Në përkujtim të 550 vjetorit të Skënderbeut, Shtëpia botuese KOHA në Prishtinë sapo ka nxjerrë nga shtypi librin “NALTËSIMI I ISKANDERIT” shkruar nga Benjamin Disraeli.
Libri është përkthyer nga anglishtja dhe shoqërohet me një analizë kritike, historike dhe letrare nga stdudjuesi dhe ish diplomati, Mal Berisha. Kjo është një novelë me trille letrare e mbështetur mbi fakte dhe figura historike që ka si personazh kryesor Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e botuar për herë të parë në vitin 1833.
Benjamin Disraeli është një shkrimtar dhe politikan i rrallë, dy herë Kryeministër i Britanisë së Madhe, i cili përveç karrierës së tij politike renditet midis njerëzve më të shquar për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u kthye në një drejtues i jashtëzakonshëm shteti. Midis afro 20 veprave tjera letrare, “Naltësimi i Iskanderit” e vendos atë në radhën e shkrimtarëve më të shquar të periudhës së romantizmit viktorian në botën e letrave angleze. Libri është redaktuar nga znj Flaka Surroi.
Ballina e librit, jo për koincidencë, mban foton e bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Londër, inaguruar më 28 nëntor 2012, vepër e skulptorit Kreshnik Xhiku me diçiturën: HEROI I PAMPOSHTUR I KOMBIT SHQIPTAR – MBROJTËS I QYTETËRIMIT PERËNDIMOR. Ai u vendos dhe u financua nga vetë ish-ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, z. Mal Berisha, më 28 nëntor 2012, në 113 Inverness Terrace, London W2 6JH.