NGA MAL BERISHA
Skënder Thaçin, shumë vetë sot e njohin si një biznesmen të suksesshëm në Bogë të Rugovës dhe në Prishtinë. Shumë të tjerë e njohin si njeriu që priti me mijëra të shpërngulur nga Kosova, të cilët ai i ushqeu dhe i veshmbathi gjatë periudhës famëkeqe të Miloshevicit; Të tjerë e njohin për veprimtarinë e tij humanitare bashkë me humanisten austriake Marianne Graf; ka nga ata që e njohin për ambulancat, çerdhet dhe kopshtet, e hapura në zonat më pak të trajtuara nga shteti; të tjerë e shohin punën e tij tek Kulla – Info në Rubik, sa here i kalojnë pranë urës, e cila dëshmon traditën e tre rretheve, Pukë, Mirditë, Mat dhe vlerat e tyre etnografike; ka që e njohin që kur erdhi në Shqipëri në vitet e para sapo çelte sytë demokracia. Ndërsa unë e kam njohur shumë më heret. Në fillim nga rrëfimet e gjyshes së tij nga nëna, legjendës së Malësisë së Gjakovës dhe Plavës e Gucisë, Cucë Avdylja dhe në vitin 1972 kur ai erdhi në Shqipëri si vizitor vet i dyti me binjakun e tij Nerimin dhe nënën e tyre Bade Elez Ulaj. Ishin dy sokola malesh, të mbetur jetimë për shkak se rregjimi serb iu kishte ekzekutuar të atin.
Jam shumë i lumtur që historinë e këtij njeriu me vlera të jashtëzakonëshme në çdo aspekt të jetës, shkrimtarja Leonora Laçi e sjell përpara publikut në një format shumë serioz. Jam po ashtu i nderuar që më është dhënë mundësia që të shkruaja një nga episodet e librit dhe që autorja, Leonra Laci e ka nënvizuar me shumë respekt.
I falem nderës së Skënder Thaçit për gjithçka që ka bërë në të mirë të çështjes tonë kombëtare si dhe autores së librit Leonora Laçi.