Recencë e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, dt 24 qershor, 2016.
Kam nderin dhe kënaqësinë që sot në këtë tubim për promovimin e librit PARADOXUS ALBANICA të marr fjalën përpara kësaj audience të nderuar dhe të them dy tre gjëra rreth vetë librit dhe personit të cilit i kushtohet. Në fakt do të thoja më së pari per shqiptarin e madh, patriotin, pastaj intelektualin, biznesmenin e suksesshshëm, familjarin, z Hajri Içli Kelmendi.
Por përpara se të flas për këtë, dua të shënoj një moment nderimi për vdekjen e z Enver Tali të cilin e humbëm disa ditë më parë. Ai ishte një patriot i madh shqiptar i Kosovës, një njeri të cilin shumë prej nesh e kishim vëlla, mik të mirë dhe bashkëluftëtar në betejën për Kosovën. Ai ishte mik i ngushtë edhe i zotëri Hajri Içli Kelmendit. Ai u nda nga jeta pak ditë më parë. Nderim për Bacën Enver i cili i kushtoi jetën Kosovës. Profesor Osmani i ka kushtuar një libër atij burri të madh të çështjes tone kombëtare me titull: “Enver Tali, Maraton i Lirisë.”
Më lejoni të them se sot kësaj biblioteke që mban vlera historike, i shtohet edhe nje libër i cili përmban një histori njerëzore shumë të vlefshme për lexuesit e saj. Është një libër, është një gur i cili ze një vend nderi në mozaikun e veprave që tashmë nëpërmjet të jetës së individëve plotësojnë kuadrin e gjërë të historisë së Kosovës. Libri Paradoxus Albananica, më shumë se një histori e një familje, e një fisi, apo e një individi, është historia e një udhëtimi plot ngjarje të vetë Kosovës. Ajo histori lëviz e gjallë nëpër trojet shqiptare, të banuara qëmoti. Shumë prej tyre arritëm t’i ruajmë por disa prej tyre, fatkeqësisht Jo. Pikërisht ato prej nga vjen z Kelmendi.
Ky libër është një pasqyrë e jetës dhe punës së z Hajri Kelmendi. Ai fillon me persekutimin serb ndaj familjes së tij, fëmijërinë e tij në Kosovë; largimin që në vogëli drejt Turqisë, vështirësitë e jetës, përpjekjet për tu arsimuar, përpjekjet për të ndërtuar një jetë të re në Turqi, sukseset në biznes, vështirësitë, ndërtimin e familjes, punës dhe veprave patriotike, lidhjeve të pandërprera me vendlindjen, lidhjet dhe kontributin e shquar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Republiën Turke dhe gjetkë, çlirimin e saj dhe njohjen e Pavarësisë si dhe Demokratizimin e Shqipërisë.
Profesor Jusuf Osmani ka arritur që nëpërmjet të një parade të gjatë faktesh të na sjellë në vemendjen tonë një figurë kaq interesante dhe kaq shumë dimensionale siç është zoti Hajri Kelmendi. Në libër lexuesi do të gjejë fakte të shumta nga jeta e Hajri Beut dhe unë nuk dua që të mbivendos konsiderata rreth fakteve. Por do të ndalem në dy tre momente duke e parë atë jo si një individ të thjeshtë por si një fenomen shqiptar. Le ta filloi nga njohja me të.
Ndryshmet demokratike në Shqipëri në vitet ’90 më dhanë mundësinë që të angazhohesha në shërbimin diplomatik shqiptar që nga viti 1992. Posti im i parë ishte ai i konsullit në Konsullatën e Përgjithëshme të Shqipërisë në Stamboll. Ishte Nëntori i atij viti momenti kur unë përherë të parë fillova shërbimin jashtë. Pa ritreguar atë që kam shkruar në libër, në atë kapitull që Profesor Osmani bujarisht më dha hapsirën që ta tregoj, dua të them se unë aty fillova të kuptoj së cfarë ishte Bashkësia Shqiptare jashtë vendit, në Botën Demokratike.
Të mësuar deri në atë kohë me një propogandë bajate, ku shqiptarët që gjëndeshin jashtë thirreshin “Mërgata” dhe, edhe më keq “Mërgata e Qyqeve”. Bashkëatdhetarët tanë krahasoheshin me zogj pa fole, pra me qyqe Kështu që , më duhej që të shihja me vemëndje atë çfarë ndodhte atje, çfarë ishin këta shqiptarë? Në fakt gjithçka që na ishte mësuar, e besonim apo nuk e besonim deri atherë, ishte një stigmë që iu ishte vënë atyre. Por unë nëpërmjet të fenomenit Hajri Içli Kelmendi dhe bashkëatdhetarët tjerë mësova krejt të kundërtën. Mësova se ata edhe pse nuk jetonin në trojet shqiptare, nuk ishin “Mërgata”, por pjesë vitale e kombit, e shkëputur, e prerë dhunshëm, duke i shkaktuar dhimbje të tmerrshme, të larguar dhunshëm nga atdheu. Cilado qoftë arësyeja kjo ishte e vërteta. Dhe kur them atdheu nuk kam parasyshë vetëm Shqipërinë por tërë trojet etnike shqiptare.
