Intervistoi: Mirela Sula
Në të vërtetë kanë rrugëtuar shumë bashkë, me valixhe në dorë jeta e tyre ka kaluar nëpër shumë stacione. Këtë herë i kemi takuar të ndalur në stacionin “Victoria”. Ambasadori i Shqipërisë në Londër Mal Berisha ka vite që investon në karrierën e tij si diplomat, dhe tashmë është bërë tejet i njohur për arritjet në këtë fushë. Por në këtë intervistë me të kemi zbuluar edhe një nga pasionet e tij të hershme: dëshirën për të eksploruar biografinë e njerëzve të famshëm që kanë kontribuar për Shqipërinë. Sapo ka botuar një kolanë librash për Charles Telford Erickson dhe na ka treguar planet e tij për të punuar edhe me emra të tjerë anglezë, shkrimtarë, politikanë, piktorë, udhëtarë të famshëm që kanë vizituar Shqipërinë gjatë shekullit të 19.
Por, në këtë bisedë me të për herë të parë kemi arritur të zbulojmë edhe disa të pathëna nga jeta e tij private. Lidhja e tij me bashkëshorten Donikën, marrëdhënia me djemtë, pasionet e tij, e shumë të tjera…
Një çift qe ka rrugëtuar gjatë në shumë vende – dhe gjithnjë bashkë: Si e mbani mend nisjen e këtij rrugëtimi? Si jeni takuar dhe njohur?
Së pari ju falënderojmë për intervistën. Vërtetë është një udhëtim i gjatë që nis në këmbë, pastaj me biçikletë, në rrugën nacionale që lidh Fushë Krujën e Laçin ne segmentin Mamurras – Thumanë – Burizanë, për të vijuar me gjithë llojet e transportit, makinë, anije, aeroplan, nga një shtet në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin. Së bashku kemi shkelur 3 kontinente, Evropën – Azinë dhe Amerikën Veriore. Ka qenë një rrugë e gjatë por përherë e bukur sepse brenda nesh gjithmonë ekzistonte një dëshirë e fortë për të vazhduar ecjen, shtuar shpejtësinë dhe shikuar për më tej në tjera horizonte.
Shumë çifte që njihen herët në moshë të re, gjatë rrugës ndodh të rriten në mënyra të ndryshme. Me ju ka ndodhur ndryshe, keni investuar së bashku dhe keni mbështetur njëri tjetrin. E kujt është kjo meritë?
Ne mendojmë se merita është barazisht e të dyve. Si me thënë kemi plotësuar njëri tjetrin. “mjeti ynë i ecjes” pilotohej nga të dy. Shpesh ndodh që nëse unë i jap shumë gaz, Donika vë këmbët në frena kështu që udhëtimi është më i sigurtë. Besojmë të dy se po mos të ishte kështu, edhe gjërat nuk do të ishin kështu siç janë. Pra ndajmë të njëjtat merita.
Pas çdo burri të suksesshëm thonë se fshihet një grua e mençur – cila është në fakt përvoja juaj? Një burrë shumë i suksesshëm sa e ka pasur mbështetjen e gruas?
Oh, po kjo thuhet për njerëz shumë të mëdhenj. Ne vërtetë që ndjejmë se jemi njerëz të zakonshëm, ku në themel të çdo arritje tonën, në punë, edukim të fëmijëve, studime, ka qenë dëshira, mirëkuptimi, respekti reciprok për të ndarë së bashku tërë mundimet e udhëtimit. Dhe kështu ja kemi dalë. Është shumë e thjeshtë. Nuk harrojmë nga e kemi nisur, sakrificat që na janë dashur për të ndërtuar një jetë të ndershme, shumë të pasur shpirtërisht, mjaft modeste materialisht, por gjithsesi të bukur.
A ka pasur raste që për shkak të lëvizjeve tuaja të shpeshta të ketë lindur ndonjë vështirësi apo konflikt mes jush? Nëse po si e keni menaxhuar?
