MAL BERISHA – NJË MBRËMJE ME VISAR ZHITIN NË QENDRËN “ONUFRI” NË TIRANË

NJË MBRËMJE ME VISAR ZHITIN NË QENDRËN “ONUFRI” NË TIRANË

NGA MAL BERISHA



Para pak ditësh pata nderin dhe kënaqësinë të merrja pjesë në promovimin e librit më të rrallë që ndonjëherë kam patur në dorë. Ai titullohet:

DORËSHKRIMET E FSHEHTA TË BURGUT

Shkruar nga shkrimtari ynë shumë i njohur VISAR ZHITI dhe botuar me cilësi të lartë nga Shtëpia Botuese ONUFRI.



Në faqen e parë të librit, poshtë emrit të autorit dhe titullit, shkruhet:

Poezi – Botim Anastatik.

Ky përcaktim i llojit të këtij botimi më shtyu të kërkoj nëpër fjalorë për të kuptuar se çfarë ishte ky lloj botimi. Sado që e kisha hasur edhe në botime të tjera si ato të Fishtës, të françeskanëve si dhe të veprave të tjera të mëparshme m’u desh  të studioja kuptimin e kësaj fjale, dhe pse ishte vënë në faqen e parë të këtij libri.

Në Fjalorin e Oxfordit gjeta se fjala ‘Anastatic‘ vjen nga greqishtja e lashtë që do të thotë “Ringjallje”. Ndërsa në gjuhën e shkrimeve ajo ka kuptimin e metodës së riprodhimit, të rikthimit në vlerën e vet të një materieli të shkruar në letër ose siç quhet përsëri me një term të huaj “Papirografia”. Pra kjo ka të bëjë me procesin e riprodhimit grafik, i cili fillimisht është quajtur “Shtypje Anastatike”.

Zbatimi i kësaj metode daton që në vitin 1841 dhe është vënë në jetë nga pronarët e revistës ATHENAEUM në Angli. Në fillim ajo u shtyp vetëm në 4 kopje, por më pas mori përhapje shumë të gjërë për të ardhur deri tek printerat dhe fotokopjuesit e sotëm modernë, natyrisht shkallë –  shkallë sipas zhvillimit të teknologjive, të secilës etapë.

Në fakt brendia e librit të radhës së Visarit e justifikon plotësisht këtë emërtim duke patur  një të veçantë të madhe:

Ndërsa shkrimet që duhen riprodhuar me metoda të tilla, që nga litografia e deri tek dixhitalizimi, kërkojnë t’u heqin shenjat e mbetur në letër gjatë përdorimit të tyre me dorë, ose agjentëve të tjerë, si rënia e bojës, zvargia për shkak të vjetërsisë, etj, poezive të Visarit është dashur t’i hiqen shenjat e shputës së këmbës së vetë autorit.

Pra ajo që sjell Visar Zhiti në këtë libër është diçka tepër e rrallë, e veçantë dhe gati e pa-besueshme, për lexuesin.

Poezi me shenja këmbësh në to!?

Librin  e ka përgatitur një poet dhe studiues shumë i ri, Andreas Dushi, i cili  i quan poezitë e Visarit:

 POEZI MARTIRE.

Për këtë ai ka bashkëpunuar me Enxhi Hudhrin e Shtëpisë Botuese ONUFRI.

Çfarë e bën këtë libër të veçantë?

1.- Poezitë janë shkruar të gjitha ndërkohë që autori ishte në burg me akuzën se shkruante poezi. Siç e thotë ai, me një dozë humori dhe ironie:

“Meqë kisha rënë në burg për poezi, thashë me vete, pse të mos shkruaj edhe aty poezi!? Më keq se aq a kishte ku të shkonte?