E takova për herë të parë Hajri beun natën e 28 Nëntorit të vitit 1992, në pritjen e dhënë nga Konsullata për trupin konsullor të organizuar në Stamboll. Karizmatik, i qeshur, plot energji, tek ai pashë portretin e shqiptarit të vërtetë. Aty takova bij shqipesh të Stambollit të Madh, pasardhës të Rilindasve, Vëllezërve Frashëri.
Unë aty gjeta djem si Kamil Bitish, Celalaten Olmezcan, Yahja Jeshilova, Halil Metin, Nevrus Carkaxhiu, Veton Hoxha, Elita Alo, Armend Spahiu, Jusuf Jusufi, Shefki Osmani e sa e sa tjerë. Në pritjen e asaj nate shqiptarët shndrisnin në Hotel Mercury në Beyoglu dhe ndoshta shumë kush do na kishte zili po të shihte vargun e pafund të luleve të sjellura nga Ten Tour, Vëllazëria Shqiptaro Turke, Turker Nakliat, etj etj.
Që prej asaj natë të bukur feste të pavarësisë, Shoqata Turk ve Arnavut Kardesli Dernegi ishte për mua Vatra e Konsullatës Shqiptare në Stamboll. Aty thuajse çdo të Premte, mblidheshim dhe kuvendonim, mendonim për Shqipërinë dhe natyrisht më shumë për Kosovën. Shoqata drejtohej prej këtyre djemve ndërsa në prapapavijë ishte Hajri Beu, vazhdimisht me ndihmat dhe sponsorizimet e tij.
Unë e mbarova shërbimin në Stamboll në vitin 1997. Një vit më vonë pata fatin të punoja për Shoqata tjera të njohura si Federata Pan Shqiptare e Amerikës – VATRA dhe Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane në ShBA. E para e themeluar nga Noli e Konica para se Shqipëria të bëhej shtet. E dyta ishte themeluar në vitin 1989, nga ish kongresmeni me origjinë arbëreshe Joe DioGuardi, kur Kosovës po i hiqeshin edhe ato pak të drejta të fundit që ja garantonte Kushtetuta e Federatës Jugosllave. Në ShBA gjeta pikërisht fenomenin Hajri Içli Kelmendi. Vatra dhe Liga Qytetare mbështetshin nga shqiptarë me biznese si Harry Bajraktari dhe Jim Xhema për të përmendur vetëm dy prej tyre dhe që të dy prej Kosove dhe Medvegje dhe për të vijuar më Antony Athanas, e sa e sa patriotë shqiptarë të tjerë. Këtu nuk është vendi të flas për Vatrën dhe as Ligën por paralelja midis të dyjave mendoj se është shumë kuptimplote.
Vitet kaluan dhe mua më është dhënë mundësia të përfaqësoj Shqipërinë në Britaninë e Madhe. Në Londër gjeta simotrën e Shoqatës Vëllazëria të Stambollit dhe Vatrës së Bostonit, atë me emër Shoqata Anglo – Shqiptare, moshatare e Vatrës në Angli. Kjo e fundit ka një veçori – përbehët më shumë nga anglezë por edhe aty militonin patriot shqiptarë si Alekandër Duma, Bejtullah Destani, etj. Aty njerëz të shquar si Edith Durham dhe Aubrey Herbert kishin bërë histori dhe sot ajo ka një antarësi me njerëz të cilet kanë kontribuar për Shqipërinë. Në të njejtën frymë sot janë ngritur shoqata në tëra në vendet perëndimore dhe natyrisht ndikimi i tyre tek politikat e atyre vendeve ndaj çështjes shqiptare është shumë i madh.
Është ndikim i madh ashtu siç e shohim në Librin Paradoxus Albanica ndikimi i Vëllazërisë Turko Shqitare në Stamboll dhe personal i Hajri Beut. Në faqet e librit do të shohim takime të tij me figura të ndritura të kombit turk, dhe të Shtetit Demokratik turk në atë kohë, si Turgut Ozal, në takimin me Presidentin e Kosovës, Dr Ibrahim Rugova. Tek lexon librin të kujtohet filmi “Lost in Translation”, ku Hajri Beu përkthente 20 minuta në turqisht për pesë minuta që kishte folë në mënyrë krejt konçize Presidenti Rugova në gjuhën shqipe. Pastaj vjen Presidenti Sulejman Demirel, në vizitën e tij në Shqipëri bashkë me biznesin turk, etj. Nuk është pak që një President i një shteti aq të madh të pranojë, të paktën për një periudhë kohë, ose në një moment si këshilltar të tij për çështjet që kanë të bëjne me Shqipërinë një njeri si Hajri Beu.
