NJË MËNGJES ME KREYTARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS, ARKITEKTIN PËRPARIM RAMA, NË ZYRËN E TIJ
Nga Mal Berisha
Në një mëngjes herët të muajit tetorit të këtij viti pata nderin të takoja në zyrën e tij, Kryetarin e Komunës së Prishtinës, arkitektin Përparim Rama. Ishte shumë heret, fill pas orës shtatë dhe mendoja se kisha shkuar shumë diçka para orës së takimit të cilin e kishim fiksuar që më parë për në 7.30.
Por jo, isha gabuar. Kryetari kishte vajtur në zyrë për shumë më përpara se ne të arrinim aty. Ky takim bëhej thjesht për respekt dhe asnjë lloj interesi të çfarëdo lloji. Ai do të ishte një rast i mirë që të evokonim njohjen tonë zyrtare, shoqërore, patriotike dhe familjare që fillon nga shkurti i vitit 2012. Në fakt, njohja jonë gjatë asaj periudhe, kur unë shërbeva në Londër, kishte marrë trajtat e një miqësie të afërt edhe me familjen e mrekullueshme të Përparim Ramës, me nënën e tij, arsimtare e njohur në Prishtinë, me zonjën e tij, Kristalen, bijë e familjes shumë të njohur patriote Ivezaj nga Tuzi, si dhe me fëmijën e tyre të parë, Arra Serafinën, bukuroshe.
Njohja me këtë familje, ka qenë një ndër gjërat që i vlerësoj më shumë ndër njohjet e mia të asaj periudhe të shërbimit në Londër. Ndër ngjarjet më të bukura të asaj kohe, do të veçoja disa prej tyre që mbetën thellë të rrënjosura në kujtesën time.
E para është bashkëpunimi me arkitektin Përparim Ramën në kuadër të Ambasadës Shqiptare në Londër nga ana ime dhe me UKAP-in (United Kingdom Albanian Professionals), një organizatë që z. Rama e kishte themeluar vetë. Në atë organizatë bënin pjesë të rinj e të reja shqiptare të cilët kishin përparuar në Mbretërinë e Bashkuar deri në nivelin më të lartë profesional në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tyre. Më pas, gjeta tek ky arkitekt i shkëlqyer një ndihmë të pakursyer për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Londër, që mbetet si një shenjë e bukur e aktivitetit të shqiptaro-britanikëve në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, 1912–2012.
Vitet kaluan dhe erdhi momenti i lamtumirës nga Ambasada Shqiptare në Londër. Atë mbrëmje të paharruar, më 30 tetor të vitit 2015, i dhurova Bashkësisë Shqiptaro-Britanike librin përmbledhës të shërbimit tim në atë vend, të titulluar “Realitete Shqiptaro-Britanike”. Ky libër përmban përmbledhjen e momenteve më të bukura dhe të rëndësishme të lidhjeve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Në atë mbrëmje, një nga folëset më mbresëlënëse ishte zonja Kristale Rama-Ivezaj.
Me atë rast lamtumire, familja Rama më bëri një dhuratë shumë të çmuar dhe simbolike: një stilograf Mont Blanc. Përkushtimi në atë dhuratë ishte shumë mbresëlënës, me rastin e lamtumirës time nga Londra, në respekt të botimit të librit tim. Dhurata ishte shumë simbolike: “Bacës Mal, me urimin që mos të pushojë duke shkruar!” Këtë stilograf të markës Mont Blanc e mbaj gjithmonë me vete, në tavolinën time të punës, gjë që më kujton përherë porosinë e këtyre njerëzve të dashur.
Në të vërtetë, kësaj radhe shkova ta takoj kryetarin e Prishtinës për ta ftuar dhe për t’i thënë se e kisha mbajtur porosinë e tij dhe se e kisha plotësuar premtimin që nuk do të pushoja së shkruari. I tregova se sapo kisha përfunduar së përkthyeri librin “Malet e Gjigantëve” të antropologut më të njohur amerikan, profesorit të Harvardit Carleton S. Coon.
