NJË VËSHTRIM VLERËSUES RRETH LIBRIT :“VAJI I GURIT” SHKRUAR NGA MIRANDA HAXHIA
NGA MAL BERISHA

Hyrje
Letërsia e kohës së demokracisë, ose, thënë më mirë kjo e kohës së lirisë së shprehjes, ka ende shumë pak vepra si kjo “VAJI I GURIT “që e kanë denoncuar regjimin barbar komunist ashtu siç ishte, me shpirtligësinë, shpirtvogëlsinë dhe pashpirtësinë e tij kriminale, ashtu siç e ka bërë Miranda Haxhiu në këtë libër.
Edhe Visar Zhiti, në veprën e tij madhore “Ferri i çarë”, Pjetër Arbnori, në “10.300 ditë dhe net në burgjet komuniste”, Iljaz Goga, në librin kushtuar Mirash dhe Martin Ivanajt, At Zef Pllumi në kryeveprën “Rrno vetëm për me tregue”, Bajram Z. Berisha në romanin “I ardhur nga katedra e ferrit” dhe disa autorë të tjerë të këtij kalibri, kanë treguar faqet e zeza të atij regjimi
E megjithatë, janë të rralla historitë që tronditin aq thellë dhe që shtrihen në katër breza, si ajo e rrëfyer nga Miranda Haxhia. Nuk besoj se ka në gjithë fondin e kësaj letërsie një vepër kaq tronditëse e prekëse.
HEROI I LIBRIT, RIZA ALIZOTI, RRËFEN DHE DENONCON SI I VDEKURI PA VARR
Në historinë e letërsisë të rralla janë rastet kur autori e vendos heroin e vet të vdekur në qendër të veprës dhe gjithë rrëfimin e bën të dalë nga goja e tij. Këtë e ka bërë me mjeshtëri Miranda Haxhiu.
Ka autorë si Alice Sebold, në librin e saj “Kockat e bukura”, e cila e vendos rrëfimtaren Susie Salmon, një vajzë adoleshente të vrarë, të tregojë historinë e saj nga “parajsa” e vet, duke vëzhguar familjen teksa përpiqet të përballojë humbjen.
Po ashtu, libri “Hajduti i librave”, i shkruar nga Markus Zusak, e sjell Gjermaninë naziste të vitit 1939 ashtu siç ishte. Autori i vlerësuar na ka dhënë një nga tregimet më të qëndrueshme të kohës sonë, të rrëfyer nga vetë Vdekja.
Ndërsa në librin “Tek po jepja shpirt” të William Faulkner (1930), njëri nga personazhet flet prej botës së përtejme. Ai është një nga romanet me ndikim më të madh në letërsinë amerikane, si në ndërtim, ashtu edhe në stil e dramë.
Këto libra janë përkthyer deri në 40 gjuhë të ndryshme të botës. Një gjë të tillë do ta meritonte edhe libri I Miranda Haxhiut
Por ndërsa kjo letërsi e gjinive të ndryshme — biografike, e bazuar në ngjarje të vërteta apo në sajime artistike, ka rrëfimtarë të vdekur që kanë një varr, heroi i librit “Vaji i gurit” nuk ka varr. Ai është varur me litar në degën e një vidhi në Kuçovë dhe, pasi i janë zhdukur eshtrat dhe çdo gjurmë ekzistence në këtë botë, ai na merr “për dore” në një rrëfim rrënqethës e trishtues.
Ky rrëfim nis me jetën e një njeriu të drejtë e të ndershëm, të ngritur mbi aftësi profesionale, arsimim, dhe qëndrime të palëkundura humane, morale e patriotike. Por kjo jetë, e merituar me dinjitet, shndërrohet hap pas hapi në një kalvar të pambarim, ku çdo faqe të sjell dhimbje, tronditje dhe një mosbesim të thellë se deri ku mund të arrijë ligësia njerëzore për të shkatërruar një familje të tërë. Dhe përfundimisht, të çon drejt lindjes së një urrejtjeje që të helmon, edhe kur nuk je vetë viktimë e drejtpërdrejtë e asaj tragjedie.
