HISTORI E SHKURTËR E SHËRBIMIT DIPLOMATIK, QË NGA THEMELIMI I SHTETIT SHQIPTAR DERI NË VITIN 1939

HISTORI E SHKURTËR E SHËRBIMIT DIPLOMATIK, QË NGA THEMELIMI I SHTETIT SHQIPTAR DERI NË VITIN 1939

Ndonëse shteti shqiptar modern e fillon jetën e tij më 28 Nëntor 1912, shqiptarët kanë dëshmuar aftësi të komunikimit diplomatik përpara kësaj date. Për të mos shkuar shumë thellë në histori, le të ndalemi tek diplomacia e Skënderbeut dhe marrëdhëniet e Tij me Mbretërinë e Napolit, Republikën e Venedikut dhe Shtetin e Vatikanit.

Më vonë, kur Shqipëria ra plotësisht nën pushtimin otoman, shqiptarët e treguan veten si shumë të aftë. Ndër ta, dy burrështetas shqiptarë, të cilët drejtuan dy shtete shumë të fuqishme mesdhetare, drejtuan edhe diplomacinë e këtyre vendeve. I pari, Mehmet Ali Pashai i Kavallës, themeluesi i Egjiptit modern, i cili sundoi nga viti 1805 deri më 1849, njihet për diplomacinë e tij, sidomos për atë me anglezet dhe francezët. Po ashtu, Kryeministri i Italisë, arbëreshi Francesko Crispi, e ka drejtuar shtetin italian dhe për rrjedhoje diplomacinë e saj në dy etapa të rëndësishme, 1887 deri më 1891 si dhe 1893 deri  1896. Ndërkohë, marrëdhëniet e Ali Pashë Tepelenës me misionarë të huaj dhe konsullata të vendosura në oborrin e tij janë historikisht të njohura.

Ajo që vlen edhe më shumë për t’u shënuar është fakti që vetë shteti i ri shqiptar u themelua nga njëri prej diplomatëve më të shquar të Perandorisë Osmane, Ismail bej Vlora. Jeta e tij, përpara se të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, me gjithë turbulencat që kishte, ishte kryesisht e lidhur me diplomacinë. Ishte ndjenja e zjarrtë e atdhetarit, e gërshetuar me mjeshtërinë e diplomatit, në rrethanat historike në të cilat u gjend Shqipëria, që solli aksionin e tij më të rëndësishëm historik –  Shpalljen e Pavarësisë.

Me fillimin e shtetit shqiptar, edhe pse i gjymtuar nga fuqitë e mëdha, i ndërtuar vetëm në gjysmën e trojeve të veta, një ndër gjërat e para duhej të ishte një veprimtari e dendur diplomatike. Qeveria e Vlorës, me aq burime sa kishte, u mundua me çdo mjet të kërkonte njohje dhe mbështetje nga fuqitë e mëdha. Për këtë u shfrytëzuan miqësitë, ose lobimet siç konsiderohen sot, në vendet me fuqi të madhe vendimmarrëse. Mbështetja, që mori Ismail Qemali, mund të thuhet se ishte pjesë e një mjeshtërie të madhe diplomatike.

Në dhjetor të v,itit 1918, në mbarim të Luftës së Madhe, shqiptarët arritën të formojnë një qeveri, e cila njihet me emrin Qeveria e Durrësit, me Kryeministër Turhan Pashë Përmetin dhe Ministër të Jashtëm Myfit Libohovën. Diplomacia e kësaj qeverie shënon kulmin e saj me pjesëmarrjen në Konferencën e Paqes në Paris, 1919, ku spikat pjesëmarrja e amerikanit Charles Telford Erickson, si diplomat amerikan dhe  delegat nderi i Vatrës.  Korrespondenca e tij me Presidentin Willson ka luajtur rol shumë të madh në ruajtjen e Shqipërisë. Pjesëmarrës ishin Imzot Luigj Bumçi, Dr. Michael Turtulli, Mehmet Konica dhe vetë Turhan Pasha.