Hajri beu mbante lidhje të forta me patriotë të mëdhenj të kohës si studjuesi shqiptar i mirënjohur, Nexhip Alpan, në Ankara. Por po e njejta gjë ka ndodhur në ShBA, kur u muarën vendimet për Kosovën. Ishte Vatra dhe Liga që i sollën çështjen e Kosovës në agjenden e ShBA ve me miq si Bob Dole, Ben Gilman, Tom Lantosh, Bill Clinton, Eliot Engel, e plot te tjerë. Ishte Vëllazëria Shqiptare ajo që luftoi për këtë çështje në Turqi, me establishmentin turk i cili edhe pse ka një problem aq të madh nacional brenda vendit të vet, e njohu Kosovën. Është Shoqata Anglo Shqiptare, me President të Saj Prof Noel Malcolm, që ndikoi tek Toni Blair dhe qeveria e Madhërisë së Saj që të ndihmonte në çlirimin e Kosovës. Ishte fenomeni Hajri Kelmendi, Harry Bajraktari, Antoni Athanas, Aubrey Herbert, Edith Durham, Nexhi Alpan, e sa e sa tjerë, e sa e sa tjerë që e bënë kombin të njihet në botë.
Por asnjë nga këto nuk dolen ashtu rastësisht, si në shkretëtirë. Ishte një “infrastrukturë” patriotike e përgatitur me kohë. Ishin njerëzit tanë atje, Jo “Mërgata e Qyqeve”, madje as Diaspora, siç e quajmë sot me pa të drejtë, por Bashkësia e Patriotëvë Shqiptarë, e atyre burrave e grave që e gjetën vendin ku u vendosën, si Frontin e Ri të Luftës për të mirën e atdheut. Hajri Beu është njëri prej tyre.
Ky front nuk ishte më i lehtë sesa ai brenda trojeve. Edhe atje jeta ka vrullin e vet, preokupacionet e veta: Gjuha e huaj, përshtatja si fillim me vendin e ri, pastaj familja, mbijetesa, vështirësitë ekonomike, pastaj biznesi, edhe karriera e plot e plot të tjera. Duke e parë si fenomen dhe jo si individ “Rastin e Hajri Beut”, kam dëshirë të sjell audiencës dy episode të thjeshta të asaj se përse jam krenar që ndjehem sot këtu dhe që e kam mik:
1.- Si diplomat që nuk vija nga karrjera, në Stamboll mësoja çdo ditë nga shefi im i zyres z. Orhan Zarshati, një pasardhës i Ismail Qemalit në linjë tamli, një poliglot i vërtetë. Lidhjet e Institucionit me Hajri Beun i mbante ai dhe kjo ishte normale. Por Hajri Beu nuk shihte hijerarki. Prandaj ndërtuam një mardhënje shumë të afërt. Kjo afërsi më bënte ta shihja edhe më me simpati punën e tij që shfaqej në çdo rrugë të Stambollit në autobusat plot me turistë me tabelën TEN TOUR në ballë . Prandaj kisha fituar zakonin që çdo shqiptari dhe të huaji kur isha në shoqërinë e tij/saj t’i tregoja – Ja këtu është Kompania e Madhe Ten Tour që e zotëron z Hajri Içli Kelmendi. Ja këta janë autobusat e shqiptarit! Këtu është TEN TOUR – i.
2.- Ndërkohë që punoja në Londër, mbaja lidhje të afërta me Hajri Beun. Një ditë më dërgon ca foto shumë të bukura nga një fermë që kishte ndërtuar në Trakia. U befasova dhe u kënaqa kur e pashë. Thashë do të ishte me pushime. Jo, ai kishte ndërtuar atje një fermë të cilin e kishte pagëzuar me emrin Ferma “SARANDA”.
3.- Po shihja në libër emrat e familjes së z Hajri: Arben, Lirie, Leka, Ada, Alba…Besoj nuk ka nevojë për koment.
Këtu do të flasin shumë miq e vëllezër por unë dua ta mbyll këtu duke iu falenderuar për vemendjen. Dua të falenderoj Profesor Jusuf Osmanin për punën e mrekullueshme që ka bërë dhe bën duke i hedhur në shtyp biografitë e njerëzve të cilët i janë kushtuar me mish e me shpirt çështjes tonë kombëtare. Dua ti uroj jetë të gjatë vëllait, tonë Hajri Içli Kelmendi bashke me fëmijët, nipat e mbesat. Dhe më në fund jetë të gjatë zonjës Nursen, çekrezja fatlume që u lidh me shqiptarin e Kosovës për të patur një jetë të bollshme me gjithçka, emocione, preokupacione, fëmijë, nipër, mbesa, udhëtime, dashuri pa fund, Kosovë të Lirë.
Uroj më të mirën për Kosovën tonë të dashur e cila është sot e lirë, falë mendjendriturit dhe liberatorit, projektuesit të asaj që gëzojmë sot Dr. Ibrahim Rugova, rezistencës së armatour dhe gjakut të martirëve të UCK – së dhe mbështetjes që i dhanë dhe i japin burrat e gratë shqiptare të vendosura prej fatit në vendet tjera si rasti për të cilin po flasim sot.
Falemnderit, dhe gëzuar shtatëdhjetë vjetorin i dashur Hajri Bej!