Dalip GRECA – Një Ambasador i Pushtetit të Butë si diplomati Mal Berisha

Një Ambasador i Pushtetit të Butë si diplomati Mal Berisha

Nga Dalip GRECA*


Libri që promovojmë sot në Vatër ”Ambasador i Pushtetit të Butë” i diplomatit par excellence Mal Berisha mendoj se i kalon kufijtë e një ditari me shënimet dhe mbresat e një diplomati. Ai është më shumë se kaq, është një libër për dashurinë dhe devocionin ndaj Kombit, është një libër për diplomacinë dhe miqësinë, për historinë, humanizmin. Mbi të gjitha, siç ka edhe titullin, është një libër për Diplomacinë kulturore ose Pushtetin e butë, një libër që të mëson se si t’i duash njerëzit dhe vendin tënd me përkushtim dhe si t’i kapërcesh situatat e vështira pa u kthyer kurrë mbrapsht.

Libri është voluminoz me më shumë se 500 faqe, i organizuar në gjashtë kapituj-nga kreu parë tek gjashti, shkruar me një stil original që e dallon autorin se është vevetja, një stil rrëfimtar, emocional, përmes të cilit ambasadori Berisha e mbanë lexuesin të mbërthyer pas ngjarjeve, shumë prej të cilave të japin tronditje të fortë emocionale, ku shfaqet diplomati dhe njeriu.

Ai që rrëfen, pra ambasadori është jo vetëm diplomati, por mbi të gjitha njeriu, që ashtu si lexuesi ka shpirt që ndjen, shpirt që dhemb, dhe jo vetëm si prind për djemtë e tij, kur ndodhen të vetmuar para oqeanit të frikshëm të jetës, të mërguar në moshë fare të re, duke jetuar e u shkolluar larg prindërve, por edhe kur shkon nga kjo jetë i biri i një miku, siç është rasti i Atjonit të Visar dhe Eda Zhitit-ai vajton; apo kur humb jetën një pacient që kurohet në Stamboll, qoftë ai dhe i panjohur…Rrëfen një shpirt që ndjen edhe kur bën një punë të mirë për kombin, edhe kur zgjidh një çështje të komplikuar diplomatike, edhe kur merr një porosi urgjente, që të jep tension siç ishte rasti i marrjes së vizës për Presidentin Berisha në Konsullatën e Indisë në Stamboll, ndërkohë që pasaporta duhej marrë nga Tirana e duhej kthyer po në Tiranë me të njëjtin avion, kur kalkulimet kohore janë të limituara, krahas kohës së fluturimit vajtje-ardhje të avionit, i lejojnë vetëm një orë brenda dy fluturimeve:  të udhëtimit të pasaportës Tiranë-Stamboll-kthim, dhe nisjes së presidentit Berisha drejt Kalkutës, ku do të merrte pjesë në ceremonive mortore, homazheve, varrimin, meshë për Nënë Terezën. Ndërsa ndjek dinamikën e veprimeve, nuk i shpëton ankthimit të rrëfimit.

  Në libër ndesh dhe probleme madhore, çaste kritike për shtetin shqiptar, siç është rasti i vitit ’97, kur fqinji ynë Jugor kërcënon integritetin e kufijëve të Shqipërisë,- ky pretendues dhe lakmues i hershëm i  trojeve jugore të Shqipërisë tenton ta shfrytëzojë situatën e krijuar në vitin e mbrapshtë, tenton të fusë trupat ushtarake dhe ta bënte fakt të kryer marrjen e “Vorio Epirit”. Shqipëria ndihet e kërcënuar. Zbritja me helikopter e zevendësministrit të Punëve të Jashtme, Kranis Idiotis në Kalanë e Gjirokastrës, prej nga iu bëri thirrje të ashtuquajturve ‘Grupeve të Shpëtimit Kombëtar’, që të mblidheshin dhe ta përmbysnin pushtetin e ligjshëm shqiptar dhe të vendosnin administratën greke në vend të tij, ishte një ngjarje e paprecedent, që e shqetësojë shumë diplomacinë e re shqiptare të shtetit demokratik. Dhe Konsulli Mal Berisha, që fati i dha mundësinë të ishte në vendin e duhur në kohën e duhur, ishte një nga tre diplomatët që vunë në lëvizje shtetin turk për të ndaluar të keqen.

