MARTIN IVANAJ – LIGJET ZAKONORE NË FISET E SHQIPËRISË SË VERIUT (TRIESHI, HOTI DHE GRUDA)

 MAL BERISHA


MARTIN IVANAJ – LIGJET ZAKONORE NË FISET E SHQIPËRISË SË VERIUT (TRIESHI, HOTI DHE GRUDA)

Hyrje:

Këto ditë kam marrë një dhuratë shumë të çmuar nga Themeluesja dhe Presidentja e Fondacionit MARTIN & MIRASH IVANAJ – DRITA IVANAJ.

Kjo dhuratë është një libër.

AI TITULLOHET:

“KANUNI I LEKËS”

(Codes Alexandri)

LIGJET ZAKONORE NË FISET E SHQIPËRISË SË VERIUT (TRIESHI, HOTI DHE GRUDA)

Në fakt ky libër është Teza e Diplomës së Dr. Martin Ivanajt, mbrojtur në Universitetin Mbretëror të Romës – sot Universiteti La Sapienza.

Historia e jetës së Atdhedashësve shqiptarë nuk ka shumë shembuj me kontribute më të larta  se sa ajo e dy vëllezërve shqiptarë, nga veriu i Shqipërisë të quajtur Martin dhe Mirash Ivanaj. Pasardhësja e tyre është e bija e Martinit, Drita Ivanaj, Presidente e “Fondacionit Martin dhe Mirash Ivanaj”

Sa më shumë t’i njohësh ata, aq më shumë i don. Sa më shumë i don ata, aq më shumë të dhimbsen. Dhe  sa më shumë të dhimbsen ata, aq më shumë të dhimbset atdheu ynë. Atdheu ynë, që për dekada të tëra, jo vetëm që nuk ua ka ditur vlerat, por i ka mohuar, denuar dhe harruar.

Këtë ndjenjë e pata provuar kur disa kohë më parë pata shkruar dhe botuar artikullin:

“FONDACIONI MARTIN & MIRASH IVANAJ – NJË XHEVAHIR KULTURE DHE DIJE NË MES TË TIRANËS.”

Sa herë i kthehem kujtimit të jetës dhe veprës së tyre, aq më shumë mësoj prej tyre. Madje e  ndjej se sa e rëndësishme është që sa më shumë shqiptarë ta dinë historinë e tyre dhe t’i marrin për model ata, aq më shumë djem dhe vajza shqiptarë atdhedashës do të kemi.

DHURATA E ÇMUAR E DRITA IVANAJT.

Në 100 vjetorin e botimit të tezës së doktoraturës së babait të Saj, (1921 – 2021) Drita Ivanaj e botoi atë në tre gjuhë. Së pari në gjuhën Shqipe, pastaj në gjuhën Angleze dhe në fund në gjuhën Italiane, gjuhë në të cilën teza është shkruar dhe mbrojtur në vjeshtën e viti 1921.

PAK NGA BIOGRAFIA E MARTIN IVANAJT:

I lindur në Podgoricë, në një familje patriote të zonës së Trieshit, ai ndoqi shkollën e lartë në  Pozharovac si dhe kurse Filozofie në Universitetin e Beogradit. Pas vdekjes së prindërve ai shkoi për studime në Romë dhe në vitin 1921 e mbrojti doktoraturën në Jurisprodence në Universitetin La Sapienza.

Ai nuk pranoi ofertat që iu dhanë në Romë për punë dhe jetë të rehatshme por u kthye në atdhe dhe shërbeu si gjykatës në Korçë dhe në Shkodër. Si gjyqtari i vetëm i kohës së vet, me përvojë perëndimore, arriti të bëhej Anëtar i Gjykatës së Lartë në Tiranë, Anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit dhe Kryetar i Gjykatës së Lartë nga viti 1932 – 1938. Ai la prapa një trashëgimi të paçmuar në fushën e Drejtësisë jo vetëm në praktikë por edhe me artikuj të cilët shpjegojnë dhe pasurojnë Kodet Civile dhe ato Penale të vendit tone, të asaj kohe.

Ai vdiq natyrshëm në azil në moshën 52 vjeçare në Stamboll duke lënë mbrapa zonjën e tij, profesoreshën Giuseppina Pogliotti – Ivanaj dhe të bijën, Dritën e vogël.

Në hyrjen e këtij libri, Drita Ivanaj ka përshkruar një biografi të shkurtër të familjes së gjyshit të vet Dodës, të babait Martinit dhe të xhaxhait, Mirash Ivanajt. Ky i fundit, ish Ministri më i suksesëhm i Arësimit i Shtetit Shqiptar i të gjitha kohërave.