PËR DASHURINË JAP JETËN, PËR ATDHEUN JAP EDHE DASHURINË
(Shandor Pertëf)
Ishin vitet ’30, kur qeveria shqiptare po përgatiste kuadrot e veta në fusha të ndryshme të jetës. Për këtë arsye, në atë kohë shumë studentë shqiptarë “vërshuan” drejt shkollave perëndimore. Dihet që Franca, Austria dhe Gjermania ishin më të preferuarat. Por zotit Riza Alizoti i bie mundësia të shkonte për studime në Angli. Atje ai studion për shfrytëzimin e fushave të naftës së Kuçovës.
Si i ri që ishte, ai dashurohet me Kathelinën, një vajzë e mrekullueshme angleze. Dashuria e tyre, “e shpjeguar nga vetë ai”, i vdekur tashmë, është aq romantike, aq e bukur, aq e ndjerë, sa të bën të jetosh me ta dhe me idilin e tyre rinor. Ata lindin dy fëmijë të bukur si yje.
Por një ditë, studimet mbarojnë dhe ai duhet të kthehet në atdhe për të përmbushur detyrimin që kishte ndaj shtetit të vet. Kjo e vë përballë një konflikti të madh me veten dhe me dashurinë e jetës së tij: Dashuria, apo atdheu?
Pas përpjekjesh të pafundme, ku lëvizin emocioni, dashuria, morali, familja, atdheu — triumfon ky i fundit. Kathelina nuk pranon të vijë në Shqipëri, ndërsa Riza Alizoti kthehet dhe i përvishet punës për të kryer detyrimin që kishte si ish-bursist i shtetit.
Në këtë kohë, ai mëson për tragjedinë e parë të jetës së tij.
Djali i tij i vogël, Muhtari i mbetur në Londër, për shkak të një pakujdesie të dados, mbytet në lumin Tamiz. Në kohën kur ky djalë patriot, Riza Alizoti, zgjodhi të kthehej në atdhe dhe të linte fëmijët dhe gruan e tij në Angli, kishte edhe pasanikë me bursa të shtetit shqiptar, që bridhnin nëpër Perëndim pa asnjë konsideratë për vendin që ua mundësonte. Më vonë, disa prej tyre u bënë edhe persekutorë të atdhetarëve të vërtetë dhe të bijve të tyre, si në rastin e Fejzi dhe Riza Alizotit.
Më mirë se kushdo, këtë e ka përshkruar Ministri i Arsimit i Mbretërisë Shqiptare, Mirash Ivanaj, i cili ua priste bursat vagabondëve, përfshirë edhe atë që më pas e mori pushtetin në Shqipëri dhe e përdori atë kundër patriotëve dhe intelektualëve për 50 vjet.
Largimi nga Anglia, vdekja tragjike e djalit, mosardhja e së shoqes në Shqipëri dhe ftohja që solli distanca, shënuan shkatërrimin e asaj familjeje. Ai, midis dashurisë dhe atdheut, zgjodhi këtë të dytën — edhe pse me çmimin e lënies pas të Kathelinës, vajzës së tij Xheki dhe djalit Muftarit, i cili u mbyt në lumin Tamiz.
TITULLI: VAJI I GURIT APO I VAJGURIT?
Titulli i këtij libri është jashtëzakonisht intrigues. Ai mund të lexohet në dy shtresa kuptimore: nga njëra anë, Vaji i Gurit simbolizon dhimbjen që çan edhe gurin, sepse edhe guri “qan”, po të shohë, dëgjojë ose përjetojë tragjedinë e kësaj familjeje.
Nga ana tjetër, në thelb të kësaj tragjedie qëndron vajguri, industria e naftës. Pikërisht aty ku Riza Alizoti, një inxhinier i shkolluar dhe i përkushtuar ndaj atdheut e dha talentin dhe mundin e tij për zhvillimin e vendit. Dhe pikërisht nga ai vend pune nisi shkatërrimi i gjithçkaje që ai ndërtoi me përpjekje dhe sakrifica.
Kjo dykuptimësi e titullit shpreh, njëkohësisht, peshën e rëndë të dramës njerëzore dhe lidhjen e saj të pandashme me industrinë e vajgurit në Shqipëri, duke bërë që titulli të kthehet në një metaforë të dhimbshme të një jete të flijuar për vendin.
Plaga e ndarjes nga Kathelina dhe dy fëmijët, nuk mbyllej lehtë. Atdheu për Rizain dhe skepticizmi ndaj Shqipërisë për Kathelinën ishin faktorët që i dhanë një fund të trishtë dashurisë së tyre. Por, në rrethanat e reja që përjetoi Shqipëria me pushtimin fashist, nuk mbeti zgjidhje tjetër përveç jetës në distancë dhe ftohjes graduale deri në harrim. Letrat e shkëmbyera midis tyre janë aq emocionale, sa do të qëndronin po aq lart sa veprat më të bukura në letërsinë botërore.