      Përmes librit lexuesi mëson se çfarë u luajt pas perdes, si dolën 12 pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke në mbrojtje të integritetit të Shqipërisë. Së bashku me mikun e tij Enver Tali, konsullin e Kosovës, një mik dhe personazh i dashur për ambasador Mal Berishën, si dhe me Ambasadorin Shqiptar në Ankara, Skënder Shkupi, arritën të takonin numrin 2 të partisë qeverisëse, krahu i djathtë i zv/kryeministres dhe Ministre e Punëve të Jashtme në qeverinë e Erbakanit, Tansu Çiller. Ai i dëgjoi me vëmendje diplomatët shqiptarë, dhe pas kësaj bisede, lindi deklarata që përmbante 12 Pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke, që e shpëtuan Jugun e Shqipërisë.

    Pas bisedës Konsullit Mal Berisha iu dorëzua Letra e shtabit të Ushtrisë Turke, që u përkthye aty për aty dhe u dërgua në Tiranë dhe media ia përcolli atë publikut të gjerë.

Edhe shtypi turk menjëherë përcolli lajmin. Citoj:“Tre diplomatë shqiptarë të akredituar në Turqi patën një takim shumë të rëndësishëm me personalitete të larta turke. Ata i paraqitën palës turke shqetësimin e madh për rrezikun që i kanosej vendit të tyre. Disa orë më vonë, diplomatët u njohën me një dokument prej 12 pikash nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke lidhur me aksionin, që do të ndërmerrej në Lindje të Greqisë në rast të një agresioni të kësaj të fundit ndaj Shqipërisë. Kjo bëri që planet greke të mbeteshin vetëm në lojën e fjalëve të qeveritarëve dhe në mendjet e sëmura të organizatave Vorio – Epiriote.

Po ashtu diplomacia shqiptare në Turqi ishte shtysë për takimi e 18 shoqatave shqiptaro – turke me Presidentin Turk Süleyman Demirel.

Cilat ishin pasojat pozitive?

-Më datën 29 Mars 1997, pas një takimi urgjent me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneralin Ismail Haki Karadaĝi, zv/ kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Turqisë,Tansu Çiller, deklaroi përsëri para shtypit dhe medias turke: “Turqia është e vendosur të ruajë integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëtimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri është i palejueshëm dhe do të ishte turp për Evropën, ndaj nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri. -(Marrë nga e përditshmja turke “Turkish Daily News”, 30 Mars 1997).

Shërbimi dhe veprimtaria diplomatike në Konsullatën e Stambollit zënë 133 faqe të këtij libri, dhe përpos këtyre që përshkrova, në mendje të mbeten rrëfimet për Enver Talin –  Marathonomaku i Lirisë, -Përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim, që në  Dhjetor 1995, I ndihmuar edhe nga diplomacia jonë në Turqi, hapi përfaqësinë Republikës së Kosovës në Stamboll. Libri na njeh me veprimtaritë e shumta që u kryen përmes këtij institucioni gjysëm legal.

Me interes lexohen rrëfimet-Sa fé ushtrojnë shqiptarët?” -Takimi i Feve Monoteiste në Stamboll-(Vjeshtë 1993)-Si u kapërcye tendenca për t’i përçarë shqiptarët, duke e përcaktuar bektashizmin si fe të katërt, por diplomacia shqiptare në mirëkuptim me krerët fetar, arriti që ta shmangë “kurthin, që i kishin ngritur Shqipërisë, e cila e ka vlerë të trashëguar harmoninë fetare.

 Me kurreshtje lexohet edhe vizita e Presidentit Sali Berisha në Turqi dhe organizimi i takimit të pa parashikuar me Presidentin Izraelit Ezer Weisman- si lexohen dy vizitat në Turqi e ish kongresistit republikan amerikan në vitet 1994 dhe 1995, President të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi, takimet me Yasemin Dobra Manço, mike e Shqipërisë, Parandalimi  i rastit të  Bosnjës në Kosovë, etj.

