SHËNIME RRETH SHFAQJES “VENDI MË I HUMBUR NË SHQIPËRI”
(Komedi e autorit francez Jean-Pierre Martinez)
NGA MAL BERISHA
Prej disa netësh, në ambientin magjik të Amfiteatrit Antik të Durrësit – një pasuri e trashëguar nga koha romake, ku dikur pushonin perandorët romakë, por e lënë fatkeqësisht në keqmbajtje mjedisore dhe ndërtime që e kanë kafshuar pamëshirshëm – u dha shfaqja e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”.
Trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” ka bërë një akt të vërtetë guximi artistik, duke sjellë në skenë një vepër që, nën petkun e të qeshurës, artikulon të vërteta të tmerrshme që pak kush i thotë sot: as mediat, as politika, dhe aq më pak intelektualët, tek të cilët ende kishte një shpresë.
TË QESHËSH PËR TË MOS QARË – PLAGËT E NJË FSHATI SHQIPTAR SI GJITHË SHQIPËRIA
Kjo komedi, e mbështetur mbi strukturën e një satire moderne, i paraqet spektatorit plagët që nuk janë më thjesht probleme të një fshati, por simptoma të një sëmundjeje kombëtare:
mbyllja e shkollave pasi nuk ka më nxënës; mbyllja e qendrave shëndetësore; shuarja e institucioneve fetare – kishave dhe xhamive; shndërrimi i mësuesve nga edukatorë të ndjenjave patriotike në nxitës të homoseksualizmit; cementimi i pushtetit vendor në katër mandate nga një kryetar i korruptuar, që fondet e UNESCO-s i përdor për të ndërtuar vilën e vet; policët e korruptuar, me uniforma të shëmtuara, që më shumë ngjajnë me ato të bandave sesa të shtetit.
Përmes këtyre personazheve groteskë, publiku “qesh” me një Shqipëri që po mësohet të pranojë këtë realitet absurd si një gjë normale.
Lufta dhe përpjekjet për të mediatizuar gjërat më pa vlerë, pa përmbajtje dhe pa qëllime në jetë, siç është sajimi i vdekjes në frigorifer i një djaloshi që nuk përfaqëson idealet më të mira të brezit të sotëm të rinisë shqiptare.
INTERESI I PUBLIKUT – REFLEKTIM DHE NEVOJË PËR TË VËRTETËN
Fakti që është vështirë të gjesh biletë, edhe pas disa netësh radhazi të dhëna nga kjo trupë, tregon etjen e publikut për të parë realitetin pa filtra. Për të qeshur në fytyrë, por për të qarë brenda vetes. Sepse nëse thënia e estetëve se “Teatri është pasqyra ku shoqëria sheh veten – herë me trishtim, herë me të qeshur” është e vërtetë, atëherë kjo komedi është një nga pasqyrat më të qarta dhe më të sinqerta që i është ofruar shoqërisë shqiptare në këto ditë dramatike që po kalon.
AKTORË QË SHKËLQEJNË – SKENOGRAFI E THJESHTË, PËRMBAJTJE THERËSE
Aktorët e trupës luajnë me pasion. Çdo fjalë artikulohet qartë, çdo detaj është i menduar mirë.
Skenografia është e thjeshtë, por funksionale, ndërsa përmbajtja – therëse deri në palcë.
Kjo të çon natyrshëm drejt reflektimit, sepse “Komedia është thirrja më serioze që i bëhet një shoqërie për të reflektuar mbi marrëzinë ku e kanë zhytur ata që dizajnojnë jetën e saj.”
Në fakt, kur sheh këtë shfaqje, njeriu ndjen se “Teatri e thotë edhe më me forcë fjalën e vet kur shoqëria hesht dhe ka nevojë për një wake-up gong. Aty ku shoqëria e gënjen veten, komedia zbulon të vërtetën përmes të qeshurës së hidhur.”
HUMOR I ZI – QESH ME AKTORIN, QAJ ME VETEN
Përmes këtij humori të zi, të thellë dhe sarkastik, spektatori qesh me aktorin… por në fakt qesh me veten.
Sepse, në thelb, kombi po përjeton një tranzicion të rrezikshëm drejt zhdukjes, i shfaqur në format e ikjes masive për shkak të humbjes së shpresës, shpopullimit që shihet në mbylljen e shkollave, gjykatave, kishave, qendrave shëndetësore.
