MAL BERISHA – DY FJALË PËR LIBRIN (SH)KRIME NË HISTORI


MAL BERISHA – DY FJALË PËR LIBRIN (SH)KRIME NË HISTORI

Shkruar nga Ndrek Gjini

Dhjetor 2019 – Këto ditë është botuar dhe ka dalë në qarkullim libri (Sh)Krime në Histori  i autorit Ndrek Gjini, gazetar, poet, shkrimtar dhe përkthyes. Unë pata nderin që të shkruaja hyrjen e këtij libri shumë të bukur të këtij autori atdhetar. Po e sjell këtu për miqtë e mi të nderuar duke i inkurajuar ta lexojnë atë.

HYRJE

Me autorin e këtij libri, shkrimtarin, poetin, përkthyesin dhe gazetarin, Ndrek Gjini, isha njohur vetëm nëpërmjet shkrimeve të tij, nëpër gazetat shqiptare.
Kjo njohje u konkretizua nga afër, kur unë pata nderin të përfaqësoja Shqipërinë, si Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Ndreka ishte vendosur në këtë të fundit, prej disa vitesh dhe jetonte e punonte në një nga qytetet e saj, më perëndimore, në Galway.
U vura në kontakt me të dhe kjo bëri që të ndërtonim një miqësi, e cila ishte krejt në shërbim të promovimit të Shqipërisë dhe Kosovës në Irlandë. Si një shkrimtar dhe aktivist i Bashkisë së Galway-t, ai mundësoi hapje ekspozitash për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin ku jetonte.

Më tej bashkëpunimi ynë, u shtri edhe në aktivitete të përbashkëta, për shkak se puna e Ambasadës tonë në Londër shtrihej edhe në Irlandë.

Me datën 10 tetor të vitit 2013, unë paraqita letrat kredenciale, tek Presidenti i Republikës së Irlandës, Sh.T. z. Michael D. Higgins. Takimi me atë burrë shteti dhe intelektual të shquar të Irlandës, ishte shumë mbresëlënës në çdo aspekt.

Duke e pas njohur mirë që përpara statujën e Presidentit irlandez, mendova që ta “surprizoja” me një gjest shumë të thjeshtë, pa asnjë shpenzim, por shumë kuptimplotë. Për këtë, ndonëse pa e pyetur, më erdhi në ndihmë autori i këtij libri, Ndreka, kësaj radhe si përkthyes.
Ai kishte njohje me Presidentin Irlandez, për shkak se ky i fundit, ishte një ndër themeluesit e shoqatës “Miqtë Irlandezë të Shqipërisë”, ku bënin pjesë shumë intelektualë të qytetit Galway.

Ndreka kishte përkthyer në gjuhën shqipe një seri vjershash të Michael D. Higgins dhe i kishte botuar në Gazetën Nacional në Tiranë. Unë i mora ato vjersha, i printova dhe i lidha bukur në një liberth dhe gjatë audiencës private me Presidentin, ia dhurova atij.

Presidentit i shndritën sytë. Ai as që e priste një gjë të tillë. Pasi i hodhi një sy ai më tha:
“Jam shumë i nderuar dhe i lumtur. Kam shumë libra të mijtë të përkthyer në gjuhë tjera, të cilat gjënden në bibliotekën time, por nuk kam asnjë të tillë të përkthyer në shqip. Ky do ta zbukurojë koleksionin tim, madje do ta vendos në krye të tyre.”
I thashë me shaka se i takon, pasi emri i vendit tim fillon me germën “A”. Ai qeshi dhe më tha: “Jo, jo thjesht për këtë arsye! Unë e njoh autorin, por nuk e dija se më paska përkthyer në gjuhën e nënës së tij.”

E përmenda këtë fakt, për të vënë në pah një nga cilësitë e autorit të këtij libri dhe ndikimin që ka patur veprimtaria e tij e shumëanëshme letrare jo vetëm në jetën e tij, por edhe në promovimin e Shqipërisë në një vend si Irlanda.