   Me interes janë përpjekjet e Konsullit Mal Berisha në kërkim të gjurmëve të Nolit në vendlindjen e tij, Ibrik Tepe-Trakë, së bashku me professor John Freely, takimi me gazetarin Emin Sahatçiu; lobimi për çështjen shqiptare, veçanërisht për Kosovën e okupuar nga serbët etj.

  Që në ditët e para të shërbimit diplomatik Konsulli Mal Berisha, duke pasur pranë një kryekonsull model, të kulturuar, intelektual klasi si z. Orhan Zarshati, nis aplikimin e filozofisë të pushtetit të butë, aq i domosdoshëm për shtete e kombe të vegjël. Veprimtaritë kulturore, ekspozitat, koncertet e artistëve me emër në Stamboll dhe Tiranë, nisi të japë frytet e diplomacisë aktive.

        ***

E përsëris, ambasadori Mal Berisha rrëfen bukur. Kur rrëfimi vjen nga shpirti ka sinqeritet, ai të bën për vete, të emocionon, ta drithëron qenien. Kur tregon fate tragjike të pacientëve shqiptarë që kuroheshin në Stamboll nga veshkat me ndërmjetësinë e Konsullatës shqiptare, falë një marrëveshje xhentelmenësh të arritur nga Ministritë e Shëndetësisë të dy vendeve, ku zbatuese e marrëveshjes ishte Konsullata  Shqiptare, e cila duhej të përkujdesej për të sëmurët, për strehimin e tyre, për gjetje sponsorësh, por edhe për anën njerëzore. Lexuesi mbetet në ankth për fatin e secilit pacient, kur sheh se si konsulli bashkë me familjen bëhen jo vetëm strehë e parë e pacientëve, para se të shtroheshin në sptal, por ata kryenin edhe rolin e familjarëve të munguar për pacientët duke bërë sakrifica për t’iu ndodhur atyre pranë, kohë e pa kohë, natën dhe ditën. Shumë prej të sëmurëve me veshka që vinin nga Shqipëria mbartnin dhe infeksione që përbënin rrezik për familjarët e diplomatëve të Konsullatës, por ata I trajtonin sikur t’i kishin familjarë të tyre. Mendoj ky akt dhe të tjerë tregojnë fisnikëri po aq sa humanizëm. Dhe ishin jo pak që morën ndihmë në Stamboll, por 156 pacientë dhe pasi i shtronin për kurim, nuk harronin që t’i vizitonin në spital e të përkujdeseshin për ta .Përshkrimi i rasteve tragjike, kur pacientët nuk arrinin në spital, pasi humbnin jetën në udhëtim dhe duheshin kthyer në Shqipëri trupat e tyre, apo rasti i 13 vjeçarit Hasandoçi, që nuk i funksionin të dyja veshkat,  nga që nuk u gjet një dhurues veshke, pranoi e ëma të bënte dhurimin e veshkës së saj, por fatkeqësisht organizmi i 13 vjeçarit nuk u përshtat me veshkën e nënës dhe pas 2 muajësh ndërroi jetë në Shqipëri. Familja e konsullit pikëllohet sikur ta kishte njeriun e familjes. Por jo më pak dhimbje e përkujdesje mbart dhe rasti i Afërdita D, që ndërroi jetë në spital. Gjatë këtij rrëfimi shprehet jo vetëm dhimbja e familjes së konsullit Mal Berisha, por dhe humanizmi i saj për t’u përkujdesur për të birin e pacientes së vdekur, ku Donika, bashkëshortja fisnike e ambasadorit, luan rolin e nënës për ta qetësur të birin, që kalon në krizë momenti.Familja  e merr djalin në shtëpinë e vet dhe përkujdeset për kthimin e trupit pa jetë me shpenzimet e tyre.

