Nderim për Mal Berishën që e solli këtë njeri të madh, që ua solli Eriksonin të rinjve që ta njohin, ua solli shqiptarëve që ta njohin atë dhe kohën e tij më mirë, të shohin se çfarë bëri ai pa asnjë shpërblim apo përfitim personal, veç vuajtjeve dhe sakrificave, në kohët kur Shqipëria kërcënohej të zhdukej nga pazaret e fuqive të mëdha për të kënaqur orekset e fqinjëve tanë dhe të përkulet me nderim përpara tij.
Në përpjekjet e vazhdueshme që bëhen nga historianë, shkrimtarë apo dhe të tjerë për të pasqyruar rrugën e gjatë dhe të mundimshme të popullit tonë, historinë e tij ndërshekullore, figurat e shquara që kanë luajtur role të ndryshëm në këtë histori, sjellja e jetës dhe veprës së amerikanit Charles Telford Erikson, e asaj pune të jashtëzakonshme që ai bëri për Shqipërinë, ka një vlerë të veçantë, sepse ai, Eriksoni, si askush tjetër bëri aq shumë dhe ne i detyrohemi shumë. Historia jonë njeh shumë figura të mëdha miqsh të huaj që kanë punuar shumë për Shqipërinë, por figura e Eriksonit, me gjerësinë e veprimtarisë së tij, me ndikimin e padiskutueshëm, ndofta dhe vendimtar, në raportet e Shqipërisë me Shtetin amerikan, dhe në forumet diplomatike evropiane, sidomos në periudhën pas vitit 1912, me sakrificën e jashtëzakonshme që bëri në emër të të drejtës së Zotit dhe të drejtës së Shqiptarëve, unë besoj se zë vendin kryesor. Me veprimtarinë e veçantë si delegat nderi i Vatrës në Konferencën e Paqes në Paris, ai shkroi një nga faqet më të rëndësishme dhe interesante të historisë sonë. I palodhur ai u zgjodh Komisioner shqiptar në Uashington DC, diplomat në Ambasadën amerikane në Tiranë në vitin 1922. E jashtëzakonshme është puna e tij në fushën ekonomike dhe të arsimit, duke themeluar shkollën shqiptaro-amerikane të bujqësisë dhe shkollën e vajzave në Kavajë 1923-1939. Duke mos iu ndarë zemra nga Shqipëria, ai ishte delegat zyrtar i Vatrës në Konferencën e Kombeve të Bashkuar në San Françisko, në vitin 1945. Befasues, si përpara një personazhi të Bibles, shfaqet amerikano-shqiptari Erikson, “i zbuluar” nga autori Mal Berisha. Nuk mund të gjendet një tjetër i ngjashëm me Eriksonin, i cili shkoi me bindje drejtë vuajtjeve dhe sakrificave, në rrugën e misionarit por dhe të “atdhetarit”, jo për vete, jo për përfitime, por për t’i bërë dritë në rrugën e lirisë dhe përparimit, me zemrën e tij në dorë, popullit tonë, që aq shumë e çmoi dhe e deshi. Mirëpo ndodh dhe kështu, dhe në tallanditë e biblike të shqiptarëve, Eriksoni u harrua; u harrua nga ata që kanë drejtuar vendin, ndofta sepse ishte amerikan, ndofta sepse u bënte hije, ndofta sepse historia duhej të shkruhej ashtu siç donin ata? Kush e di! Por Eriksoni me zemrën e tij të madhe, me madhështinë e tij sikur thotë “Zot, fali se nuk dinë çfarë bëjnë!” Nderim për Mal Berishën që e solli këtë njeri të madh, që ua solli Eriksonin të rinjve që ta njohin, ua solli shqiptarëve që ta njohin atë dhe kohën e tij më mirë, të shohin se çfarë bëri ai pa asnjë shpërblim apo përfitim personal, veç vuajtjeve dhe sakrificave, në kohët kur Shqipëria kërcënohej të zhdukej nga pazaret e fuqive të mëdha për të kënaqur orekset e fqinjëve tanë dhe të përkulet me nderim përpara tij. Populli shqiptar, një popull pa vëlla, i gjendur përballë lakmive greko-serbe dhe pazareve të të mëdhenjve, sigurisht pa luftën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të patriotëve të vet të mëdhenj, nuk do të kishte arritur tu shpëtonte thonjëve grabitqarë. Por po aq me siguri mund të themi se një vend të veçantë, ndofta dhe më të rëndësishëm sa vepra e patriotëve tanë, për të paraqitur në mjediset diplomatike dhe politike të Evropës dhe Amerikës shqiptarët ashtu siç janë në të vërtetë zë dhe vepra e këtij misionari të jashtëzakonshëm, e këtij amerikani të bërë shqiptar, e këtij shenjtori për shqiptarët, i cili në ditët më të zeza për Shqipërinë sakrifikoi gjithçka, edhe djalin edhe gruan, edhe jetën normale të familjes së tij.