Në këtë zbrazëti emocionale, të mbushur me dilema të koklavitura dhe të rënduar nga pasoja të shumta mbi dashurinë e tij të dikurshme, lindi një idil i ri. Rizait i del “në pritë” Vera Ypi — mbesa e njërit prej kryeministrave shqiptarë të viteve ’20, Xhaferr Ypit. Një bukuri e rrallë e kohës, vajzë me hire fisnike dhe pamje joshëse, me temperamentin dhe pasionin e një zonjushe të qytetëruar, e gatshme të linte Milanon e shndritshme për Rizain karizmatik në Kuçovën e errët të naftës.
Dashuria e tyre shpërtheu si një vullkan ndjenjash dhe u kurorëzua në një martesë solemne në Rrugën e Kavajës, në Tiranën e asaj kohe, e cila përpiqej të shkëputej nga obskurantizmi osman, duke sjellë frymën oksidentale në një popull që i takonte dhe i takon natyrshëm Perëndimit.
Dashuria, martesa, familja dhe udhëtimet e kohës ua mbushnin jetën aq bukur, sa nuk linin shteg për andralla. Vërtet vendi ishte i okupuar, por një ditë lufta do të mbaronte. Rizai dhe Vera po ndërtonin një jetë normale, të çlirët nga çdo aferë që mund t’ua cenonte karakterin, qoftë në aspektin moral, qoftë në atë politik, apo në ndonjë bashkëpunim që, sado pak, mund të shkonte në dëm të interesave të atdheut.
Po, atdheut, për të cilin babai i Rizait, Fejziu, kishte lënë rehatinë e Stambollit, kishte mbështetur qeverinë e Ismail Qemalit dhe kishte punuar me mish e me shpirt për konsolidimin e shtetit shqiptar. Ashtu siç edhe ai vetë, Rizai, kishte lënë Anglinë, Kathelinën, Xhekin dhe Muftarin…
IA HODHËN DRURIT DHE NUK E DUROI.
IA HODHËN GURIT DHE NUK E DUROI.
IA HODHËN NJERIUT DHE… E DUROI.
(POPULLORE)
AKTI I PARË I SHKATËRRIMIT TË FAMILJES PATRIOTE TË ALIZOTËVE NGA KOMUNISTËT – PUSHKATIMI I FEJZIUT
Në fundvitin 1944, Fejzi Alizoti u bë një nga prétë e para të komunistëve, të cilët sapo kishin marrë pushtetin dhe nisën represaliet kundër patriotëve, intelektualëve, profesionistëve, kundër njerëzve që e kishin mbajtur kombin në këmbë.
Me të u dënuan me vdekje edhe Aqif Përmeti, Kol Tromara, Bahri Omari, dikur të dërguar të VATËR-s për mbrojtjen e Vlorës nga italianët më 1920. Po ashtu, u goditën edhe figura të tjera të mëdha: Gjergj Bubani, që kishte mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës; Gjeneral Valentin Pervizi; Sami Koka, i cili kishte sistemuar në pension të gjithë të rënët për atdhe më 7 prill 1939 kundër pushtimit fashist; si dhe Terenc Toçi, arbëreshi që e la vendlindjen për të mbrojtur kombin e të parëve.
Ishin shtatëmbëdhjetë burra që u ekzekutuan në Kodrën e Priftit në Tiranë, natën e zezë të 13 prillit 1945. Prokurori Bedri Spahiu i tha me cinizëm rrëqethës njërit prej tyre:
“E dimë që keni punuar me ndershmëri, por nuk ua falim që nuk erdhët me ne.”
Kjo ishte arsyeja e vërtetë e dënimit të tyre, jo fajet, por ndershmëria, Jo krimet, por qëndresa, jo tradhtia, por besnikëria ndaj Shqipërisë.
Ekzekutimi i Fejzi Alizotit nuk ishte fundi i një kalvari të gjatë vuajtjesh të parrëfyeshme, por vetëm fillimi i një sage të errët, që do të përpinte jetë njerëzish, do të shkatërronte pasuri dhe do të shkaktonte drithërimë që trondit çdo qenie humane, përveç antihumanëve, të cilët, si atëherë, edhe sot, mbeten të gatshëm ta përsërisin të njëjtin krim ndaj kombit shqiptar, për hir të pushtetit të tyre.