Për një rastësi të natyrës, me vete kisha edhe një adash të kryetarit të Prishtinës, avokatin nga Tirana, Përparim Rama, i cili shpeshherë ‘ngatërrohet’ për shkak të emrit të njëjtë me atë të kryetarit nga Kosova. Kjo shtoi edhe më shumë humorin e atij mëngjesi, me ‘Dy Përparimat’.
Biseda me kryetarin e Prishtinës, arkitektin Përparim Rama
Si një shqiptar nga Shqipëria, që kam jetuar plot 11 vjet në Prishtinë, e tanimë edhe shtetas i Republikës me të re Evropiane, Kosovës, jam gjithmonë kureshtar të shoh sa shumë ndryshon ai qytet dhe sa i gjallë, vibrant dhe në lëvizje është. Sa herë që shkoj, gjej diçka të re. Autostradat me cilësi të lartë, ndër më të mirat në Evropë, zgjaten çdo ditë. Projektet e qytetit të Prishtinës zhvillohen vazhdimisht, dhe idetë e reja novatore synojnë ta shndërrojnë atë jo vetëm në një qytet të jetueshëm, por edhe të jetueshëm në mënyrë të bukur.
Ishte e natyrshme që, pas një hyrjeje të këndshme me kujtime të bukura, biseda për mbarëvajtjen e familjeve dhe fëmijëve tanë, si dhe rikujtimi i disa ngjarjeve të mbushura me nota humori, të kalonim te ajo që arkitekti Përparim Rama ka më për zemër në këto momente: Zhvillimin e qytetit të Prishtinës.
Ndërtimi i një të ardhmeje digjitale dhe të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale.
Me një vizion artisti dhe me pasionin që e karakterizon, kryetari na shpjegoi me detaje planet e tij për të ardhmen e Prishtinës. Ai foli me entuziazëm për projekte që synojnë të transformojnë qytetin në një qendër të avancuar teknologjike dhe digjitale, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e tij kulturore dhe historike. “Dua një Prishtinë që ecën përpara me kohën, një qytet që përqafon teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe zhvillimin e qëndrueshëm,” tha ai me besim.
Ndër idetë që përmendi ishte krijimi i një infrastrukture digjitale që do t’i lejojë qytetarët të kenë qasje më të lehtë në shërbime publike, të ndihmojë bizneset lokale të përshtaten me zhvillimet e reja teknologjike dhe të inkurajojë inovacionin në arsim dhe kulturë. “Prishtina do të jetë qyteti i së ardhmes, një shembull frymëzimi për rajonin,
Prishtina një Smart City
Kryetari na shpjegoi se Prishtina është në rrugën e krijimit të një infrastrukture digjitale që do të mundësojë mbledhjen dhe analizën e të dhënave në kohë reale për të formuar politika dhe projekte që i përgjigjen nevojave të qytetarëve. Kjo infrastrukturë do të përfshijë sensorë për shërbime të ndryshme qytetare, si sistemet e parkimit inteligjent, që do të ndihmojnë në menaxhimin më të mirë të trafikut dhe shërbime të tjera publike të bazuara në të dhëna. Në qendër të këtij vizioni është Inteligjenca Artificiale (AI), e cila kontribuon në optimizimin e këtyre sistemeve, duke bërë që menaxhimi i qytetit të jetë më i efektshëm dhe cilësia e jetës për qytetarët të përmirësohet ndjeshëm.
Reforma digjitale në arsim
Reforma në arsim është një prioritet për qytetin, i cili po prezanton modelin e mësimit të plotë gjatë ditës në shkollat publike. Kjo reformë synon të ofrojë një përvojë edukative më gjithëpërfshirëse dhe angazhuese për nxënësit. Shkollat po digjitalizohen me teknologji moderne, duke krijuar mjedise interaktive të të mësuarit ku nxënësit mund të përfitojnë nga mjete dhe platforma të reja edukative, që mbështesin një qasje më inovative dhe efektive në arsimimin e tyre.
