Kujtimet e mia për z Enver Tali

ENVER TALI – MARATON I LIRISË

taliNë Janarin e vitit 1993 bashkë me zonjën time Donika dhe dy djemtë, Erionin e Kreshnikun u vendosëm në Stamboll. Isha emëruar konsull i Shqipërisë në Vilajetin e Stambollit, një detyrë shumë e rëndësishme dhe shumë e bukur e asaj kohe. Atë detyrë e ushtrova në fillim si konsull e më pas si kryekonsull deri në shtator të vitit 1997. Ndër gjërat e bukura të asaj kohe, të cilat nuk janë pak, zë vend edhe njohja ime me një burrë Kosove, një zotëri të vërtetë, një patriot të çmuar, një shqiptar të madh, një njeri human deri në pafundësi, një familjar të devotshëm dhe një mik personal të rrallë të jetës time. Ai është Enver Tali.
I prirur gjithmonë të jem i interesuar sa për Shqipërinë aq edhe për Kosovën, pasi ajo përherë më dukej si një pjesë e shkëputur e familjes tonë të madhe shqiptare, miqësia deri në familjarizim me shqiptarët e Kosovës ka qenë më shumë se një dëshirë e thjeshtë për mua.
Një ditë në Konsullatën tonë erdhi një zotëri flokëbardhë, me syze me numër të madh, pak më i shkurtër se mesatar dhe pak i kërrusur, i shëndetshëm por jo me tepri. Ishte një burrë bash si ata që njeriu ka dëshirë ti shohë dhe pastaj të thotë: Ky ishte vërtetë burrë Kosove! E pritëm bashkë me kryekonsullin e asaj kohe z. Orhan Zarshati. U prezantuam dhe folëm gjatë. Ai kishte zënë një shtëpi në Fatih, një lagje shumë e njohur në Stamboll. Ishte lagje e banuar nga shtresat e mesme dhe jo larg nga zona muzeale e qytetit. Më tregoi se përse kishte ardhur në Stamboll. Ai kishtë vuajtur në burgjet serbe dhe ishte i etiketuar si irredentist. Kishte njohje që në rini me Adem Demaçin dhe tregonte historira të tij dhe nuk e fshehte se i kishte bashkuar i njejti ideal.
Gjithçka që më lidhi me Enver Talin prej asaj dite zë vend në pjesën e kujtimeve të bukura të jetës time. Ai ishte një patriot që të frymëzonte. Kishte një besim të patundur në të ardhmen e Kosovës. Besonte se një ditë do të vinte që Kosova do të ishte shtet më vete. Madje shkonte edhe më tej. Besonte tek kauza e Rugovës ndonëse vinte nga pjesa e atyre që njihnin rrugën e luftës si të vetmen mundësi për të arritur qëllimet e tyre.
Një miqësi e herëshme në mos u gabofsha me Kryeministrin e atëhershëm të Kosovës në mërgim, z. Bujar Bukoshi i kishte dhënë mundësinë të merrte një autorizim për të hapur një zyrë përfaqësimi të Republikës së Kosovës në Stamboll. Ky dokument në atë kohë, nga ana zyrtare dukej si diçka e shkruar në rërë. Por ai dokument mund të ketë luajtur një rol tejet të rëndësishme në fatet e dy shteteve shqiptare të cilat do të përpiqem ti shpjegoj në këto kujtime për Enver Talin.
Nuk vonoi shumë dhe z Tali filloi të prezantohej si përfaqësues i “Cumhyrriyetit” të Kosovës. Në Konsullatën tonë ai ishte i pranishëm në çdo veprimtari, cilado të ishte ajo madje edhe në pritjet diplomatike. Takimet me shqiptarët e Stambollit, të cilët ishin më të shumtë në numër nga Kosova sesa nga Shqipëria ai njihej si përfaqësues i tyre tashmë. Ai mbante fjalime patetike. Fliste një turqishte të qartë, të kuptueshme por shumë krahinore dhe dialektore si ajo e Gjilanit prej nga vinte. Vishej bukur. Fliste mematuri por ishte emocional dhe nuk “lëshonte kurrë pe” në aspiratën e vet të pavarësisë së Kosovës. Kaluan disa vite dhe aty nga nëntori i vitit 1995 Baca Enver i mbështetur edhe nga një patriot i madh nga Kosova, një biznesmen i shquar, z Hajri Içli Kelmendi vendosi të inaguronte zyrën e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stamboll. Kjo konsullatë do të kishte selinë në Fatih, Stamboll. Numri i telefonit do të ishte ai privati i shtëpisë së z Tali. Veprimtaria e saj mbetej të bëhej legale dhe njohja nga qeveria turke dhe akreditimi ose ekzekuatura ishte një pikëpyetje mjaft e madhe për të.