Në vitin 1920 u mbajt Kongresi i Lushnjës prej nga doli Qeveria e Sylejman Delvinës me Ministër të Jashtëm Mehmet Konicën. Përpjekjet e saj për ruajtjen e territorit të Shqipërisë dhe përzënien e italianëve nga Vlora ishin të jashtëzakonshme. Akti më i madh diplomatik i kësaj qeverie ishte pranimi i Shqipërisë, më  17 dhjetor 1920, si vend anëtar i Lidhjes së Kombeve dhe përfaqësimi që Peshkopi Fan Noli i bëri çështjes shqiptare në Gjenevë. Diplomacia shqiptare, atë botë, u mbështet nga miku më i madh i shqiptarëve të asaj kohe, politikani britanik Aubrey Herbert me ndihmën e pakursyer  të Lordit anglez Rober Cecil, kanadezit Rowell si dhe indianit Ali Imam. Përfaqësues diplomatikë të kësaj qeverie u dërguan vetëm në dy vende: Në Itali, Myfid Libohova dhe në Austro – Hungari, Syrja Vlora. Në vitin 1921 filluan të hapen përfaqësi konsullore dhe përfaqësi nderi. Me 26 tetor 1926 Regjenca caktoi Dr. Charles Telford Erickson-in komisionar në Uashington, ndërsa Fuad Dibrën në Stamboll. Po kështu në Gjenevë u emërua Eugene Pitard-i si konsull nderi, ndërsa në Londër Loyon Thompon. Lec Kurti u caktua konsull në Bari të Italisë. Në vitin 1921 Britania e Madhe dërgoi si Ministër Fuqiplotë Harry Charles Augustus Eyres, gjë që shënon edhe vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike me këtë vend dhe të parin diplomat të akredituar në vendin tonë. Vetëm dy muaj më pas, vendi ynë dërgon në Londër Mehmet Konicën, si  i pari diplomat yni në Britaninë e Madhe. Ndërkaq, në Bernë të Zvicrës emërohet Benedikt Binishti, si konsull i përgjithshëm. Në atë kohë Pandeli Evangjeli si Ministër i Jashtëm hapi një seri zyrash diplomatike në Uashington, Stamboll, Vjenë, Bukuresht, Paris dhe Aleksandri e Gjenevë. Në Uashington shërben Kostandin Çekrezi dhe më pas dr. Kostandin Tashko. Në Paris shërbeu Mit’hat Frashëri. Ndërkohë Franca emëron Jean Béguin-Billecocq-un si të ngarkuar me punë në Shqipëri. Me rëndësi ishte hapja e misionit të parë të ShBA – së në Shqipëri, me datën 28 korrik të vitit 1922, me përfaqësues Maxwell Black-un, i cili zëvendësohet prej Ministrit Fuqiplotë, Grant Smith. Një emër i njohur i diplomacisë italiane, markezi Carlo Durrazo u emërua në Shqipëri në vitin 1922 dhe qëndroi deri në vitin 1925. Ndërsa Ali Asllani u caktua në Trieste të Italisë. Hungaria po kështu emëroi të dërguarin e vet, kontin Albert Menes de Hidveg, në vitin 1922. Duke e zgjeruar hartën e shërbimit diplomatik shteti shqiptar avancoi drejt Sofjes me Viktor Plumbin, dhe më vonë Konstantin Boshnjakun, si të ngarkuar me punë. Me gjithë përpjekjet e bëra, përbërja  e MPJ-së nuk ishte strukturuar ende si duhet. Prandaj, Ministri i Jashtëm Pandeli Evangjeli, më 2 shkurt 1923 kaloi në parlament strukturën me Sekretar të Përgjithshëm, Xhaver Vilën. Në atë kohë u emëruan shumë konsuj nderi në qendra të rëndësishme si në Brindisi, Luksemburg, Torino, Lajpcig, Pragë, Stokholm, Kopenhagë, Munih etj. Ndërkaq, në janar të vitit 1923, Mbretëria Greke hap zyrën e vet në Durrës.  Menjëherë qeveria shqiptare dërgoi në Athinë Mid’hat Frashërin si Ministër Fuqiplotë në oborrin e Mbretit Konstantin. Gjermanët e hapën zyrën e vet në Tiranë, në vitin 1923, por Shqipëria për trembëdhjetë vjet rresht u mjaftua me veprimtarinë e konsujve të saj të nderit nëpër ato vende. Qeveria e Revolucionit të Qershorit, e Fan Nolit, përjetoi izolim shumë të madh diplomatik ndërkombëtar, sidomos pas kërkesës për hapje përfaqësie diplomatike sovjetike në Tiranë. Kjo bëri që një delegacion sovjetik i ardhur në Tiranë të largohej pa asnjë takim diplomatik.

