Fan Noli qëndron në altarin e historisë

Nga Mal Berisha

Fjala e mbajtur ne simpoziumin kushtuar jetes dhe vepres se Fan Nolit ne Boston me 22 Nëntor, 2015

mal11I nderuar Reverand At Liolin!

I nderuar Dr Gjon Bucaj, Kryetar I Vatres

Të dashur pjesëmarrës!

Mirdita! Është një nder i madh të gjëndem sot në Boston, në këtë epiqendër të kulturës dhe trashëgimisë shqiptaro – amerikane. Në këtë strehë të patriotit të shkëlqyer, ne jemi mbledhur për të paraqitur nderimin dhe kënaqësinë e veçantë për trashëgiminë e Nolit. Besoj se çdo shqiptar me një nivel të caktuar arësimor ka diçka për të shprehur  kur vjen fjala tek Fan Noli dhe vepra e tij. Jeta e tij aq e pasur dhe e jashtëzakonëshme  na ka bërë përherë krenar. Unë vetë kam qenë i bekuar të  mësoja që në fëmijëri vjershat e shkruara prej tij, madje dhe të dija me dhjetra vargje përmendesh dhe t’i recitoja sa herë që më jepej rasti. Vargjet e Fan Nolit në shqip janë aq të bukura si të krijuara prej tij, ashtu dhe të përkthyera nga gjuhë të tjera.

Ndërsa i shërbeva vendit tim si diplomat, jam kujdesur shumë për të bërë të njohura ato figura të shquara të kombit tonë të cilat i bëjnë nder emrit shqiptar kudo të jenë. Është kjo arësyeja përse jam ndalur tek varri i Sami Frashërit në Feritkoy në Stamboll, apo portretit të Mehmet Ali Pashës së Egjyptit në Tate  Briton Gallery në Londër, apo në vendosjen e busteve të Skënderbeut në Baysëater Londër apo  Munxhufuni në Molise Regione në Itali. Midis këtyre emrave që më kanë tërhequr është edhe Fan Noli, heroi ynë për të cilin jemi mbledhur sot.

Në vitin 1996, isha Konsull i Përgjithshëm në Stamboll kur prita në zyrë një profesor amerikan i njohur me emrin John Freely. John Freely është një fizikant amerikan, mësues dhe autor librash për udhëtarët si dhe për historinë e Stabollit, Athinës, Venecias, Turqisë, Greqisë dhe Perandorisë Osmane. Ai erdhi bashkë me një zotëri të quajtur Emin  Sahatçi. Një burrë me flokë të thinjura dhe mjekër të bardhë, Dr Freely të jipte pamjen e një njeriu fisnik. Veç të tjerash ai ka shkruar shumë libra për historinë sidomos atë të Perandorisë Osmane ku shquhet ai “Stambolli Qytet Perandorak”.  Ai ka nënvizuar kontributin e shqiptarëve në atë Perandori duke u ndalur tek familja e Kuprulive, Shemsedin Samiut, Hoxha Tasim, etj. Ai ka shkruar edhe biografinë e “Messiah së Humbur”, Sabbathai Zevi, udhëheqësi hebraik i cili u shndërrua me forcën e Grand Vezirit, Ahmet Kuprulu, në musliman. Ai i kaloi njëzet vjetët e fundit të jetës i internuar në trojet shqiptare në Ulqin dhe në Berat ku edhe vdiq pasi kishte krijuar atë që quhet në turqisht Dönme”, ose të konventuarit. Këtë zbulim e sjell Dr. John Freely në librin e tij, duke përmendur edhe faktin që një sekt dervishësh në Berat u krijua prej tij dhe ekziston edhe sot.

Atë ditë ne folëm për Fan Nolin. Më takonte mua të kisha shumë njohuri rreth tij, por Dr Freely më orientoi  drejt vendit ku ai kishte lindur: Në Ibrik Tepe, një vend që  ishte rreth 25 km afër Ipsallës, pika kufitare Turqi – Greqi.

Shkuam së bashku me Dr. Freelyn dhe Emin Sahatçiun, botuesi i revistës “Cornucopia” në fshatin Ibrik Tepe. Ai ishte një fshat me pluhur, me pak asfalt  vetëm në qendër. Dikur ai ishte quajtur Qyteza dhe ishte i populluar prej shqiptarësh ortodoks nga Jugu i Shqipërisë. Por tani ishte një fshat tipik turk.  Në fakt nuk kishte ndonjë gjë të veçantë mbresëlënëse. Pyetëm ca fshatarë që gjetëm aty nëse dinin ndonjë gjë për shqiptarët dhe jetën e tyre. Asnjëri nuk dha ndonjë përgjigje të saktë. Ata ishin muslimanë të zhvendosur kohë pas kohe nga Bullgaria dhe të vendsur aty, ndoshta gjatë luftërave të fundit. Vazhduam të ecnim nëpër fshat deri sa dikush na ftoi të vizitonim disa shtëpia të fshatit të cilët kishin dyer shumë të vjetra me dekorime të veçanta. Na lanë të vizitonim tre shtëpi të asaj natyre.  Secila kishte dyert e brendshme me disa dekorime të cilat nuk kishin asgjë të bënin me ornamentet muslimane. Ato nuk kishin ikona të pikturuara, por prapëseprapë dyert e drunjta ishin të skalitura me ornamente që të kujtonin jetën e banorëve jo muslimanë të mëparshëm të atyre shtëpive. Dr. Freely dhe Emin Bey bënë fotografi. Pastaj ne u përfshimë në një diskutim se si duhet të ketë qenë jeta në atë vend për shqiptarët e asaj kohe që kishin lënë vendin e tyre dhe vendosur aty. Ishin kohërat e Perandorisë kur jeta për shqiptarët ishte aq e vështirë.

