NJË DITË QË MBAHET MEND NË “MUZEUN E ARTIT” ME EMRIN VOSKOPOJË
NGA MAL BERISHA
Në dhjetor të vitit 2022, revista amerikane më prestigjioze në botë, National Geographic, botoi një artikull të Ben O’Donnell-it me titull:
“DISA NGA AFRESKET MË MADHËSHTORE MUND TË GJENDEN NË ‘PARIS-IN E BALLKANIT’”,
Kushtuar afreskeve dhe pikturave murale të kishave të Voskopojës.
Edhe pse e kam vizituar disa herë Voskopojën, ky shkrim – ndër më domethënësit e viteve të fundit për trashëgiminë kulturore shqiptare – më shtyu të rikthehem aty përsëri aty, këtë herë me një qëllim të qartë: Të shihja më me vëmëndje afresket që kishin zënë vend në faqet e revistës.
Këtë herë u ndala më së shumti te Kisha e Shën Kollit, një nga objektet e përmendura në artikull. Përballë afreskave të shekullit XVIII, të krijuara nga mjeshtrat Zografi dhe David Selenica, ndjeva kontrastin e fortë mes madhështisë së një epoke dhe rrënimit që sollën kohërat.
Aty ku dikur arti fliste me një gjuhë universale për shpirtin njerëzor, sot shfaqen afreske të gërryera, ikona të thyera dhe mure të heshtura.
Megjithatë, edhe pse të dëmtuara, ato mbeten dëshmi të jashtëzakonshme të guximit, dijes dhe besimit të shqiptarëve të asaj kohe.
Fotografitë që bëra e tregojnë qartë këtë kontrast dramatik: Madhështinë e artit dhe faktin që këto vepra i shpëtuan sundimit osman, por jo dëmtimit dhe degradimit të shkaktuar gjatë periudhës komuniste dhe shtetit ateist.
Trashëgimia e Voskopojës nuk është vetëm një koleksion i jashtëzakonshëm veprash artistike. Më shumë se aq, ajo është testament i identitetit tonë kombëtar.
Shtysë për vajtjen time atje këtë herë ishte edhe fakti se ky artikull plotëson kollanën e shkrimeve për Shqipërinë. Ato të mëparshmet i pata përmbledhur në librin tim të botuar në vitin 2006,
“SHQIPTARËT – LISA MBI TRUALLIN ILIR”,
ku përmblodha çdo shkrim që National Geographic kishte botuar për shqiptarët nga viti 1908 deri më 2003.
Shqipëria u përmend për herë të parë aty më 1908, e më pas në vitet 1909, 1912 e 1913. Artikulli i parë i plotë, i ilustruar dhe me informacion të pasur, u botua në gusht 1918 nga Gjeneral Brigade amerikani George P. Scriven me titullin “Vëzhgime të kohëve të fundit në Shqipëri”. Në dhjetor të atij viti shqiptarët u përfshinë gjerësisht në një artikull mbi “Racat e Evropës”.
Më tej erdhën kontributet e Luigi Villarit me “Racat dhe fetë në Maqedoni”, shkrimi i Melville Chater “Mbretëria më e re e Evropës” (1931), dhe pastaj artikulli tronditës i Sami Kohen dhe Hasan Biber “Shqipëria e vetme kundër gjithë botës” (1981), si dhe shkrime të tjera që pasqyruan dramën dhe forcën e shqiptarëve, si Kenneth C. Danforth: “Jugosllavia – një shtëpi e përçarë”, për aparthejd-in sllav ndaj shqiptarëve të Kosovës; Dusko Doder: “Shqipëria i hap dyert” (1992); Prit Veselind: “Shqiptarët – një popull i ç’bërë” (2002).
Artikulli per Voskopjwn e vërteton edhe një herë vëmendjen e kësaj reviste për ne shqiptarët
Shenim:
Ju lutem pasi të shikoni fotot që po postoj, klikoni në linkun e revistës dhe shikoni fotografitë e saj të cila janë të mbrojtura nga e drejta e autorit.