Pas kthimit të Zogut dhe shpalljes së Shqipërisë Republikë, Ministër i Jashtëm u emërua Myfid Libohova, ndërsa në Romë u dërgua i vëllai, Eqremi.  Gjatë kësaj periudhe pati një zëvendësim thuajse të plotë të trupit diplomatik me njerëz të besuar të Zogut, kryesisht prej atyre që kishin studiuar në shkollat italiane dhe në ato ushtarake. Megjithatë emra të njohur të qeverive të mëparshme gjendeshin nëpër misionet diplomatike shqiptare, si: Iliaz Vrioni, Eqrem Libohova, Xhemal Frashëri, Medi Frashëri, Xhemal Dino, Eqrem Vlora, Ali Asllani. Në këtë kohë, dalin në skenë emra të tjerë të diplomacisë shqiptare, si Rauf Fico dhe shkrimtari e atdhetari i njohur Faik Konica, i cili hap Legatën Shqiptare në Uashington me sekretar Hito Sadikun. Në vende tjera si në Rumani shërben Selaudin Blloshmi. Në marrëdhëniet me Greqinë, të cilat ishin jashtëzakonisht të tensionuara, vjen një epokë e re për shkak të ndihmesës së dhënë nga arvanitasi Pangalltos, i cili doli në krye të qeverisë greke dhe që  i shpërndau organizatat pan – verio – epirote dhe i shuajti për pak kohë përpjekjet e sillogjit për pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

Ndërkaq, në listën e trupit diplomatik shfaqet një emër shumë i vyer i këtij shërbimi, Eqrem Bej Vlora i cili emërohet në Londër për të ndjekur ecurinë e mbështetjes angleze ndaj Shqipërisë në telashet e pandërprera, që i dilnin me Beogradin. Një skandal me një spiun serbo malazez, i quajtur Vuk Gjurashkoviç, solli ndërprerjen e marrëdhënieve të Beogradit me Tiranën dhe tërheqjen e Ceno beg Kryeziut, nga kryeqyteti jugosllav. Më 22 nëntor  1927 u nënshkrua ai që njihet si Pakti i Dytë i Tiranës prej Ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Iljaz Vrioni dhe atij Italian, Ugo Sola. Ai mbante pjesën e tretë të paktit të parë të vitit 1925 dhe pranonte shtesa të tjera. Ndërkaq, qeveria greke nuk po iu përmbahej zotimeve të veta për popullsinë çame, madje situata po përkeqësohej, aq sa Iljaz Vrioni paraqiti ankesë tek Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve,  Erich Drummond, me nënshkrimin e MPJ-së shqiptar Iliaz Vrioni. Si përherë, grekët, nëpërmjet të ministrit të tyre të jashtëm, Politis nuk pranuan asnjë kërkesë shqiptare.

Pas shpalljes së Shqipërisë Mbretëri, diplomacia shqiptare përjetoi një situatë të re. Fakt është që, brenda pak ditëve, atë e njohën mbi njëzet e pesë shtete, por pati edhe shtete si Turqia, e cila jo vetëm nuk e njohu, por për rreth tre vjet i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Iljaz Vrioni vazhdoi të mbetej Ministër i Jashtëm. Në vitin 1932 marrëdhëniet me Turqinë u rivendosën dhe Nezir Leskoviku u emërua si i ngarkuar me punë në Ankara. Në këtë periudhë del edhe Ligji organik për shërbimin diplomatik, i cili duhet konsideruar si shumë modern për kohën. Ai përmbante detyrat dhe të drejtat që ka çdo diplomat shqiptar i të gjitha niveleve të asaj kohe.

Ligji u nënshkruar nga KM Koço Kota dhe Ministri i jashtëm Rauf Fico. Sekretari Ministrisë në atë kohë u bë Xhafer Vila. Shqipëria ndërtoi një trupë diplomatike relativisht të admirueshme dhe të shpërndarë mjaft mirë nëpër botë, sigurisht në pajtim me mundësitë e saj buxhetore.