Pikërisht në këtë atmosferë, në këtë komedi gjenden disa njerëz të dëshpëruar që përpiqen me këmbë e me dhëmbë të ruajnë atraksionin për turistët e huaj – miliona turistë të huaj, madje më shumë se 10, 11 apo 15 milionë – që vijnë për të parë këtë eksperiment njerëzor të çuditshëm, të dhimbshëm, vdekjeprurës.
Po, po, gjenden edhe 13 vetë – qytetarë të denjë të këtij vendi – të cilët përbëjnë kastën interpretuese të kësaj shfaqjeje me të vërtetë artistikisht shumë të bukur, përmbajtësisht shumë kuptimplote, realisht shumë të dhimbshme.
KUR DRITAT FIKEN… DHE TËRË SHQIPËRIA BËHET KALIMIZË
“Në një kohë kur e vërteta ngatërrohet me propagandën, dhe realiteti maskohet me iluzion, teatri mbetet i vetmi vend ku njeriu guxon të shohë veten sy më sy.”
Një spektator i vëmendshëm sheh kontrastin e thellë midis trupës dhe spektatorit.
Nga njëra anë është ajo trupë që djersit për të përcjellë një mesazh të qartë – një thirrje, një ulërimë, një klithmë dëshpërimi dhe shprese;
nga ana tjetër, një publik që qesh, indiferent ndaj fatkeqësisë së vet, edhe pse një herë në dy vjet i vjen radha për të ndërruar situatën, vazhdon me të njëjtin avaz:
i veshur me firmato dhe parfume, por që, kur kthehet në shtëpi – gjen shumicën e dritareve të pallatit të fikura nga ikja, ikja, emigrimi… dhe shtëpitë e fqinjëve bosh.
Sepse edhe Durrësi, edhe Shqipëria – janë kthyer në një Kalimizë.
Dhe ndoshta ata që janë ende këtu, janë të mbijetuarit e fundit që nuk kanë qëllim tjetër veçse… edhe ata, shumë shpejt, të ikin.
Prandaj edhe ata janë – siç thoshte Shakespeare:
“E gjithë bota është një skenë, dhe të gjithë burrat e gratë janë thjesht aktorë.”
TRAGJIKOMEDIA E REALITETIT – NGA THETHI NË RRËNOJA
Kjo komedi bëhet edhe më tragjike kur kujton ngjarjet e ditëve të fundit:
Një fshat i shpallur “parajsë turistike” u kthye në gërmadha për vetëm një javë.
Dhe ishte po një si ai “miku i UNESCO-s”, që paratë e asaj organizate i përdori për vete – kryetari katërmandatësh – ai që ia solli atë “dhuratë” Thethit… ashtu si edhe Kalimizës në shfaqje.
A jemi vërtet “Vendi më i humbur”?
Jo. Por jemi ndër më të mashtruarit, më të harruarit, më të abuzuarit.
Dhe për aq kohë sa turizmi, zhvillimi dhe arsimi do të jenë vetëm slogane në gojën e politikës, “vendi më i humbur” nuk do të jetë vetëm Kalimiza. Do të jenë njerëzit më të këqij, ata që e detyruan të bëhet i tillë.
TEATRI SI AKT QYTETAR – PËR ATA QË DËGJOJNË?
Shfaqja e komedisë “Vendi më i humbur” nuk është thjesht një sukses i një trupe teatral me traditë të gjatë skenike, si ajo e Aleksandër Moisiut në Durrës.
Ajo është një akt qytetar, një ulërimë e arsyes në një vend ku arsyeja është shurdhuar.
Trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” ka bërë atë që shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë: Të flasë përmes artit, kur e keqja ka mbuluar vendin dhe ndaj saj ka pllakosur heshtja.
DISA FJALË PËR TRUPËN TEATRALE
Kjo trupë është trashëgimtare e njerës nga trupat teatrale më të mira të atdheut tonë, që i kanë dhënë skenës vepra skenike, teatrale, dramatike, komike dhe filmike, duke mbajtur emrin e ndritur Aleksandër Moisiu.
Spektatori e ka të vështirë të dallojë midis atyre 10 aktorëve se cili është më i mirë dhe kush është më i dobët.
Në ballë të skenës ahfaqet një banakjere fshati që përpiqet të mbijetojë në një lokal pa klientë – aktorja e mirënjohur MIMI MARJANAKU.
Ajo mban një emër të kuptimplotë, që i shkon përmbajtjes së shfaqjes, që i shkon aq për shtat dhimbjes që mban komedia: MBARIMJA. Mjeshtrja e patates të bën të ndjesh thellë dhimbjen e qeshjes.
