NDERIM PËR PANDI TOÇEN – ELEGJI PËR NE TJERËT!
Gazeta PANORAMA, 18 Gusht 2014
Kam lexuar shumë pak këto ditë për një hero të vërtetë. Në fakt do të desha të isha vetë autori i një elegjie dedikuar atij heroi. Sepse ai e meriton. Sepse gjëja më e shtrenjtë në jetë, është vetë jeta. Kur njeriu e jep të tijën për të shpëtuar atë të tjetrit, ai është heroi. Nuk ka nevojë të kërkohen as të sajohen heronjtë. Ata shfaqen vetë, ashtu krejt papritur, bëjnë diçka të madhe, si për të na kujtuar ne të zakonshmëve se jeta ka vlerë dhe për ta mbrojtur atë nuk mjafton vetëm kujdesi, por edhe sakrifica. Dhe kështu ikin. Kështu iku edhe Pandi. Rrethanat iu japin atyre mundësinë të bëhen të tillë. Eshtë momenti që i bën ata heronj ndërsa mirënjohja jonë, (kur ajo ekziston), i shndërron ata në të pavdekshëm. Një njeri si Pandi Toçe është hero pasi akti i tij e shndërron atë në të tillë. Është i tillë për fatin e keq të jetës së tij që u këput shpejt, por edhe për fatin e mirë të emrit të tij që akti human e bën të paharruar. Për nderin e familjes dhe të atyre që e kanë dashur, edhe timin që nuk e kam njohur e shumë e shumë tjerëve si unë…
Por pas veprës së tij heroike mbetet dobësia jonë e pajustifikueshme që kemi harruar se çfarë e dallon njeriun e jashtëzakonshëm nga krijesa e thjeshtë: ai i pari në rrethanat e jashtëzakonshme bën aktin e jashtëzakonshëm, siç bëri Pandi ynë, ndërsa i dyti bën atë që bën çdo krijesë, si në rethanat e zakonshme edhe në ato të jashtëzakonshme.
Pandi është heroi im. Sepse në kushtet kur jeton shoqëria jone, unë kam nevoje për të. Ne të gjithë kemi nevoje për të. Kombi ka nevoje për të. Sepse modeli i tij ndeshet rrallë. Në qoftë se Endrit Cara, djali kavajas la rehatinë e Londrës dhe vajti e u vra ne Kosovë pa ia kërkuar askush me detyrim, ai bëri akt heroik. Ai u bë i tillë në rrethana lufte.
Edhe sot është luftë. Eshtë luftë e madhe morale. Luftë për vlera, për nder komb e atdhe. Pandit i qoftë i lehtë dheu! Ai fëmijë që mbijetoi falë heroizmit të Pandit, qofte me jetë! Në fakt jam më shumë i tronditur nga heshtja se sa nga vdekja dhe këtë ndjenjë e kam që kur e dëgjova këtë lajm. Jam i sigurtë se një ditë heroi do vihet në piedestal. Piedestalet presin por nuk rrine përherë te zbrazura. Nje prej tyre e pret Pandin, heret ose vone. Ndoshta do jetë ai djalë që shpëtoi Pandi, ose dikush nga brezi i tij që do të dijë të vendosë heronjtë në piedestalet e tyre. Në piedestale prej nga ata do të shohin me keqardhje indiferencën tonë të dhimbshme ndaj heroizmit të tyre. Por do gjykojnë ftohtazi edhe vemendjen tonë të sotme të supershtuar ndaj antivlerave që mbushin ekranet tona çdo kryeorë.
Respekt për heroin dhe ata që e nderojnë atë. Nderim për familjen dhe ngushëllime! Falemnderit Pandi! Krenari për tëre ata që e çmojnë aktin tënd të madh!
Mal Berisha