Vështirësi, po. Madje shumë. Konflikte, jo asnjëherë. Kemi jetuar në mjedise me vështirësitë e zakonshme që përjetonin tërë shqiptarët para vitit 1990. Por e gëzonim jetën ashtu siç na kishte ardhur. Luftonim për ta bërë sa më të mirë. Puna ime ishte e lidhur me artin dhe kulturën ndërsa Donika ishte farmacistë. Na dukej se të dy bënim diçka të përafërt. Me artin dhe kulturën shëroheshin shpirtrat e vrarë, me ilaçet shëroheshin sëmundjet. Venim edhe me pushime veçanërisht në Pogradec dhe Himarë. Vërtetë në mënyrë modeste, por edhe ajo kishte lezetin e vet. Pastaj fëmijët, 2 djemtë tanë e zbukuronin jetën çdo ditë.
Jeni gjithashtu prindër të dy djemve që tashmë janë rritur dhe po çajnë në jetë me sukseset e tyre – sa keni ndikuar në formimin e tyre?
Ah djemtë tanë. Erioni dhe Kreshniku. Ata u bënë njëri 12 vjeç e tjetri 7 vjeç në Shqipëri. Pastaj vajtëm në Stamboll, në misionin e parë në Konsullatën shqiptare. Në fillim për ta ishte shumë e vështirë. Gjuha që nuk e dinin, dhe gjithçka tjetër që ishte e ndryshme. Por pastaj më kohë gjërat ndryshuan. Ata po rriteshin dhe mësonin gjuhën dhe gjithçka tjetër. Por në themel të edukimit të tyre kanë qenë disa “shtylla” që fillojnë me ndershmërinë dhe ndërtimin e një jete të ndershme, dashurinë për vendin tonë, shkollimi i shëndoshë dhe profesional, dhe mbi të gjitha të vepronin në jetë në atë mënyrë që mos t’i bënin njeriut keq dhe të bënin gjumin e qetë. Ata u shkolluan në Amerikë, në universitete shumë të mira dhe të dy u kthyen në Tiranë. Shkollat e tyre i ndihmuan të ndërtojnë një biznes të tyre privat, i cili është model i praktikave dhe funksionimit perëndimor të biznesit. Të dy janë partner dhe plotësojnë njëri tjetrin. Momentalisht i vogli po bën një master për biznesin në Harvard.
Jo shumë ambasadorë kemi parë të investojnë kaq shumë në thellimin e dijes dhe kulturës – a mendoni se pozicioni i ambasadorit e ka ndihmuar marrëdhënien tuaj apo në një farë mënyre duke qenë shumë të angazhuar edhe mund t’ju ketë penguar?
Kjo varet nga qasja që ka secili. Por unë ende e shoh ambasadorin si një mishërim të dijes, moralit të lartë, patriotit, njeriut me besim të madh dhe dinjitoz. Këto nuk mund të jenë të tilla pa patur një horizont të gjerë kulturor dhe veçanërisht dijeni për vendin tënd. Unë do ju kujtoj dy ambasadorë që janë modeli im. Faik Konica i cili ishte një ambasador i shkëlqyer por edhe erudit i madh dhe patrioit i madh që shkriu jetën për Shqipërinë. Natyrisht aty është vështirë të arrihet, por kjo nuk pengon asnjë ambasador shqiptar të ëndërrojë dhe punojë për të bërë diçka si ai. I dyti është ambasadori amerikan Herman Bernstain, i emëruar nga Presdienti Herbert Hoover ne fillimin e viteve ’30 në Tiranë. Ai ishte një gazetar i famshëm hebre nga Lituania që mbuloi Revolucionin Socialist të Tetorit për Nju Jrok Post dhe gazeta tjera amerikane, një diplomat i shkëlqyer amerikan, një hebre që e donte më shpirt popullin e vet hebre, por edhe një studiues i kulturës shqiptare. Ai la një mori relikësh të kulturës materiale shqiptare në Muzeun Hebraik në Nju Jork. Për mua, ambasadori nuk duhet të jetë thjesht një burokrat që përcjell vetëm mesazhe zyrtare, të hapura apo të mbyllura midis dy vendeve, por edhe një përfaqësues sa më i mirë i kulturës së vendit e sidomos historisë së marrëdhënieve me vendin ku ai akreditohet. Në fakt unë nuk e imagjinoj dot punën e diplomatit të palidhur edhe më kulturën, artin, muzikën sidomos atë klasike, dhe dijenitë e gjëra për to. Por ta arrish atë duhet të investosh çdo ditë.
Cilën mbani mend si periudhën më të bukur të jetës dhe marrëdhënies tuaj?
