NGA MAL BERISHA
Në mesin e Marsit të vitit 1997, më trokiti në derën e zyrës në Stamboll Uran Kostreci. Ai mbante në dorë një kartvizitë timen të cilën ia kisha dhënë dukur në një mbledhje në Muzeun Kombëtar në Tiranë.
Akoma pa më dhënë dorën më tha:
“Erdha pas kësaj cope letre që ma ke dhënë dikur, me shpresën se do të gjej një mbështejte tek ti. Për fatin e keq, Shqipëria ime dhe e jotja mori fund!”
E ftova të ulej. I ofrova kafe. E pyeta si e kishte gjëndjen. E dija se ishte një ish i burgosur politik, por nuk e dija aq mirë historinë e tij.
E mbajtëm dy javë në shtepinë time, pranë fëmijëve, me të tëra hyzmetet që meriton një mik I rrallë, patriot, intelektual, disident dhe…i vetëm!
Pas një jave i siguruam një apartament shumë të vogël dhe shumë të lirë, në rrugicen ku ishte konsullata shqiptare (Ekmek Fabrikasi Sokak). E kishte dritaren e apartametit thuajse drejpersëdrejti me dritaren e apartamentit tonë. Donika, ime shoqe e trajtoi sikur ta kishte babain e vet. Ushqime, gjellë të ngrohta, rroba të pastra. Kur vinte vakti i ushqimit I bënim shenjë që nga dritarja.
Ai e kalonte kohën me libra dhe me shkrime.
Në shtatorin e atij viti neve u kthyem në Shqipëri. Uran beu mbeti i vetëm atje dhe pa asnjë ndihmë. Ishte nevojtar edhe për bukë.
Pas dy tre muajsh që isha kthyer nga Stambolli, një diplomat i athershëm shqiptar pati kurrajon të shkruante në Zërin e Popullit të asaj kohe:
“Konsullata Shqiptare në Stamboll ka strehuar terrorista në mjediset e saj.”
“Terroristi” për të cilin aludohej, ishte Uran Kostreci.
U takuam shumë herë edhe në New York edhe në Tiranë. Përherë me dashuri vllaznore.
Ishte njeriu që e nderonte bukën, vendin, atdheun, Shqipërinë.
Iku i Nderuar, por… I varfër dhe I vetëm!
NDJESE PASTË MIKU IM!