“DRITË QË ECËN ZBATHUR” – POEZI E LINDUR NGA DHIMBJA


 “DRITË QË ECËN ZBATHUR” – POEZI E LINDUR NGA DHIMBJA

NJË MBRËMJE E PAHARRUESHME ME VISAR ZHITIN NË SHTËPINË E LIBRIT “ONUFRI”

24 Tetor 2025


NGA MAL BERISHA


“DRITË QË ECËN ZBATHUR” – POEZI E LINDUR NGA DHIMBJA

Mbrëmë, në Shtëpinë e Librit Onufri në Tiranë, në prani të një audience ndër më elitarët e kryeqytetit, u promovua libri më i ri i shkrimtarit të madh shqiptar Visar Zhiti, me titullin domethënës:
“DRITË QË ECËN ZBATHUR.”

Ky përurim nuk ishte thjesht një ngjarje letrare, por një moment meditimi dhe nderimi për fuqinë e shpirtit njerëzor për të shndërruar dhimbjen në art.

Visar Zhiti është një nga figurat më të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare bashkëkohore. Poet, prozator, përkthyes dhe diplomat, ai është simboli i qëndresës së pamposhtur përmes letërsisë.

Përndjekja e tij e pashëmbullt, vetëm për “deliktin verbal” gjatë diktaturës komuniste, burgosja dhe vuajtjet fizike e shpirtërore, u bënë themeli i një krijimtarie që i dha poezisë shqiptare një zë të papërsëritshëm dhe një fond të artë në bibliotekën tonë të madhe, por të varfër, të letërsisë antikonformiste.

Tragjedia e humbjes së të birit, Atjonit, në moshë fare të re, i dha poezisë së Visar Zhitit një dimension tjetër, më të thellë, më njerëzor, më hyjnor. Kjo plagë e pamatë, që ai dhe bashkëshortja e tij, intelektualja e urtë dhe e përkushtuar, mëma e dhimbsur Eda Zhiti, e përballuan me një dinjitet të rrallë, u shndërrua në një frymë të re poetike.

Në poezitë e këtij libri, autori nuk kërkon ngushëllim. Ai dialogon me kujtesën, me shpirtin, me Zotin, me Krijuesin, me amëshimin ku ndodhet i biri, por edhe me vetë jetën, në të dy anët e saj: Tokësore dhe Qiellore.

Zhiti flet për birin e humbur me një zë që është njëkohësisht atëror dhe hyjnor, duke e bërë lexuesin pjesë të dhimbjes, por pa e lënduar atë. Përkundrazi, ai na kujton se dashuria prindërore dhe njerëzore është forca më e madhe e ekzistencës sonë.
Në vargjet e tij nuk ka më vetëm mall e trishtim. Aty ka përpjekje për të kuptuar misterin e qenies, për ta gjetur Atjonin në çdo rreze drite që ecën “zbathur mbi tokë.”
Kështu, poezia e tij ngrihet mbi kufijtë e përvojës personale dhe shndërrohet në art universal ngushëllues, ku dhimbja vetë bëhet dritë.

Historia e letërsisë sonë shqipe, por edhe ajo botërore, njeh shumë shkrimtarë e poetë që, ashtu si Visar Zhiti, kanë përjetuar humbje të mëdha, por i kanë kthyer ato në vepra të pavdekshme.

Në letërsinë shqiptare gjejmë shembuj të tillë si Ali Podrimja, që i dha pavdekësi të birit të ndjerë në “Lum Lumi”, apo Çajupi, që me dhimbjen për të shoqen krijoi poezi të ndjera dashurie.

Në letërsinë botërore Victor Hugo, humbi të bijën Léopoldine dhe shkroi elegjitë prekëse të “Les Contemplations”, Rainer Maria Rilke, e kërkoi përjetësinë e shpirtit përmes “Elegjive të Duinos”, Picasso, pikturoi në ankth e dhimbje për humbjen e miqve të tij, etj.

Këto vepra, edhe kur dhimbja që i lindi është tejkaluar në kohë, pas brezave që vijojnë, mbeten të përjetshme, sepse burojnë nga shpirti më i thellë i qenies njerëzore.
Në këtë traditë universale, Visar Zhiti qëndron si një zë i përkorë, thellësisht shqiptar, që e përkthen dhimbjen në dritë, mallin në varg dhe heshtjen në muzikë të shpirtit.

Zgjedhja e Shtëpisë Botuese Onufri për botimin dhe promovimin e këtij libri nuk është rastësore.
Onufri është një nga institucionet më prestigjioze të botimit në Shqipëri, e njohur për përkushtimin ndaj cilësisë dhe për respektin ndaj fjalës së shkruar.

Në këtë shtëpi libri, fjala poetike e Visar Zhitit gjeti strehën më të denjë për të ndriçuar me dinjitet – një tempull të mendimit dhe të shpirtit shqiptar.

“Dritë që ecën zbathur” nuk është thjesht një libër poezie. Është një udhëtim i shpirtit që ecën i plagosur mbi tokën e dhimbjes për të mbërritur te drita e përjetësisë. Është një dëshmi se arti, kur buron nga dashuria dhe vuajtja, bëhet ngushëllim për të gjithë njerëzimin.

Ky vëllim poetik i shtohet një krijimtarie të gjerë dhe të vyer që përfshin vepra si:
“Dorëshkrimet e fshehta të burgut,” “Ferri i çarë,” “Kartela e realizmit të dënuar,” “Këpuca e aktorit,” “Perëndia mbrapsht dhe e dashura,” “Si na erdhi ai, i ndaluari…,” “Valixhja e shqyer,” “Në kohën e britmës,” “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar,” dhe “Rrugët e ferrit.”

Në të gjitha këto vepra, ashtu si edhe në “Kujtesa e ajrit,” “Hedh një kafkë te këmbët tuaja,” “Thesaret e frikës” apo “Kartela të realizmit të dënuar,” Visar Zhiti ndërton një univers poetik të mbështetur mbi përjetimin personal, reflektimin filozofik dhe përkushtimin ndaj së vërtetës dhe lirisë.