Ne vitin 1932-1933 pllakosi një krize ekonomike, e cila e detyroi shtetin të shkurtojë buxhetin e shërbimit diplomatik me 50%. Prandaj edhe e tërë Ministria mbeti  vetëm me 14 punonjës, përfshirë Ministrin, Hysen Vrionin, dhe Sekretarin e përgjithshëm, Dhimitër Beratin. Pati shkurtime edhe në personelin jashtë vendit dhe diplomatët më të mirë u dërguan në qendrat më të rëndësishme, si p.sh. Xhemal Dine  në Londër, Rauf Fico në Beograd, Nezir Leskoviku në Ankara. Një numër diplomatësh të asaj kohe kanë lënë gjurmë me veprimtarinë e tyre. Ndër ta shquhen Dhimitër Kosturi, Konstandin Mima, Kosta Meksi, Pandeli Nase, Zef Prenushi, Asaf Xhaxhuli, Qemal Jusufati, Remzi Çelo, Sofokli Comorra, Tahir Shtylla. Në Ministri filloi të funksiononte shumë mirë konkursi për marrjen në detyrë të diplomatëve. Në vitin 1936 konkurruan shumë kandidatë dhe fituan  të tillë, si: Hamid Kokalari, Angjelin Kakarriqi, Mikel Çoba, Stavri Katundi. Më vonë Jani Evangjeli, Felatun Vila, Petro Kisi, Rexhep Shazi, Asllan Ypi, Xhahid Koka, Sotir Avrami, Nush Bushati, Lazer Çetta, Mikel Çoba, Ferid Dervishi, Qenan Dibra, Rasi Dino, Xhemil Dino, Vasil Dogani,  Alexander Stavre Drenova, (Asdreni),  Dervish Duma, Dhimiter Engjelli, Jani Evangjeli, Rauf Fico, Medi Frashëri, Mid’hat Frashëri, e sa e sa të tjerë.  

Një gjë që bie në sy në tekstin e dekretimeve të diplomatëve titullarë (Ministra Fuqiplotë) në kohën e Republikës së Parë ishte teksti që e shoqëron:

“…Pres prej tij besnikëri dhe zell në detyrë, shërbime të drejta me ndërgjegje të pastër e kombëtare për Republikën tonë Shqiptare.”

Me ardhjen e Mbretërisë, iu kushtua shumë rëndësi edukimit atdhetar. Këtë e vërteton edhe teksti i shtypur në çdo pasaportë shqiptare.

Po në këtë kohë shërbimi diplomatik amerikan forcohet me një emër shumë të madh me reputacion të njohur ndërkombëtar: Në Tiranë vjen Ministër Fuqiplotë Herman Bernstein-i, një poet, shkrimtar, gazetar investigativ, zbulues, historian, mik i tre presidentëve amerikanë, Theodor Roosevelt, Woodrow Wilson dhe Herbert Hoover. Ai ishte një hebre lituanez, i emigruar në ShBA dhe dashamirës i madh i popullit shqiptar. Ai jo vetëm që ndihmoi  shkollat amerikane si ajo e Bujqësore e Kavajës, Shkolla teknike, Fondacionin Rockefeller kundër malaries, por edhe shkruan vepra të shquara për Shqipërinë. Ai shërbeu nga viti 1930-1933. Dhe ndonëse nuk jetoi gjatë (1867 – 1935) la një vepër të rëndësishme pas e cila e nderon Shqipërinë. Ai është edhe biografi i parë i Mbretit Zog. Një diplomat i atij kalibri nuk është akredituar as përpara as pas tij nga asnjë vend i botës në Shqipëri deri më sot.

Në vitet ’30 trysnia ndaj Mbretërisë Shqiptare për ta ripërtërirë Marrëveshjen e Tiranës, me kushte të reja që e kthenin vendin në një protektorat të plotë dhe shtet vasal ndaj Italisë, u rrit shumë nga Musolini. Në këto rrethana, diplomatët shqiptarë u gjetën në kushte të vështira kudo që ishin. Ministri i Jashtëm Italian dhe dhëndër i Duçes po ashtu ushtronte trysni të madhe ndaj diplomacisë shqiptare. As përpjekjet e Jakomonit dhe as manovrat e tradhtarit Zef Serreqi, nuk e bindën Mbretin që ta pranonte projektin e Musolinit për kalimin e sovranitetit në duart e Viktor Emanuelit të Tretë.

Kështu pasoi pushtimi fashist Italian, më 7 prill 1939. Në atë kohë veprimtaria e shërbimit diplomatik shqiptar, ku më shpejt e ku më vonë, u ndërpre. Diplomatët në përgjithësi mbetën në vendet ku ishin, por tani si emigrantë. Disa prej tyre u kthyen në atdhe ose emigruan për në vende demokratike si në ShBA, Britani, Francë etj. Shumica e tyre të cilët mbetën në Shqipëri, pas vitit 1944, u ndëshkuan nga qeveria komuniste, u dënuan me vdekje ose burgje dhe internime. Nuk dihet nëse ndonjë prej tyre e arriti rënien e komunizmit në vitin 1990.