Mitrovicë. Veri. Kaloj çdo ditë jave Urën e Lumti të Bardhë i njohur Ibër këtu. Kaloj në zonën e pasigurisë, në pejsazhin e zymtë të kjoskave dhe makinave të parkuara kuturu, pa targa, shumica me tabelën TAXI për sipër, shenjë kuptimplotë e mungesës së shtetit. Ky është rituali i përditshëm jashtë gjykatës së qarkut të këtij qyteti të ndarë.
E parkoj makinën në vendin e caktuar. Është një vend parkimi anash një rrethi më bar dhe bordure. Në qendër të atij rrethi gjëndet një skulpturë e kohës së realizmit socialist-veatministrativ-jugosllav. Ajo skulpturë ka thuajse tërë tiparet e veprave që dikur skulptorë amatorë dhe profesionist në Shqipëri gdhendnin ose derdnin në mjete të forta, bronx, gur, allçi… Ata më shumë se sa të shprehnin ndjenjat dhe aftësitë e tyre prej artstësh synonin që të tregonin devotshmërinë ndaj pushtetit.
Minatori i Mitrovicës. Ai qëndron mbi atë piedestal, ngjyrë hirtë, i vogël në përmasa por muskuloz në formën e vet. Ai na pret dhe na përcjell çdo ditë. Kështu ka pritur e përcjellur prej shumë kohësh. Gjykatës, prokurorë, jursitë, politikanë, ushtarakë, paraushtarakë, vendas, të huaj, serb, shqiptar, zyrtarë, servilë dhe kundërshtar të pushtetit. Pret edhe sot, makina me tarka UN, policë sepcialë…ushtar special…
Ai është dëshmitari më indiferent që ka parë më shumë duar të lidhura në këtë pjesë të botës. Ai ka parë thuajse çdo ditë që ka falë zoti minatorë, (“kolegët e vet” ) të arrestuar pas grevave të urisë në zgafella; mësues që bënin agjitacion, irredentistë, politikanë, disidentë, të rinjë, demonstrues, gazetarë, njerëz të fajshëm e të pafajshëm. Dhe përsëri ai rri për të parë “korën” e re të të arrestuarve…
Tani atij i mungojnë irredentistët, kundrarrevolucionarët, shqiptarët që kërkojnë disintegrimin e Jugosllavisë, rrebelët,.. Tani këtu vijnë e shkojnë gjithfarë lloj uniformash, indiane, ganeze, gjermane, angleze, jordaneze, amerikane, polake… e sa e sa të tjera. Përpara tij kalojnë si në revistë çdo ditë, gjyqtarë që nga Kalifornia deri në Bangladesh, të bardhë, të zinjë, të verdhë; përpara tij kalojnë lloj organizatash të mbrojtes së të drejtave të njeriut që kujdesen për shëndetin dhe mirëqenjen e njerëzve që dyshohen për krime të rënda më shumë se sa pë rata që e kanë pësuar krimin.
Dhe ai aty se aty. Ai ka parë njerëz të rrahur për vdekje thjesht se nuk kanë pranuar të spiunojnë shokët e tyre; ai ka parë njerëz që nxirreshin nga gjykata të alivanosur për ti dërguar në burg ose nga burgu në gjykatë. Ka parë sa e sa nëna që stoikisht prisnin në dyert a gjykatës për të marrë vesh denimin që i shqiptaohej djalit të vet. Ai ka parë gra e fëmijë tek ndaheshin me lot pa ditur në se do të shiheshin më.
Ky është dëshmitari më i vendsour, dëshmitari që nuk mungon asnjë ditë në këtë gjykatë. Ai nuk mungon kurrë. Ai madje nuk ka nevojë as për fletë thirrje. Aty, përherë, i vendosur të shohë e të dëshmojë çdo gjë. Me heshtjen e tij. Aty, pas atyre pemëve që në pranverë shpesh ja vështirësojnë shikimin.
Ka disa kohë që ai është dëshmitar i çështjeve krejt tjera nga ato që ka parë në të kaluarën. Lloj lloj krimesh të kryera gjatë luftës dhe reflekset e tyre në traumat e tyre të pas luftës.