       ….Takimi dhe rrëfimi për Kadri Roshin, mikun e tre presidentëve: Dr. Berishës, Dr, Rugovës dhe presidentit Demirel, dhe zonjën e Tij Drita, që u operua në Stamboll, përbëjnë një nga rrëfimet e bukur, emocionues. Kadri Roshi ishte një mik i hershëm edhe i Konsullit Mal Berisha. Telefonata e artistit të madh Kadri Roshi një natë të vonshme mbart dramën e tij, që konsulli përpiqet t’ia lehtësojë, por sjell në libër dhe kujtime nga koha e shkuar….

         Në përshkrimet e tij ambassador Berisha aplikon me mjeshtëri kthimin pas në kohë gjatë tregimit të ngjarjeve. Retrospektiva, sjellja në kujtesë e njohjes me Kadri Roshin, vënia në skenë e dramës “Tokë e ndezur” të Fahri Balliut me trupën amatore kosovare në Borizanë, është përshkruar mjeshtrisht dhe përcjell emocione të forta. Ashtu siç dëneste publiku që ndiqte trupën amatore gjatë shfaqjes të luajtur nga amatorët kosovarë të Mamurrasit, nën regjinë e të madhit Kadri Roshi, mendoj se po ashtu dëneset dhe lexuesi kur lexon rrëfimin e ambasador Mal Berishës.

         Mendoj se libri “Ambasador i Pushtetit të Butë” mbart vlera të shumfishta: diplomatike, historike, kombëtare, sociale  dhe letrare. Autori rrëfen bukur, përdor fjali të shkurtra me sintaksë të thjeshtë, të tërheq në rrëfimin e tij. Ai të shuan dhe kurreshtjen gjatë përshkrimit të objekteve siç është rasti për Konsullatën e Vjetër të kohës së diktaturës në Stamboll, ku përshkruan “dhomën e Partisë” dhe “dhomën e Sigurimit”, që ngjanë me vendet e fshehta të sekteve fetare….

      Me sa kam vënë re edhe në librat e tjerë të autorit ai është shumë pasionat dhe hulumtus dhe investigues për detajet historike të ngjarjeve që përshkruan, kur herë pas here kthehet pas dhe gjurmon historinë. Psh tek përshkruan “pritjen me rastin e Festës së 28 nëntorit 1992 në Hotel Mercury, ai sjell fakte historike se aty pranë ishte dhe Hoteli “Pera Palas”, nga ku ishte nisur për misionin e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit Ismail bej Qemali dhe se po në të njëjtin hotel, ka bujtur edhe mbreti Zog gjatë udhëtimit të tij mërgimtar dhe se në librin e njerëzve të shquar, të cilët kishin qëndruar në atë hotel, figuronte edhe emri i Tij, përkrah emrit të Mata Harrit. Po ashtu kur shërbente ambasador në Londër, ai kthehet pas në kohë dhe ndjek gjurmët e mqëve anglezë të kombit tonë.

Ambasador Mal Berisha, siç shprehet shkrimtari, gazetari, dhe diplomati Besnik Mustafaj, ish Minsitër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe ish ambasador në Francë, i takon atij brezi diplomatësh shqiptarë, të cilët hynë në shërbimin e jashtëm të Republikës sonë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fill pas kthesës së madhe, që mori historia e Shqipërisë. Si i tillë, ambasador M. Berisha përshkruan në libër ndryshimin e madh mes diplomacisë së diktaturës komuniste dhe Diplomacisë së re. Diplomacia komuniste kishte si parim izolimin, ku porosia(sipas konsullit paraardhës) ishte e prerë: “Nëse do t’ua jepni dorën konsujve amerikanë, anglezë e izraelitë, më mirë kthehuni vetë në Shqipëri dhe jepni llogari, për tradhti ndaj atdheut!”, ndërsa shërbimi i ri që përfaqësonte diplomati Berisha dhe personeli i ri, që kishte për moto hapjen e Shqipërisë ndaj botës!