Por ishin shqiptarët e Stambollit ata që e gjetën udhën të parët drejt legalizimit dhe pranimit të saj duke e mbështetur me besim në funksionalitetin e saj deri në institucionalizim. Kamil Bitis, Halil Metin, Dr Veton Hoxha, Celalettin Olmezcan, Jahja Jeshilova, Shefki Osmani, Elita Alo, Kadri Ates, Sabedin Turker, Raif e Veli Terziu e shume të tjerë do të bëheshin njerëzit të cilët do ti jepnin jetë asaj zyre nga jashtë saj. Shoqata ”Vëllazëria Turko- Shqiptare ” u bë iniciatorja dhe promotorja e hapjes së asaj zyre. Kështu ata e kthyen në simbol pikërisht Bacën Enver si përfaqësues të Kosovës. Lidhjet e Enver Beut me qarqe të caktuara turke e jetësuan një iniciativë të tillë. Në këto përpjekjeve ndihmonte një djalosh turk me emrin Burhan.
Në atë fund nëntori të viti 1995, në Hotelin Haliç, bash në mes të Stambollit, pronë e zotëri Hajri Kelmendit në një mbrëmje u mblodhën shumë shqiptarë të Turqisë dhe inaguruan atë që quhej : Përfaqësia e Republikës së Kosovës në Turqi. (Kosova Turkie Temsilcisi)
Hapja e saj nuk ishte një veprim i fshehur. Natyrisht që nuk kishte përfaqësi vendesh të njohura të pranishme. Por nën zë, me punën dhe vullnetin e tij, Enver Tali kishte arritur të merrte një miratim të heshtur nga organet e duhura turke të cilat kishin bërë një sy qorr e një vesh shurdh, por që e kishin bekuar një veprim të tillë. Ky akt e lartësoi z. Tali deri tek një përfaqësues i vërtetë i asaj Kosove e cila priste të përjetonte atë që po ndodhte në Bosnjë prej disa vitesh. Në lidhje me këtë akt qeveria serbe e kohës reagoi diplomatikisht dhe e kundërshtoi me forcë lejimin e hapjes së një zyre të tillë. Më kujtohet, në atë kohë në Beograd ishte ambasador i Turqisë Aliev Kellic, i cili mbase i painstruktuar mirë nga qeveria e tij, nuk mbajti qëndrim të mirë. Por qeveria e asaj zonje të rëndë, Tansu Çillerit dhe influenca e një burri të madh të shtetit turk Sylejman Demirel dhe në mos gabohem Hysamedin Cindorukut, kryetar i Asamblesë së Madhe Turke nuk u tund nga ajo “leje e heshtur” e dhënë Kosovës në dorën e Enver Talit.
Përfaqësia e Kosovës në Stamboll tani ishte një realitet, një zyrë tek e cila gjenin zgjidhje të problemeve të tyre shumë e shumë shqiptarë të Kosovës. Aty kam takuar emra të mëdhenj të Kosovës madje edhe prej atyre që sot janë në sferat e larta politike dhe që kanë fuqi të madhe vendim-marrëse. Aty kam takuar artistë, poetë, gazetarë të famshëm, udhëtarë, por edhe shumë e shumë prej atyre që e përdornin Stambollin si një portë për të udhëtuar drejt vendeve tjera në kushtet e atëherëshme të represionit serb.
Në atë mbrëmje të themelimit të zyrës së përfaqësimit të Republikës së Kosovës në Stamboll u mbajtën disa fjalime. Ishte edhe një person që përfaqësonte qeverinë turke, por askush nuk e mori vesh se në çfarë cilësie ishte ai. Mbase këtë e dinte vetëm Enver Tali. Kështu, edhe pse u protestua nga qeveria serbe, zyra u hap dhe për disa vite me radhë në Fatih të Stambollit vazhdoi të qëndronte në ballinën e një pallati një tabelë e shkruar: “Kosova Turkey Temsilcisi”
Ajo ishte e vetmja zyrë, jashtë trojeve shqiptare, e një shteti që nuk e njifte askush në botë përveç Tiranës zyrtare. NJë e tillë gjendej në Rrugën ”Skënderbej ”në Tiranë, pranë ambasadave tjera. Në mos gaboj ajo ishte ish-ambasada e Koresë Veriore, e mbyllur dhe e dhënë Qeverisë së Kosovës në mërgim e drejtuar nga z Iljaz Rrahmajli.
