Meshë për 100 vjetorin e Pavarësisë në Kishën e Apostujve të Shenjtë, Pimlico, Londër

Në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në mbrëmjen e datës 25 Nëntor, 2012, në Kishën e Apostujve të Shenjtë në Pimlico, Londër, u mbajt një Meshë në shenjë Falenderimi për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Mesha u kremtua nga disa meshtarë, dhe u udhëhoq nga Imzot Alan Hopes, Ipeshkëv për komunitetet etnike në Dioqezën e Westminster. Mesha u bashkëkremtua edhe nga atë Gary Walsh, prift kanadez i cili ka shërbyer dhjetë vjet në Shqipëri, ndërsa të pranishëm ishin edhe misionarë të ndryshëm të Kishës Katolike që kanë shërbyer me vite të tëra në Shqipëri, si dhe Misionaret e Dashurisë – motrat e rregullit të Nënë Terezës. Mesha u kremtua në gjuhën shqipe dhe angleze.
Në predikimin e tij Ipeshkvi Hopes u lut për popullin shqiptar, për 100 vjetorin, për prosperitetin e vendit. Ai u ndal tek historia e popullit shqiptar duke nënvizuar me forcë ruajtjen e identitetit të kombit tonë.
“Shqiptarët – tha ai – ishin punues të bakrit dhe argjendit edhe pesëqind vjet para kohës së Jezu Krishtit. Ata i rezistuan pushtimeve romake, bizantine, vizigote, serbe, osmane, për të ardhur me një identitet të qartë dhe të ruajtur mirë, thjesht për meritën e tyre. Pushtesit njëri pas tjetrit u munduan t’i asimilonin, t’i zhduknin, t’i mohonin kulturën, gjuhën dhe traditën. Por ata, me një pathos të jashtëzakonshëm, ia dolën të ruanin veten dhe të na shfaqen sot si një ndër popujt më të lashtë e më fisnik të Evropës. Fati tragjik që i shoqëroi ata në historinë e tyre, për shkak të asaj vendosjeje gjeografike në udhëkryqet e tëra lakmive dhe interesave të perandorive dhe të fqinjëve, prapëseprapë nuk i mposhti. Dhe ja ku janë sot, një komb i fortë, me identitet plotësisht të qartë. Ja ku jeni ju, pjesë e atij kombi dhe një komunitet i mrekullueshëm në Britaninë e Madhe. Unë, vazhdoi Ipeshkvi Alan Hopes, lutem sonte për këtë vend, lutem për mbarësinë e tij në vitet dhe shekujt që vijnë. Unë nderoj tolerancën fetare, krenarinë e këtij kombi të lashtë që i shërbeu aq shumë krishtërimit, që i shërbeu njerëzimit vetë.”
Pas Meshës, në një sallë të madhe të Kishës u shtrua një darkë me ushqime tërësisht të gatuara nga komuniteti shqiptar. Gjatë kësaj mbrëmjeje, I Ngarkuari më Punë i Republikës së Shqipërisë, i. Mal Berisha, mbajti një fjalë ndër të cilat ai theksoi:

“Vëllëzër të krishterë shqiptar,
Ju nderojmë sonte për atë që keni bërë për ruajtjen e identitetit të Kombit Shqiptar, për ruajtjen e fesë sonë të lashtë, për paqëtimin e kombit tonë kur të tjerët donin të na ndanin, për atë që keni qenë dhë që jeni. Ju jeni gjaku i Konstandinit dhe i Skenderbeut si dhe unë, si dhe cdo shqiptar katolik, ortodoks apo musliman qoftë. Ju jeni pasardhësit e Homerit shqiptar Atë Gjergj Fishta, të martirit të Kishës katolike shqiptare, Dom Shtjefen Kurtit, i ekzekutuar nga represioni komunist, pasardhësit e poetit të zemrës shiptare Dom Ndre Mjeda, pasardhësit e Atë Zef Pëllumbit korifeut të rezistencës antikomuniste.”
Z. Berisha falenderoi edhe kreun e komunitetit musliman shqiptar në Londër, imam Mehmet Stublla i cili ndoqi Meshën dhe qëndroi më Ipeshkvin Alan Hopes deri në fund, duke dhenë shembullin më të qartë të bashkë-ekzsistencës dhe tolerancës fetare midis shqiptarëve.
Veprimtaritë për 100 vjetorin në Londër vazhdojnë.