NJE EPISOD NË KUJTIM TË REGJISORIT TË MADH PIRRO MANI
Nga Mal Berisha
Sot bota artistike shqiptare dhe jo vetëm, është në zi për humbjen e njërit nga figurat më të mëdha dhe emblematike të teatrit dhe kinematografisë, Mjeshtrit të Madh, Artist i Popullit, PIRRO MANI.
Jam shumë i sigurtë se miqtë e tij të afërm kanë me mijëra kujtime të shumë natyrave. Edhe unë kam një të tillë.
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar kam patur fatin të kisha miqësi me artistët e mëdhenj, Pirro Mani dhe Kadri Roshi. Me ta më lidhte një dashuri e respekt që shkonte përtej jetës së tyre profesionale, aq të shquar dhe të dashur për artdashësit e asaj kohe.
Ishin edhe detaje të jetës si ky që do të tregoj më poshtë që na e bënte jetën të bëgatshme, përkundër privacioneve të kohës.
Pasioni i këtyre artistëve për teatrin shoqërohej edhe me një pasion tjetër – peshkimin. Ata ishin prej atyre njerëzve të cilët prisnin me durim të pafund deri sa një caragë t’u binte në grep.
Një herë, kur punoja në Pallatin e Kulturës në Laç, erdhën Kadri Roshi, bashkë me Pirro Manin. Pirroja ngiste një motor Java. Të dy ishin veshur me rroba peshkatarësh dhe kishin me vete trastat dhe kallamat, filispanjat dhe grepat. I prita si përherë me respekt. Pimë kafe në katin e parë të Pallatit të Kulturës ku na shërbente Teto Evanthia. Tërë salla u lëshua t’i qeraste e t’i përshendeste ata artistë që i donin aq shumë.
Pasi dolën Kadriu më tha:
“Mal, a do më bësh një nder? Nuk e di sesi do na shkojë peshkimi sonte dhe se sa kohë do të rrimë në bregdet, në Patok. Por po e pamë keq, mbase kthehemi por nuk duam të udhëtojmë natën për Tiranë. Sikur të na lesh një çelës ta pallatit dhe ndonjë dhomë aktorësh që të vimë e të pushojmë pak dhe pastaj në mëngjes ikim?!
Pa një pa dy, ua dhashë çelsat e pallatit dhe të dy dhomave, në katin e parë.
Ata kishin zënë diku dy tre kilogram peshk dhe ishin kthyer rreth mesnatës. Kishin hyrë secili në dhomën e vet. Kadriu e kishte varur peshkun që mos të prishej në dritaren, e cila ishte e hapur. Mesa duket, dikush që kalonte aty pari, e kishte venë re tek po e varte peshkun në dritare, në një kabllo telefoni që kalonte aty, dhe kishte pritur sa të fikej drita. Pas pak, kalimtari i rastit, ishte kapur në zuglaturën e dritares dhe e kishte tërhequr kabllon, e kishte këputur dhe e kishte marrë peshkun me vete.
Kadriu, i cili ende ishte zgjuar kishte dalë në dritare dhe kishte bërtitur:
“Na more, i paudhë! Ç’deshe me peshkun! Ej, se mos bie në korent. Të lutem ktheje peshkun! Kujdes, do të vdesësh nga korenti! Na moreee!”
Por njeriu në anën tjetër të xhamit kishte dale në atë lulishten që ishte përballë dritares dhe qeshte. Pastaj kishte ikur bashkë me peshkun…!
Në mëngjes vajta në punë. Menjëherë më ra në sy motorri i Pirro Manit. Epo thashë, këta paskan ardhur dhe kushedi sa peshk do të kenë zënë! Ngjita shkallët dhe i vura re ata të dy, në tavolinën e parë pranë derës, të dy kokëulur. Në kokë mbanin nga një kapele ushtarësh me strehë, pa yll. Nuk flisnin asnjëri as tjetri.
I përshëndeta dhe i pyeta se si ju shkoi peshkimi.
Pirroja më tha: “Pyete Kadriun se ai e din se si shkoi?”
“Hë, professor”, thashë, “si vajtët?”
“Lere më tha. Mos më pyet. U dreqos puna fare. Dhe më tregoi se si kishte ndodhur me njeriun që ua kishte marrë peshkun.
“Tani do ikim” më tha. “Po kush i del përpara Agim Qirjaqit. I kemi thënë që të na prisnin sot në drekë se do sillnim peshk e do të shkonim tek një lokali ynë i preferuar e ta gatuanim atje.
Tani nuk kemi gjë në dorë. Puff!
E mori djalli. Ku u gjet ai njeri që na la me duar bosh!?”
“Aman” më tha Profesor Kadriu, “se mos i thua njeriu që na gjeti kjo hata se do qeshe bota me ne!”
“Jo, ore ç’ne” i thashë, unë. “Po kujt do t’i them unë, tek e fundit!”
“He pra se neve po ikim!”
Ia hypën motorrit dhe u nisën për Tiranë.
Kur vajtën ne teatër në Tiranë, këta “peshkatarë” po i prisnin krahëhapur artistët e tjerë.
Kuptohet zhgënjimi i të gjitha palëve. Kjo nuk është si ato rrëfimet e ekzagjeruara të peshkatarëve por një ngjarje e vërtetë e mbushur plot me humor. Pas asaj ngjarje, sa herë që ata shkonin për peshkim, në teatër qeshnin dhe thoshnin:
Bëhuni gati se po vijnë Pirro me Kadriun plot me peshk nga Laçi.!
Njerëz me botë të madhe dhe humor në jetën e tyre aq sa meritojnë solemnitet e rrespekt, meritojnë edhe kujtime të bukura që mbushnin jetën e tyre dhe të njerëzve të thjedhte që i rrethonin.
Nderim për Pirro Manin, njeriun që i dha formë ndërgjegjes tonë estetike në fushën e artit dramatik!
I qoftë i lehtë dheu!