paraqet me aq shumë fakte, sa të bën të mendosh se vërtetë vetëm një njeri i tillë, ASKET, që kishte kaq pak pretendime për jetën e tij personale, mund t’i shërbejë atdheut me aq devotshmëri e përkushtim. Ai arrin që ata shqiptarë analfabetë, emigrantë, punëtorë fabrikash, edhe pse në një numër shumë herë më të vogël se ata që jetojnë sot në Amerikë, të kontribuonin edhe financiarisht aq shumë sa të “Jepnin për Nënën”
Ky mund të jetë një mësim për shqiptaro-amerikanët, tashmë të rehatuar në këtë vend të lirisë dhe mundësive të pafund.
 
BISEDË ME VATRANIN IDRIZ LAMAJ
 
Në një bisedë krejt spontane me vatranin e njohur Idriz Lamaj, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, më tregoi këto ditë se ai e kishte vizituar apartamentin ku ka jetuar Fan Noli në Boston.
“Jeta e tij ishte më e thjeshtë se sa mund të bënte një njeri i kategorisë së tij. Por pikërisht në atë apartament janë shkruar dhe nisur letra, dokumente, traktate, madje edhe libra, të cilat kanë pasur një ndikim shumë të madh në çështjen e ekzistencës së shtetit shqiptar dhe në kulturën shqiptare”, thotë zoti Lamaj.
 
AUSTRIAKËT DHE ITALIANËT
 
Ato që sjell autori në këtë libër – lidhjet e Nolit (dhe të Konicës) me austriakët dhe italianët – na japin një pasqyrë shumë interesante të përpjekjeve të tij për t’u mbështetur tek i vetmi shtet, ose të vetmet shtete, të cilat po e ndihmonin Shqipërinë për pavarësinë dhe shpëtimin nga synimet grabitqare greko-serbe. Megjithatë, ai e kupton se, ashtu si në veprën e Servantesit, Don Kishoti i Mançës, të cilin e ka përkthyer ai vetë në shqip, Shqipëria, e shpëtuar nga Austria dhe Italia, pësuan fatin e Andreas. Episodi i atij djali, të cilin e shpëton Don Kishoti nga duart e disa njerëzve që po e rrihnin, por më pas e liron duke e lënë në rrugë ku ai bie përsëri në duart e tyre për ta rrahur edhe më keq, është identik me atë që edhe Austria edhe Italia bënë me atdheun tonë: ndihmuan për pavarësinë dhe më pas e pushtuan njëra pas tjetrës…!?
Aspekti tjetër i përpjekjeve të Nolit për t’a bërë Presidentin Wilson mik të Shqipërisë është një nga pjesët më të bukura të librit.
Ajo që konstatova nga libri, i shkruar kaq bukur, ishte se autori, duke e prezantuar figurën e Apostullit në një rritje graduale, gjithnjë kreshendo, ka arritur që të ruajë portretin e një njeriu që është i afërt me gjeniun, i veshur me të gjitha cilësitë e mira, por edhe ato të dobëta njerëzore, pa e idealizuar, lustruar, ose hyjnizuar panevojshëm atë.
 
NJË KËSHILLË VLLAZNORE
 
Unë do t’ju sugjeroja që, ashtu siç bënë vatranët duke sponsorizuar me mbledhje fondesh botimin e “Otellos” dhe shumë veprave të tjera të Nolit, edhe ky libër duhet të financohet nga Vatra për një botim me një tirazh sa më të madh. Pas kësaj, çdo shqiptar patriot, shqiptaro-amerikan, duhet ta lexojë dhe të mësojë se si respektohet ajo që përmendet shpesh me emrin “Kanunorja e Vatrës”, zgjedhjet dhe shuarja e konflikteve që shfaqen sot brenda kësaj organizate.

Natyrisht, askush nuk pretendon që të kemi edhe sot një Fan Nol, Faik Konicë, Sotir Peci, Sali Butkë, Bahri Omar, Kristo Flloq, Petro Nini Luarasi, Kosta Çekrezi, Kristo Dako, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Mehmet Konicë, etj. Megjithatë, mësimet që sjell “APOSTULLI” i Ilir Ikonomit, nuk kanë pse të jenë vetëm stoli, por edhe një mënyrë sesi Vatra mund të rezistojë të mos kthehet në një relike historike, por një realitet efektiv me ndikim në fatet e kombit, si atherë në kohën e Apostullit dhe dishepujve të tij.


Mal Berisha
Anëtar Nderi I Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës VATRA
New York 29 dhjetor 2023