Libri ALBANIANADA/ SHQIPTARIADA është një botim sui generis. I kushtohet historianit britanik Sir Noel Malcolm. Por nuk ka asgjë të ngjashme me një biografi. Noel Malcolm ka tashmë një opus shumë të gjerë dhe të shtrirë në shumë fusha, të pranuar dhe të vlerësuar lart jo vetëm nga mjediset e akademikëve dhe të dijetarëve, por edhe nga opinioni i gjerë i lexuesve në anglisht dhe në dhjetëra gjuhët ku është përkthyer. Tri nga këto vepra kanë në qendër shqiptarët dhe historinë e tyre. Janë: “Kosova, një histori e shkurtër”, “Agjentë Perandorak” dhe “Shqiptarët, Rebelët, Besimtarët, të Mbijetuarit”. Të tri këto vepra janë të botuara edhe në shqip dhe të çmuara. Ky botim përqendrohet kryesisht te këto tri vepra, por nuk është aspak një shqyrtim kriticist i vërtetësisë së fakteve të sjella nga autori dhe as i përfundimeve, në të cilat arrin ai me metodën e tij përmes këtyre fakteve.
Mirëfilli, ky botim është script-i i një filmi dokumentar me tri episode, realizuar nga ambasadori Mal Berisha, kushtuar Sir Noel Malcolm-it. Në të përfshihet një tekst i kursyer, shkruar nga autori me cilësinë e rrëfyesit të filmit, një numër do të thosha po ashtu i kursyer intervistash me protagonistin e veprës si dhe shumë dëshmi personalitetesh britanike dhe shqiptare, të cilët nuk janë të gjithë doemos miq të Sir Noel Malcolm-it në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, por njihen me të dhe më të shumtët kanë si arsye të njohjes me të pikërisht veprën e tij të jashtëzakonshme si historian dhe dijetar, për të cilin, Dr. David Shankland, drejtor i Insitutit Mbretëror Antropologjik, Londër, thotë se ndër bashkëkohësit, është ai që afrohet më shumë me një gjeni në studimet historike moderne. Nuk më duket ndonjë teprim në lëvdatë nga ana e Dr. David Shankland. Edhe pse me fjalë të tjera, të njëjtin vlerësim kanë edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë punim, të pyetur nga Mal Berisha. Është një përfundim, ku ata arrijnë në sajë të njohjes së gjerë të veprës madhore të Sir Noel Malcolm-it, shto me këtë rast edhe njohjen ku më shumë e ku më pak nga afër të personalitetit të tij si njeri.
Ashtu si filmi dokumentar, edhe ky botim i drejtohet me përparësi publikut shqiptar. Rrjedhimisht, edhe autori Mal Berisha, qysh në koncept, do të përqendrohej kryesisht te tri veprat që Sir Noel Malcolm-i u ka kushtuar shqiptarëve dhe historisë së tyre. Në fjalën hyrëse, shkruar posaçërisht për këtë botim, ambasadori Mal Berisha e ndien të nevojshme t’i përgjigjet pyetjes se çfarë e shtyu të bënte këtë film dokumentar. Dhe thotë:
“I bindur për vlerën e jashtëzakonshme të veprës së Sir Noel Malcolm-it për ne shqiptarët, mendova dhe besova se një film dokumentar për jetën dhe veprën e tij, e rrëfyer nga figura të shquara britanike, shqiptare, shqiptaro-britanike ose britaniko-shqiptare, ishte një detyrim dhe shprehje e mirënjohjes së thellë ndaj veprës së tij. Një dokumentar i tillë do të shërbente edhe për të forcuar marrëdhëniet e kombit tonë me Mbretërinë e Bashkuar”.
Mirënjohja është një virtut i spikatur në karakterin identitar të shqiptarit. Në këtë rast besoj se kjo mirënjohje bëhet edhe më komplekse nisur nga fakti se kush e shpreh atë.
Mal Berisha ka lënë tashmë emrin e tij të mirë në diplomacinë shqiptare. Përvoja në shërbimin e jashtëm e në mënyrë të veçantë koha e kaluar në drejtim të marrëdhënieve të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar e ndihmon mjaftueshëm për ta përjetuar këtë mirënjohje ndaj Sir Noel Malcolm-it jo thjesht si një emocion fisnik, por shumë më gjerë: në këtë kontekst, mirënjohja e Mal Berishës është një përfundim krejt logjik, mbështetur në dhjetëra e dhjetëra fakte madhore, kur libri “Kosova, një histori e shkurtër”, për shembull, ka shërbyer në mënyrë vendimtare për përfshirjen e kancelarive politike të fuqive demokratike të botës së sotme në zgjidhjen e nyjës dramatike të Kosovës duke sjellë çlirimin dhe pavarësinë e saj. Vetëdija prej ambasadori e shtyn Mal Berishën të besojë se, me këtë paraqitje të personalitetit të Sir Noel Malcolm-it, do të ndihmojë edhe në forcimin e marrëdhënieve të kombit tonë me Mbretërinë e Bashkuar. Kësisoj, si një nga lexuesit në dorëshkrim të kësaj pune, mbetem i bindur se ambasador Mal Berisha përcjell në këtë rast mirënjohjen e një kombi të tërë në kuptimin më të lartë të kësaj fjale për Sir Noel Malcol-in.