AKTI I DYTË – DËNIMI I DJALIT TË MADH TË FEJZIUT, HASAN ALIZOTIT
Hasani, djali i madh i Fejziut, kishte qenë prefekt i Beratit. Ai u arrestua nga partizanët dy ditë pas ekzekutimit të të atit.
Një episod i jashtëzakonshëm tregon se Hasani u bë shpëtimtar për shumë partizanë, sepse dinte gjermanisht. Një ushtar gjerman, i kapur rob, i paralajmëroi se ndërtesa ku ishin vendosur partizanët, te Rruga e Toptanëve, ishte e minuar dhe do të shpërthente me sahat, pas dy a tre orësh, duke marrë me vete këdo që gjendej aty pari. Gjermani bërtiste e ulërinte, por askush nuk ia vinte veshin, derisa Hasani, siç ishte i arrestuar, me pranga në duar ua shpjegoi partizanëve çfarë thoshte gjermani. Ata e lejuan gjermanin të çaktivizonte minat dhe kështu shpëtoi tërë zona e minuar.
Por, megjithë këtë akt shpëtimi për dhjetëra jetë, edhe ai u vu përpara gjyqit partizan. Në gjyq doli se ai kishte ndihmuar Alqi Kondin, Kahreman Yllin, Margarita dhe Kristaq Tutulanin, madje edhe vetë Ramiz Alinë. Por… ai ishte i biri i Fejziut dhe duhej dënuar, edhe pse kishte bërë kaq shumë për njerëzit, për qytetin, për atdheun.
Ai përfundoi i dënuar me tre vjet burg, për fajin e vetëm se ishte i biri i kujt ishte…
AKTI I TRETË – FAMILJE E BUKUR NË DUKJE, ME BRENGA TË MËDHA
Viti 1946 e gjeti familjen Alizoti me të zotin e shtëpisë të pushkatuar dhe djalin e madh, Hasanin, në burg. Tanimë dashuria e madhe e Rizait me Verën kishte sjellë në jetë tre fëmijë si drita: Vimin, Nezin dhe Fejziun e sapolindur. Ata jetonin në Kuçovë dhe përpiqeshin që brengën e humbjes së pazëvendësueshme ta mbulonin me dashurinë e pafund të dy prindërve për fëmijët dhe me punën e palodhur të inxhinierit Rizai në fushat e naftës.
Ai kishte përjetuar një internim tremujor në Porto Romano nga italianët, pasi nuk iu bindej veprimeve të tyre arbitrare në dëm të ekonomisë shqiptare. Tani shpresonte dhe besonte se, me punën që kishte bërë dhe po bënte, do të shpërblehej për patriotizmin dhe dashurinë për profesionin e vet, profesion që ia mbante duart të nxira me vaj të zi edhe kur përqafonte vogëlushët.
Por… jo….!
AKTI I KATËRT – ARRESTIMI DHE EKZEKUTIMI I RIZA ALIZOTIT
Nuk vonoi shumë dhe makineria komuniste e gjeti edhe Rizain, ashtu me duar ende të lyera me lëngun e arit të zi të atdheut të vet, midis fëmijëve të tij të shtrenjtë dhe Verës së tij të dashur. Ai u mor me forcë nga Kuçova për t’u përplasur në burgun e Tiranës nga katër oficerë të pashpirt, shërbëtorë të regjimit. Odiseja e torturave që përjetoi ai është aq tronditëse, sa të drithëron vetëm po ta përmendësh edhe në këtë shkrim vlerësues (jo kritik) për librin.
Akuzat ishin aq absurde, saqë thuhej se ai kishte qenë “spiuni amerikan” ende pa lindur; se ishte rekrutuar në Kolegjin Robert në Stamboll, se kishte ushtruar veprimtari antikomuniste kur komunizmi ende nuk kishte lindur dhe se, për këtë arsye, meritonte asgjë më pak sesa varjen në litar, në degën e një peme, në Kuçovën e tij të dashur.