Si në çdo rast, njohja, emocionet e dashurisë dhe vështirësitë për ta sjellë atë deri në formën e familjes, pastaj ardhja në jetë e fëmijëve, gëzimi i gjyshërve dhe gjysheve…e pse jo edhe momentet të bukura udhëtimesh në vende të bukura si në Kapadokja apo Efesus, në Qendrën e lëshimit të Raketave në Florida po në Niagara Falls, në Montreal apo Luksemburg, në Kështjella si ajo e Hipolitos në Francë apo në zonat arbëreshe të Molisos në Kambobaso Itali, e sa e sa tjera. Natyrisht martesa e djalit të madh me një zonjushe të mrekullueshme, Kreuzën, ishte nga gëzimet më të mëdha të jetës. E rëndësishme është që vazhdojmë ta gëzojmë jetën me tërë të mirat që ka sjellë ajo. Natyrisht dhe jo pa brenga si për këdo tjetër. Është pjesë e natyrës njerëzore.
Po këtë fazë të jetës dhe marrëdhënies tuaj si do ta përkufizonit?
Një fazë e bukur që kulmon me një mision në një nga vendet më të bukura në botë me shumë përgjegjësi, angazhime, por edhe kënaqësi. Na mungojnë fëmijët, pas i kemi larg, por jeta e tillë është. Në fakt është periudhë kur tërë akumulimi shumëvjeçar jo vetëm në diplomaci prej vitit 1992 por edhe më parë reflektohet në punën dhe sjelljen e përditshme në të mirë të detyrës që kemi marrë përsipër..
Keni ende rrugë për të bërë në misionin tuaj në ambasadë, çfarë ndryshimesh mendoni se mund të sillni gjatë kësaj periudhe?
Unë respektoj punën që kanë bërë paraardhësit e mi në këtë ambasadë. Në këtë aspekt unë nuk kam filluar në truall bosh por në një mjedis ambasade me një staf diplomatik të mrekullueshëm, patriot dhe profesionist dhe me një përvojë të pasur në forcimin e marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veiut. Çfarë ndryshimesh? Thjesht do ta intensifikoj punën duke i çuar këto marrëdhënie edhe më tej. Ndërkohë, ambasada besoj se tani është kthyer edhe në një qendër kulturore ku shumë artistë dhe veprimtar shqiptaro britanikë të cilët kanë mundësinë të ekspozojnë veprat dhe punët e tyre në mjediset e ambasadës. Në fakt një pasqyrë e plotë e këtyre veprimtarive dhe e tërë veprimtarisë së ambasadës mund të gjendet në ëebsitin e saj.
Sapo keni botuar edhe një kolanë librash për Charles Telford Erickson, një investim i madh jo vetëm për veprimtarinë e tij por një pasuri që do të mbetet në arkivën e shqiptarëve – çfarë ju frymëzoi ta ndërmerrnit këtë projekt?
Falemnderit që nuk e harruat librin për Erickson-in, pasi është një ndër gjërat më të mira që kam arritur të bëj në jetën time. Pas një studimi dhe botimi të plotë të gjithçkaje që revista më pristigjze në botë “The National Geographic” ka botuar për në shqiptarët në një hark kohor 100 vjeçar, një studimi për “Rracat dhe Fetë në Europë” dhe vendin që zënë shqiptarët, përkthimet e librave “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare 1912-1923” dhe atij “Shpëtimi në Shqipëri” një histori e shkëlqyer e mikpritjes shqiptare ndaj hebrejve erdhi Ericksoni. Çfarë më frymozoi? Thjesht dëshira e madhe për t’i bërë të ditur popullit tim kontributin e jashtëzakonshëm por të harruar të një njeriu të madh për kombin shqiptar dhe për të shprehur atë që është një nder virtytet më të spikatura të shqiptarëve, Mirënjohjen.
Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen në këtë fushë?
Jam dukë shfletuar shumë autorë anglezë, shkrimtarë, politikanë, piktorë, udhëtarë të famshëm që kanë vizituar Shqipërinë gjatë shekullit të 19. Ndër ta dallohen ish Kryeministri britanik, Benjamin Disraeli, udhëtari famshëm, mik i Bajronit, J.C Hobhouse etj. Mbetet të punoj para se të premtoj.