Duket si një mrekulli e Zotit domethënë e vështirë për t’u besuar që një libër, – në këtë rast “Kosova, një histori e shkurtër”, – ka patur ndikim vendimtar në ndryshimin e qasjes së kancelarive politike të fuqive të mëdha demokratike ndaj fatit të popullit të Kosovës. Mal Berisha ka gjetur njerëzit me personalitet të plotë, të cilët, duke e pohuar një fakt të tillë, i japin atij një mbështetje të pakundërshtueshme. Por edhe kaq, ndoshta, nuk do të mjaftonte për të bindur publikun e gjerë se kjo ka ndodhur para një çerek shekulli. Mal Berisha, si autor, e mban parasysh këtë rrezik. Ai nuk merr përsipër të na sjellë përmbledhtazi në punimin e tij faktet dhe argumentet e paraqitura në veprën e vet nga Sir Noel Malcolm-i, për të na treguar se ai ka nxjerrë në dritë të vërtetën historike. Mal Berisha kujdeset të skicojë profilin e historianit, i cili e bartë në publik këtë të vërtetë e që është Sir Noel Malcolm-i. Me sa duket, Mal Berisha niset nga një urti e pleqve të vendlindjes së tij, sipas të cilës e vërteta ka sigurisht rëndësinë e vet, por po kaq rëndësi ka edhe kush e shqipton atë. Kështu, ne zbulojmë edhe disa cilësi të vyera morale dhe intelektuale të personalitetit të Sir Noel Malcolm-it, të lidhura këto me arsyet, që e shtynë atë të ndërmerrte një punë kaq të madhe e të vështirë, siç ishte ndriçimi i historisë së shqiptarëve.
Me pak fjalë, mbështetur te ky botim dhe te filmi dokumentar që i ka paraprirë, ne mësojmë se Sir Noel Malcolm-i është në natyrën e tij një burrë romantik, cilësi kjo që e ka frymëzuar gjithmonë për t’iu përkushtuar me pasion të vërtetave të harruara, të shërpfillura apo edhe më keq, të manipuluara nga historiografia dhe nga politika e mbrapshtë, duke sjellë pasoja dramatike për popujt apo bashkësitë njerëzore bartës të këtyre të vërtetave. I tillë është pa dyshim rasti i shqiptarëve në përgjithësi dhe i shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Sir Noel Malcolm e kishte dëshmuar tashmë me një sërë veprash madhore përpara publikut britanik dhe më gjerë integritetin e vet të pacënueshëm, ku kërkimi i të vërtetës ishte dhe mbetej një përkushtim i shenjtë, mbi të cilin ai nuk mund të shkelte për asnjë arsye. Sir Noel Malcolm-i është gjithashtu një burrë me shqisën e kureshtjes jashtëzakonisht të zhvilluar. Dëshmi e saj është edhe fakti se, ndër 23 gjuhët e huaja që njeh, është edhe shqipja. Kjo do t’i shërbente natyrshëm si lehtësi shtesë në hulumtimet nëpër arkiva. Vazhdimi i punës për shkrimin do të ishte çështje metode, vullneti dhe aftësie për të analizuar, të cilat ai i kishte me tepri. Në fjalë të fundit, e vërteta për shqiptarët, për rrënjët dhe për degët e tyre, që do të shprehte ai në afro 1600 faqet e botuara, do të ishte e besueshme për politikanët dhe për opinionin e gjerë publik jo vetëm pse ishte e vërtetë, por edhe se vinte prej penës së Sir Noel Malcolm-it.
Për ta mbyllur këtë shënim, do të nënvizoja edhe një aspekt tjetër, i cili më duket me shumë rëndësi për t’u mbajtur mend. Nisur nga fakti i pranuar se “Kosova, një histori e shkurtër” pati një ndikim pak a shumë jetik mbi vendimet e marra në kancelaritë e fuqive demokratike euro – atlantike në periudhën 1998 – 2007 lidhur me fatin e Kosovës, ne, shqiptarët në përgjithësi, duhet të nxitemi për ta shqyrtuar në mënyrë kriticiste një stereotip të ngulitur si në folklorin edhe në historiografinë tonë zyrtare, domethënë në kujtesën tonë kolektive kombëtare. Është fjala për stereotipin, sipas të cilit, gjatë përplasjeve tona për mbijetesë, fuqitë e mëdha të kohës i kanë mbështetur fqinjët tanë grabitqarë për shkak të frymës së tyre apriori antishqiptare. Shembulli i ndikimit për mirë që pati libri i Sir Noel Malcolm-it në vendimet e marra në Londër, në Uashington, në Bruksel, në Paris apo në Berlin gjatë periudhës së lartpërmendur tregon se sjelljet, domethënë anësitëe këtyre fuqive janë shumë shpesh pasojë e mosnjohjes së të vërtetës së shqiptarëve në këto kryeqytete. Një shqyrtim i tillë kriticist i stereotipit në fjalë do të na çlironte disi nga kompleksi i rëndë i viktimës.
Besnik Mustafaj