Nuk do të kisha medituar kaq shumë sot përpara këtij monumenti nëse nuk do të më kujtonte një copë guri të madh që një skulptor amator në qytetin e Laçit e pat gdhendur dhe vënë përpara atij pallati kulture në qendër të qytetit. Edhe aty, njerëzit thuajse e përshëndesnin çdo ditë atë “vepër arti” siç edhe ajo i përshëndeste njërezit e hirtë të atij qyteti të përhumbur nën gazin e acidit sulfurik dhe tymnajës së mbetjeve dhe skorjeve. Edhe ajo qëndronte ashtu, stoike, e pamposhtur, me ca forma gjigande trupore. Aq shume ishte dashuruar skulptori me ate vepër të tij sa kishte filluar të besonte se madhështia e tij do të dukej vetëm pas 2500 vjetësh siç ka ndodhur me veprat e Fidias e të Praksitelit. Madje për këtë kishte bërë një vrimë të madhe me baraminë, kishte shkruar një letër të gjatë, e kishte palstifkuar, e kishte murosur aty brenda dhe e kishte mbyllur me çimento dhe shpresonte se një ditë do të hapej nga dikush dhe ai dikush do të kishte rastin jo vetëm të njihte “madhështinë ë artit të realizmit socialst” por madje edhe emrin e artisit të madh që i kishte kushtuar tërë talentin e mundin një “kryevepre” si kjo.
Minatori i realizmit socialist jugosllav, vetadministrues u bë sot dëshmitar i një ngjarje thuajse të pazakontë për mua. U njoftova se sot do të punoja për një prokurr publik nga Minosota, ShBA, i cili kishte ardhur nga Gjykata e Qarkut në Gilanit për tu marrë me një çështje tepër të ndjeshme që kishte brenda një vrasje. Në të ishin përfshirë njerëz të tre etnive të ndryshme. Çështja ishte shumë shumë e komplikuar dhe me që kishte karakter shumë etnik, avokatët kishin kërkuar që atë ta merrte një prokururor ndërkombëtar i cili do të gjykonte në mënyrë të pavarur. Për këtë kishte ardhur Riçardi i Minosotës.
Meqë me këtë çështje deri tani ishte marrë njëra nga prokuroret publike të qarkut, atij iu desh mendimi i saj për çështjen sado që edhe vetë e kishte lexuar atë dhe madje studjuar. Ai dontë të kishte një mendim nga ana e prokurores me çdo kusht në mënyrë që të procedonte më tej me të. Dhe kështu bëri.
Prokurorja i bëri një prezantim me të vërtetë profesional. Ajo i ballafaqoi tërë faktet dhe dëshmitë. Nuk la detaj të rëndësishëm pa nënvizuar dhe pa i dhënë peshën e vet në këtë çështje. U ndal tek çdo e dhënë që çonte tek autorët e krimit sikundër që shfaqi dyshimin e vet për çdo fakt të paqartë.
Riçardi po ndiqte me vemendje çdo fjalë të saj duke marrë edhe shënime. Çështja erdhi tek varrimi misterioz i viktimës. Aikishte qenë një kambist i cili njihej si njeri që kishte marrë shumë borxhe. Prokuroria i kishte shkuar afër rrethit të njerëzve që kishin patur të bënin me të deri në një çast, pak para zhdukjes së tij. Ai ishte një serb dhe mendja e prokurorëve ndërkombëtar ku nuk shkonte në raste krimesh të tilla. Aq më tepër që avokatët ishin gati të quanin denim me motive etnike nga ana e gjykatësve shqiptarë edhe pse në këtë rast edhe viktima edhe agresori ishit të dy serbë.