Rrëfimet e Stambollit mbyllen me “Telefonata e fundit” dhe “lamtumira”.E para na shpalos përmasat e një legjende shqiptare, ku një letër e ish editorit të gazetës Illyria Vehbi Bajrami, për të gjetur gjurmët e një familje shqiptare, të shpërndarë mes Amerikës dhe Turqisë, edhe pse asimilimi ka bërë punën e vet, madje kanë pësuar ndryshime dhe elementët thelbsor të identifikimit, Konsulli, edhe pse ishte në fundin e shërbimit, i gjenë gjurmët e pjesëve të ndara dhe e bashkon virtualisht familjen e ndarë mes kontinenteve. E sa shërbime të tilla kreu konsulli Mal Berisha, përveçse bëri shërbime të çmuara për shtetin shqiptar? Kreu me devocion detyrimin njerëzor, shpirtëror dhe diplomatik ndaj Kosovës së okupuar? Lexojeni librin dhe do të gjeni atje gjurmët e një pune të jashtëzakonshme kombëtare.

Në të gjashtë kapitujt e librit gjenë gjurmët e punës të diplomatit të pushtetit të butë. Edhe kur ia hoqën pasaportën diplomatike ata që erdhën në pushtet pas revolucionit të ’97-tës, ai nuk u dorëzua. Me shpenzimet e veta e çvendosi veprimtarinë në Amerikën e Lirisë dhe Demokracisë. Ku më mirë se sa në Amerikë, ku merren vendimet e Botës, mund të ndihmohej Kosova për ta çliruar nga pushtuesi serb?

 Përmes librit njihemi me punën titanike të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit të saj Joseph DioGuardi dhe bashkëshortes Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte për Ballkanin; njihemi me lobimin e fuqishëm të çështjes shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës.

Ambasador Mal Berisha e lartëson veprën e ish kongresistit republikan Joe DioGuardi, duk i dhënë meritat që i takojnë, por dhe duke përshkruar me detaje lobimin, ku dhe vetë ambassador Mal Berisha, ishte pjesë vullnetare e Ligës.

Autori shkruan: Me krijimin e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joseph DioGuardi doli si lobist shumë i fuqishëm dhe efektiv, njësoj siç ishte “Vatra” më parë, e cila i doli zot Shqipërisë me parullën noliane Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”

– Vetë ambasadori Mal Berisha u vu në dispozicion të Ligës.

– Edhe pse ishte pa pasaportë diplomatike diplomati Mal Berisha nuk kurseu asgjë për t’u vënë në shërbim të çështjes së Kosovës. Në libër do të gjeni shënimet për darkën për Kosovën me kongresmenë, si Benjamin Gilman, takimet në Këshillin e Marrdhënieve me Jashtë në Kongresin Amerikan, me Senatorin Robert Dole, ish Sekretarin e Shtetit, Henry Kissinger etj…

– Emocionuse janë trgimet për ardhjen e shqiptarëve të Kosovës në bazën ushtarake në Fort Dix ku zbritën rreth 6 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës, rërfimet janë prekse, sureale, ta ndalin zemrën. Do të mjaftonte vetëm rrëfimi i dhimbshëm “Përqafimi I Shehrijes jetime” dhe të ndjesh në qenien tënde si lexues tragjedinë dhe dramën e shqiptarëve të Kosovës.

Një rol të rëndësishëm luajti ambasadori Mal Berisha në informimin e opinionit publik amerikan në 11 emisione televizive, ku përballoi edhe debate me serbët.

Në libër zë vend dhe kumtesa për Vatrën në 90 Vjetorin e Diellit- Roli i “Vatrës” dhe i “Diellit” në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, e përshkruar nga katër autorë të huaj -Edwin Zhak, Dr.Harris Silajxhiç me librin “Shqipëria dhe shqiptarët në Arkivat e Washingtonit”, Dr. Charles Telford Erickson, mik i shquar i “Vatrës  si dhe Edith Pierpont Stickney, me librin“Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet evropiane ndërkombëtare nga viti 1912 deri më 1923”, botuar më 1925 –

Vend të rëndësishëm zë në libër edhe Konferenca e Rambujesë dhe kontributi i Presidentit të Ligës Qytetare Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Ai ishte një nga oponentët e fortë kundër tekstit të Marrveshjes, që realisht e linte Kosovën nën autonominë Serbe. Ajo marrëveshj e linte Kosovën me një lloj autonomie nën Serbi.