Në libër përmendet edhe lajmi që ishte përhapur gjatë kohës që Rizai ndodhej në qelitë e ndyra të paraburgimit, për vdekjen nga torturat e Kol Kuqalit. Këtë emër unë e pata gjetur kur shkrova biografinë e ambasadorit amerikan, njërit ndër njerëzit më të dashur të kombit tonë, Herman Bernstein, me të cilin Kuqali kishte bashkëpunuar për forcimin e marrëdhënieve me Amerikën e Wilsonit dhe Vatrës, që e shpëtuan Shqipërinë nga disintegrimi. Sot emri i tij dhe ai i Loni Adamit nderohen me pllaka të veçanta në oborrin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Rizai u dënua me vdekje, së bashku me Shefqet Bejën, Sheh Ibrahim Karabunarën – firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hysen Shehun, Dr. Enver Sazanin, Selaudin Toton, Irfan Majunin, Beqir Celën, Sulo Klosin, Salim Kokalarin, Mehmet Prishtinën, Paolo Saggotën, Tefik Deliallisin, Abdyl Kokoshin, Pertef Karagjozin, Agathokli Xhitonin. Të gjithë ishin ajka e inteligjencës dhe profesionalizmit të atij brezi shqiptarësh, të diplomuar në universitetet më të mira të Evropës.
Vendimi për dënimin e tyre me vdekje u shpall më 27 shtator 1947, në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Dënimin e kërkoi prokurori Josif Pashko dhe e shpalli kryetari i gjyqit, Niko Çeta, një furxhi me shkollë fillore. Akuza ishte aq absurde dhe aq e pabazë, por a u interesonte atyre se cila ishte baza e të vërtetës apo e gënjeshtrës?
Më 10 dhjetor të vitit 1947, ditën e datëlindjes së tij, Rizait i “dhuruan” vdekjen: E varën në degën e një vidhi dhe trupin ia hodhën në një pus që mbushej e zbrazej me ujërat e ndyra, derisa trupi i tij u zhduk, për të mos pasur varr dhe për të mos u gjetur kurrë nga njerëzit e tij të dashur.
“Faji” I tij I vetëm ishte arsimimi, edukimi, familja, prejardhja. Zhdukja e tij kishte të bënte me zhdukjen e dallimit midis tij dhe injorantëve kriminelë që kishin marrë pushtetin.
AKTI I PESTË – INTERNIMI DHE NDARJA NGA FËMIJËT E ZONJES VERA ALIZOTI: SHKATËRRIMI I PLOTË I FAMILJES SË RIZA ALIZOTIT
Është e vështirë të imagjinohet brutaliteti i njerëzve të asaj kohe për dikë që nuk e ka përjetuar kurrë. Por jo për dikë që e ka provuar vetë, si autori i këtyre radhëve. Bastisja dhe përzënia e Vera Alizotit me tre fëmijë të vegjël ishte një akt i paimagjinueshëm edhe për mendjet më të errëta.
Pushteti ua sekuestroi të gjitha pasuritë. U përzunë nga shtëpia. U internuan pa faj dhe u ndëshkuan vetëm pse ishin ata që ishin.
Që të bënin që të mbijetonin fëmijët, të afërmit u detyruan t’i shpërndanin aty-këtu tek familjarët, që të paktën këta kërthinj t’i shpëtonin represionit, i cili nuk kursente as engjëjt më të pafajshëm.
“Rrëfimtari” i kësaj tragjedie tregon me detaje skenat e korrupsionit të oficerëve, të cilët, duke iu fshehur syve të njëri-tjetrit, vidhnin pasuritë e ligjshme të viktimave të tyre, në emër të “pushtetit popullor”. Episodi i orës që iu rrëmbye Vera Alizotit është ilustrimi më i mirë i asaj që ndodhi dje dhe që, për fat të keq, mban po atë fytyrë edhe sot. Vera Alizoti e pa orën e saj, dhuratë, kujtim dhe nder, në dorën gruas së sekretarit të Komitetit Ekzekutiv të Beratit, Dhimitër Dhaskaliu…!?
Internimi i Verës, ndarja nga fëmijët dhe shkatërrimi i një familjeje të tërë ishin pjesë e të njëjtit plan: zhdukja e aristokracisë shqiptare, zhdukja e elitës, zhdukja e kujtesës.
