Mal Berisha – HAPPY FOURTH!

HAPPY FOURTH!
GËZUAR 246 VJETORIN E PAVARËSISË SË AMERIKËS MIKE!
GËZUAR 49 VJETORI I MARDHËNIEVE DIPLOMATIKE DHE MIQËSORE SHQIPËRI SHBA!


Sot është 4 korriku, dita e Festës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast iu uroj shtetasve më të bukur amerikanë (në sytë e mi) Andra dhe Skai Berisha:
Gëzuar 4 Korrikun!
Po ashtu ju uroj gëzuar tërë shqiptaro – amerikanëve të cilët kanë ndërtuar një jetë më të mirë në atë vend të madh e mik të shqiptarëve, GËZUAR!
Përvjetori i 246 – të i Festës Kombëtare të Shteteve të Bashkuar koincidon edhe me 100 vjetorin e vendosjes së mardhënieve diplomatike – Shqipëri – ShBA. Për këtë ngjarje, urimi im është:
GËZUAR 49 VJETORIN E MARDHËNIEVE DIPLOMATIKE SHQIPËRI – SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!
Vini Re!
Janë vetëm 49 vite mardhëniesh miqësie. 51 vite ishin mardhenie armiqësie.

Prolog

Kur isha fare i vogël, dëgjoja se një vëlla dhe një motër e babait tim jetonin në Kosovë. Halla, ishte martuar tre vjet para lindjes time ndërsa xhaxhai, ishte larguar nga Shqipëria një vit pasi kisha lindur unë. Vitet kaluan dhe në vitin 1966 u mësua se xhaxhai im ishte larguar nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk vonoi shumë dhe filluan të vijnë ca letra në zarfa të cilat kishin një rreth me tre ngjyrat e flamurit amerikan. Pas letrës së parë pasoi e dyta, e treta dhe pas tyre, pasoi dëbimi ynë politik.
Ishte shtatori i vitit 1966, kur u morëm me forcë dhe u përplasëm në Grykën e Drojës, Shpërdhet, në Mamurras. Aty ne u ndiem jo vetëm të keqtrajtuar si armiq të klasës për shkak të lidhjeve me Amerikën, por edhe të braktisur nga shumë prej njerëzve tanë. Ishte frika e rregjimit komunist anti-amerikan. Nuk i gjykuam keq njërzit që u larguan pasi i dominoi frika nga pushteti…!
Në fakt ardhja e ndonjë njeriu në derën e asaj shtëpie pothuajse të pabanueshme përbënte gëzim. Por kjo ndodhte shumë rrallë.
Por kishte edhe guximtarë. E pra një ndër njerëzit e parë që shkeli në atë derë ishte një djalosh tropojan, student i fakultetit të mjeksisë.
Ai ishte vetë Sali Ramë Berisha, mjeku, kardiologu dhe politikani i ardhëm, arkitekti i mardhënieve diplomatike, miqësore, ushtarake, ekonomike, kulturore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte ai, që më vonë përherë do ta thërrisnim Doktori, që guxoi bashkë me poetin që u bë i njohur më vonë, Avni Mulaj që të na vizitonin, shihnin dhe mëshironin në kushtet e tmerrshme ku po jetonim. Ardhja e tyre dy djaloshave nga Tirana shkaktoi gëzim të madh në familjen tonë.

Verë e Vitit 1990

Në verëm e vitit 1990, babai im u sëmur rëndë dhe u shtrua në pavionin e zemrës në Tiranë. Në atë kohë kishte rënë Muri i Berlinit, ishte shpallur Kuvendi i Kaçanikut në Kosovë dhe kishte filluar eksodi i shqiptarëve drejt perëndimit.
Në atë kohë Dr. Sali Berisha ishte bërë shumë i njohur edhe si mjek por për edhe për polemikën e tij me ish – diktatorin Ramiz Alia në takimin me intelektualët e Tiranës. Aty ai kishte deklaruar se ishte për pluralizëm politik si dhe kishte botuar disa shkrime në gazetën Bashkimi.
Babai im, pacient, plot shpresa dhe iluzone për atë që po ndodhte por edhe i shqetësuar për fatin e vetë doktorit e pyeti atë:
– Doktor, a thue mos po vjen koha e atyne që kemi në Amerikë?
Ishte fjala për xhaxhain tim dhe babain e Fadil Berishës, fotografit që sot e tregon faqen e bukur të shqiptarëve. Të dy ata ishin shtetas amerikanë.
Përgjigja e Doktor Berishës ishte e menjëherëshme:

– “Po dhe Po! Koha e tyre dhe e Amerikës po vjen dhe do të vijë. Sepse Amerika kurrë nuk ka bërë gjë të keqe ndaj ne shqiptarëve. Përkundrazi, është Amerika që na ka shpëtuar nga shkatërrimi i plotë. Do vijë koha e Amerikës për të mirën e kombit tonë sepse i vetmi mik besnik i shqiptarëve në botë është Amerika.”