Prokurorja e parashtroi tërë çështjen kolegut të saj amerikan deri sa pastaj u ndal tek varrimi misterioz për të cilin njëri nga dëshmitarët kishte dijeni. Vend varrimi ishte në një vijë ndarje midis dy zonave ku banonin të veçuara si me thikë dy etnitë, ajo shqitare dhe ajo serbe. Prokurorja e spjegoi aq me kompetence proçesin e gjetjes, të ç’varrimit, nxjerrjes së kufomës, autopsisë, analizave… Ajo spjegoi se si mund të disorientohet një ekip ekspertësh në punën e tyre për ç’varrimet… Cila ishte paanësia e ekspertit në këtë sipërmarrje, se si ai intersohej vetëm për vendvendosjen, gjendjen fizike, elementet e ADN – së, ruajtjen, konservimin, përcjelljen, identifikimin… Pjesa tjetër nuk ishte e tij dhe as që tregonte ndonjë interesim. Më tej ai nuk ishte i autorizuar të fliste me njeri as nga familja as nga autoritetet. Ajo ishte një botë e huaja për mua, një botë kufomash, të zhdukursh, të humburish, të mbeturish në thuajtjen e largët, të thellë, të baltosur, të merzitshme, të trishtueshme…
Spjegimet e prokurores qenë aq bindëse dhe aq të qarta sa të dy prokurorët, nuk e patën të vështirë të vinin në të njetin konkluzion. Pasi mbaruan tërë bisedën, Riçardi e falenderoi kolegën e tij me fjalët më të mira si profesioniste dhe si kolege. Pas kësaj pimë nga një kafe dhe dolëm nga gjykata prej nga secili do të merrte rrugën e vet. Në oborr të gjykatës, minatori ishte aty, për të dëshmuar kush hyri e kush doli edhe në atë ditë qershori. Do të dëshmonte edhe atë ditë, sa ishin me pranga, sa me eskorta…
Tek po ndaheshim, Riçardi e falenderoi edhe një herë prokuroren për tërë paraqitjen e mençur dhe profesionale të çështjes dhe papritmas u ndal dhe i tha:
Jam shume i impresionuar me prezantimin por mbi të gjitha me njohuritë e pafund që tregove në lidhje me çvarrimet dhe elementët e tjerë të kësaj ekspertize.
Prokurorja iu kthye: Mos e merr këtë si një shenjë profesionalizmi. Merre më shumë si shenjë përvoje timen krejt personale dhe familjare.
Që do të thotë? Iu kthye Riçardi.
Që do të thotë se kam tash thuajse pesë vjetë që kam marrë pjesë në sa e sa çvarrime me shpresë se do të gjej burrin tim të zhdukur. E morën në Prillin e vitit 1999. E morën përpara meje. E morën nëpër duart e mia.
Riçardi mbeti si i shastisur dhe duke mos ditur çfarë të thoshte iu kthye saj:
Dhe që ather ju nuk dini asgjë më për të?
Krejt çfarë di unë për të janë dhjetra varre herë masive, herë dyshe, ose treshe dhe rrallë teke të cilat i kam parë në tëra këto kodrina që rrethojnë këtë qytet fatkeq. Kam parë aq shumë prej tyre, kam ndjerë dhimbje për njeriun tim të zemrës, babain e fëmijëve, shokun e jetës, mjekun dhe intelektualin e këtij qyteti. Asaj dhimbje i është shtuar thuajse çdo javë e muaj mosgjetja e tij por edhe ajo që kam gjetë duke kërkuar atë. Fëmijë, gra, pleq, të rinj.
O zot, shmoi ajo, kam gjetë aq shumë por jo atë, ende jo. Nuk e kam gjetur. Ende nuk mund ta besoj se ka vdekur, ndonëse e di se nuk ka asnjë shpresë që ai të jetë i gjallë. O Zot, ende nuk mund t’ja bej një varr..ende nuk mund ta shpall të vdekur…O Zot, ende nuk mund t’ja di një varr! Nuk kam ku ti çoj një lule.
Riçardit i kishte mbetë çdo fjalë në fyt. Iu tha goja.
Më në fund mundi të pëshpërsite:
“Ngushëllimet e mija, më vjen shumë keq, më fal, të lëndova, të lutem më fal, nuk e dija”
Oh jo, kjo tani është pjesë e kalvarit të jetës time. Nuk keni pse të më kërkoni ndjesë, jo, jo, nuk keni pse! Por as mos më ngushlloni, ju lutem, sepse unë ende nuk e kam shpallur të vdekur atë.
O zot, në këtë vend është i lumtur ai që ka një varr. Erdhi koha tu themi atyre që i humbën njerëzit e tyre në luftë:
“Sa të lumtur jeni që ua dini varret njerëzve tuaj.”
Këtu u ndamë. Riçardi e përqafoi prokuroren dhe ia hypi makinës i dëshpëruar dhe me një ndjenjë të thellë dhimbje.
Unë mbeta me prokuroren në oborrin e gjykatës.
U ktheva dhe pashë minatorin.
Ishte aty.
Aty për të qenë dëshmitar edhe i këtij rrëfimi tjetër trondiës.
Mal Berisha
Mitrovicë, Qershor 2005.
Mitrovicë, Qershor 2005.