Kam frikë se pak njerëz e dinë se çfarë roli ka luajtur ajo zyrë në Fatih të Stambollit. Janë me dhjetra e dhjetra shqiptarë të Kosovës të cilët vinin aty. Shumë prej tyre gjenin derman për gjëra të zakonshme të jetës në rrethanat e jashtëzakonshme që i kishin në vendin e tyre. Vinin të ikur, dëshpëruar. Vinin për shërim, shkollim, për probleme që njerëzve iu dalin në udhëtim, e plot tjera.
Adresa e parë e tyre ishte: Enver Tali. Fatih! Stamboll.
Studentë nga Kosova si Armend Spahia e Armend Agolli, të dy në mjekësi ishin si djemtë e Bacë Enverit. Elita Alo me të shoqin Agronin nga Prizreni i ishin bërë Bacës Enver si dy fëmijë të tij.
Marrdhënia jonë me Enver Talin, kishte shumë dimensione. E para, ne respektonim pa fund thinjat e tij, vuajtjet dhe përkushtimin e tij, sakrificat e tij, besimin e tij tek një Kosovë e lirë. Së dyti; ne besonim aq shumë në karakterin e tij prej burri të vendosur. Ai ishte një mik i mirë që të gjendej në çdo cast. Veçanërisht ne e çmonim atë për bujarinë e tij. Ai ishte gati të ndihmonte këdo që i drejtohej edhe njerëzit e panjohur. Ai ishte një lloj kavaljeri i cili ishte gati që për ti bërë qejfin miqve të neglizhonte vetveten.
Donika, ime shoqe ishte lidhur me të si me babain e saj. E nderonte pafund dhe ndjente dhimbje për jetën e tij të ndarë nga familja në atë moshë. Një drekë e mirë apo darkë me miq tek ne nuk do të kalonte pa një ftesë për Enver Beun. Të njejtën gjë bënte edhe ai.
Në një rast na thirri në telefon dhe na tha se kishte disa miq nga Kosova dhe dëshironte të ishim edhe ne. Ishte vonë por megjithatë ne shkuam. U futëm në dhomën ku ishin miqtë. Ai kishte shtruar darkë me meze dhe me alkool. Njerëzit ishin në qejf. Donika, si përhere, filloi të merrej me punët e darkës dhe të ndihmonte në gjërat që duheshin për tryezën. Në punë e sipër doli në dhomën tjetër dhe gjeti mbi tavolinë ilaçet e zemrës të cilat ai i kishtë lënë mbi tavolinë. Profesioni i saj i farmacistes i thirri menjëherë dhe u kthye në dhomë me ilaçet në dorë dhe iu drejtua me të madhe:
Baca Enver, a janë ilaçet tua këto? -Po,- iu përgjigj ai.- Po a i ke pirë ti sonte? -Jo !-iu përgjigj ai. -Baca Enver, i kthye ajo, krejt kundër natyrës së saj,- miqtë të duan dhe ne të duam shumë por ti më së pari duhet të duash vetveten. E din se po nuk i more këto ilaçe mund të na bësh të gjithëve të bëhemi pishman që jemi këtu në këtë darkë? Prandaj të lutem më së pari: Merr ilaçet.
Ai vetë Donikës i thoshte shpesh: -Të kam Norë! Nora ishte vajza e tij e vetme.