ROMIR ZALLA, në mënyrë aq ironike mban emrin NDERIMI, që në fakt është njeriu më i ç’nderuar në jetë – kryetari i komunës që mban 4 mandate…? Ai e luan aq bindshëm atë rol, sa të duket se të vjen të dalësh në skenë e ta përzësh… ah sikur… por ligji, Polici!
Goni – GENTIAN ZENELAJ sjell në skenë aq batuta që evokojnë atë që ndodh sot në Shqipëri, ndër të cilat restaurimin e shtëpisë ku, në vitin 1437, ka pushuar për një gjumë mbasdite Mamica… Cila është ajo? Ai ia lë spektatorit ta gjejë…?
ALEKS SEITAJ sjell në skenë atë që po na bëhet “heroi” i kohëve të mbrapshta, mësuesin Kasemin, që nuk ka më nxënës në shkollë, por që predikon homoseksualizmin; dhe në pjesën e dytë të shfaqjes na del i veshur në një petk femnor mbresëlënës, që jemi mësuar ta shohim kohëve të fundit në televizoret kombëtare, dhe që tani nuk quhet më me emër mashkullor Kasem, por Mësuese Semi…?
ERVIN DOKO na sjell priftin e fshatit, i degraduar deri në përdorim të altarit për veprimtari të turpshme. Pastaj vijnë ALESIA XHEMALAJ në rolin e Enit, ADELINA MUCAJ në rolin e Vikit, XHEJNI FAMA në rolin e Komisar Katanit, JAHO GUMA në rolin e Durimit. Dua të shpreh simpatinë time të veçantë për djaloshin Amos Zaharia, i cili interpretoi me shumë ndjeshmëri dhe natyrshmëri rolin e Xhikës. Loja e tij ishte bindëse, e ngrohtë dhe plot jetë, duke e bërë personazhin të paharrueshëm për publikun.E tërë trupa është njëri më i kandshëm se tjetri, më i dashur për publikun se tjetri.
Duke parë këtë shfaqje, spektatori ndjen mjeshtërinë e regjisores ANDIA XHUNGA; përkujdesjen e jashtëzakonshme të skenografes dhe kostumografes ALKETA TRAGAJ MUSHKETA, sqimën muzikore të ENDRI SINËS, dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme, pasurinë gjuhësore të përdorur nga përkthyesja ANXHELO CIKOPANO.
Në mbyllje, dua të lavdëroj me gjithë shpirt këtë trupë teatrale për: zgjedhjen e pjesës që i shkon aq mirë realitetit të sotëm; për lojën e mrekullueshme teatrale; për fjalën e qartë dhe të artikuluar bukur në gjuhën shqipe; për mizanskenat e qëlluara dhe lëvizjet e përshtatura në funksion të qëllimit të veprës; për dekorin, kostumet dhe skenografinë aq të bukura dhe funksionale; për ilustrimin muzikor, ndriçimin dhe dëgjueshmërinë e saktë të çdo fjale të thënë në skenë.
DY FJALË PËR AUTORIN:
Jean-Pierre Martinez është një dramaturg, shkrimtar dhe autor francez, i njohur për veprat e tij satirike dhe komeditë që adresojnë çështje shoqërore dhe politike me një ton kritik dhe shpeshherë ironik. Ai ka fituar njohje në skenën franceze për aftësinë e tij për të përdorur humorin si një mjet për të reflektuar realitete komplekse dhe për të sfiduar konventa të ndryshme shoqërore.
Martinez ka shkruar një numër veprash teatrale që trajtojnë tema të ndryshme, nga tensionet sociale dhe politike te absurditeti i situatave të përditshme. Ai përdor shpesh komedinë dhe satirën për të nxjerrë në pah kontradiktat dhe hipokrizinë në shoqëri.
Përveç teatrit, Jean-Pierre Martinez ka kontribuar në media të ndryshme franceze, duke përfshirë televizionin dhe radion, ku ka shfaqur talentin e tij si kolumnist dhe shkrimtar i humorit.
Veprat e tij janë pritur mirë nga kritika dhe publiku, dhe disa prej tyre janë përshtatur në vende të ndryshme, duke përfshirë edhe Shqipërinë, ku komedia e tij “Vendi më i humbur” u përshtat dhe u interpretua nga trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Mal Berisha
Amfitetari Antik i Durrëësit
E martë 23 korrik 2025
Video: https://www.facebook.com/1598918171/videos/pcb.10234238757662566/745452958181252