2.- Poezitë janë “trafikuar”, pra janë nxjerë nga burgu në mënyrë shumë klandestine duke ua dhënë vizitorëve që t’i merrnin dhe ti ruanin, edhe pse kjo përbënte rrezik shumë të madh edhe për atë vetë edhe të afërmit që i merrnin me vete;

3.- Nga qelia deri tek marrësi i poezive ato janë “trafikuar të shtrira në TABANIN E KËPUCËVE. Duke qenë se mbaheshin për një farë kohe nën shputën e këmbëve, ato rrudheshin, zbuteshin nga djersa, prandaj merrnin format e shënjave të këmbës së Visarit. Ato gjënden thuajse në çdo letër të riprodhuar në libër;

4.- Libri nuk është shtypur në kompjutër por me vetë letrat origjinale të vëna në libër siç kanë qenë në faqet e 11 fletoreve të nxjerra jashtë burgut, pra me ANASTATIKË

Në prezantimin që djaloshi i talentuar Andreas Dushi i bëri poezive, ai iu dha pjesmarrësve një ide të qartë se çfarë përmbante libri dhe pse ishte përdorur metoda anastatike. Kjo metodë në fakt në këtë libër shkakton një përzierje të ndjenjave estetike, të kënaqësisë që të jep letërsia aq e bukur që shkruan Visari me dhimbjen dhe tmerrin që mbartin ato duke pasë me vete shenjat e këmbëvë të autorit. Prandaj dëgjuesi në sallë dhe më vonë lexuesi i librit kalon në një proces reflektimi të mundimshëm sa estetik aq edhe të dhimbshëm, pasi e “vendos veten në këpucët e autorit” kur sheh se në çdo faqe ato poezi janë “shkelur” prej vetë atij.    

I pyetur nëse kishte frikë nga poezitë e tij në burg dhe aq më tepër nga trafikimi klandestin i tyre, duke rrezikuar edhe për vete e sidomos për njerëzit e tij, nënën, motrën dhe të tjerë që i merrnin dhe duhej t’i ruanin,  Visari u përgjigj:

“Natyrisht që kishte frikë, por kishte edhe guximin për ta mposhtur atë.”

Në atë çast mu kujtuan fjalët e udhëheqëses birmaneze Aung San Suu Kyi, e cila ka vuajtur dhe ende vuan në burgjet e diktaturës së vendit të vet kur thotë:

“I vetmi burg është frika dhe e vetmja liri e vërtetë është çlirimi nga frika”.



Visari, në systemin komunist ishte “më i lirë” në burg sesa jashtë dhe “më i burgosur” jashtë sesa brenda burgut.

Rregjime diktatoriale, raciste, komuniste, fashiste, bota ka njohur shumë dhe ende njeh. Por në një mënyrë ose në një tjetër, pas rënies së diktaturave, njerëz të tillë janë rehabilituar. Mandela për shembull u bë president. Arbnori ynë u bë Kryetar Parlamenti. Në Kosovë, rrugët janë mbushur me emrat e martirëve të cilët u sakrifikuan në kohën e komunizmit, qofshin si të burgosur të ndërgjegjes apo të çështjes kombëtare. Ata janë përjetësuar, edhe për së gjalli.

Edhe Visari, i cili tërë jetën kishte luftuat për lirinë, e gjeti veten një ditë të lirë, pastaj deputet, pastaj edhe ministër, edhe diplomat!

Por a do vijë dita që ai dhe njerëz si ai të përjetësohen në emra rrugësh apo objektesh të artit, në muzeume apo vend-takime, për kontributin e tyre të dhënë në kushtet e reperesionit të egër diktatorial? Sa për veprën e tyre të jashtëzakonëshme aq edhe për guximin që kanë treguar?

Unë them se po. E drejta vonon por nuk harron!

Falemnderit Visar që na bën trima dhe krenar!

Libri ka qindra poezi por unë po veçoj atë me titull:

LIRIA

E di, vlejnë Dielli,

Ujrat, tokat shtëpitë

Pemët, qielli, pyjet

Po s’me gëzojnë sa ti.

 

Pra them se ti je Dielli,

            Ujrat, toka, shtëpitë,

            Shirat,

Edhe frymëzuesja ime je ti,

Fytyrë e njeriut.


Është nder dhe krenari të jesh mik me Visar Zhitin dhe Eda Agaj – Zhitin.