Për të gjithë ne që ishim aty, kjo deklaratë ishte e frikëshme. Nuk kaloi shumë kohë dhe në dhjetorin e atij viti, studentët e Universitetit të Tiranës me intelektualët e tjerë dhe me Azem Hajdarin dhe Sali Berishën në ballë, e sfiduan diktaturën.

Verë e vitit 1991 – FREEDOM WORKS

Në verën e vitit 1991 James Baker, Sekretari i Shtetit amerikan “mlodhi” në Sheshin Skënderbej 300.000 shqiptarë. Fjalimi i tij me sloganin “Freedom Works” dhe deklarimi I tij se “nxitova të vija pasi iu përgjigja ftesës së Dr. Berishës, i cili më ftoi të vija sa më shpejt në Shqipëri”, e kualifikoi Dr. Berishën si liderin më pro – amerikan që dilte pas 47 vjetësh armiqësi të pashembullt të nomeklaturës komuniste shqiptare e cila e quante SHBA – në, “Imperializmi Amerikan, Xhandari Ndërkombëtar i Popujve”, etj.
Disa prej atyre që e thërrsinin me këtë emër Amerikën, patën fatin por nuk patën turp që dolën në tribunën e asaj dite. Sot, në vijim të traditës editoriale çensuruese komuniste, kjo ngjarje retushohet nga duar të njejta të asaj kohe, duke hequr protogonistët e vërtetë dhe vendosur në piedestal autorët e antiamerikanizmit shqipëtar.

1992 – Sali Berisha Në zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë

Në vitin 1992 në Shqipëri u vendos pluralizmi politik. Dr. Berisha u prit në Shtëpinë e Bardhë prej presidentit George Huber Bush dhe mori si dhuratë stilogarfin me të cilën Presidenti Amerikan nënshkroi marrëveshjen e parë me Shqipërinë pas 60 vjetësh që kur Herman Bernstein dhe Ahmet Zogu kishin nënshkruar një marrëveshje midis dy vendeve, në vitet ’30.
Presidenti Bush tërhoqi vijën e kuqe që i vuri Milosheviçit dhe Serbisë ndaj Kosovës. Ishte e qartë se pro – amerikani më i madh shqiptar ishte pikërisht Sali Berisha. Ai ishte i pari udhëheqës i vendeve ish – komuniste që aplikoi për antërasimin e Shqipërisë në NATO dhe në një varg organizatash të tjera Ndërkombëtare. Praktikisht ai u bë njeriu më i dashur i Amerikës pasi përmbysi diktaturën më të egër komuniste të Evropës. Është e tëpërt të përmend këtu tre vizitat e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe miqësinë me të gjithë presidentët amerikanë, Geroge H. Bush, Bill Klinton, George W. Bush dhe Barack Obama.
Gjithçka kulmoi me ardhjen e Presidentit George W. Bush në verën e vitit 2007. Që nga Tirana ai dha dy sihariqet më të mëdha për popullin shqiptar: Pavarësinë e Kosovës dhe antarësimin në NATO.
Këto janë data dhe vite për tu festuar brenda 49 vjetëve të mardhenjëve diplomatike, sot në ditën e 4 Korrikut, Festës së Amerikës.

Ndërsa 51 vite të mungesës së plotë të mardhënjeve diplomatike me ShBA – në nuk janë për tu festuar, por janë për tu vajtuar.
Ato fillojnë që nga pushtimi Italian i Ambasadës Amerikanë në Rrugën e Elbasanit në shtatorin e vitit 1939 dhe mbajtja e saj prej tyre deri në vitin 1991. Mungesa e tyre duhet vajtuar në nderim të mijëra shqiptarëve që u internuan, u burgosën, u ekzekutuan thjesht dhe vetëm pse ishin njerëzit që e donin Amerikën. Në dy cepat e harkut kohor të kësaj periudhe të errët shënohen fatet e dy miqëve të Ambasadorëve Amerikanë, Herman Bernstein, Post Wheeler dhe Hugh G. Grant, përkthyesit Kol Kuqali dhe Loni Adam. Ata jo vetëm që e paguan me kokë atë miqësi, por makabritetin e formës së ekzekutimit të tyre në vitin 1945, mund ta ketë kaluar Havzi Nela i ekzekutuar në verën e vitit 1988 dhe I lënë në mes të Kukësit për 2 ditë që të loznin kafshët e rrugës me trupin e tij të vdekur.

Të zbardhësh të vërtetën historike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kur historinë e shkruajnë ata ose pinjollët e atyre që I bënë këto makabritete është një detyrë e vështirë.
Por si një dashnor I Amerikës së Lirë unë e kam kthyer atë në detyrim personal të një filozofie kombëtare të qenjes time dhe të vetë të së ardhmes së vetë ne shqipëtarëve.
FREEDOM WORKS:

Epilog

Amerika është ajo që na e mësoi këtë!
Amerika na mësoi se duhet hequr qafe diktatura me mjete demokratike.
Rroftë 4 Korriku!
Happy Fourth.
Happy 49th anniversary of Albanian – American Diplomatic and Friendship Relations!
Të gjithë në shesh më 7-7-7,
O burra, në shtatë e në shtatëdhjetë!

—————

Mal Berisha