Herë pas here në Stambol vinte zonja Nysrinë, e shoqja e Bacë Enverit. Ajo ishte një zonjë e fisme dhe e urtë. Jashtë mase e duruar. Ndjenim se sa shumë kishte vuajtur nga mungesa e tij e gjatë në shtëpi. Vite të tëra burgimi. Por ajo ndjente se puna që bënte Bacë Enveri në Stamboll ishte një vepër fisnike. Por si shumë të tjerë ndoshta edhe ajo mendonte se ishte një thirrje në shkretëtirë. I vetëm, larg, me aq pak burime pa asnjë mbështetje shtetërore, le që ku kishte shtet, vetëm me një letër autorizuese do të mposht’te Enver Tali makinën vrasëse të Slobodan Miloshevicit!!? Edhe sot që idealet e tij janë materializuar, kur njeriu i kthehet pas asaj kohe të duket sikur ai ishte utopisti më i madh, edhe më utopist se vetë Robert Ouen që e ka shpikur atë teori. Zonja Nysrinë vinte nga Kosova, pasi asaj i lejohej udhëtimi jashtë. Ajo vinte në shtëpi, riorganizonte çdo gjë. Ikte për të ardhur përsëri. Mblidheshim për darka e dreka herë tek shtëpia e tyre e herë tek e jona. Pastaj mbaj mend që erdhi Kujtimi, i biri i cili ishte me punë në Londër. Më pas erdhi Gevara, djali tjetër. Këta të dy i kishin dhënë free pass në një kredit kartë Bacës Enver. Çfarë djelmoshash! Ishin të dy në emigracion. Ata çdo muaj bënin bilancin e kredit kartës që i kishin dhënë të atit dhe e rimbushnin atë. Me këtë siguri nga ana financiare ai sillej si një zotëri në çdo mjedis. Bujaria që e karakterizonte dhe siguria që i kishin dhënë djemtë nga ana financiare e bënte shumë më “trim”. Nganjëherë ndoshta edhe më tepër se sa duhet. Por ai ishte…Bacë Enver Bey.
Në biseda me të përherë i thoja: – Baca Enver, ti i ke të gjitha të mirat e kësaj bote. Po ku ta gjetën këtë emër mor burrë! Këtu e prish fare! Dhe qeshnim me të madhe. Në fakt ai vuajtjet i kishte hequr nëpër burgje për shkak të besimit që kishte patur tek ai që mbante emrin e tij. Por më shumë hesht’te sesa fliste për këtë çështje. Atëherë ne bënim shaka dhe i thonim : Ok, ti për ne je: Enver Bey!
Erdhi një kohë kur një gëzim i madh ”pushtoi” familjen e Enver Beut. Vajza e tij , Nora, do të fejohej. E ndjenim se gëzimi i tij ishte i dyzuar. Vajza e vetme do të fejohej. Por ai nuk ishte atje në Kosovë dhe zemra i bëhej copë nga kjo. Atëherë ai vendosi ta bënte ndryshe. E thirri vajzën, dhëndrrin dhe miqësinë që të vinin në Stamboll. Na njoftoi edhe ne. As që bëhej fjalë që ai të bënte fejesën e Norës pa ne. Ata erdhën. Autobusi kishte arritur shumë herët nga Kosova në Top Kapi. Dhe po ashtu heret edhe ata arritën në shtëpi. Na telefonoi dhe në atë mëngjes të asaj dite shkuam me nxitim për të takuar miqtë, Norën dhe për të pirë kafenë e fejesës së saj. Hymë brenda. U përshëndetëm. Dukej se Nora kishte bërë një zgjedhje të mrekullueshme. Apo ai djali kishte bërë një gjë të tillë?! Dhëndërri ishte piktor me shkollë të lartë të mbaruar në Akademinë e Arteve të Prishtinës. Por ai ishte i shoqëruar edhe me xhaxhain e vet, me piktorin e shquar kosovar, Myslim Mulliqi. Familje e njohur piktorësh në Kosovë. Filluam një bisedë shumë interesante. Natyrisht ata tregonin për gjendjen në Kosovë dhe ne rrënqetheshim nga ndodhitë e atjeshme. Në një moment Donika u ngrit të shërbente dhe na solli kafetë. Unë pa ditur rregullat e “lojës” së Kosovës në një rast të tillë, e mora kafenë sikur isha në Jug të Shqipërisë dhe urova:
“Epo të na trashëgohet çifti, jetë të lumtur dhe u bëfshi mëhallë!”
Baca Enver, hopa kërceu dhe më tha: Ndal bre burrë, çka po thue?
Po ja bana për hajr fejesën Bacë!
Shuj allahile, se këta hala nuk e kanë lypë çikën e ti ua bane për hajr, -m’u kthye ai.