Projekte inovative edukative në zhvillim:
Në kuadër të modernizimit të edukimit, po zhvillohet projekti “Deep Space,” i cili ofron një përvojë edukative immersive, duke bashkuar shkencën, teknologjinë dhe artet. Ky ambient modern u mundëson studentëve ndërveprim me përmbajtje digjitale në një shkallë të gjerë, duke e bërë procesin e të mësuarit më interaktiv dhe të fokusuar në të ardhmen. Një tjetër projekt, “Robot Brick,” përdor robotë të pajisur me AI për të ricikluar mbetjet ndërtimore në materiale ndërtimi. Ky projekt shërben jo vetëm si mjet edukativ për studentët, por edhe si një zgjidhje praktike për nevojat e infrastrukturës urbane, duke mbështetur kështu një qasje të qëndrueshme dhe inovative.
Kjo iniciativë ofron përvojë praktike për studentët në fushat e robotikës dhe qëndrueshmërisë, duke u treguar atyre se si teknologjia mund të përdoret për të adresuar sfidat mjedisore. Me transformimin e mbetjeve në pllaka ndërtimi të përdorshme në vend, projekti mbështet praktikat e ndërtimit të qëndrueshëm dhe kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, duke u shndërruar kështu në një aset të rëndësishëm edukativ dhe infrastrukturor.
Prishtina po pozicionohet si një qytet që jo vetëm përqafon inteligjencën artificiale në arsim, por e integron atë edhe në shërbime të ndryshme publike, duke promovuar inovacionin dhe duke siguruar një qasje përparimtare ndaj zhvillimit urban.
Është e pamundur të memorizosh gjithçka që u tha në atë mëngjes të hershëm të asaj dite të bukur në zyrën e kryetarit të Komunës së Prishtinës. Por, në fakt, minutat kaluan si të ishim në një leksion për Silicon Valley. Aty, Prishtina krahasohej me pak vende të tjera të botës, siç është Singapuri. Ajo që po dëgjonim na bënte të ndiheshim si para një zyrtari të thjeshtë, të edukuar në vendin më të përparuar të botës, në Britaninë e Madhe, dhe tani të kthyer në vendin e fëmijërisë së tij, duke i kthyer borxhin që çdo shqiptar patriot ia ka vendlindjes.
Ndërkohë që kryetari na tregon, këshilltarja e tij, zonja Ermira Gjevori Hatibi, mban shënime dhe herë pas here plotëson ndonjë gjë. Ajo është mbesa e një heroi të arsimit shqiptar në Kosovë, Muhamet Gjevori, nga Elbasani.
Ai ishte mësuesi i mësuesëve të Kosovës, i cili thoshte: “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën.” Ai ka qenë autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, e botuar në vitin 1946, si dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera. Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.
Në shtator të vitit 1941, ai vullnetarisht iu përgjigj thirrjes së ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi, për të dhënë mësim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë përbëheshin nga 400 normalistë, shumica e të cilëve ishin djem dhe vajza që kishin studiuar në Normalen e Elbasanit.
Për të na sajdisur edhe më shumë, kryetari na e prezantoi këshilltaren e tij dhe lidhjen që ajo ka me Shqipërinë si një simbiozë të identitetit shqiptar në të dy anët e kufirit virtual-politik, që mund të veçojë tokat, por kurrë jo shpirtërat tanë.
Kryetari dhe këshilltarja e tij e nderuar na ftoi për një foto në sallën e tij të konventave.
Ata na përcollën deri jashtë selisë së Komunës së Prishtinës. U ndamë vllaznisht me premtimin për t’u parë sa më shpejt. Më pas, mbetëm për të bërë një homazh tek monumenti i themeluesit të shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Prishtinë, Tetor 2024