NDERSHMËRIA E ZYRTARIT TË SHTETI VS VS KORRUPSIONI
Një histori personale nga Stambolli, viti 1995
Nga Mal Berisha
EPISODI I PARË
SKENA TELEVIZIVE NGA SPAK-U NË TIRANË
Këto ditë, kur flitet më shumë se kurrë me fakte për përfshirjen korruptive të punëve të shtetit në ato private dhe të punëve private në ato të shtetit, më ra në sy në ekranin e televizionit portreti i një biznesmeni të fuqishëm shqiptar, i cili doli nga dyert e SPAK-ut, i rrethuar nga kamerat e gazetarëve.
E kuptova menjëherë se ishte thirrur për aferat e një çifti tashmë famëkeq, të cilët e kishin përdorur zyrën e shtetit dhe lidhjet me ambasadt e huaja për përfitime të mëdha korruptive në kurriz të bizneseve shqiptare dhe të huaja.
EPISODI I DYTË: Retrospektive:
KONSULLATA SHQIPTARE NË STAMBOLL
Një ditë, rreth datës 20 dhjetor 1995, kur drejtoja Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Stamboll, polici turk që ruante objektin në adresën Husref Gerede Caddesi, më mori në telefon dhe më njoftoi se një shqiptar, djalë i ri, donte me patjetër të më takonte.
I thashë ta kalonte në telefon. Pasi dëgjova arsyen e tij, i kërkova policit ta sillte në zyrën time.
Djaloshi hyri. E prita me mirësjellje, i ofrova kafe dhe e pyeta për hallin që kishte.
I ri, bardhokan, disi i bëshëm, me një hall të madh dhe stres të thellë, ai më shpjegoi se kishte sjellë nga Kina kontenjerë me fishekzjarre me vlerë 3 milionë dollarë, të cilët duhej t’i shpërndante në Shqipëri për festën e Vitit të Ri. Por për fat të keq, malli ishte bllokuar në doganën e Stambollit.
Pasi më tregoi situatën, u përgjërua që ta ndihmoja. Nuk bëhej fjalë vetëm për lirimin e mallit, por për urgjencën e shpërndarjes së tij para Vitit të Ri, pasi fishekzjarret kishin një treg sezonal të kufizuar. Nëse nuk shiteshin në kohë, ai do të duhej të priste një vit të tërë për t’i nxjerrë në treg, çka do të ishte fatale për të, pasi mund të falimentonte për shkak të kredive bankare dhe garancive financiare që kishte marrë për këtë ngarkesë.
“Kërko sa të duash! Vetëm më ndihmo! Të lutem! Zoti Konsull, a e kupton sa keq e kam punën? Do të të falënderoj dhe s’do ta harroj kurrë! Kërko sa të duash!!”
E pashë me vëmendje dhe i thashë:
“Unë këtë punë e kam marrë për t’i shërbyer vendit tim, jo për tregti. Më thuaj: Çfarë ke bërë që turqit të kanë bllokuar mallin?”
“Nuk kam bërë asgjë të keqe,” – më tha. “Thjesht më penalizojnë për interesat e tyre. As vetë nuk e di pse.”
EPISODI I TRETË:
DOGANA TURKE NË KARAKÖY, STAMBOLL
Kapa telefonin dhe thirra zyrën kryesore të doganave në Karaköy. Një zë i sjellshëm më dëgjoi me kujdes dhe, pasi i dhashë të gjitha të dhënat e nevojshme, më tha:
“Zoti konsull, ejani në orën 14:00 në zyrën tonë bashkë me zotërinë e mallit dhe do ta sqarojmë situatën.”
Erdhi ora. U nisëm së bashku për në doganë. Levent Beu, drejtori, na priti me mirësjellje dhe na ofroi çaj turk bashkë me ëmbëlsira tradicionale. Ai e sqaroi situatën dhe malli u lirua pa asnjë pengesë të mëtejshme.
Në fytyrën e djaloshit biznesmen pashë një gëzim të madh, një çlirim të sinqertë, që rrallë e kisha parë ndonjëherë.
Dolëm nga dogana. Pas një “debati” mbi çfarë duhej bërë e çfarë jo, dhe një refuzimi tim kategorik për ndonjë lloj mitmarrjeje, u ndamë. Secili shkoi në punën e vet.
EPISODI I KATËRT
TIRANË, 2003
Vite më vonë, ndoshta rreth vitit 2003, bashkë me një grup miqsh dhe kolegësh të UNMIK-ut, erdhëm nga Kosova për një darkë në një restorant luksoz në Tiranë.
Ndërsa po darkonim, pashë një burrë që afrohej drejt meje. Tani ishte i pjekur, më i plotë në trup, i veshur me një xhaketë lëkure shumë të shtrenjtë, me një ecje të sigurt e vetëbesuese. Ai më preku lehtë në sup dhe unë u ngrita.
I buzëqeshur, më foli si I njohuri im..? Kishte ndryshuar aq shumë sa nuk e njoha dot. Vetëm sytë e tij më kujtonin diçka, por kujtesa nuk më ndihmonte.
Pasi shtrënguam duart dhe e vuri re se nuk e njihja, më pyeti:
“Më duket sikur nuk po më mban mend apo jo?”
I kërkova ndjesë që nuk e kujtoja.
“Po fishekzjarret e dhjetorit të prag Vitit të Ri 1996, që m’i zhbllokove në Doganën e Stambollit, a i mban mend?”
“Ah, po! Tani po!” – i thashë. “Po çfarë ndodhi më pas?”
Ai qeshi, nxori gjoksin përpara si një njeri i suksesshëm dhe më tha:
“Ato fishekzjarret që më lirove ti në Stamboll e ‘pollën’ këtë ndërtesën që sheh ti sonte!”
Qeshëm të dy, shtrënguam duart dhe u ndamë.
EPISODI I PESTË
GJUMI I QETË I NDERSHMËRISË
U ula në tavolinë dhe ia tregova këtë histori mikut tim, Rudi Bobrati. U ndjeva aq i lumtur që kisha ndihmuar një njeri pa i lënë asnjë shteg të më përçmonte, por vetëm të më nderonte për veprimin tim.
Por ja, ata që sot duan të “fshijnë” dhe të “çrrënjosin” korrupsionin, e përplasën këtë njeri në dyert e SPAK-ut.
Nuk e di në çfarë cilësie e kanë thirrur dhe nuk dua të gjykoj.
Thjesht ndjej krenari për gjestin tim.
Prandaj e bëj gjumin të qetë.