Eriksoni erdhi në Shqipëri në shtator të vitit 1908, sëbashku me familjen dhe jetoi një nga periudhat më të vështira për Shqipërinë por edhe periudhën nisjes së lëvizjeve të mëdha kombëtare të tyre për liri dhe pavarësi në të cilën u përfshinë dhe e organizuan patriotët dhe mendimtarët e mëdhenj të popullit tone. Eriksoni u përfshi krejtësisht me zemër dhe veprimtari konkrete në atë lëvizje të madhe, dhe në bashkëpunim me patriotët tanë dha një kontribut të veçantë që Shqipëria të arrinte ditën e madhe të pavarësisë. Veprimtaria e tij përfshinte si atë fetare për të cilën dhe kishte ardhur, por dhe atë politike për të cilën e ndjente shpirtërisht se duhej të bënte duke e njohur nga afër popullin shqiptar si popullin me të vjetër të Ballkanit por dhe si një popull me vlera të veçanta të spikatura që nuk i gjente ndër popuj të tjerë. Për shkak të kësaj veprimtarie patriotike(si shqiptar) ai u përndoq në mënyrë sistematike si nga administrata otomane edhe nga Serbët, u arrestua dhe iu bastis shtëpia, iu konfiskuan librat shqip dhe shkrimet e tij për shqiptarët dhe Shqipërinë. Dhe pas katër vjetësh Eriksoni u detyrua të largohet nga Shqipëria, por la zemrën dhe mendjen këtu, ndërsa veprimtaria e tij për Shqipërinë mori zhvillime të reja, dimensione të reja, tepër të rëndësishme për fatet e Shqipërisë. Ai botoi shumë shkrime në revista të rëndësishme të botës, si në “The Economist”, ku trajtonte tragjedinë shqiptare, jo si një huaj por si shqiptar patriot që i dridhej zemra dhe i digjej shpirti për atë popull që e priti aq bujarisht në fukarallëkun e tij, i etur për dije por i privuar nga të huajt, i etur për liri, por i shtypur nga të huajt, i nëpërkëmbur nga të mëdhenjtë, por ai i vetëm përballë lukunive që vinin nga jugu dhe veriu, i vetëm përballë vendimmarrësve të plotfuqishëm. Artikujt janë të shumtë dhe të befasojnë me mënyrën e trajtimit të problemeve nga Eriksoni, me pasionin dhe devotshmërinë me të cilën janë shkruajtur.
Një kontribut të veçantë për Shqipërinë Eriksoni dha në Konferencën e Paqes në Paris, si pjesë e delegacionit shqiptar. Puna dhe veprimtaria e tij është mahnitëse, dhe besoj se kushdo shqiptar do të emocionohej dhe ndjehej krenar për një mik të tillë, për këtë shenjtor mbrojtës, që Zoti ia solli për ta shpëtuar. Sigurisht në një shkrim gazete nuk mund të trajtohet gjithë kjo veprimtari, për këtë duhet lexuar libri aq interesant i shkruajur nga Mal Berisha, por unë dua të theksoj korrespondencën e tij me presidentin Wilson, rezultatet e së cilës, sëbashku me gjithë punën e patriotëve të tjerë shqiptarë, tashmë dihen. Dhe ne i ngritëm Wilsonit një monument në shenjë nderimi dhe respekti për çfarë bëri ai për ne. Po për Eriksonin? Duhej ta linin në harresë ata që kanë drejtuar Shqipërinë ndër vite? Kurrsesi jo!
Më 23 tetor 1920, qeveria shqiptare i dërgon një letër presidentit Wilson ku e njoftonte për emërimin e Eriksonit si i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë, me qëllim vendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-Amerikane në të ardhmen
Por veprimtaria e Eriksonit si një patriot i madh shqiptar nuk mbaron këtu, bile ajo intensifikohet gjithnjë e më shumë, edhe në fushën ekonomike, arsimore, politike dhe shumë të tjera. Sepse ai i njohu mire plagët e Shqipërisë, hallet dhe nevojat e saj, dredhitë e fuqive dhe të fqinjëve por njohu dhe aftësitë dhe cilësitë e shqiptarëve, për të cilët në të gjitha rastet flet me admirim të veçantë.
Nga gjithë përvoja e tij, Eriksoni doli në përfundimin se Shqipërinë mund ta shpëtonte vetëm një mandat amerikan, për të cilin u përpoq aq shumë, por nuk e realizoi. Megjithatë, deri në fund të jetës, veprimtaria e tij është e orientuar vetëm drejtë Shqipërisë, vetëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët, sa në pamje të parë të duket e pabesueshme, por duke njohur shpirtin dhe bindjen e Charles Telford Ericksonit, e sheh se përpara ke veprën e një njeriu të jashtëzakonshëm, e pakrahasueshme me asnjë tjetër, në mbrojtje të Shqipërisë.
Gjithë kjo veprimtari deri tani e panjohur dhe e harruar, pa u marr me shkaqet e këtij harrimi, meriton në mënyrë të domosdoshme të njihet dhe të çmohet, sot kur mendimet tona janë më të kthjellëta, kur mjetet e komunikimit, televizionet dhe shtypi janë me këto hapësira që ne i dimë. Përveç kontributit të paçmuar të Mal Berishës, me sjelljen e një biografie dhe veprës së shkruajtur të Eriksonit, unë mendoj që televizionet, këto institucione të fuqishme të propagandas (po të propagandas) dhe formimit të opinionit, ashtu siç i bëjnë publicitet librave të ndryshëm, ndofta dhe të parëndësishëm, e kanë për detyrë të pasqyrojnë dhe veprimtarinë e këtij njeriu të jashtëzakonshëm që aq shumë e deshi dhe punoi për Shqipërinë, për atë që brengë të shpirtit të tij pati Shqipërinë dhe Shqiptarët.