Ne të tre ishim të bindur se këtu ishte ekzaktësisht  vendi ku, familja e Fan Nolit ose të afërmit mund të kishin jetuar. U larguam nga ato shtëpia dhe iu drejtuam Bashkisë së fshatit. Ishim shumë të lumtur që pamë një vend aq  të rrallë, unik dhe me aq kuptim. Edhe shqiptarë të tjerë e kishin vizituar atë vend. E kishin vizituar me deshirën e mirë për të bërë diçka ndoshta por deri atherë nuk ishte marrë ndonjë veprim.

Pas kësaj ne shkuam tek Bashkia e Ibrik Tepesë. Aty takuam kryetarin e Bashkisë (Beledyie Baskani) Ai ishte shumë i sjellshëm. Një burrë i thjeshtë, por jo me aq dijeni rreth  historisë. Na ofroi çaj dhe na pyeti se çfarë mund të bënte për ne që kishim ardhur nga Byuyksehiri (Stambolli). I shpjeguam qëllimin e vizitës tonë. I treguam për një bir të atij fshati, një prift, një poet, shkrimtar dhe përkthyes. Duket se asnjë nga këto nuk i bënë aq përshtypje deri sa i thamë se ai ka qenë edhe politikan dhe se ka qenë edhe Kryeministër i Shqipërisë për një farë kohe në vitin 1924.

Ky fakt i preku atij nervin e politikanit të vogël provincial. Ndoshta mendoi se një Kryeministër nga fshati i tij mund ti jepte edhe atij ndonjë shenjë trashëgimie për të bërë karrierë në nivele më të larta politike në provincën e tij ose më tej.

Ai menjherë kërceu dhe tha:

Allaha allah! Demek ki Bir başbakan bizim köyden çıkmış oldu?

Ai u ndie shumë krenar. Vazhduam bisedën ndërsa unë i dorëzova një set me librat e Fan Nolit të cilat ishin botuar në atë kohë në një kolanë. Ishin pesë volume. Pastaj kryetari na mori në një tur tjetër. Ai vazhdonte të thoshte:  O zot, prej këtij fshati paska dalë një Kryeministër dhe ne nuk e paskemi ditur?! Folëm me të për mundësinë e vendosjes së një busti dhe ai ra shumë dakord sado që nuk kishte ndonjë ide se si dhe kush do ta financonte.

U ktheva në Stamboll dhe e raportova këtë çështje tek qeveria shqiptare. Nuk vonoi shumë dhe u largova nga Turqia para se të mund të merresha me vendosjen e ndonjë monnumeti  të Fan Nolit. Nuk bëra dot asgjë në atë kohë, por fara e një nisme të tillë tashmë ishte mbjellë.

Vitet kaluan dhe kjo u bë realitet. Busti, vepër e skulptorit Andrea Demce,  u vendos nga autoritetet shqiptare dhe diplomatët tanë në Turqi  me pjesëmarrjen e Ministrit tonë të Kulturës  dhe një jetëshkruesi të Nolit për nder të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe 130 vjetorit të lindjes së Fan Nolit. Merrnin pjesë edhe Prefekti i Edirnesë dhe Kryetari i Bashkisë së Ibrik Tepesë. Ai qëndron krenar në atë qyteze tashmë siç është krenar për veprën që na ka lënë tarshëgimi deri më sot.

Dua të ndaj me ju edhe një moment tjetër që më ka ndodhur në Muzeumin e Shekspirit në Stratford-upon-Avon, vendlindja e gjeniut. Kur u futëm në mjediset e muzeut, zonja ime Donika dhe unë ishim pjesë e një grupi me vizitorë nga kombe të ndryshme.  Pjesë e asaj përvoje ishte të ndërveproje dhe të tregoje emrin e vendit nga ishe. Ciceroni i cili merrte vesh nga ishte secili vizitor iu përgjigjej turistëve në gjuhën e tyre.

Kur i thashë se ishim shqiptar ai menjëherë na u adresua me fjalët shqipe:  Mirdita! Mirësevini!

I magnetizuar nga dijenitë e tij, e pyeta atë se si kishte mundësi që dinte fjalë në gjuhën shqipe. Ai më tregoi se dinte fjalët bazë të gjitha gjuhëve të botës ku ishte përkthyer Shekspiri dhe shtoi: Di fjalë nga gjuha shqipe pasi di edhe që një përkthyes i famshëm shqiptar i njohur me emrin Fan Noli e ka sjellë Shekspirin në gjuhën e tij në një formë të përkryer.

Fan Noli  qëndron në altarin e historisë tonë dhe unë jam mirënjohës që mu dha rasti të marr pjesë në këtë simpozium kaq të rëndësishëm në përkujtim të tij dhe ndarë përvojat e mia të thjeshta jetësore.

Faleminderit!