Në një moment unë u skuqa, u ndjeva si i zënë në faj, pasi kisha ndërhyrë krejt pa vend dhe kisha bërë një gjest që shkonte krejt kundër zakonit.
Po, më falni, çfarë e mira ju ka sjellë këtu sot ju, kaq heret, të gjithë së bashku!? -Iu ktheva unë .
Myslymi që ishte një intelektual qytetar i Prishtinës më tha:
-Ty të lumtë goja mor burrë se na e banë këtë histori më të kollajshme. Nipi im e vajza e Bacës Enver e duan njëri -tjetrin dhe ne kemi ardhë me marrë dorën e Bacës Enver.
Pasoi një qeshje, u bënë urimet, u thjeshtua ceremonia, u relaksua situata dhe ajo fejesë kaloi me shumë gaz e hare. Vite më vonë e kam takuar Norën dhe të shoqin në Prishtinë. Ishin bërë me fëmijë dhe jetonin të lumtur. Qeshëm për atë ndodhi të asaj kohe.Gjithmonë qeshim kur e kujtojmë.
Një ndër ngjarjet më mbresëlënëse të marrdhënieve të mia me Enver Talin është edhe ajo e vitit 1997 të cilën ai e ka treguar në një emision televiziv me gazetarin Milaim Zeka. Ajo natë e Marsit të vitit 1997 mbetet në kujtesën time si një moment shumë i rëndësishëm i cili ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në Shqipërinë e asaj kohe falë njohjeve të këtij njeriu me një rreth të lartë, shumë të lartë, i cili qëndronte siç thotë ai vetë, prapa pushtetit në Turqi.
Në vitin 1997 ne u larguam nga Stambolli. Jeta e solli që të shiheshim përsëri në Kosovën tashmë të lirë. Ndjeja detyrim të madh të takoja pikërisht njeriun i cili i kishte kushtuar jetën asaj kauze. Festuam me Enver Talin 28 nëntorin e viti 1999 në Prishtinë. Ai ishte njeriu i cili në mënyrën më të përulur kishte bërë aq shumë gjëra të mëdha për Kosovën. Ajo zyrë e thjeshtë – shtëpi, ishte bërë Vatra e patriotëve shqiptarë të Kosovës. Ajo ishte Vatra e cila i forcoi mardhëniet e Kosovës me njërën nga fuqitë më të mëdha të rajonit të Ballkanit dhe pse jo të botës, Turqisë.
Për disa vite në Stamboll, vendi i takimit me Bacën Enver ishte zyra ime në Nishantashi, zyra e tij në Fatih, Shoqata ”Vëllëzëria Shqiptaro – Turke” dhe në raste të caktuara në restorantin “Kosova Et Lokanta”. Kjo e fundit, afër aeroprtit Ataturk, ishte vendi ku gazetari Nihat Islami, në udhëtimet e tij në Lindjen e Mesme e bënte një pushim. Ai me tregimet e tij dhe shakatë me personelin shqiptar të atij restoranti të mrekullueshëm me emrin Kosova i bëntë drekat e darkat shumë të këndshme. Ndërsa në Prishtinë takimi yne bëhej tek Hotel” Grandi ”që ai e përmendte me aq nostalgji kur ishim në Stamboll dhe tek Restorant ”Pisha”.
Të shkruaj për Enver Talin duhet shumë kohë por nuk rri dot pa thënë se nëse ka një patriot idealist në Kosovë ai është Enver Tali. Natyrisht ai nuk u bë asnjëherë një triumfant i veprimeve të tij, nuk u mburr asnjëherë. Përkundrazi ai vazhdoi të punonte me zell e dashuri për Kosovën.
Nëse do të më mbetej ndonjë peng në jetë për Enver Talin, ato janë dy:
Ne në Shqipëri nuk bëmë dot atë që ai meritonte për shkaqe dhe rrethana të caktuara, ndërsa Kosova e tij e lirë, nuk i dha të paktën tre muaj mundësinë që të përfaqësonte Kosovën e lirë në Ankara sa për të mirënjohur atë që ai kishte bërë me fondet e veta, me shëndetin e vet, me familjen e vet për Kosovën në vitet e okupacionit të rëndë serbomadh.
Dua ta falemnderoj Enver Talin një bashkëpunëtor e mik i shtrenjtë i një kohe kritike për vendin tonë Shqipërinë dhe Kosovën!

Mal Berisha
Londër, Shtator 2014