Kalvari i familjes Ivanaj, për shkak të persekutimit komunist është i njohur. Mirashi, i cili u kthye në atdhe pas mërgimit, në vitin 1945 me kërkesë të Gjergj Kokoshit dhe u takua me Enver Hoxhën. Ky i fundit i premtoi se do ta kishte në kujdes për veprën e tij të vyer në të mirë të arësimit kombëtar shqipar. Por ai takim doli të ishte fatal për të. Në fund të takimit diktatori nuk harroi t’i kujtonte atij se “Ishte ai vetë, Mirashi që, kur ishte Ministër i Arësimit, i kishte prerë bursën Enver Hoxhës.” Mirash Ivanajt iu kujtua ky vagabond që nuk i ndiqte studimet në Montpelje dhe me sinqeritetin e një malësori të padjallëzuar iu përgjgj:

Në kjoftë se nuk i ke dhanë provimet sipas rregullave të shtetit, mirë ta paskam ba!”

Kjo i kushtoi jetën Mirash Ivanajt pasi Enveri menjëherë e burgosi për të mos dalë më kurrë i gjallë nga ai burg.

Është një mrekulli që teza origjinale e doktoraturës së Martin Ivanajt shpëtoi në saje të kujdesit të së shoqes,

Giuseppinës si dhe të kujdesit absolut që vetë Universiteti kishte bërë duke e ruajtur kopjen e tretë të disertazionit në arshivën e vet. Drita Ivanaj, e kishte ruajtur me fanatizëm këtë dokument të rrallë për nga vlera për Të Drejtën Zakonore Shqiptare.

Fatkeqësisht, pas ardhjes në fuqi të komunistëve, dorëshkrimet e tjera të tij me shumë vlerë ishin marrë dhe hedhur si gjëra pa vlerë. Ajo thotë se në këtë botim ka shumë çfarë të mësohet rreth të drejtave të njeriut,  të drejtën e pronës, familjes, nderit, etj.

Në këtë dokument mund të gjëndet vizioni i qartë rreth ligjeve të lashta shqiptare të cilat në kohën e Martin Ivanajt ishin të panjohura për botën perëndimore ose ishin paraqitur keq e më keq nga studiues të huaj jo dashamirës të shqiptarëve. Ai vendosi t’i bënte të njohura ato ligje të cilat deri në atë kohë ishin përcjellë gojarisht nga një brez në tjetrin. Sjellja në gjuhën shqipe, në një botim jubilar shekullor, përbën një pasuri të madhe të traditës tonë për juristët shqiptarë të cilët do të dinë të lidhin të drejtën zakonore të Veriut të Shqipërisë me kodet moderne të një drejtësie bashëkohore.

Në hyrje të tezës së tij “KANUNI I LEKË DUKAGJINIT”, autori Martin Ivanaj thotë se ky nuk ishte një ligj i shkruajtur. Për të ekzistojnë përmbledhje të ndryshme ndër të cilat një më i përhapuri është ai i botuari në “Hylli i Dritës” nga një frat katolik, në vitin 1914. Ai Kanun mund të ketë shembuj dhe nene të përgjithëshme, por kjo nuk do të thotë se ato zbatohen njësoj kudo, në çdo krahinë të veriut. Sipas Martin Ivanajt, në atë botim të Kanunit të Lekës kishte ngjashmëri me “Ligjet e Dymbëshjetë Tabelave” të cilat janë një grup rregullash të hartuara në vitet 451 – 450 para Krishtit, në Romën e Lashtë. Ky grup ligjesh përmban rregullat e të drejtës personale dhe publike.

Martin Ivanaj ka studiuar autorët e huaj më në zë ndaj të cilëve ka mbajtur qëndrime pro dhe kundra siç janë:

Johann Georg von Hahn, Codexin e Stefan Dushanit, Galantin – zakone  dhe ligje zakonore, Baldacci  – Revista Geografica Italiana, Barbarich, St. Novakovich, V.L. Montegazza, Gopçeviç, V. Vanutelli, Besker, H. Hecquart, A. Degrand, Giordana Gaetano P. Sebert, tj.

Nderimit të Drita Ivanajt për babain e saj në këtë vepër të rrallë që i  shërben njohjes së traditës tonë kombëtare i bashkohem me gjithë zemër e me ndjenjë mirënjohje.

Falemnderit Ju, Ivanajt për shërbimin që i keni bërë dhe ende po i bëni kombit tonë!

Proud to be Albanian!