AKTI I GJASHTË – SI U RRITËN ATA TRE FËMIJË NËN KUJDESIN E TË AFËRMVE TË TYRE
Si u rritën ata fëmijë në kushtet e diktaturës, me gjyshin dhe babanë të ekzekutuar nga pushteti? Odiseja e rritjes së tyre, me babanë të vdekur dhe pa nënën që i lindi, është një dramë tjetër po aq e tmerrshme sa edhe ato të mëparshmet. Njëra nga vajzat kaloi një vit në sanatorium për t’u rikthyer në jetë, pas asaj sëmundjeje të rëndë që e mundonte. Ndërsa Fejziun, ose siç e thërrisnin Xikun, e dërguan bashkë me nënën në kampin famëkeq të Tepelenës. Historitë e atij kampi janë përmendur shpesh, por ato që përjetoi ajo grua e bukur, e zgjuar, me karakter prej hekuri, duke u përpjekur të rrisë djalin e saj dhe ruajtur moralin janë ndër më të rrallat që mund të dëgjohen ndonjëherë.
AKTI I SHTATË – PUSHTETI DIKTATORIAL NUK TË LË JO TË KRIJOSH FAMILJE, POR AS TË DASHUROSH
Për një njeri si unë, që kishte përjetuar pasojat e luftës së klasave pikërisht në moshën më të bukur të rinisë, kur duhet të krijohej familja e të gëzohej dashuria, lidhja e Xikut me Meri Lalën është mëse e kuptueshme.
Dy të rinj, të njohur krejt rastësisht, bien në dashurinë më të fortë e më pasionante që mund të imagjinohej, duke sfiduar heshturazi gjithçka diktonte lufta e klasave. Për ta, ndjenjat ishin më të rëndësishme se frika, jeta më e fortë se terrori, shpresa më e madhe se damka.
Dhe kur prej kësaj dashurie lindi Manjola, tamam si një lule manxurane që çel kundër acarit, dukej sikur jeta donte të fitonte, sikur drita do të triumfonte mbi errësirën.
Por pushteti nuk i duronte ngjyrat e bukura të jetës, gëzimin dhe frutin e dashurisë. Pas një rezistence të gjatë, Meri u thye. Prindërve të rinj u shkatërruan ëndrrat, familja u ndërpre që në nisje e sipër.
Tani jeta po bëhej përditë edhe më e zymtë, më e rëndë e më e padurueshme… Nëse Xiku do të bënte familje, i duhej gjetur dikush që ishte “e së njëjtës serë”, botërisht e deklaruar. Ajo do të ishte Eli, e bija e Hilmi Lekës, i ekzekutuar bashkë me babanë e Xikut. Eli i solli në jetë një djalë, Tomorrin, pikërisht ditën kur Manjola hynte në klasën e parë… por atë nuk e përcolli dot babai i saj.
Por nuk vonoi shumë dhe po ato pranga që ishin vënë në duart e babait, Rizait, dhe të gjyshit, Fejziut, ishin rezervuar edhe për Xikun e sapomartuar. U akuzua se “punonte për shërbimet e huaja angleze”, akuzë e ndërtuar mbi propagandën që shpërndante daja i tij, Tajar Zavalani, në radion angleze BBC, si edhe mbi punën që bënte daja Adnani me forcat e NATO-s.
Arrestimi erdhi shpejt. Dënimi po ashtu. Dhjetë vjet burg politik… për “fajet” e të tjerëve.
Vuajtjet e tij dhe ato të motrave që shkonin ta shihnin janë të denja për t’u shkruar ndër episodet më të errëta të historisë njerëzore. Trajtimi i tij dhe i të burgosurve të tjerë politikë në Shqipëri mund të krahasohet vetëm me kapitujt më antinjerëzorë të veprimeve të nazistëve kundër hebrejve në kampet e Dachaut, Auschwitzit apo Mauthausenit. E njëjta gjë ndodhte edhe në kampet e komunistëve shqiptarë: Spaç, Burrel dhe Qafë-Bar.
AKTI I TETË – VERA ALIZOTI-YPI PËRBALLË ARMIKUT TË FUNDIT: KANCERIT
Në vitin 1971, pasi kishte kaluar gjithë atë kalvar mundimesh, privacionesh, vuajtjesh, mjerimi, largimi nga fëmijët dhe varfëri të skajshme, Vera Alizoti ndeshet me një armik edhe më të egër: kancerin.
Ajo shtrohet në spitalin Onkologjik në Tiranë dhe takon për herë të fundit vajzën e saj, Nezin. Në atë çast të fundit të jetës, kur njeriu ka nevojë për mëshirën më minimale njerëzore, shfaqet zëvendësministrja e Shëndetësisë, Vera Ngjela. Ajo e përzë nga spitali, me pretendimin se “spitali komunist nuk ishte ngritur për të kuruar reaksionarët, siç ishin Alizotët”. Për komunistët që më vonë u kthyen në “demokratë”, as Betimi i Hipokratit nuk pinte ujë.
