NJË LIBËR SHUMË, I VYER, I DHURUEM PREJ PROF. DR. Gjovalin Shkurtaj


NJË LIBËR SHUMË, I VYER, I DHURUEM PREJ PROF. DR. Gjovalin Shkurtaj

Nga Mal Berisha



Në “FJALORIN E GJUHËVE TË BOTËS”, të autorit Andrew Dalby, i botuem nga Columbia University Press në New York, 1998, në mes të 400 gjuhëve të botës asht përfshi edhe Gjuha Shqipe, si njena prej gjuhëve ma të vjetra indo-europiane. Profesor Dalby, asht një studiues shumë i njoftun anglez i lindun në Liverpul në vitin 1947. Ai njihet si gjuhëtar, historian e përkthyes dhe ka botue shumë libra me një gamë shumë të gjanë, që nga historia e gjuhëve klasike. Ai i ka dhanë një vend nderi Gjuhës tonë të bukur Shqipe.

https://malberisha.com/mal-berisha-shqipja-jone-ne-fjalorin-e-gjuheve-te-botes-te-andrew-dalby-it/

Lëvruesit e shumtë të Gjuhës Shqipe, vendas, arbëreshë apo të huej, si Prof. Dalby, do të ishin krenar nëse do të kishin në dorë fjalorin që mora sot prej Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, Akademik Emeritus.

Çdo komb e ka një fije të fortë lidhëse të identitetit të vet.
Ne shqiptarët e kemi si fije lidhëse Gjuhën Shqipe. Ndonëse gjuha jonë ka dy dialekte që përkojnë me veriun dhe jugun e vendit ose e thanun me terma ma të saktë, Gegnishte dhe Toskërishte, ajo mbetet burimi dhe baza e përhershme e përkatësisë tonë të përbashkët kombëtare shqiptare.

Në këtë postim nuk dua të përmend emnat e gjuhëtarëve të shumtë shqiptarë dhe të huej që janë marrë me Gjuhën Shqipe.

Më mjafton me thanë se FJALORI LEKSIKO – FRAZEOLOGJIK DHE ETNOLINGUISITIK I MALËSISË SË MADHE, i sapo dalë nga botimi nga Prof. Shkurtaj, përban një kontribut të jashtëzakonshëm në lamen e Gjuhës Shqipe në trevat e veriut, ku asht perqëndrue autori, por edhe për vetë Gjuhën Shqipe, në tansi.

Në fakt ky fjalor na ndihmon të ndiejmë dhe të shijojmë edhe ma shumë gjuhën e ambël, të mrekullueshme, të pashoqe, të autorëve të veriut prej tek Fishta e Mjeda, e deri tek Migjeni e Camaj. E folmja e zonave të Malësisë së Madhe, e shndritune në këtë fjalor, në rrethinat e Cenit e të Drinit, nëpërmjet listimit të fjalëve të shumta, shqiptimit të tyne, prapashtesave, formave të zgjedhimit të foljeve apo të lakimit të emnave, nënkuptimeve dhe frazeologjizmave, kanë gjetë një materializim mbi letër të pasunisë së pafund dhe lakonizmit të veçantë gjuhësor e të mënyrës së si shprehen dhe kuptohen banorët e atyne trevave, nga ma të pasunat në gjuhën tonë.

Si një verior i “pandreqshëm” e gjej edhe të folmen e krahinës time, Malësisë së Gjakovës, të pasqyrueme në një masë të madhe në kët’ fjalor. Kjo verteton edhe tezën e përkatësisë së të njejtit komb, edhe pse të ndamë në krahina për shkak të faktorëve historikë që nuk janë objekt i këtij opinioni mbi fjalorin në fjalë.

Me këtë rast dua të shoqnoj pasuninë gjuhësore të Fjalorit të Profesor Shkurtaj – t, me lakonizmin e dy veprave të shkrueme për Gjuhën Shqipe nga dy autorë të cilët kanë përdorun në mënyrën letrare ma virtuoze, pikërisht fjalët e përdoruna në atë krahinë të cilës i referohet autori në këtë fjalor.

E krejt në fund, i uroj profesorit shëndet e jetë e krijimtari të begatshme për të mirën e tij dhe familjes së vet, por edhe tonën që e duam gjuhën tonë kaq shumë.

============================

NDRE MJEDA
Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit â burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji â Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

========================

At GJERGJ FISHTA

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
……………….
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten: Rrnoftë Shqypnia!


MAL BERISHA