Libri “(Sh)Krime në Histori” është një kolazh rrëfimesh shumë interesante, të cilat Ndrek Gjini, i ka mbledhur me shumë përkujdesje. Në fakt ai i ka mbledhë si bleta piklat e mjaltit e të polenit nëpër cepa të ndryshëm të botës. Kështu ai ka vënë në një seri aq interesante ngjarjet që kanë të bëjnë përherë në një mënyrë ose në një tjetër me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Personazhet e këtij libri janë emra shumë të njohur të lidhur me historinë e Shqipërisë, në një mënyrë ose një tjetër.

Vetë titulli është shumë intrigues, pasi ai luan me germën “Sh” në thojza, duke vënë dy fjalë: Shkrimin dhe krimin. Në të vërtetë ai duke shkruar këtë libër ka zbuluar edhe shumë veprime të cilat shkojnë deri në definicionin e krimit.

Ndreka shkon në këtë libër deri në zonat më të largëta malore të Shqipërisë, në Valbonën, ku ecën mbi kalë njëri nga njerëzit më të shquar, pra të udhëtarit britanik që ka shkruar librin “Land of Eagles”, Robin Hanbury – Tenison. Në libër gjejmë një sygjerim shumë interesant për mbrojtjen dhe ekspozimin për efekte turizmi dhe njohje elementët e ruajtur paganë në Shqipëri, ashtu siç ka bërë Irlanda në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.
Autori na sjell fakte të rralla, siç është kumbaria e Preng Bib Dodës me Napoleonin e Tretë, si edhe dhuratën që komunistët shqiptarë i bënë Hrushovit, duke i dhënë kostumin e mrekullueshëm shqiptar të veshur nga Preng Bib Doda.
Në libër lëvizin personazhe me fat tragjik, shqiptar të talentuar dhe vlera të vërteta për kombin si Rexh Meta, i adaptuari i gazetares më të madhe të kohës së vet, Roze Wilder Lane.
Më tej, gjen përshkrimin për fatin tragjik të atyre që formuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Autori ndalohet tek akti fisnik i shqiptarëve në mbrojtjen e hebrejve, gjatë Luftës së Dytë Botërore të personifikuar në figurën e Kolë Bibë Mirakës, i cili ndihmoi në përcjelljen e hebrejve drejt zonave të lira e të sigurta të Italisë së Jugut.
Rrëfimi i Meave de Burgh, që i bën mbesës së saj të famshme irlandeze, Miss Botës 2013, Rosanna Davison, rreth fatit të keq të patriotëve shqiptar që u martirizuan prej tradhëtisë së madhe të Kim Philbit është tronditës. Ai është një rrëfim i alternuar midis çarmit të një bukuroshje dhe tragjedisë së qindra shqiptarëve që ranë në duar të sigurimit të shtetit, për faj të asaj tradhëtie.
Në shkrimin për Dom Nikoll Kaçorrin, autori ndalet tek kontributi – jo aq i vënë në pah – i njërit nga patriotët më të mëdhenj të kombit shqiptar të shekullit të njëzetë.

Po ashtu, ai nuk harron të shënojë atë, Nënë Tereza, e cila e kishte filluar misionin e saj pikërisht në Irlandë, me punën e saj për paqën në zonën më të rrezikshme të Irlandës së Veriut, pikërisht aty ku vdekja sillej çdo ditë – në Ballymurphy.
Në libër “hasen” dy figura të ndritura, simboli i rezistencës anti komuniste në Shqipëri – Pjetër Arbnori si dhe autori i librit “Tradhëtia e Madhe”, Lordi anglez Nicholas Bethel në një rrëfim rrënqethës rreth tradhëtisë së Kim Philbit.
Një koincidencë gati e pabesueshme, e sjell librin e Lordit, të nënshkruar prej tij për Mbretëreshën Gerladinë, në bibliotekën e autorit të këtij libri, cili e ka blerë këtë libër online në Amazon. Në një botë kaq të madhe, ndërlidhen gjërat në një mënyrë aq spontane, sa të bëjnë që me të vërtetë të habitesh.

Autori nuk ka lënë pa përmendur edhe fakte interesante nga jeta e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit modern shqiptar.
Të lexosh këtë libër do të thotë të mësosh për shumë njerëz, ngjarje e ndodhira aq interesante dhe të rëndësishme, por thuajse tërësisht të harruara.

Libri i shton bibliotekës së Ndrek Gjinit edhe një titull të ri dhe interesant.