Me urdhër të saj e nxorën nga spitali.
E lanë të vdiste.
Të nesërmen, Vera u shua në një mjerim të plotë, në qendrën e saj të internimit në Vilën e Bashtovës.
I vëllai, Seferi, i dëshpëruar dhe thuajse pa zgjidhje, gjeti një copë tokë që ia ofroi një kosovar fisnik i Bashtovës. Aty, pasi e transportuan me një qerre, e mbuluan në dheun e ftohtë atë perri të vuajtur në moshën 47-vjeçare. Aty u gropos një jetë, e cila kishte filluar në shkëlqimin glamoroz të Milanos, por u shua në errësirën e pafund të “atdheut” që i mori gjithçka. Varrimi i saj ngjan shumë me atë të Musine Kokalarit në Rrëshen. Xiku, I biri mundi të shkonte vetëm të nesërmen nga Kryevidhi, ku ishte i internuar për vete.
Njëzet vjet më vonë, kur sapo kishte rënë komunizmi, varrin e saj e gjeti pikërisht ai kosovar fisnik, në atë vend ku çdo shenjë varri ishte zhdukur. Falë përpjekjeve të të afërmve të saj, Verës iu morën kockat që aty dhe iu bë një varr i denjë, të paktën me një pllakë ku dihet se prehen eshtrat e saj, ndryshe nga ai i Fejziut dhe Riza Alizotit, që u zhdukën pa gjurmë…
AKTI I NËNTË – I MBIJETUARI I ALIZOTËVE: TOMORRI
Teksa po shkruaja këtë vlerësim për këtë libër emocionues, përmbajtësisht tronditës dhe realisht të trishtueshëm, të mbushur me të vërteta historike aq të dhimbshme, para syve më del një burrë i pashëm, më i gjatë se mesatarja, me flokë tashmë të thinjura në tëmth, simpatik, i duruar, i pajisur me një botë të tërë dhimbjesh dhe me një ngarkesë emocionale të jashtëzakonshme për të shkuarën tragjike, por jashtëzakonisht dinjitoze të paraardhësve të tij. Ai mbart një urrejtje të brendshme tepër të përmbajtur dhe të vetëkontrolluar ndaj padrejtësisë që ka përjetuar. Ai është një diplomat par excellence, i ditur sa më s’ka, i pajisur me të dhëna të veçanta dhe njohës i thellë i filozofisë, sidomos asaj gjermane.
Ai është deputeti demokrat Tomorr Alizoti, nipi i stërgjyshit Fejzi, i gjyshit Riza, të cilët ai nuk pati mundësi t’i njihte kurrë, dhe i biri i Fejziut të Riut. Historia e këtij djali, mënyra se si u rrit, sakrificat dhe vuajtjet e familjes së tij, duhet të shërbejë si mësim i përhershëm. Sepse ditët që po jetojmë i kanë të gjitha premisat që histori të tilla të përsëriten.
MBYLLJE
Dua të shpreh tërë ndjenjat e simpatisë, të dhimbjes dhe të respektit, si dhe ngushëllimet e mia, sado të vonuara të jenë, për humbjet seriale të kësaj familjeje fisnike shqiptare, të përballur kaq brutalisht me diktaturën komuniste.
Në mbyllje, dua të komplimentoj autoren e librit, Miranda Haxhiun, e cila ka sjellë në letër këtë histori që duhet të njihet nga sa më shumë shqiptarë, dhe besa, edhe nga të huaj.
Shënim:
Duke e studiuar këtë libër të Miranda Haxhiut me vëmendjen më të madhe, nuk mund të mos veçoja disa fjalë që unë i hasa për herë të parë në jetën time në gjuhën shqipe. Ajo që kjo shkrimtare ka bërë me këtë libër është monumentale në çdo aspekt, madje edhe në atë gjuhësor. Pikërisht për këtë mora në shënim fjalët e mëposhtme:
Funcet e cigareve, Kërbunjur si plak, Kuti arturinash, Mballoma, Ndërlike, Njomështirë, Piligorkat, Rrake, Rrëmbushur, Shaloku, Therreckat, Trosholiste.
Mal Berisha, New Jersey, USA