Autori sjell detaje edhe për kontributi e LQSHA-së nëpërmjet librit historik “Shpëtimi në Shqipëri” dhe ndikimi që pati ai tek Lobi Hebraik në SHBA dhe në botë. Do të mjaftonte detaji qe sjell autori me një nga kontributorët e Ligës, z. Agim Aliçkaj, i cili me librin në dorë, ulet në gjunj përpara ish sekretarit të shtetit Amerikan, Kissinger, i cili e kundërshtonte në fillim bombardimin e Serbisë, por më pas ndryshoi mendim dhe deklaroi në CNN International natën e 24 marsit 1999: “Duhet shpëtuar populli shqiptar i Kosovës nga shfarosja, por edhe nderi i SHBA-së. Tani nuk ka kthim pas”.

Nga viti 2000 deri në vitin 2009 diplomati Berisha kontribuoi drejtërsëdrejti në Kosovë duke punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Në vitin 2009 ai do të rifillojë në Minsitrinë e Jashtme, duke dhënë kontribut të veçantë në diplomacinë rajonale. Ai do te ishte i pranishem ne Gjykaten e Hages, kur u dha vendimi per te drejten e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Nga Qershori 2009, loboi për Kosovën në Lindjen e Mesme-

‘Diplomacia kulturore”- “Pushteti i butë” mendoj se është realizuar më së miri gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe, fillimisht si i ngarkuar me Punë Aditerim, 2012-2013, më pas ambassador në Londër, ku shkëlqejnë: Vendosja në Londër e Bustit të heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbe, një aventurë e guximshme, që ka në themel të realizimit vetë ambasadorin me miqtë që e mbështetën, edhe pse 8 mijë Euro të shpenzuara nga kursimet e buxhetit familjar, ende nuk janë dhënë nga Ministria e Kulturës dhe shteti shqiptar!

Së dyti: “Notes on Albania” në tre edicione  ku u provua Shqipëria Kulturore dhe anglezët në vend të kronikave të zeza për shqiptarët që mbizotëronin median angleze, panë anën tjetër të medaljes, shqiptarët e famshëm dhe anglezët miq të Shqipërisë.

Sinqerisht, unë nuk njoh ambasador tjetër që të ketë bërë aq shumë për kombin tonë se ç’bëri ambasadori Mal Berisha gjatë karrierës së tij të ndërprerë nga pushteti partiak, edhe kur nuk kishte post diplomatik, por në mënyrë të veçantë gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe. Ai ishte promotor i promovimeve kulturore, historike, si përparësi e pushtetit të butë: Ambasdor Berisha jo vetëm kreu detyrat që i diktonte posti i ambasadorit, por pati kohë të afronte pranë ambasadës Shoqatën Anglo – Shqiptare (AAA) në Londër, të ndiqte gjurmët e familjes angleze Herbert – mike e shqiptarëve dhe të mikut të çmuar që bëri aq shumë për Shqipërinë “Charles Telford Erickson, amerikani qe i kushtoi jetën Shqipërisë”, të ndiqte gjurmët e Edith Durham, të ndiqte shqipërimin Nolian të Shekspirit, të sillte në Londër artistët e shquar shqiptar, të vendoste bustin e Skënderbeut në Londër dhe në zonën arbëreshe të Molises -Itali, të gjurmonte historinë e Skënderbeut tek autorët anglezë  etj etj…

Në fund e falenderoj ambasadorin Mal Berisha për kënaqësinë që na dhe me këtë libër me rëndësi të veçantë për historinë e diplomacisë shqiptare. Le të presim se së shpejti do të promovojmë edhe librin e ri që amabsadori e paralajmëron në këtë libër, siç ka promovuar Vatra edhe librat e tjerë të tij.

Faleminderit ambassador Mal Berisha!


* Mbajtur gjatë promovimit të librit në Vatër me 15 Mars 2022.