Lavdi atyre që e vranë FRIKËN më 12 Dhjetor 1990!
Mal Berisha
“ATA HYJNË PA TROKITUR”
Dramë me një akt, shkruar nga Armand Bora
Shënime nga salla e teatrit: Producer Club Theatre, Manhattan, New York City.
Prapavështrim, LONDËR, 2014
Në vitin 2014, kam patur rastin të pres në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, ekipin restaurues të filmit shqiptar “BENI ECËN VETË”.
Në atë rast aktori kryesor i filmit, fëmija i dikurshëm Beni, Heroin Mustafaraj, tanimë burrë dhe aktor i njohur, ishte i pranishëm dhe i gëzohej restaurimit të atij filmi që e kishte bërë të famshëm në fëmijërinë e tij.
MANHATTAN, 2 DHJETOR 2023
Kaluan kaq vite që atherë dhe ja tek e takoj përsëri Herionin në një teatër simpatik në zemër të Nju Jorkut, tek luan një pjesë teatrale e cila e mban spektatorin të “gozhduar”, tërë kureshtje dhe emocion, për afro një orë e gjysëm.
MISIONI I TEATRIT
Teatri ka një mission: Spektatori jo vetëm të emocionohet por edhe ta gjeje vetveten brenda ngjarjes, t’i ngjajë karaktereve, të përjetojë ngjarjen ose të ndjejë dramën e tyre siç mund t’i ketë ndodhur vetë, ose sikur që mund t’u ngjasë të tjerëve që njeh në një mënyrë ose në një tjetër.
“ATA HYJNË PA TROKITUR”
(They never knock)
Dramë e shkruar nga Armand Bora
Kjo pjesë teatrale me një akt dhe vetëm dy aktorë paraqet auto-dramën e një familje të thjeshtë, intelektuale në Shqipëri, e cila ka jetuar me ndershmëri, pa bërë asnjë “gabim” që mund të cenonte rregjimin diktarorial, por që jeton me frikën se rregjimi me veglat e tij një ditë do të trokasë në derën e tyre. Burrë e grua, e arsyetojnë dhe ngushëllojnë njëri tjetrin se kurrë nuk kanë bërë gabime, kurrë nuk ia kanë prishur terezinë rregjimit. Por, ama ata e dinë se rregjimi i vështron, i shikon, i heton, i përgjon, i invesitgon dhe një ditë nëse don, edhe i denon. Prandaj ata presin me ankth momentin kur “ata”…të vijnë dhe t’i marrin, t’i arrestojnë t’u rrënojnë jetën…(!?)
Ky ankth i denatyralizon deri në atë masë sa të mos i gëzohen dot jetës së tyre të ndërtuar me aq kujdes dhe me aq frikë…
VLERA PËRGJITHËSUESE E DRAMËS
Ka shumë individë, pjestarë të popullit të vet që e kanë gjetur vetveten në rrethana të tilla si këto në këtë dramë. Për shembull, popujt që ranë nën thundrën naziste. Natyrsht historitë e hebrejve janë tanimë më të njohurat dhe pritja e Ana Frankut është përjetësuar në shumë vepra artistike, bazuar në ditarin e saj. Asaj i erdhën një ditë…
Në të tilla rrethana u gjetën popujt që ranë nën sundimin sovjetik.
Më i famshmi i shkrimtarëve sovjetikë të kohës, Aleksandër Solzhenitsyn, autori i “Arqipelagut Gulag” dhe një kritik i regjimit sovjetik u përball me frikën e autocensurës dhe kompromisit.
Le të kujtojmë këtu Plakën Nurihan të Ismail Kadaresë tek I vëzhgonte nga bodrumi I shtëpisë që dikur ishte e saja e tëra, tek I thonin njëri tjetrit
Natën e mirë!
Dhe ajo i percillte me pëshpërimëni:
Natën e nxirë!
Përpjekjet e tij të brendshme silleshin rreth ruajtjes së integritetit të shkrimit të tij, në një mjedis shtypës të censurës sovjetike dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga persekutimi.
Në të tilla rrethana e gjetën shqiptarët vetveten nga viti 1939 deri më 1991. Ishin fashistët italianë në fillim, pastaj nazistët gjermanë e më pas, eh e më pas… erdhën komunistët që i survejonin njerëzit. Gjatë sundimit të këtyre të fundit u ngulit frika me gjithëfarë mjetesh tek individi shqiptar për të ruajtur të ashtuquajturin pushteti i popullit. Frika u bë instrumenti më i fortë në ruajtjen e pushtetit ku edhe muret kishin veshë…
Duke parë atë shfaqje më rrinte në mëndje dhe më kthehej në kujtesë frika e babait dhe djalit të tij, të cilët çdo mëngjes kur niseshin për punë i thoshin njëri tjetrit:
Lamtumirë!
Ata i ndiqnin.
Ata nuk u arrestuan. Por hija e përndjekjes dhe frika e arrestimit ua nxiu jetën.
“E VETMJA GJË QË DUHET TË KEMI FRIKË ËSHTË VETË FRIKA…”
…pat thënë Franklin Roosevelt, kur u zgjodh President i Amerikës në vititn 1933, në kulmin e depresionit ekonomik dhe të krizës së rëndë që kishte pllakosur Amerikën.
Në kontekste të ndryshme filozofike dhe psikologjike, vetë-kontrolli i frikës duket si një akt vendimtar por shumë, shumë i vështirë.
Frika e injektuar tek njeriu i thjeshtë mga diktatura, e cila shpesh shfaqet si dyshim, pasiguri dhe persekutim, edhe pse është i pafajshëm, edhe pse i pa-implikuar është vështirë të vetë – kontrollohet. Ajo bëhet pengesë serioze tek indivitët e pafuqishëm duke i kthyer ata në njerëz të vetë izoluar, jo produktivë, inertë, të padobishëm për shoqërinë. Ajo i bën ata të jetojnë në një botë tmerri dhe konformizimi të turpshëm.
Intelektualët në regjime të tilla mund të kenë frikë nga persekutimi, burgimi ose dëmtimi i tyre dhe i familjeve të tyre bazuar në idetë, shkrimet ose mbrojtjen që mund t’i bëjnë lirisë dhe drejtësisë shoqërore, kolektive dhe inviduale.
Mbikëqyrja e vazhdueshme dhe rreziku i ndëshkimit i shtyn ata drejt autocensurës. Ata mund t’i fshehin mendimet dhe idetë e tyre të vërteta, duke shtypur lirinë e vet intelektuale nga frika e persekutimit, shtypjes, burgimit etj, dukuri të jetës nën rregjime diktatoriale.
Atherë atyre iu lind dilema ekzistenciale:
Kur frika mposht guximin, krijimtaria e vërtetë mbytet ose bëhët konformiste.
Aftësia intelektuale pengohet dhe kontributi i vërtetë shoqëror, sado i talentuar të jetë individi, zbehet në mënyrë domethënse dhe nuk i shërben përparimit shoqëror, madje bëhet pjesë e frikës dhe modeli më i keq i mbijetesës njerëzore.
Kjo është edhe mënyra më e përhapur e abuzimt mbi liritë e individit.
VEPËR TEATRALE BINDËSE
E gjithë kjo analizë e frikës që mbart njeriu nga rregjimi transmetohet në një formë tejet bindëse, emocionale, me një gjuhë të pastër, të qartë dhe të kthjellët nga dy aktorët që i dhanë jetë tekstit të shkruar me aq finesë, nga Armand Bora.
Duhet thënë se në asnjë batutë, frazë apo paragraph, qoftë kur aktorët dialogonin apo kur monologonin, nuk gjëndej ndonjë fjalë e tepërt.
Dialogu i Herionit në rolin e hetuesit ndaj Erës dhe i Erës në rolin e hetueses ndaj Herionit sjellin në skenë emocion, frymë, ritëm, dramë, ankth…
KONKLUZION
Era dhe Helioni na kanë kujtuar se sa të pa – zotët ishim për ta kundërshtuar të keqen. Por ata sjellin edhe një mesazh për dy kategori njerëzish që edhe sot jetojnë në mënyrën e tyre por mbrapa në kohë, bash në kohën që i referohet drama, para 12 dhjetorit të vitit 1990.
Janë pikërisht këto kategori të cilat i sulmojnë çdo ditë ata që guxuan të ngriheshin në Dhjetorin e vitit 1990 për t’i çliruar shqiptarët nga prangat e frikës që shfaqet kaq bukur në interpretimin rrënqethës të Helionit dhe Erës në dramën e Armandos, “Ata hyjnë pa trokitur”.
Meqë jemi në prag të 8 dhe 12 dhjetorit, ditëve kur u vra FRIKA në Shqipëri dua të thërras:
Lavdi atyre që e vranë FRIKËN!
Suksese artistëve dhe artit jo-konformist!